BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Marshi funebër i fashizmit dhe etyd për këngët partizane

Marshi funebër i fashizmit dhe etyd për këngët partizane

(Me rastin e fitores mbi fashizmin)

9 Maji i vitit 1945 është dhe ka për të mbetur në historinë e gjithë popujve një datë e shënuar historike, sepse lidhet me mposhtjen dhe gjunjëzimin e njërës prej diktaturave më të egra që ka njohur njerëzimi- “diktaturën fashiste”, e cila nuk është gjë tjetër veçse, pushtet dhe sundim politik i dhunshëm i oligarkisë së madhe ekonomiko-financiare, e cila nuk pajtohet kurrsesi me të ashtuquajturën demokraci liberale, pra është një fazë e re e kapitalizmit dhe e imperializmit. Diktatura fashiste nuk ngrihet asnjëherë mbi bazën e shkatërrimit të marrëdhënieve ekonomiko- shoqërore të vjetra, përkundrazi ajo i ruan ato, veçse i përqendron në një dorë që udhëhiqet nga e njëjta ideologji, ku në themel të vet ka dhunën për rritjen e objektivave të caktuar. Mbi këto baza, u lind, u krijua dhe mori formë fashizmi si në Italinë e Musolinit ashtu dhe në Gjermaninë hitleriane. Përqendrimi i ekonomisë dhe militarizimi i saj, shtypja e të drejtave themelore të njeriut, vendosja me dorë të hekurt e sundimit të brendshëm dhe hedhja e shikimit në horizontin e globit për ta sunduar atë, u bënë bazë e politikës së brendshme dhe të jashtme të fashizmit, që i paraprinë katastrofës së njerëzimit. Veçse kjo ideologji u bë sunduese në radhë të parë duke i mashtruar popujt e këtyre vendeve ku ajo vetë lindi, duke i joshur me premtime dhe ndryshime rrënjësore të shoqërisë, duke u premtuar mirëqenien dhe lirinë e cunguar nga sundimi i deri atëhershëm dhe se do të ishte ideologjia fashiste ajo që do tu sillte lumturinë dhe begatinë popujve të tyre, madje këtë shembull duhej ta ndiqte i gjithë globi për të vendosur “Rendin e ri”. Kjo e fundit do të shërbente si platformë e politikës së jashtme të vendeve të “aksit” (Itali-Gjermani- Japoni të cilat lidhën me njëra-tjetrën “paktin e çeliktë” 22 maj 1939) për të shtrirë sundimin e tyre në të gjithë rajonet e botës. Preludi i erërave të luftës filloi nga Italia fashiste me 7 prill 1939 duke pushtuar Shqipërinë madje duke e shtrirë rajonin e vet të Perandorisë Romane thuajse në të gjithë Ballkanin, teksa Gjermania e Hitlerit në 1 shtator të po atij viti pushtoi Poloninë, datë kjo, që do të shënonte dhe historikisht fillimin Luftës së Dytë Botërore, e cila për nga përmasat, taktika dhe strategjia, arsenali njerëzor dhe armatimet e përdorura, do t’ua kalonte të gjitha llojeve të luftërave të zhvilluara deri në atë kohë. Por Gjermania nuk u kënaq vetëm me Poloninë, ajo synimin e kishte te Franca dhe Anglia, teksa BRSS po e ndiente erën e luftës, për të fituar kohë, një javë para sulmimit të Polonisë, nënshkroi me Gjermaninë naziste më 23 gusht 1939 “Paktin e mos-sulmimit”, pakt ky, që do të shkelej nga vetë nazistët, duke e sulmuar dhe vetë atë në 22 qershor të vitit 1942. Politika e luftës dhe barbaritë gjermane u shtrinë pothuajse në të gjithë Europën e pushtuar prej tyre, teksa Japonia perandorake e kishte shtrirë sundimin e vet në Paqësor duke kërcënuar me luftë dhe vetë B.Sovjetik. Gjermania mbasi siguroi pushtimin e Francës në maj të vitit 1940 dhe vazhdonte me inkursionet e bombardimit mbi Anglinë, shikimin e hodhi në lindje nga Rusia e sovjetëve, pushtim ky, që nëse do të realizohej dhe finalizohej me