BREAKING NEWS

Nuk përmbahet Meta, i përvishet keq gazetarëve/ Presidenca njofton konferencë të jashtëzakonshme: Fakte të reja tronditëse. NUK KENI PARË GJË AKOMA!

Nuk përmbahet Meta, i përvishet keq gazetarëve/ Presidenca
x

Opinion / Editorial

Marrëveshja zgjedhore si kulaçi, protestat popullore si kërbaçi

Marrëveshja zgjedhore si kulaçi, protestat popullore si

Sapo u mbajt tavolina e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, ashtu siç e do zakoni i politikanëve tanë, tradita e tri dekadave, kudo plasën debatet. Askush nuk u mor me thelbin. Iu larguan përmbajtjes dhe esencës. Të gjithë në delir, shpërndanë tymnaja për të çoroditur shqiptarët dhe për t`u thënë: PD dhe opozita ia arriti. Lulzim Basha, fitoi. Mazhoranca hapi krahun, u përul dhe i bëri lëshime opozitës. Ramës i ulëm hundën! Jo pak të tjerë shpallën armik dhe recivistë kreun e PD-së, Bashën, si njeriun që deklaron tërë vitin jo dhe në fund pajtohet si me magji me ata që nuk i ka pranuar kurrë në debate dhe bashkëpunim. Për shumë prej opozitarëve, tavolina e konsensusit nxori jashtë ligjit dhe delegjitimoi Parlamentin, i cili krahasohet me ujin e ndenjur të Lanës. E ktheu Parlamentin në noterë të Bashës dhe Kryemadhit, do deklaronin më të papërmbajturit, të revoltuarit e mëdhenj. Realiteti është krejt ndryshe. Partitë shqiptare pasi udhëtuan nëpër labirintet një vjeçare, provuan gjithçka, drurin e gurin, dinamitin, përdorën dhunën dhe ngritën në qiell kontradiktat me mazhorancën. Më në fund u duk se i thirrën arsyes pas pësimeve dhe vendosën të bëjnë pak paqe, një hap pas. Të pranojnë të negociojnë me ata që deri dje nuk i llogarisnin. I etiketonin simbole të së keqes apo numra pa vlerë. Gati armiq. Ulja në tavolinë ishte një reflektim. Nëse do veprohej ndryshe dhe secili do ecte mbi shinën e vet, zor të kishin ndonjë pikë takimi. Në përfundim cili do paguante? Partitë? Jo! Të zgjedhurit e tyre vetëm sa do përbalteshin paksa për qëndrime refraktare e mungesë arsyeje. Do kritikoheshin për refuzim permanent. Vetëm kaq. Shqiptarët me sytë nga ekranet e televizioneve do të ndiqnin shanset për punësim larg Shqipërisë. Opozitës do t`i vihej vizë, si pakicë që nuk do dialogun dhe kundërshton çdo zgjidhje që shtrohet nga brenda vendit. Refuzues të këshillave të të huajve deri të Bundestagut gjerman aq shumë i reklamuar nga opozita, si kyç i artë i zgjidhjeve. Po vetëm citohen. Nuk hidhet asnjë hap për t`i zbatuar. Të duken fiks si mulli pa ujë, ku mokrat qëndrojnë pezull. Kuptohet, secili nga faktorët ulur në tavolinën e dialogut gëzon të drejtën të thërrasë fitore. Shoqërisë asgjë e keqe nuk i vjen nëse palët politike llogarisin në çdo nismë fitoren e radhës. Aq u bën. Shqiptarët, janë mësuar me këtë politikë, e përcjellin me indiferentizëm. Pas tavolinës së Këshillit Politik ose të të urtëve, siç thuhet në bisedat e ditës, analistë e politikanë deklarojnë me të madhe: E detyroi Basha qeverinë dhe Parlamentin ilegjitim të zbatojë kërkesat e koalicionit opozitar. Liderët e opozitës, vrapuan ta shpallin këtë takim teknicienësh si një arritje dhe fitore të madhe. Si imponim ndaj mazhorancës dhe nisje e rrugëtimit të miratimit të reformës me konsensus. Dhe zgjedhje të parakohshme. Në realitet asgjë të re nuk tha tavolina. Nuk ishte zgjidhja fundore, veç anës formale të pjesëmarrësve ku u ulën në fakt jo për herë të parë përfaqësues të PS, PD, LSI dhe opozita parlamentare. Në atë tavolinë u thanë shumë. Po u la hapur rruga për konsensus, duke vendosur parantezën, nëse ka ngërçe do i drejtohet secila palë OSBE-së. Shumë mirë. OSBE është organizata arbitër që i jep drejtim ligjshmërisë së reformës zgjedhore. Kuptohet mes palëve do ketë përplasje. Si gjithnjë. Lutemi që tronditjet të mos jenë mbi gjashtë ballë dhe nga tërmeti natyror i nëntorit të kalojmë papritur