BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Marrëveshja mafioze e millosheviçianëve Mustafa-Thaçi

Marrëveshja mafioze e millosheviçianëve Mustafa-Thaçi

Rënia e qeverisë Kurti në një situatë të pazakontë, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë botën, kur koronavirusi është bërë shqetësim i ditës, ishte si një rrufe në qiell të pastër. Ndryshe nga situata kritike që po kalon mbarë njerëzimi nga coronavirusi, Kosova po përjeton dhe një situatë të dytë, më dramatike, e ndodhur mes dy sulmeve, atë të “virusit” të pushtetit dhe të coronavirusit. “Dielli duket që kur lind” thotë një sentencë popullore. Komedia tre mujore “cic mic” që u luajt nga Partia e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës për formatimin e qeverisë dhe ndërhyrjet e herë pas hershme të presidentit Thaçi, treguan qartë se kjo “krushqi” pa dashuri, por me mblesëri, nuk do kishte jetëgjatësi, pasi kishin këndvështrime të ndryshme kontradiktore, ideore dhe programore. Kjo ishte njëra anë e medaljes, ndërsa nga ana tjetër dhe më kryesorja ishte se Lidhja Demokratike me liderin proserb Isa Mustafën, e kishte me hile bashkëqeverisjen me Partinë e Vetëvendosjes të Albin Kurtit. Këto marrëdhënie të tronditura që në gjenezë, nuk vonuan ta tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë, jashtë protokollit që ishte ndërtuar për t’u respektuar në marrëveshjen për bashkëqeverisje. Pa u shuar jehona e “ceremonisë” për konturimin e qeverisë, nisën përplasjet për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Serbi. Ky akt i paprecedentë, erdhi pasi aleati në bashkëqeverisje, kryetari i LDK Mustafa, ishte kundër kushteve që kërkonte të respektoheshin më të drejtë nga kryeministri Kurti, në marrëdhënie me Serbinë, që heqja e taksës të kryhet gradualisht mbi baza reciprociteti mes dy shteteve. Ky qëndrim i kryeministrit Kurti, ishte krejtësisht parimor. Nuk ka arsye që Kosova të tregohet inferiore dhe e nënshtruar ndaj pretendimeve preferenciale që ka Serbia, kur dihet botërisht genocidi çnjerëzor që ka përdorur ndaj popullit të Kosovës. Krimet monstruoze të serbëve ndaj kosovarëve, jo vetëm që nuk janë dënuar dhe shpaguar, por Kosovës ende nuk i është miratuar lëvizja e lirë Shengen, në një kohë që Serbisë i janë hapur dyert për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian. Kjo padrejtësi e Europës “demokratike”, tregon që s’ka drejtësi prej saj, por veç demagogji. Qeveria e Kosovës, sot është në një krizë politike në kohën e pandemisë, për shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Ndër faktorët e brendshëm, që solli rënien e qeverisë, ka faktorë të dukshëm dhe të padukshëm. Së pari, qeveria Kurti, me filozofinë e saj qeverisëse, kërcënonte shtratin e ngrohët të piramidës së korrupsionit të qeverive të mëparshme të Kosovës, që e kanë përdorur pushtetin për përfitime pasurore, me aleanca të fshehta dhe marrëveshje të përbashkëta korruptive. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, dy partnerë që kanë braktisur idealet e Luftës Çlirimtare të Kosovës, e panë qartë si drita e diellit, se qeveria Kurti në misionin e saj kishte si synim të shpërbënte dhe shkatërronte infrastrukturën e korrupsionit të shtratifikuar ndër vite, që e ka asfiksuar jetën ekonomike dhe sociale të vendit. Ajo, që në fillesën e saj, kishte si qëllim të shpërbënte nepotizmin, klientelizmin, krahinalizmin dhe militantizmin servil të ortakërisë okulte, që kanë zhvatur pasuritë e Kosovës dhe që duan mos ta ndalin revanshin e tyre të vendosur në piedestalin presidencial. Këta prijës partiakë, që kanë shfaqur dhe një dukuri pro serbe për të ruajtur ofiqet e tyre, janë të gatshëm që të përdorin çdo skenar ogurzi për të ruajtur privilegjet, pushtetin dhe pasuritë e pista që kanë përfituar gjatë qeverisjes abuzive pas çlirimit të Kosovës. Dueti Mustafa-Thaçi, me veprimet e tyre po ndriçojnë opinionin e shëndoshë kosovar se ecin në të njëjtën trase, kundër interesave të Kosovës.

