BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Maskarenjtë dhe horrat i krijon pushteti

Maskarenjtë dhe horrat i krijon pushteti

Ndodhin fenomene të rënda, të natyrave të ndryshme në vendin tonë - deri në tragjedi dhe atëherë kur bëhen pjesë e medias kujtohemi të gjithë t’i dënojmë. Reagojmë në biseda mes miqsh, në kafenera, deri në komente “fejsbukiane”. Shteti nxiton të kërkoj një fajtor pa u futur në gjetjen e fajtorëve kryesorë – maskarenjtë dhe horrat që i prodhon vetë. I prodhojnë partitë politike duke i bërë një pjesë, të ndihen të pushtetshëm edhe kur s’kanë kurrfarë pushteti ekzekutiv. Kësisoj bëjnë të mundur që të ngrihen në piedestal maskarenjtë, duke u kamufluar me forcën e pushtetit, direkt apo indirekt, thënë ndryshe – deri në rastet, “pushtet, pa pushtet”. Çdo histori e dhënë në mediat shqiptare dhe jo vetëm, përmban realitetin shqiptar; përmban falsitetin dhe imoralitetin e pandëshkuar të disa pushtetarëve dhe të shërbëtorëve të tyre. Përmban kotësinë e disa strukturave të ashtuquajtura “anti së keqes” që ky shtet ka ngritur, por që me heshtjen po kthehet në bashkëpunëtor me të keqen. Më së shumti kemi dëshirë të merremi, me ata që bëjnë një kritikë në funksion të së mirës së përbashkët, duke bërë lloj - lloj etiketime. Por, “harrojmë” të merremi me kategorinë e “maskarenjve dhe horrave”, me justifikimin “vlerangritës” - “shoh punën time” ose nga frika prej hakmarrjes. Nëse ndokush e meriton dhe e kritikojmë nuk bëjmë mëkat. Mëkat është kur zgjohesh në mëngjes me planin, “kë do keqpërdor”, “kë do shkatërroj” që të arrij këtë apo atë synim, apo për të mbuluar maskarallëqet e bëra. Ata që provokojnë, ndjekin rrugës njerëz në punën e tyre - duke i cënuar krejtësisht edhe privatësinë, kërcënojnë, përndjekin, janë viktima ose njerëz të shitur, pavlerë e dinjitet. Realisht prapa tyre jan maskarenjtë dhe horrat, me format e ndryshme të hakmarrjes, presionit dhe shantazhit. Por, shteti e harron ketë. Edhe kur ndodhin krime shteti vrapon vetëm pas atij që kreu krimin dhe lë në hije urdhëruesit, apo shkaktarët –maskarenjtë që i ka promovuar - kuptuar / pa kuptuar. Kemi dëgjuar, apo parë në punët tona pronarë, shefa, drejtues (përfshirë këtu drejtorë dhe zv.drejtorë shkollash)etj., që krijojnë një klimë frikësuese, mjedis armiqësor apo ofendues, sillen si të duan me punonjësit apo personat që shkojnë të marrin një shërbim, që i shohin si plaçka, që fryhen si të mbipushtetshëm, që flasin për mbështetje ministrash a politikanësh, që nxjerrin në pah forcën dhe ndikimin e tyre për t’u zgjidhur probleme të tjerëve, emërojnë/ ç‘emërojnë - duke luajtur rolin e sekserit. Përpos, me këtë forcë kërcënojnë, keqpërdorin, poshtërojnë këdo - në veçanti femrat, ku për fat të keq disa bien pre e presioneve apo e dëshirave të eprorëve maskarenj. Këto sjellje janë moralisht, etiketisht dhe ligjërisht të gabuara, aq më tepër në vendin e punës, por këtyre nuk u dridhet qerpiku për çka bëjnë. Në këtë kategori futen edhe ata që hiqen si njerëz me emër në fushën e tyre e më gjerë; hiqen si familjarë të devotshëm, dashamirës, të kudogjendshëm, por në të vërtetë kanë një anë të errët - kërcënimin në forma të ndyra, të kamufluara për të mbuluar marrëzitë e tyre dhe harruar se dhe ata kanë familje. Realisht çdo gjë e arrijnë me punë të ndyra. Për ta ruajtur këtë emër “të mirë”, kujdesen që të reklamojnë veten mjeshtërisht në fb e rrjete të tjera sociale. Ndaj as komentet e bukura dhe reklamat për vlerat, dashamirësitë e mëdha, të kësaj kategorie, s’duhen marrë aq seriozisht në kazanin reklamues “Facebook” e të tjera. Sikur t’i dinin të vërtetat të gjithë miqtë e tyre, apo familjaret-fëmijët e tyre, në veçanti do të tmerroheshin. Atyre i është mbushur mendja se janë të pandëshkueshëm, sepse kanë mbrojtjen e kodoshëve me pushtet superior, që i promovojnë. Kjo kategori, ose kanë pasur më parë poste partiake, ose kanë, apo u kanë shërbyer në forma të ndryshme pushtetarëve dhe më pas këtë pushtet janë kujdesur ta kurojnë që t’u rezistojë kohërave. Midis tyre edhe disa shërbëtorë që në forma të ndryshme, jo të ndershme, kanë krijuar pushtet financiar. Për fat të keq familjet e këtyre kategorive kanë rënë në kënaqësinë e një jete të siguruar, e shkollimit të fëmijëve në universitete private të shtrenjta apo jashtë shtetit, kënaqësinë e vilave apo disa apartamenteve, duke harruar të pyesin, ose sëpaku, kur ulen në tryeza përballë njëri-tjetrin, duke u parë në sy - përfshirë edhe tavolinën e “Vitit të Ri”, të mendojnë për mënyrat e përfitimit të këtyre të ardhurave. Të kujtojnë se kanë rritur ose po rrisin fëmijët me fitime të errëta - dikush me lekë droge, dikush me përfitime kërcënimesh, me ryshfete, e maskarallëqe të tjera. Familjarët e tyre të mendojnë se dikë kanë dëmtuar këta, për të fituar kaq dhe t’u kujtojnë atyre, se edhe të dëmtuarit prej tyre kanë familje. Edhe ne të gjithë duhet të heqim dorë nga teknikat - së bëri sikur nuk pamë gjë, sikur nuk dëgjuam e as kuptuam gjë, sikur harrojmë. Ne, nuk mund t’i ndryshojmë, por së paku, duke ngritur fenomene t’i kujtojmë shtetit që mos vazhdojë të heshtë. Të mos lejojë të promovohen të tilla kategori; të riformatojë institucionet “anti së keqes” që ato të kthehen në funksionin e duhur. Përpos, mund të ndihmojmë sado pak, shoqërinë shqiptare t’i dallojë maskarenjtë dhe horrat si në punë e kudo që t’i hasim, që të mos biem në grackën e tyre, pasi një pjesë shtiren aq shumë. Nga ana tjetër edhe kësaj kategorie t’ia “hapim sytë”, që të mos shtiren, të bëjnë kthim prapa, se vjen një ditë që maska u çirret, e fama dhe paratë e tyre nuk kanë më vlerë. Nuk është çudi që të tillë të kemi dhe në miqësitë tona dhe nuk i kuptojmë. Gjithashtu, shteti duhet të merret thelbësisht me këtë çështje pasi problemi po kthehet në sistem.