në cunamin politik. Frika ekziston. Edhe pas tavolinave të politikanëve tanë më parë kanë ngjarë. Le të besojmë se këtë herë kulaçi, me fjalë të tjera, ulja në tavolinë, dialogu që është veprimi i duhur, i paqtë, takim mes shqiptarësh, do sjelli vërtet një reformë të gjithëpranuar. Shqiptarët do të donin të mos ketë një luftë pa cak dhe të fajësohet reforma zgjedhore që është bërë me mangësi dhe ka qenë gropa e hapur që ka thithur brenda vetes fituesin, vullnetin e popullit, humbësit. Le të sistemohen të gjitha hallkat. Të vendosen ingranazhet në funksion të zgjedhjeve për të mënjanuar problematikat. Le të mendohet deri në detaje dhe në përfundim të mos bëhen pishman se u nxituan. Ulja në tavolinë e Këshillit Politik foli për shumë hallka dhe ndryshime. Në realitet partitë e mëdha janë për ruajtjen e statuskuosë së deri sotme për sistemin. Të revoltuarit që vënë peng të tij votën janë opozitarët e rinj. Këmbëngulja e tyre është ose ndryshim sistemi, ose mosvotim i reformës, duke shpallur devizën: Jo votimit të reformës pa ndryshim sistemi. Opozita parlamentare nuk ka çfarë të humbasë ndaj dhe i është futur këtij aksioni. Drejtuesit e saj e dinë shumë mirë se mazhoritari nuk u siguron ndonjë vend në Parlament. Po le të gjykojmë se e bëjnë për parime. Në nismën e mazhorancës dhe opozitës për ulje në dialog, kuptohet nën sugjerimin e faktorit të jashtëm, ka qenë përcaktues. Të shpresojmë se tavolina do jetë e fortë e nuk do thyhet, si të ishte prej kartoni. Tavolinat e mëparshme dhe pse janë ulur me dëshirë nuk i kanë rezistuar presioneve. U janë këputur këmbët. Do zoti, kjo tavolina e fundit të jetë prej çeliku, t`i rezistojë kohës. Të presim deri sa të piqet kulaçi. Opinioni shoqëror në të vërtetë është në pritje. Liderët do vënë në plan të parë pajtimin kombëtar? Ardhmërinë dhe rrugëtimin drejtë BE-së? Pra do shijojmë kulaçin? Apo avazin e vjetër kërbaçin? Çuditërisht, pa u ftohur kulaçi që na ofruan opozita në një takim rrufe pas kritikave të opinionistëve, liderëve real të tyre, faktorëve ekstra opozitar, radikalëve, militantëve, jo vetëm atyre që janë në opozitë, po edhe atyre që janë larguar, u deklaruan për një rrugë ndryshe. Së afërmi, u vendos: Koalicioni i opozitës do nisi kërbaçin, protestat e mëdha. Basha, Kryemadhi, Berisha, skalioni i dytë, i tretë, i n-të,vendosën të tundin cohën e kuqe para hundës së mazhorancës për t`u thënë të pakënaqurve se kurrë nuk do heqin dorë nga forca. Jemi këtu për të larguar Ramën, deklaruan në nxitim ata që një ditë më parë shpërndanë gjithandej buzëqeshje e ngërdheshje. U kthyen në zanatin e vjetër, atë të rrugës. Tavolina u konvertua në protesta. Kulaçi u shndërrua brenda sekondës në kërbaç. Ata që mbajtën në ankth Shqipërinë një vit, dogjën e shkatërruan edhe atë pak reputacion që vendi ynë gëzonte në shkallë ndërkombëtare, do rinisin avazin. Kthimi në rrugën e vjetër nuk është se garanton ndonjë të ardhme për krerët opozitarë. Zor të shtojë aksione në bursën politike për opozitën. Këtë e dinë krerët e opozitës. Deklaratat për nisje të protestave patetike, që kanë themel dhunën është lajmi më i keq që vjen pas takimit të katërshes, është uji i akullt mbi entuziazmin e shqiptarëve që shpresonin se më në fund, ikanakët, ardhacakët, mazhoritarët, iu kthyen logjikës. Por jo. Nuk është e thënë. Aksioni i opozitës për protesta, kopja e 2019-ës me të njëjtin skenar, është miklimi që i bëhet pjesës së revoltuar të elektoratit të çoroditur. Garancia se pajtim me Ramën nuk ka. Për të thënë se është loja që vijon. Opozita dhe liderët e saj na thonë, vetëm formalisht, ulemi e flasim. Beteja nuk do shuhet. Revoltat nuk do fiken. Tavolinës, si kulaçi për reformën zgjedhore ia la vendin kërbaçit. Liderët e opozitës në njërën dorë na zgjasin kulaçin dhe në mijëra duar na tundin fort kërbaçin.