Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Marshimi drejt Surrelit dhe barrikadat e Juridikut

Postuar: 11/01/2019 - 07:16

Protesta e studentëve shkundi në ditët e para të saj strukturat qeveritare dhe vetë opozitën shqiptare. Secili nga kjo lëvizje mori çmimin që i takonte. Askush nuk mbeti pa ndëshkim. Po shumë pak reflektuan në përgjigje të zgjidhjes së kërkesave të tyre. I pari që mori përsipër të plotësojë kërkesat e studentëve ashtu siç e kërkonte edhe detyra ishte kryeministri, i cili pa u menduar dy herë u deklarua pro protestës dhe gjithë ankesave, duke bërë të mundur miratimin e tetë kërkesave dhe të tjerave, të cilat avancuan edhe më tej qëllimin e protestës së studentëve. Nga qeveria u pranua se lëvizja ishte një shuplakë për të. Po opozita asnjëherë nuk pranoi të nxjerrë konkluzione dhe mësime se cila është përgjegjësia e saj në tërësinë e këtyre mungesave të grumbulluara prej vitesh. Se auditoret atje kanë qenë. Askush nga PD dhe LSI nuk vuri dorë për rinovimin e tyre fizik apo krijimin e kushteve optimale në interes të rritjes së cilësisë së auditoreve apo më keq të godinave ku jetojnë të rinjtë që kanë shkuar në Tiranë për të fituar dije. Dhe të gjithë jemi dëshmitarë për gjendjen e tyre. Po ato godina të ndërtuara nga sistemi i kaluar nuk u panë asnjëherë nga ata që sot ngrenë zërin dhe shpërthejnë në akuza për qeverinë e sotme duke identifikuar vetëm ata si përgjegjës për atë situatë, që realisht është e pakonceptueshme dhe e patolerueshme. Ashtu sikundër u njohën me një fakt rrëqethës, që ata që sot bëjnë zhurmuesin ku vëllezërit e nipat e tyre kanë privatizuar qendrat studentore, duke i shndërruar në pasuri familjare me të vetmen meritë se ishin njerëzit e ish presidentit Nishani apo ish ministrit të Drejtësisë nga LSI. Pikërisht këta kanë bërë më shumë debate dhe kanë hedhur në opinionin e gjerë shqiptar akuza për mosinteresim të jetës së studentëve shqiptarë. Dhe të tjerë pranë tyre kanë bërë të njejtën gjë. Opozita, veç përpjekjeve për të zaptuar e marrë peng lëvizjen studentore, u investua me të gjithë format e mjetet. Me autobusë, me ushqim në vendin e protestës, me shitjen si dashuria e madhe për studentët. Të punësuarit në protestë anëtarë të forumeve të LRI dhe FRPD, kur i nxirrnin nga dera hynin nga dritarja mjaftonte të merrnin në dorë frenat e protestës që në jo pak raste provoi se ishte zëri i kamufluar i opozitës, e cila vetë doli në legalitet si e panjohur, u shkri njësh me studentët. Dhe nuk mbeti vetëm me këto lëvizje.

Po ajo që të ngacmon në këto ditë të acarta të janarit kur Shqipëria ka një mijë halle për të përballuar dhe qytetarët e vendit ndeshin vështirësi të panumërta për ngrohje e për ushqime kur në shumë prej zonave të thella nuk shkohet me makina, ku në shkolla mungon ngrohja dhe mësimi është ndërprerë, disa protestues të “Astirit” me në krye deputetin dezhurn të “Unazës së Madhe” Klevis Balliun zgjodhën të na japin një shfaqje të marrshim protestës. Të prirë nga Balliu, i cili është kujdestari i PD për të prekurit nga ndërtimi i unazës morën rrugën për në Surrel. Sikur të mos mjaftonte sheshi para Kryeministrisë apo Ministrisë së Arsimit, ata zgjodhën një metodë ndryshe, sëpaku në formë. Marshimin me pishtarë nëpër rrugët e thepisura të Dajtit për t’u ndalur para shtëpisë së kryeministrit. Një marshim që na kujton marshin e Barabajt. Një kolonë njerëzish që nuk kishte asnjë kuptim të bënin një rrugëtim kaq të gjatë, kur të parin e qeverisë e kanë atje në qendër të Tiranës. Dhe në përngjasim me luftëtarët në kohët e mesjetës donin të pushtonin kështjellat e ruajtura nga ushtarët e Skënderbeut, ata u nisën drejt “kështjellës” së Surrelit. Një lodhje e kotë dhe një marrshim i shkuar dëm pasi asgjë nuk i shton një udhëtim i tillë i mundimshëm qytetarëve, që janë në hall atje në pritje të shembjes së shtëpive që kanë ndërtuar. Nëse ata me të drejtë kërkojnë një zgjidhje, opozita kërkon të mos ketë asnjë të tillë. Për të është komode, që të ketë një sherr të hapur në mes të Tiranës, që të duket sikur është në punë kur në realitet është duke humbur kohën kuturu, në vend që të kërkojë të dialogohet me institucionet për zbatimin e masave që ka propozuar qeveria në interes të qytetarëve që me prishjen e shtëpive u krijohen probleme sociale. Po nga të gjithë sot është kuptuar se ajo vepër edhe pse përmes sherresh dhe bllokimesh do të bëhet. Gjuha do gjendet dhe të gjithë do të binden se është një vepër publike në të mirë dhe interes të qytetarëve të mbarë Shqipërisë. Në vend që opozita ta orientojë shqetësimin e protestuesve të Astirit drejt zgjidhjeve të arsyeshme, i merr njerëzit, i vë para dhe i drejton nga malet për të qëndruar para godinës shtëpiake të familjes së Ramës. Shtëpi kanë të gjithë udhëheqësit tanë. Vetëm vendi ndryshon. Shtëpi, jo vetëm një ka ish kryeministri Berisha. Ka zonja Monika. Ka Klevisi dhe tërë Visët e tjerë. Kanë nga disa, shumë prej deputetëve dhe ish ministrave apo ministrave aktualë. Sikur për çdo kundërshti apo mospranim të një zgjidhjeje do merrnim përpara një grup qytetarësh dhe do t’i orientonim drejt mureve të këtyre shtëpive pa përfillur se atje jetojnë fëmijë e të moshuar, të cilët nuk kanë asnjë faj nëse pranohet që janë fajtorë vetëm se janë familja kryeministrore atëhërë a do flisnim për demokraci funksionale dhe sjellje qytetare? Se astirasit mund të justifikohen kur bërtasin para Kryeministrisë. Shajnë dhe mallkojnë kryeministrin. Tek e fundit, ai është njeri publik dhe mban përgjegjësi edhe për një gozhdë që zhvendoset nga një banesë. Po fëmijët e tij, nëna, bashkëshortja a nuk kanë ato të drejtën të jetojnë në privatësinë e tyre? Ç`kuptim ka që një vargan i gjatë njerëzish i drejtohen një banese private dhe lemerisin tërë kalimtarët në marshimin që bëjnë drejt mesit të malit të Dajtit për t’u kanosur atyre që jetojnë brenda asaj fortese? Ku është qytetaria dhe ligji në këtë rast? A nuk është shkelje e të drejtave të njeriut të familjarëve, të fëmijë dhe të moshuarve?