Së dyti, kundërvënia e Mustafës dhe Thaçit ndaj qeverisë Kurti ka motive okulte, por të lexueshme për opinionin shoqëror, pasi Kurti kundërshton çdo ndryshim kufiri për çfarëdo arsyeje dhe kompromisi që mund të sjellë marrëveshja politike. Aludimet për shkëmbime territoresh mes Serbisë dhe Kosovës, është një alibi që tirret gjatë në mjediset politike shqiptare, për marrëveshje konspirative Thaçi-Vuçiç, për të zgjidhur kontradiktat mes dy shteteve me pretendime të konvertueshme. Serbia nëpërmjet Aleksandër Vuçiçit, kërkon që të ketë supermaci ndaj Kosovës për të realizuar qëllimet e saja djallëzore duke mos e njohur autonominë e Kosovës dhe për të realizuar pretendimet e saja territoriale me përfitime parësore. Këtë strategji të kahershme e ka dakordësuar në rrugë klandestine dhe Hashim Thaçi, duke e parë si instrument për të shpejtuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes Serbi-Kosovë. Shkëmbimi i territoreve, si çelës i mirëkuptimit të marrëdhënieve mes palëve, është një precedent i rrezikshëm që prish ekuilibrat jo vetëm për Ballkanin, por zgjon nostalgjinë territoriale dhe në vendet e tjera të Europës.

Shqipërinë e kanë copëtuar e sakatuar që nga Kongresi i Berlinit në 1878, deri te Konferenca e Ambasadorëve nga Fuqitë e Mëdha në 1913, ku si në asnjë vend tjetër të botës, është i vetmi shtet që kufizohet në të katër pikat e horizontit me troje dhe popullsi shqiptare. Separatistët dhe irredentistët e dy skajorëve verior dhe jugor, kanë punuar në aleanca të fshehta me europianët për ta zhvatur Shqipërinë, duke e kafshuar në të katër anët e trupit. Është për të ardhur keq që aleati ynë kryesor dhe idoli ynë i lirisë dhe pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, SHBA, nëpërmjet të dërguarit të presidentit Donald Trump, ambasadorit Richard Grenell (që është i akredituar në Gjermani, njëherazi dhe Drejtor i Inteligjencës Kombëtare), bëhet ndërmjetës për negociata mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshjen e mirëkuptimit mes palëve, por me prirje që Kosova t’i lëshojë territore Serbisë. Ky është një akt i shëmtuar dhe me pasoja të pakorrigjueshme për sovranitetin e një vendi. Qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti, përballë strategjisë së stisur të “tri krushqve kalorsiakë” Mustafa-Thaçi-Grenell, për të bërë lëshime kompromentuese me Serbinë, është një fatalitet historik jo vetëm për Kosovën, por dhe për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Tre principet kryesore që paraqet kryeministri Kurti, për marrëveshjen Serbi–Kosovë, janë të motivuara: Së pari, dialog mbi baza të reciprocitetit mes palëve, së dyti, mos të përdoret thika mbi hartat shtetërore dhe së treti, mos të sillen presidentët si gjeneralët mbi ushtar, por të ketë transparencë që veprimet e tyre të lexohen qartazi nga politikanët dhe populli i Kosovës se si mbrohen interesat kombëtare. Kërkesat që ka paraqitur kryeministri Kurti janë mëse të arsyeshme, por ajo që e penalizon atë te ndërkombëtarët dhe veçanërisht te amerikanët, është sjellja pedante diplomatike dhe mungesa e luajalitetit në komunikim me përfaqësues të partnerëve tanë strategjikë. Kurti duhet të ruajë parimet dhe të mbrojë interesat kombëtare, por gjithmonë të korrigjojë taktin e komunikimit dhe gjuhën zyrtare me të vetët dhe ndërkombëtarët. Tentativa e presidentit Thaçi në sinkron me Mustafën, për të krijuar një qeveri amalgamë me humbësit në zgjedhjet e fundit, është jo legjitime, sepse nuk përfaqëson vullnetin e popullit me mandatin elektoral dhe përbën një precedent të rrezikshëm që i konvergon destabilitetit të vendit dhe rrezikon lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës për ta ngrirë përkohësisht nismën e Presidentit Thaçi për krijimin e qeverisë, në këtë situatë tejet të tensionuar nga coronavirusi, është një veprim mëse i drejtë për të shmangur pasoja të paparashikuara për jetën e vendit.

Në tërë këtë kaos që ka krijuar politika e personalizuar e Presidentit Thaçi me Mustafën, për të krijuar një qeveri të arnuar jashtë vullnetit të shumicës, krijon premisa për anomali elektorale, ndaj në vështrimin tim do ishte më oportune që të bëhen zgjedhje të reja për të dalë një qeveri legjitime, e qëndrueshme dhe jetëgjatë. Ndryshe zgjidhja e amplifikuar për interesa meskine do rezultoj e dështuar.