sukses “Barbarosa” (Mjekërkuqi), atëherë vetë Gjermania do të siguronte rolin e lidershipit dhe Hitleri do të bëhej sundimtar i gjithë Europës. Sulmi i befasishëm i ushtrisë naziste mbi BRSS dhe fitoret e para të përkohshme të “Rajhut të tretë” e shtuan entuziazmin e nazistëve, për të vazhduar më tej ofensivat e tyre, por që do të ndaleshin në rrethinat e Moskës. Lufta e madhe patriotike e popujve sovjetikë u bë dhe burim frymëzimi, u bë mbështetje morale për të gjitha ato lëvizje të luftërave Nacional- Çlirimtare në të gjitha vendet e Evropës, të pushtuara nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë. Frenimi i hordhive gjermane në portat e Moskës, rrethimi i armatës së feldmarshallit Von Paulus në Stalingrad (gusht 1942- shkurt 43), beteja e Kurskut dhe tërheqjet e njëpasnjëshme, të armatave hitleriane, hapja e frontit të dytë nga aleatët, zbarkimi në Normandi (qershor 1944) etj. u dhanë shpresë të madhe popujve të cilët vuanin çizmen e pushtuesit. Natyrisht, që përpara se të shkojmë dhe te lufta jonë e madhe Antifashiste Nacional-Çlirimtare është me vend të theksohet se krismat e para të luftës kundër fashizmit i dhanë heronjtë e dëshmorët tanë të parë si Mujo Ulqinaku në Durrës, Hamit Vashko në Vlorë dhe Mitro Dhimërtika në Sarandë qysh në 7 Prill 1939, kur fashistët bënë zbarkimet e pushtimit. Por formën e organizuar lufta e mori me krijimin e çetave partizane, si ajo e Pezës në qershor të vitit 1940 e ndjekur nga ajo Dibrës dhe me radhë shumë çeta, të cilat operonin fillimisht pa një qendër koordinative. Formimi i PKSH, Konferenca e Pezës, krijimi i formacioneve të para ushtarake partizane, krijimi dhe formimi i kompanive, batalioneve, brigadave partizane dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAC-Çl në 10 Korrik 1943, apo dhe Këshillit të Përgjithshëm antifashist Nac-Çl në 24 maj 1944 në Përmet etj., do të ishin një sukses i madh i luftës së organizuar antifashiste të popullit shqiptar, luftë kjo që u bashkëngjitej të gjithë luftërave me karakter nacional e çlirimtar që bënin popujt e Europës, e të botës kundër bishës naziste dhe bashkëpunëtorëve të tyre kuislingë dhe ballisto- zogistëve, të cilët u bënë palë me okupatorin. Ushtria jonë partizane Nacional -Çlirimtare e kreu me sukses misionin e vet historik, kështu që dhe ngritja e flamurit të fitores mbi Raishtang më 2 Maj 1945 do të gjente Shqipërinë të çliruar. Jemi jo vetëm një vend që nuk u fut asnjë ushtri e huaj për të na ndihmuar në çlirim, por përkundrazi, dhamë ndihmesën tonë vëllazërore në çlirimin e popujve jugosllavë duke e ndjekur armikun këmba këmbës deri në Vishegrad. Kjo bëri që këngët tona partizane për liri dhe çlirim që buçitnin “maleve me blerim mbulaur” të zgjonin dhe vetë malet nga përgjumja shekullore. Kanë gati 30 vite që malet tashmë janë preludet e nisjes së një epoke të re çlirimtare me thirrjet e kushtrimit si një etyd muzikor... “Bashkohuni o shokë me ne në çetë” nuk po i dëgjojnë më. Madje këto këngë nuk transmetohen më as nga radioja dhe nga as televizioni shqiptar, sikur të ishim në kohën e mesjetës, tashmë ato konsiderohen sikur të ishin herezi. Konsiderohen të tilla, sepse ballistët e sotëm modernë të makaronave dhe peshkut të zgarës, të selisë rozë, (doemos ngjyra e tyre e gjakut nga e kuqe e transformuar në rozë- është dëshmi e qartë e metastazave kanceroze ) në bashkëpunim me ballistët klasikë të pulave të