Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Marrëveshja Kosovë- Serbi në Uashington, “historike”, “histerike” apo “tragjikomike”?

Marrëveshja Kosovë- Serbi në Uashington, “historike”,

Në mbyllje të marrëveshjes Kosovë-Serbi në Uashington, unë bëra një “spot” në f/b ku shtrova pyetjen retorike: “Marrëveshja Kosovë – Serbi në Uashington është: “Marrëveshje historike, histerike apo tragjikomike?”. Meqenëse ky prononcim nuk është i mjaftueshëm për një çështje kaq të rëndësishme për vendin tonë, po mundohem të arsyetoj pak më gjatë: Tani që kam përpara përmbajtjen e marrëveshjes në fjalë, them me plot gojën se ajo është një marrëveshje tragjikomike. Tragjike për popullin shqiptar dhe komike për ata që e nënshkruan, apo që e duartrokitën, duke e quajtur “Marrëveshje Historike”.

Për të qenë konkret, po zgjedhojmë vetëm disa nga pikat e marrëveshjes në fjalë:

1. “Të dy palët të punojnë me Departamentin e Energjisë së SHBA për një studim fizibiliteti për ndarjen e burimeve ujore e energjitike të Ujmanit”. Rezervuari i madh i Ujmanit është ngritur me buxhetin e Kosovës dhe jo të Serbisë. Për 15-20% të pjesës serbe të tij, Serbia mund të kërkojë dëmshpërblim për zënie territori, por jo për burime energjitike. Kosova tashmë e ka kaluar lidhjen e aseteve energjitike me Shqipërinë.

2. “Të dy palët zotohen të mbrojnë dhe promovojnë lirinë fetare, duke përfshirë komunikimin ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare”. Në Kosovë janë 13 komuna serbe me kisha e manastire ortodokse, të shpërndara në pothuaj gjithë territorin e Kosovës. Në Shqipëri, kemi tri pika (Bularat, Këlcyrë dhe Boboshticë) me varreza greke, çka i jep të drejtë Greqisë të hyjë e të dalë si zot shtëpie në “tokën“ e tij dhe të organizojë ditë “përkujtimore”, manifestime “atdhetare“ dhe, doemos edhe ngatërresa gjer në konfrontim me armë, si ajo e Kocifas në Bularat. Merreni me mend se çdo të ndodhë me 13 komunat serbe, të shpërndara në gjithë Kosovën, të cilat po “nuk u ruajtën si duhet”, do ta “detyrojnë“ Serbinë të vendosë “vendroje fikse” me ushtarët e Armatës së saj.

3. “Të dy palët zotohen të shpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur”. Këto “mbetje të personave të zhdukur”, janë vepër e gjenocidit serb dhe vetëm ata e dinë se ku i kanë “inauguruar” këto “mbetje“, ndaj përgjegjësia për gjetjen e tyre dhe për dëmshpërblimin përkatës i takon Serbisë dhe jo Kosovës.         

4. Dhe pika më “interesante”, që vulos jo vetëm fatin e Republikës së Kosovës, por edhe të Republikës së Shqipërisë e të gjithë shqiptarëve në tokat e tyre në Ballkan, është pika ku thuhet: “Të dy palët do të futen në “mini-Chengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019, dhe të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj’.

Në kohën kur kjo “ide” e ky “projekt” u trumbetua si një ide vizionare e Kryeministrit tonë, Edi Rama, unë në një shkrim të botuar në DITA, midis të tjerave pata shkruar se “mini shengeni”, apo “Shengeni Ballkanik”, nuk ishte vizion i Edi Ramës, por projekt i SHBA, me të cilin po mundohet të shkëpusë Serbinë nga vëllai i madh, Rusia. Më vjen mirë që kam goditur në shenjë, çka u vërtetua në pikat e marrëveshjes Kosovë-Serbi në Uashington. Kjo pikë, domethënë “Shengeni Ballkanik’, është kazma e fundit që i vihet çështjes sonë kombëtare. “Shengeni Ballkanik”, me “hekurudhat dhe autostradat”, që do “çajnë Ballkanin”, do t’i japë dorë Serbisë të realizojë objektivin e saj 100 vjeçar për daljen në Adriatik. Kur themi “dalje” në Adriatik, nuk e kemi fjalën për dalje për banjo deti e dielli në plazhin e Durrësit, Shëngjinit apo Velipojës, por për zotërimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve tregtare në portin e Durrësit tonë, port i cili lidh në rrugën më të shkurtër lindjen me perëndimin. “Shengeni Ballkanik” pa diskutim, favorizon Serbinë. Kjo, jo vetëm për zhvillimin dominant që ka përkundrejt Shqipërisë, Malit të ZI, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, por edhe për faktin se ajo do të zbarkojë në Durrës, në mënyrë të lirë (falë “shengenit“), jo vetëm prodhimet e saj, por edhe të Lindjes, veçanërisht të Rusisë e shteteve të tjera të Euroazisë. Shqiptarët, veçanërisht ata të Kosovës, do të kthehen thjeshtë në blerës të varfër të mallrave serbo-sllave dhe do të mund të plazhiten qosheve të plazheve tona, me ndonjë çadër të improvizuar me kashta thekre, apo prej thuprave të shelgut.

