BREAKING NEWS

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të akuzuarit e mëdhenj ja vetëm do shpronësohen, por do burgosen

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të
x

Opinion / Editorial

Marrëdhëniet folkpolitike tip "Avni Rustem dhe Esad Pasha" dhe sot!

Marrëdhëniet folkpolitike tip "Avni Rustem dhe Esad Pasha"

Askush nuk e mendonte dot, nuk e çonte ndër mend se në vitin 2020-të, do të ishim më "folkpolitikë" se në fillimet e të ashtuquajturës demokraci. Kujtuam se thepat e dikurshëm demokratikë dhe mbretërorë, apo komunistë dhe ballistë apo Nolistë dhe Zogistë, do të zbuteshin. Kujtuam se do të jetojmë të qetë nga prodhimi i tradhtarëve dhe atentatorëve të tyre. Kujtuam se nuk do të përballeshim me ide kundër njëri-tjetrit për jetë a vdekje. Por sigurisht ishim gabuar, jemi të gabuar dhe do të vazhdojmë të jemi të gabuar si njerëz normalë, kur sipër politikës, sipër filozofisë së shtet formimit, kombformimit dhe ekonomisë, por dhe diplomacisë të jetë kjo klasë folkpolitike armiqësore me njëra-tjetrën për pushtetin abuziv, të cilin e sigurojnë pikërisht me këtë demek zënkë për jetë a vdekje që ne t’jua dhurojmë përjetë - pushtetin. Të dalë politikisht nga një zgafelle, nga një mitër e mendimit më kriminal dhe antikombëtar, por dhe anti njerëzor si eksperiment të ashtuquajtur komunist në Shqipëri, të tillë folkpolitikë, tashmë frikësojnë popullin e tyre me atë që nuk realizuan plotësisht në vitin 1997-të apo dhe në vitin 1998-të. Po pra vrasjen masive të shqiptarëve mes njëri-tjetrit, për të tillë kopukë që njëherë bëjnë si të djathtë, një herë si progresistë, një herë si dashnor të monarkisë dhe njëherë si ultra majtistë. Sot në një delir politik dhe armiqësi të mbrujtur politikisht dhe mediatikisht Presidenti i Republikës i vendosur në atë post nga Edi Rama dhe PS-ja e Rilindjes, dekoron Heroin e Popullit Avni Rustemi me medaljen e lartë të Flamurit. Por nuk është ky lajmi dhe modeli për të analizuar. Problemi është për çfarë e dekoron në vitin 2020-të. Motivimi i presidentit Ilir Meta është ky: Aktin që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës. Është më se e qartë se kujt i referohet ky motivacion në rastin konkret dhe padyshim kjo dekoratë në vend që të ishte një model presidencial dekorimi bëhet model presidencial egërsie dhe folklorizmi politik në mënyrë të plotë. Krahasimi i Edi Ramës me Esad Pashën është i qartë dhe tashmë duhen joshur Avni Rustem-ët vetëm për të përmbyllur marrëzitë armiqësore të shqiptarëve injorantë, folklorikë dhe sundimtarë në teatrin absurd të tyre. Duket sigurisht lojë, por konteksti ky është. Në 2020-ën kur pjesa e rëndësishme e shoqërisë duhet të kuptonte se Heroi i Popullit Avni Rustemi në kushtet e dikurshme ka bërë një akt patriotik sipas një pjese të politikës dhe popullit duke kryer një krim me vrasje ndaj një egoisti, një tradhtari që donte vetëm Shqipërinë pronë të tij - duhen kthyer në folkpolitikën e sotme si mendim i parë filozofik. Kjo është tragjike. Po ku ka më keq se sa kaq? Ky motivacion kaq i rëndë politikisht nuk i është bërë Rustemit as nga partia e baballarëve të Ramës dhe Metës. As nga partia që trashëguan dhe që tani nuk e kanë bashkë, por prej të cilës si krah politik kanë dalë. Tentativat për të krijuar tradhtarë akoma më keq se kosovarët politikisht sot, për të bërë armiq brenda, për të pasur përfitime politike si dikur nga vitet 1920-1939 dhe për ta pasuar ashpërsisht nga 1941 der më sot, është një fatkeqësi tragjike që pasi prodhon tradhtarë, duhet të ketë dhe atentatorë dhe vrasës fizik të tradhtisë dhe tradhtarëve të supozuar. Po dhe Zogut i janë kryer shumë e shumë atentate. Të gjitha këto kanë një qëllim që nuk është as kombi, as integrimi, as mirëqenia. Kjo folkpolitikë ka si qëllim sundimin. Edi Rama dhe Ilir Meta kanë qindra foto bashkë, të lumtur dhe gjysmë të lumtur, me pakte dhe përqafime. Ashtu sikundër kanë batuta të egra dhe tallëse tipike të Ramës këto të fundit. Rama e di se me të tilla batuta e nxjerr në "tilt" Presidentin e Republikës dhe sigurisht si reagim dalin të tilla gjëra të forta si Rustemi, Mic Sokoli, Alende etj. etj. Krijimi i kushteve të tilla për të armiqësuar situatën dhe bërë atë dëshpëruese kanë si qëllim grindjen që të ulen në tavolinë mundësisht mbasi janë vrarë shqiptarët me njëri-tjetrin. E kjo tavolinë pastaj të fillojë ato marrëveshjet politike që çojnë sërish te atentatori hero Rustemi dhe tradhtari i vdekur Toptani. Njëri hero dhe tjetri për t’u vrarë dhe pastaj kjo skemë bën dhe shtetin, shoqërinë të kësaj forme, këtij mentaliteti super folklorik në politikë, që sigurisht vret shqiptarin. Ky çast i një vrasjeje politike i nderuar në 2020-tën nga presidenti i kryeministrit Rama, bëhet që të kuptojnë të gjithë se kështu veprohet me ata që "tradhtojnë". Është kjo dhe filozofia që çon shumë e shumë familje për t’u larguar një orë e më parë nga ky vend i "mallkuar" që mban sherrxhinj për pushtet si tipi i këtyre që kemi në pushtet si pozitë, Presidencë dhe opozitë. Sepse çfarë do që të bëjmë tipat e këtyre që bëjnë kryeministra njëri-tjetrin, që bëjnë presidentë njëri-tjetrin dhe pastaj duan tradhtarë dhe atentatorë njëri-tjetrin, që nxisin krimin e vrasjen politike - drejt një regjimi kriminal të çojnë. Si perversitetet korruptive të atyre në pushtet, si marrëzitë pushtet kërkuese e atyre në opozitë dhe po ashtu butaforitë me nxitje krimi të atyre në Presidencë - janë lojë pushteti dhe asgjë tjetër. Asgjë nuk ju besohet këtyre tre palëve në politikën folklorike shqiptare. Asgjë. Ato nuk bëjnë as shtet, as drejtësi dhe as ekonomi. Ato shkatërrojnë kombin, shtetin dhe shoqërinë. Janë raca më e fëlliqur që ka pasur ndonjëherë në drejtim populli shqiptar.