pavaksinuara, që janë ulur këmbëkryq në gjithë institucionet e nënës Shqipëri. Ata e kanë më të lehtë të ekspozojnë lakuriqësinë e tyre, se sa këngët e luftës fitimtare, apo të dëshmorëve dhe heronjve tanë, si ato për Misto Mamen, Vojo Kushin, për Asim Zenelin, për “Heronjtë Topanasë” për Heronjtë e Vigut, për brigadat partizane për komandantët dhe komisarët e saj legjendarë etj. etj. Edhe në vende si Italia apo Spanja frankiste nga ku lindi fashizmi, këndohen dhe sot e kësaj dite këngët e fitores mbi fashizmin, këngët me thirrjen “Avanti popolo alla rischiosa” apo “Non pasaran”. Në vendin tonë lufta e fitorja e saj mbi fashizmin e udhëhequr nga PKSH dhe komandant Enveri e vendosi Shqipërinë tonë dhe popullin shqiptar në podiumin e nderit të popujve, teksa sot kujtoj një plangprishës të krahinës time të Labërisë, që i këndonte labçe kryebanditit shqiptar, i cili për nga shkalla e kriminalitetit të tij personal dhe ndezja që i bëri luftës vëlla-vrasëse, radhitet i pari në historinë e këtij kombi që nga periudha e pellazgëve e deri në kohët e sotme moderne. Popujt e bashkuar të mbarë botës, pjellën më të urryer të kapitalizmit që nga mitra e vet lindi vampirët nazi-fashistë, do ta mbajnë mend gjatë, sepse lufta që ndezi fashizmi ishte nga më të përgjakshmet, duke i shkaktuar rruzullit më shumë se 60 milionë të vrarë, sasi kjo që përbënte gati 2,5% të sasisë së popullatës botërore të asaj kohe. Një tragjedi e vërtetë me përmasa apokaliptike pësoi globi dhe ndërgjegjja e tij. Marshi nazist i Hitlerit dhe ai i Mussolinit mbi Romën, ishin marshe funebre, që mbillnin zi e kob, ishin dhe ashtu do të ngelen dhe sot e kësaj dite, madje dhe për epokat e ardhshme, ngelen të tilla nga që ritmi i tyre ishte mbillte kudo fatkeqësi, fatkeqësi kjo që në fund u kthye në procesion funebër për vetë atë pjellë bastarde e jashtëligjshme e historisë. Në këtë kuadër popujt përparimtarë të botës, ato organizata dhe institucione të progresit shoqëror, ata pak veteranë që kanë ngelur, përkujtojnë me respekt të madh 9 Majin e 1945-ës, që sot përkon me 75-vjetorin e ditës se fitores mbi fashizmin, ditë kjo që shënon njëkohësisht dhe rënien e tij. Sot bota përsëri është në një rrezik të madh, sepse kontradiktat, si rezultat i shtypjes dhe shfrytëzimit kapitalist e imperialist, janë ashpërsuar shumë. Është një kontradiktë që çon popujt drejt rebelimit, në kërkim të një jete më të mirë, një jete të lirë pa shtypje dhe shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Në kësi rastesh kapitalizmi dhe imperializmi për të siguruar jetëgjatësinë e tyre, sjellin në skenën politike fashizmin si diktaturën më të egër të shtypjes së lirive dhe të drejtave njerëzore dhe shembuj të tillë të lindjes së diktaturave fashiste mbas Luftës së Dytë Botërore nuk kanë munguar, sikurse junta e kolonelëve në Greqi, junta ushtarake e Suharto-Nasutionit në Indonezi, Pinoceti në Kili, në disa vende afrikane etj. Por erërat e luftës lindin edhe si rezultat i kontradiktave ndërimperialiste për ta rindarë botën në zona influence, në kësi rastesh fashizmi merr tjetër formë, është një formë e kacafytjes me njëri-tjetrin. Si në rastin e parë, por dhe në të dytin popujt duhet të dinë që zjarrin që ndezin këto qarqe luftënxitëse të dinë ta kthejnë në luftë çlirimtare sikurse bënë popujt e Europës, duke siguruar fitoren mbi fashizmin.

Lavdi 9 Majit, ditës së mposhtjes dhe fitores mbi fashizmin!