Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Marrëveshja, grekët, çamët

Postuar: 17/03/2018 - 07:57

Kur vjen një moment historik, gjërat nisin të ndryshojnë për mirë, sidomos për ato vende dhe kombe që dinë të kuptojnë më qartë se çfarë po ndodh dhe të orientojnë drejt politikat e tyre. Ndërsa për vendet dhe kombe që nuk marrin parasysh ndryshimet historike, humbin shansin e tyre. Kështu ndodh dhe në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku dihet se ka çështje të pazgjidhura. Prandaj kur ulen në negociata kërkohet një kujdes dhe përgatitje e lartë, sepse është një përballje qëndrimesh që kanë të bëjnë me të vërteta historike, janë çështje delikate, që kërkojnë kujdes në trajtimin e tyre, përgjegjshmëri dhe patriotizëm të lartë. Me sa dëgjova z. Bushati, çështjet po shihen dhe po trajtohen me kujdes që të ketë një dakordësi mes palëve dhe të mos kemi pamundësi të ecurisë në shumë çështje, në zhvillimet në të ardhmen. Të gjithë ne si opinion publik, e kemi të qartë se këto negociata po realizohen me nxitjen dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, Europës dhe SHBA. Sepse të jetë për Greqinë, kërkonte vetëm varrezat dhe detin, për të tjerat duket se është pak e interesuar. Pra për Greqinë, vetëm këto çështje kërkonin të zgjidhte për të vënë një “ok”, në hapjen e negociatave për Shqipërinë. Për këtë ka bërë herë pas here dhe presion, me lloj-lloj mënyrash ndaj Shqipërisë, për këtë ka patur raporte nga Departamenti i Shtetit. Po ndodh që ky vend prepotent dhe arrogant, është ulur për të diskutuar edhe për çështje të tjera, dhe për herë të parë shkon përtej përfitimeve direkte të tij, por që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nëse do shkonim me analizën tonë vërejmë se pavarësisht bisedimeve në rang ekspertesh, një gjë është e qartë, që duhet kuptuar, se situata në Ballkanin perëndimor momentalisht, është në interes më shumë të faktorit shqiptar, është momenti për të mbyllur çdo problem mes vendeve të rajonit. Kjo duhet të na bëjë, që të kuptojmë gjeo-strategjinë në këto momente historike, duke kuptuar çdo faktor për këto bisedime përfshirë edhe komunitetin çam që është shumë i interesuar, por dhe ndërkombëtar. Prandaj, kjo situatë duhet trajtuar me një seriozitet maksimal nga përfaqësuesit tanë, pasi në këto bisedime janë interesa jetike, me shumë rëndësi për të tashmen dhe të ardhmen e kombit. Marrëveshje të tilla vijnë në historinë e vendeve jo shpesh, por në situata specifike që ndryshojnë shumë interesa dhe i japin zgjidhje çështjeve, që për arsye mbeten të pazgjidhura. Kjo duhet kuptuar nga faktori politik shqiptar, në nivelin më të lartë, e deri tek negociatorët në rang ekspertësh. Çfarë po ndodh realisht? Politika shqiptare për opinionin tim, po bëhet e ndërgjegjshme se duhet të kryejë reformat e kërkuara nga faktori ndërkombëtar. Gjithçka në Shqipëri, në këto momente është duke lëvizur në drejtimin e duhur për të pastruar pushtetet në Shqipëri, për të bërë një shtet sa më funksional dhe në shërbim të qytetarëve sipas parametrave të kërkuar europianë. Megjithë pengesat e shumta nga segmente të politikës, përsëri gjithçka do shkojë për mirë, me siguri për të realizuar rrugën europiane. Pavarësisht shirave, koha na tregon se po hyjmë në pranverë dhe kjo përkon me ndryshimin e gjithçkaje. Jemi në prag të fillimit të bisedimeve që priten të mbyllen me marrëveshje të pastër, që nuk dëmton interesin tonë kombëtar, që bazohet në sjelljen dhe përqasje të reja dinjitoze të shtetit shqiptar. Janë disa çështje, që ato të luftës dytë botërore, dhe ato të ditëve tona që duhen trajtuar me bisedime të barabarta dhe reciprocitetin e marrëdhënieve. Sipas njoftimeve do hiqet ligji luftës, një nga ligjet