Nuk po zgjatem për këtë pikë, sepse kjo ide dhe ky projekt, është konsumuar dhe dënuar nga pjesa dërmuese e shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo ata gjenden në trojet e tyre. Dhe nga ky pozicion, kam besim se ky projekt antishqiptar, nuk do të realizohet.

Në konkluzion: Marrëveshja Kosovë-Serbi, realizuar në Uashington, mund të quhet “Histerike”, sepse sipas fakteve që dalin tani, nuk ishte gjë tjetër veçse një “Kopje e modifikuar” e marrëveshjes së vitit 1991 midis Krahinës Autonome të Kosovës dhe Republikës së Serbisë, nënshkruar për palën shqiptare nga B. Bukoshi, I. Rugova, F. Agani dhe Hashim Thaçi. Ky i fundit si vëzhgues, sepse atëbotë ishte vetëm drejtues i Unionit Studentor në Prishtinë. Marrëveshja në fjalë, nuk mund të quhet “Historike”, por “Histerike”, sepse firmat e Vuçiçit dhe të Hotit, nuk ndodhen në të njëjtën letër ku zbardhet marrëveshja, por në letra të veçanta, të noterizuara nga presidenti Trump. Ishte kjo arsyeja që Vuçiçi, sapo doli nga takimi në “Ovalen” e Shtëpisë së Bardhë, deklaroi para gazetarëve, se ne nuk nënshkruam marrëveshje me Kosovën, por më SHBA. Marrëveshja nuk mund të quhet kurrsesi “Historike” për Kosovën dhe popullin shqiptar, të cilët prisnin që pika e parë e diskutimit të marrëveshjes të ishte njohja reciproke midis dy shteteve që përfaqësoheshin në bisedime. Të ulesh me tjetrin në një tavolinë dhe të nënshkruash çfarëdo marrëveshje, kur partneri nuk pranon të ta njohë “emrin dhe mbiemrin”, është kaq absurde, çka mund të përtypet vetëm duke e shoqëruar me fjalën “Tragjikomedi”. Dhe kjo “Tragjikomedi” gatuhet pikërisht në vendin kampion të “demokracisë”, rrezet e së cilës shigjetojnë në të gjithë cepat e globit. Ndaj marrëveshja Kosovë-Serbi, pa asnjë ekuivok është nja marrëveshje tragjike për popullin tonë, këtej e matanë kufirit artificial shqiptar-shqiptar. Është tragjike në të gjitha pikat e saj, të cilat, ndërsa Serbisë i japin krah për avancimin e objektivave të saj shoviniste, çështjen e Kosovës e zhvendosin në kalendat greke. Dhe në fund, si qershia mbi tortën e zezë, kemi komentin e kryeministrit izraelit, Netanyahu, i cili duke shpallur njohjen “dhuratë” të shtetit të Kosovës, shtoi edhe frazën entuziaste se: “Kosova është vendi i parë me shumicë myslimane që do të hapë ambasadë në Jeruzalem” (kryeqyteti i Izraelit, miratuar nga Trump). Kjo “frazë” e marrëveshjes “Historike” u përcoll me urimin e Trump, drejtuar Hotit tonë: “Bravo, ju do të ndiqeni nga vendet e tjera myslimane dhe arabe”, - çka vë në diskutim identitetin kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm nuk është Historike, siç u “entuziazmuan” liderët tanë politikë e shtetërorë në Shqipëri e në Kosovë, por është një thikë pas shpine për Republikën e Kosovës dhe po ashtu, edhe për të ardhmen e Republikës “mëmë” të Shqipërisë, e madje për gjithë shqiptarët që gjenden në trojet e veta në Gadishullin Ilirik, emërtuar padrejtësisht Ballkan. Kushdo shqiptar i vërtetë, që e ka parë skenën e takimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë, realizuar në Uashington, me siguri ka ndjerë dhimbje për kryesuesin e delegacionit shqiptar, kryeministrin Hoti, i cili, i braktisur nga elita politike e Kosovës dhe Shqipërisë, dukej tepër varfanjak përpara trupave madhoshë të takimit, qofshin këta serbë, apo amerikanë. Aq më keq kur kjo madhësi fizike shoqërohet edhe me hijen e Bajraktarit të Botës, i cili për interesat e tij afatshkurtra, i përdor miqtë e vegjël, si relike që shkëmbehen nëpër mbrëmjet e vallëzimit. Fatkeqësisht në trojet tona të lashta, nuk po pakësohen “Hamzatë”, “Esatët”, “Zogollët”. Ata janë zëvendësuar e po zëvendësohen pa ndërprerje nga mercenarë të rinj, të “demokracisë” me mbiemrin e konsumuar e dalë boje “borgjeze”.