Ne jemi qytetarë europianë dhe deputeti që u prin është shkolluar në një nga vendet me demokraci të zhvilluar, po si është e mundur që pikërisht ky djalë i ri që ka marrë përsipër të na bëjë më demokratikë, të marrë pishtarin e udhëheqjes së marshimit drejt një banese, që tek e fundit është e mbrojtur nga kanuni, nga zakoni, nga tradita, nga shqiptarizmi, nga ligji dhe morali? A mund të konsiderohet i moralshëm ky marshim si të shkonin mbi Bastije apo në shtëpinë e armikut? Si e konceptojnë marshuesit dhe kryemarshuesi Balliu këtë udhëtim nëpër baltë e nëpër rrugica, vetëm e vetëm për pak efekt propagandistik? Mos vallë jemi në kohën e marshimit të ushtarëve të Haxhi Qamilit në kërkim të Babës? Një i shkolluar në perëndim, a nuk e kupton se me këtë nuk i shton asgjë, as protestës, as vetes, as opozitës, as Bashës, as Berishës, aq më pak demokracisë!? Përballë marshimit të astirasve drejt Surrelit qëndrojnë disa studentë, që sa më shumë zgjidhje t’u bëhen aq më shumë acarohen. Kur nga tetë pika u miratuan 12 dhe qeveria premton edhe platformën për universitetet të zëmëruar jo nga mos zgjidhja po plotësimi i kërkesave hynë në auditore dhe ngrenë barrikada me karrige e tavolina si në një imitim të lëvizjes së shekullit të kaluar me lëvizjen Çartiste. Dhe bëjnë karshillëk tërë shoqërisë tonë, duke ndërmarrë veprime, të cilat cënojnë demokracinë studentore dhe tërë shoqërisë tonë? A është normale një veprim i tillë, i cili bie erë shantazhi dhe sabotazhi? Përse studentët nuk arrijnë të kuptojnë se shoqëria jonë nuk ka detyrime vetëm për studentët që duan të marrin bursa e të përgjysmojnë tarifa? Po edhe kur këto plotësohen të gjitha, ata vrapojnë të sabotojnë auditoret duke cënuar tërësisht interesat e studentëve të tjerë?! Barrikadat nuk janë për rininë tonë. Vendosja e pritave ndaj dijes dhe transformimi i auditoreve në llogore nuk u bën nder studentëve tanë. Ata nuk duhet të lejojnë përdorimin. Ose nëse duan të vijojnë protestat dhe t’i avancojnë me kërkesat e tyre, le të lejojnë të tjerët të vijojnë studimet. Se në universitet nuk kanë shkuar për uikend po për shkollim. Dhe shoqëria jonë, ndaj edhe sakrifikon qoftë edhe me përgjysmim tarifash, se tek e fundit për vete shkollohen dhe ata nuk kanë vetëm të drejta po edhe detyrime ndaj shoqërisë. Ndaj bllokada e auditoreve nuk bie erë demokracie. Përkundrazi. Duket se ka hyrë në veprim anarshia. Dhe anarshinë nuk e toleron asnjë shoqëri.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Ka debat dhe diskutime sot mbi atë që quhet nga KM si ligji mbi "anti shpifjen".

Postuar: 13/12/2019 - 07:10

Mbrojtja me çdo çmim e të vetëve, militantëve, të zgjedhurve, funksionarëve, ish-administratorëve

Postuar: 13/12/2019 - 07:09

Siç dihet poetit racist, austriakut Handke iu dha çmimi Nobel në letërsi për meritën e “për

Postuar: 12/12/2019 - 07:07

Sigurisht që koha e sotme ka nxjerrë në pah dhe iniciatorë dhe emra të rinj "fantastikë të p

Postuar: 12/12/2019 - 07:06

Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim t

Postuar: 12/12/2019 - 07:05

Përmbysja e sistemit komunist në 1990-ën ishte vepër e shumicës së shqiptarëve, në radhë të parë

Postuar: 12/12/2019 - 07:04

Mbas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit që pllakosi dhe tronditi zemrat e shqiptarëve të kudon