Opinion / Editorial

Masakra e 4 shkurtit, vepër e tradhtarëve dhe “dekalogu ballist” i të gjitha qeverive pas ‘90-ës

Masakra e 4 shkurtit, vepër e tradhtarëve dhe “dekalogu

Në historinë e pushtimit të Shqipërisë nga nazi-fashistët shumatorja e masakrave që ka bërë armiku si p.sh: ajo e djegies së Borovës në zonën e Korçës në korrik të vitit 1943, masakra e Vranishtit gjatë operacionit të dimrit shkurt ‘44 në krahinën e Mesaplikut dhe ajo e Tiranës më 4 shkurt 1944 etj, jo vetëm që janë të ndryshme, por kanë edhe disa karakteristika dalluese nga njëra-tjetra. Përpara se të shkojmë te 4 Shkurti, më duhet të nënvizoj se masakra e Borovës është vepër tërësisht e forcave naziste gjermane, të cilat erdhën nga Greqia duke u futur në Shqipëri dhe u pritën me armë nga partizanët dhe çetat territoriale të vendit. Gjermanët u hakmorën duke djegur e kthyer në gërmadhë gjithë fshatin Borovë dhe duke vrarë e masakruar mbi 100 burra, gra, fëmijë e pleq të këtij fshati. Ballistët, në këtë masakër vërtet nuk e ndihmuan gjermanin pushtues, por po aq e vërtetë është edhe se as nuk e luftuan atë.

Me këtë vërtetohet, apo më saktë, përligjet edhe qarkorja orientuese e kreut të Ballit Kombëtar M.Frashëri, i cili urdhëronte të gjitha strukturat e “Ballit” të mos e prisnin me pushkë armikun edhe pse ai, atë dokument do ta firmoste tre muaj më vonë. Në masakrën e fshatit Vranisht të Vlorës, gjermanët nuk ishin në marshim, por në kulmin e operacionit të dimrit të vitit 1943-44 në krahinën e Mesaplikut. Ata kudo ishin pritur me pushkë dhe formacionet partizane i shkaktuan dëme të konsiderueshme nazistëve gjermanë. Pushtuesit, nuk mundën dot të futeshin e ta nënshtronin atë krahinë ngaqë lufta u ndez e ashpër. Një shembull të shkëlqyer atdhetarizmi dhanë banorët e këtyre trevave, por veçanërisht vranishnjotët. Për këtë dhe bisha naziste u hakmor duke vrarë mbi 60 fshatarë të pafajshëm. Por ajo që ka tërhequr aq shumë vëmendjen e opinionit të brendshëm, por dhe të historianëve është pikërisht “Masakra e 4 shkurtit 1944”.

Pse pikërisht ajo dhe çfarë ka të veçantë?! Nëse në masakrat e tjera, si forcë e parë në skenën dhe teatrin e luftimeve ishin pushtuesit; në masakrën e 4 shkurtit, nga ku u vranë në mënyrën më barbare 84 qytetarë të Tiranës, si forcë represive dhe rolin e xhelatëve ndaj një pjese të popullsisë e morën ata shqiptarë, të cilët ishin vënë kryekëput në shërbim të pushtuesit. Qeveria kuislinge e Rexhep Mitrovicës kishte në përbërjen e vet tre anëtarë të “Ballit Kombëtar” dhe nga këta më i spikaturi në luftën dhe urrejtjen ndaj PKSH dhe forcave partizane, ishte ballisti shqiptar me origjinë nga Kosova, Xhafer Deva, i cili mbante edhe postin e ministrit të Brendshëm. Aq i egër e brutal paraqitej ky burrë shtatvogël, që në pamje nuk ta mbushte as syrin e as mendjen, saqë dhe vet Rexhep Mitrovica dhe pse ish-kryeministër më shumë ngjasonte me një kukull para tij.

