Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Marrëveshja e Uashingtonit dhe të rinjtë e vjetër të politikës kosovare

Marrëveshja e Uashingtonit dhe të rinjtë e vjetër të

Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, e cila u bë në prani të presidentit Trump vazhdon të komentohet në mënyra të ndryshme në Kosovë. Por ndër më kritikët dhe të linjës së ashpër të cilët e konsiderojnë të padobishme dhe cënim të integritetit territorial të vendit janë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Por para se të merremi me qasjen e këtyre personave politikë le të analizojmë vetë marrëveshjen në një këndvështrim më të gjerë. Nuk mohohet fakti se Kosova e pavarur është produkt amerikan në kuadër të NATO-s. Padyshim faktori UÇK ka pasur nxitjen dhe përkrahjen e tyre dhe shërbeu si kauzë për sulmin ajror të ndërmarrë me pretekstin e gjenocidit ndaj popullsisë së pafajshme, i cili përndryshe do quhej ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti sovran si ish-Jugosllavia. Këtu nuk bëhet fjalë për dashuri dhe empati të ndërsjellë midis popujve apo në çfarëdo rrafshi tjetër, por vetëm për interesa strategjike dhe gjeopolitikë të pastër. Sllavo-ortodoksia historikisht i ka përkitur aleancës me rusët dhe për të pasur qasje afatgjatë në këtë rajon duhej të fuqizoheshin faktorë të tjerë të dominuar forcërisht prej tyre. Dhe shqiptarët si popullsi autoktone, numerikisht më e madhe se të tjerat, e shpërbërë në një hapësirë të gjerë prej fuqive europiane pas rënies së Perandorisë Osmane, u panë si më të mundshmit dhe të besueshmit në kuadër të planeve ambicioze amerikane për qasje në këtë pjesë të botës, ku influenca e tyre kishte qenë vetëm honorifike. Është aleanca më fatsjellëse për shqiptarët, të cilët fqinjët e shikojnë me zili dhe skepticizëm. Shumë arritje në planin diplomatik të Kosovës dhe Shqipërisë i detyrohen SHBA-ve. Dhe marrëveshja në fjalë midis Kosovës dhe Serbisë që pati për “kumbar” presidentin Trump është ndër më të rëndësishmet e këtyre kohëve të fundit. Sepse njohja nga Izraeli dhe vendosja e ambasadës në Jeruzalem, është sa dhjetëra njohje bashkë. Për faktin se është një shtet “pinjoll” i krishterë, i krijuar ekskluzivisht nga amerikanët në trojet e braktisura, por dhe për peshën specifike të lobit hebre rezident në SHBA. Vetvetiu u dërgohet mesazh edhe shteteve të tjera aleate për njohje në kohën më të shpejtë të mundshme. Nuk kishte Izraeli nevojë për Kosovën, e kundërta është e vërtetë. Dhe Vuçiç pavarësisht se për konsum të brendshëm e trumbeton si fitore marrëveshjen dhe këmbëngul në mosnjohjen e pavarësisë, defacto e ka pranuar atë. Ose përndryshe do ishte ngritur nga tavolina e bisedimeve në mënyrë flagrante dhe teksa do fitonte pikë si populistë, do diskreditohej si antiperëndimor dhe antiamerikan. Do i bënte shërbimin më të keq vendit dhe karrierës së tij politike. Për të mos e lënë në baltë përpara radikalëve prorusë në Serbi, amerikanët finalizuan një marrëveshje në parim për liqenin e Ujmanit e shoqëruar me një paketë ndihmash financiare për projekte përfitimi dypalëshe për qeveritë dhe popujt fqinjë. Dhe Minishengeni Ballkanik, pavarësisht retorikave, është një mundësi bashkëpunimi, një portë zhvillimore rajonale sa kohë që është frenuar procesi i anëtarësimeve në BE. Por teksa Vuçiç u tregua mendjehapur, ja ku dalin në skenë Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe ndonjë syresh dhe hedh vickla, luajnë blofin. Protagonizëm që i ikën realitetit, perspektivës dhe luan me kartën e nacionalistëve të pagjasë, si mundësi mbijetese dhe riciklimi politik. Albin Kurti ka krijuar profilin e një revanshisti dhe marksisti të tipit Che Guevara që në thelb predikon revolucionin dhe antagonizmin. Dikur hidhte molotov në sallën e Parlamentit, bllokonte maunet e mallrave serbe në doganën kosovare, kundërshtonte demarkacionin me Malin e Zi dhe premtonte bashkimin e gjithë trojeve etnike. Por nuk qe në gjendje të krijonte qeveri kur populli e vetëbesoi dhe i iku përgjegjësive, premtimeve të bujshme. Pamundësia për të qenë konkret dhe burrështetas e bën të sillet asisoj, të mos thellohet në deklarata dhe të merakoset më tepër, për kultin e tij utopik. Dhe shihet se edhe zonja Osmani po shkon verbazi në të njëjtën hulli. Të vjetrit e politikës kosovare gjithsesi po tregohen më luajalë, teksa të rinjtë, po shfaqen më të “plakur”, tradicionalë dhe pa vizion.