më absurde, në historinë e dy vendeve fqinj, megjithëse është thënë prej tyre, që nuk ekziston, realisht ka ekzistuar. E kishin në fuqi deri tani, për arsyet që dihen, për të mbajtur të bllokuar pronat e shqiptarëve, por edhe të popullsisë çame. Pavarësisht se grekët nuk e pranojnë se egziston çështja çame por, nëse më parë nuk të lejonin as të përmendej, tani ka nisur idea se si do marrë zgjidhje ky problem për të dhe Europën. Çështja më e nxehtë dhe delikate mes dy vendeve tona mbetet kjo çështje. Por ka një problem, ne për këtë i referohemi opinionit grek, por e vërteta është se duan apo nuk duan, ajo është tanimë një çështje që kërkon një zgjidhje sepse nuk mund të rrijë në këtë mënyrë siç është, mes dy vendeve tona. Shtetarët e sotëm grekë do e kuptojnë më në fund se do vijë një ditë që do përballen me këto të vërteta historike, se kanë bërë një nga padrejtësitë më të mëdha pas trajtimit të hebrenjve nga nazistët gjatë luftës, këtë e bënë pas luftës së dytë. Prandaj s’duhet të humbasë arsyen, sepse është shtet europian dhe nuk kanë përse të kenë këtë qëndrim për ç’ka kanë kryer fashistët e tyre. Sot duket absurde dhe nuk ka si shpjegohet, që vazhdojnë të bëjnë gjëra që një mendje e hapur evropiane nuk mundet as t’i mendojë, duke shkelur çdo të drejtë elementare të lëvizjes së lirë të njerëzve, mohimit të pronave etj. Është dhe jashtë frymës së marrëveshjes që po zhvillohet, që në Qafë Botë të vazhdojnë të kthejnë të moshuar në kufi, edhe pse kanë pasaportë që udhëtojnë në të gjithë Europën. Para disa kohësh u kthyen dy autobusë me të moshuar, më parë ishte kthyer dhe një burrë i moshuar po nga ky kalim kufitar, vetëm se kishin lindur në Çamëri. Këto tregojnë mentalitetin që kanë ata policë të kufirit, të cilët sigurisht kanë patur edhe mbështetje dhe inspirim politik. Grekët, mesa duket kanë frikë se mos prej kësaj çështjeje kërkohet të ndryshohen kufijtë. Ne kemi theksuar vazhdimisht se kërkojmë të na njohin të drejtat tona, që bazohen në konventat ndërkombëtare, për të drejtat e njeriut për lëvizje të lirë, njohje të pronës, njohje të nënshtetësisë dhe kombësisë. Në asnjë tubim apo artikulim politik të shtetit, kryeministrit, ministrit të Jashtëm, faktorit politik të komunitetit të kërkohet zgjidhje duke ndryshuar kufijtë. Kurdoherë kemi qenë të kujdesshëm, që mos të ngremë frymë shoviniste, që të dëmtojë marrëdhëniet mes vendeve sepse ne jemi paqësorë dhe europianë. Ne si komunitet, kemi treguar në vazhdimësi, fisnikëri dhe durim, sepse mendojmë në zgjidhje, të cilat janë konform frymës europiane dhe konventave ndërkombëtare. Po shohim që edhe në këto negociata përsëri kemi një përqasje për këtë çështje. Ne, sigurisht kërkojmë finalizimin e zgjidhjes, pra besojmë se shteti shqiptar nuk do e tradhtojë këtë problem kombëtar. Ne jemi të vendosur, që bazuar mbi të drejtat themelore, po kërkojmë pa u lodhur, gjithçka që sot na mohohet, në të gjitha mënyrat, duke përfshirë dhe arrogancën. Greqia si shtet, me këto veprime arbitrare kujton se bëhet i fortë, duke harruar se Shqipëria nuk është më si në vitin 1991. Ky shtet duhet të kuptojë se me këto veprime nuk bëjnë gjë tjetër veçse kthehen në qesharakë për opinionin e vendeve të zhvilluara. Ndërsa Europa, si pranon t’i shkelin hapur parimet e saj për të drejtat e njeriut, që janë themelet kryesore të funksionimit të unionit?! A ka barazi Europa dhe trajtim të njëjtë për të gjitha vendet?! Kthimi i njerëzve të moshuar nga kufiri, pa i dhënë shpjegim është një nga ngjarjet më tragjike dhe të dhimbshme së pari, për Europën e sotme. Këto veprime duhet të jetë këmbanë alarmi për Europën, që po i shkelen hapur të drejtat e njeriut në një shtet brenda saj. Grekët kthejnë njerëz të moshuar, të