Komandanti i forcave balliste, Kadri Cakrani do të ishte në krye të reprezaljeve mbi popullsinë e pafajshme sëbashku me komandantin e përgjithshëm të milicisë, Hysni Dema, Xhelal Stravcka dhe me dijeni të plotë të prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti etj. Historiografia, natyrisht që elementët historikë, ngjarjet, datat, personazhet, nuk i merr të shkëputura nga situata politike, aq më tepër që kjo masakër u krye nga "Regjenca shqiptare" në bashkëpunim dhe dijeni të plotë të gjermanëve. Ka patur tek-tuk ndonjë ”historian”, i cili për të mbuluar “proçkat e ballistëve” e ka konsideruar këtë gjakderdhje si një “hakmarrje personale” të Xhaver Devës apo Kadri Cakranit, meqenëse njësiti gueril i Tiranës u kishte organizuar atentate. Natyrisht që dhe këto mund të kenë ndikuar, por urrejtja ndaj Luftës Nacional-Çlirimtare dhe ndaj PKSH ishte vijë e njëtrajtshme politike jo vetëm e okupatorëve, por edhe e bashkëpunëtorëve të tyre.

As që mund të mendohet, se komandantura e lartë naziste nuk kishte dijeni gjoja për këtë gjakderdhje që do të ndodhte, përkundrazi, ata ishin në dijeni të plotë, bile ishte e planizuar që në mesin e janarit të atij viti, e jo vetëm kaq, por një javë para masakrës ka qenë e hartuar lista nga komandanti i xhandarmërisë së Tiranës, Sali Mati dhe sekretari i rinisë së Ballit, Halim Begeja. Gjermanëve u leverdiste që në luftën kundër Nacional-Çlirimtares ta angazhonin direkt “Ballin” dhe forcat e xhandarmërisë shqiptare duke e futur thellë e më thellë në rrugën e tradhtisë e të krimeve. Për ta vërtetuar këtë, nuk po i referohem arkivave dhe dokumentave tona, por po sjell këtu për lexuesit një radiogram të përfaqësuesit nazist për Ballkanin, gjeneralit Neubacher, i cili gati 10 ditë mbas kësaj masakre, më 13 shkurt 1944 i shkruante ministrit të Jashtëm gjerman, Ribbentrop: “Hyrja e ministrave të rinj në qeveri nuk është e rëndësishme. Balli Kombëtar, i cili u krijua si një organizatë kundër okupacionit italian dhe ishte solidarizuar me kundërshtarët tanë (britanikët), deri tani nuk pranonte të mbante hapur përgjegjësi. Përfshirja e disa burrave në qeveri, të cilët janë përfaqësues të këtij fronti, është rezultat i luftës sonë të përbashkët me përkrahësit e Ballit Kombëtar në Shqipërinë e Jugut, të cilët të armatosur prej nesh luftojnë kundër partizanëve të kuq.

Bashkëpunimi i Wehrmacht-it tonë me formacionet e Kadri Cakranit në Shqipërinë e Jugut rezulton tepër i suksesshëm deri tani. Javën e kaluar dështoi një atentat i komunistëve kundër Cakranit nga ku mbeti i vrarë nipi i tij”. Në realitet kjo masakër lidhet edhe me disa humbje të përkohshme që pësuan forcat partizane gjatë Operacionit të Dimri në dhjetor 1943-44. Qeveria kukull e R.Mitrovicës dhe Regjenca, mendonin se edhe nëse do të largoheshin trupat gjermane nga Shqipëria, meqenëse forcat partizane po e humbisnin luftën, (mendimi i tyre) ata të ngeleshin përsëri në qeveri, duke ushtruar dhunë të pashembullt. Ja se si do të shkruante gazeta ”Bashkimi i Kombit” (5 shkurt 1944) një ditë më vonë për këtë ngjarje: “Gjaku don gjak! Terrori kërkon terror! Nuk do të përtërihet shteti shqiptar as me gjykata, as me anketa, as me këshilla. Shteti shqiptar mund t’i kalojë këto faza kritike vetëm duke përdorur shpatën… për t’u vendosur në tërësi paqa, duhet të përdoret thellësisht terrori… Terror kundër terroristëve, terror kundër anarkistëve, terror kundër nacional-çlirimtarëve, terror kundër simpatizantëve të saj”. Pra këto fjalë të Xhafer Devës dhe të Komandantit të operacionit ndëshkimor, Kadri Cakranit dhe gjithë llumit tjetër tradhëtar që i kanë lyer duart me gjakun e popullit të pafajshëm nuk kanë nevojë për koment. Që Balli Kombëtar, për fatin e keq të shqiptarëve, u rreshtua në kuadrate dhe skuadrone ndëshkimore përkrah pushtuesve, nuk ka nevojë të vërtetohet. Ballistët e dinë fare mirë se si kanë vepruar. Le të flasin si të dëshirojnë Urani i Butkajve dhe Tiku i Alimedhnjve. Dokumentat e “metastazave tumorale” anti-kombëtare të Lumo Skëndos i kanë dhe Aleatët e Mëdhenj, Anglia, Amerika dhe URSS-ja.

Bile duke qenë se gjermanët njihen mirë për pedantizëm mund t’i kërkojnë dhe t’i gjejnë fare lehtë dhe në arkivat hitleriane ku paraardhësit e tyre kanë firmat e bashkëpunimit dhe që të mos të tregohen të njëanshëm, le të lexojnë çfarë shkruajnë dhe për partizanët dhe Luftën e tyre Nac-Çl. Aty do të gjejnë se përse populli përkrahte dhe mbështeste partizanët e jo milicët, xhandarët ballistë, zogistë e zuzarë që i kanë duart të zhytura në gjakun e popullit deri në bërryl. Ndërgjegjja kombëtare ka nevojë të herë mbas hershme të rikujtojë të kaluarën me qëllim tu mësojë brezave dhe gjeneratave të vërtetat historike.

Masakra e 4 shkurtit do të ishte masakra e parë ku shërbëtorët tradhtarë shqiptarë në shërbim të fashizmit do të hidheshin me egërsinë më të madhe kundër vëllezërve të tyre duke përdorur dhe emrin e madhërishëm të Kosovës në shërbim të një batalioni famëkeq, apo emrin e heroit tonë kombëtar “Skënderbeu” për të formuar divizionin SS famëkeq, i cili operonte në Kosovë, duke shfrytëzuar me mjeshtëri ndjenjën e atdhedashurisë të shqiptarëve të Dardanisë dhe urrejtjen që kishin shqiptarët ndaj shovinizmit “serbo-madh”. E vërteta historike nga grupe e shtresa të caktuara politike, mund të ndodhë që dhe të deformohet për interesat e tyre, por gjaku i tradhtisë është vështirë të dalë prej atyre duarve që janë lyer gjer në bërryl. Historia është një shkencë e paanshme, por dhe e pamëshirshme. Ajo nuk ka nevojë për avokatë, historianë, politikanë etj etj. Mbi faqet e saj shkruajnë drejtësisht popujt. Historianët thjesht i paraqesin ashtu sikurse është e vërteta dhe jo më shumë, por as dhe më pak. E çuditshme, po përse masakrat e ‘97-tës, 21 Janarit më përafrohen me 4 shkurtin e 1944-ës?!

“Dekalog ballist i të gjitha qeverive mbas 4 shkurtit 1990”

 

1- Hiqet nga varrezat e dëshmorëve Komandanti fitimtar i luftës Nac- Çl. Enver Hoxha.

2- Dekorohen 63 ballistë të pafajshëm

3 Kryetradhtari Mithat Frashëri të vendoset pranë atdhetarëve të mëdhenj Frashëri

4 Për nderin e tradhtarit Ahmet të emërtohet bulevardi “Zogu i parë”

5- Emërtohet spitali gjinekologjik “Nëna mbretëreshë”

6- I lejohen armët bile dhe parakalimi me granata trashëgimtarit të fronit Leka Zogut, sa herë që “Lartmadhëria e Tij” e shikon të arsyeshme.

7 - Të hiqen nga sheshi qendror i Shkodrës ”Heronjtë e Vigut” dhe atje të vendosen “Heronjtë e Postribës”

8- U jepet çmimi “Lumo Skëndo” gjithë shkrimtarëve e artistëve antikomunistë simpatizantë të Ballit. (Këtij të fundit t’i sillen eshtrat në Shqipëri dhe t’i ngrihet përmendore)

9- Nga sot e tutje nuk do ketë më as ballistë.... e as partizanë...thjesht “Luftëtarë për Vatanë”

10- Me propozim të të përndriturit në azil politik, Agron Tufës, i rekomandohet Parlamentit shqiptar të rishikojë statusin e dëshmorëve dhe heronjve të Luftës Na-Çl.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë!

Regjenca Shqiptare e shekullit të XXI (Nën kujdesin e BE dhe Amerikës)

(Ramiz Alia- Fatos Nano - Sali Berisha- Ilir Meta- Lul Basha - Adriatik Alimadhi- Edi Rama-Gramoz Ruçi- Ekrem Spahia-Uran Butka...dhe gjithë ish-avokatët e popullit)