cilët nuk përbëjnë asnjë rrezik për këtë vend. Ata janë disa ish nënshtetas grekë, gjatë luftës së dytë ishin fëmijë të vegjël, që i shuan familjet, duke i vrarë dhe masakruar, për t’i marrë territoret dhe pronat, vetëm se ishin me kombësi shqiptare. Sado i fortë të jetë një shtet, sado prepotent e arrogant të tregohet, ka një kurbë, deri sa shkon në dekadencë. Kështu po ndodh edhe me fuqinë e Greqisë, madje kjo ka nisur kohë më parë me krizat e thella ekonomike, që e kanë mbërthyer keq, në mënyra agresive të komunikimit që ka mes shteteve fqinje, po tregon hapur se ka frikë mos humb ato privilegje që i ka patur. Ky është një mësim historik, se edhe vendeve më të mëdha, pashallëqe, perandori, nuk i shpëtuan dot këtij fenomeni. Kthimet e njerëzve të thjeshtë në kufi, mund të jetë një politikë konstante e unike e shtetit grek, por nuk duhet harruar se mund të ndodhë që edhe ata mund të përballen me të njëjtin qëndrim, për qytetarët e tyre në kufirin tonë. Nuk duhet harruar se mes vendeve të ndryshme ka edhe një marrëdhënie reciprociteti. Ata kërkojnë varre në territorin Shqiptar, për një luftë që nuk e bënë me ne, por përse nuk na lejojnë neve, që edhe ish partizanët shqiptarë që luftuan për Greqinë dhe për ata njerëz të pafajshëm që vranë fashistët e tyre në mbarim të luftës, nuk i lejojnë të kenë varret e tyre në tokën e Çamërisë?! Kjo padrejtësi nuk mund të vazhdojë në pafundësi. Ne sot jemi brezi, që kemi një amanet nga të parët tanë. Tani nuk mund të na trembë askush, sepse kemi përpara të drejtën e zotit dhe të vërtetën historike, kemi tapitë që vërtetojnë se ato janë pronat e të parëve tanë. Ne sot po luftojmë politikisht për të nxitur shtetin, që të përfaqësojë dhe të mbrojë interesat tona, por ne nuk jemi në errësirë informacioni, sepse e dimë se të drejtën juridike dhe të vërtetën historike nuk kanë më fuqi ta pengojnë. Ata mund të vazhdojnë kështu, duke na trajtuar me mentalitetin e vjetër, pa respekt dhe duke mohuar çdo të drejtë, por kjo shpejt do kthehet kundra tyre. Ndërkohë ne do jemi përballë kurdoherë, pavarësisht se mendojnë se janë të fortë, në realitet nuk janë aq sa mendojnë dhe këtë e keni të qartë. Një avokat i njohur shqiptar dhe patriot, ka thënë se, çështja çame është e tillë që, nuk mund ta fshehin, se është bërë gjenocid, është ushtruar dhunë dhe grabitje e pasurisë. Ndryshimet po vijnë për të gjithë Ballkanin perëndimor, edhe për Shqipërinë, e cila në pak vite do jetë në të njëjtat kushte si ju. Ju nuk mund të ndalni më Shqipërinë dhe rrugën europiane të saj. Prandaj për të gjitha çështjet kërkohet të gjenden zgjidhje në dobi të vërtetave historike dhe marrëdhënieve të hapura mes vendeve fqinje, pavarësisht problemeve. Për këtë jemi në çdo moment si një komunitet fisnik dhe dinjitoz në përpjekje për të drejtat tona. Koha ecën dhe shumë shpejt do na japë të drejtë./Nga Dr. Abaz HADO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 19

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/07/2018 - 07:16

Në alternativën “më mirë “djepin” bosh apo me “shejtanin” brenda, konkluzioni i LSI-stëve, është që më mirë të kemi “shejtanin” brenda në “djep” dhe jo vetëm kaq

Postuar: 22/07/2018 - 07:14

Në politikë, natyrisht së ka shumë opsione për të ardhur deri të qëllimi i caktuar.

Postuar: 22/07/2018 - 07:11

Në kushtet e globalizimit nuk është më e mundur që një vend të qëndrojë në “ineficiencën&

Postuar: 22/07/2018 - 07:06

Sigurisht që shoqëria jonë u afeksionua me presidenten karizmatike kroate dhe mike të shqiptarëve

Postuar: 21/07/2018 - 11:39

Nga Artan Fuga/

Çfarë pamje magjepse!

Postuar: 21/07/2018 - 07:17

Patjetër që ligji mbi teatrin dhe pastaj thelbi i problemit mbi teatrin, nuk ka një përkrahje kaq