BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Mbasi “sovrani” foli dhe u largua, fjalën e morën “mbetjet” e tij...

Mbasi “sovrani” foli dhe u largua, fjalën e morën

…Sepse janë të tilla prandaj edhe sovrani nuk i pranon në mes tij si pjestarë të vet sepse këta, flasin mbasi sovrani e thotë fjalën e tij një ditë në katër vjet., Eh ç’po na dëgjojnë veshët. Edhe në këtë ditë të 25 prillit, sovrani foli shkurt, qartë dhe me vendosmëri. Mjaft më me mashtrime, mjaft më me kriminelë, me banda e banditë, mjaft më me viktima, mjaft më me zhurmues, me njerëz të “hurit e të litarit”, duam qetësi, duam mirëkuptim, duam paqe e harmoni, duam dashuri, duam punë e jo përralla. Këto fjalë “lapidar” shkroi sovrani në kutinë e votimit dhe u largua me qetësi e dashuri, i bindur që “minjtë” më pas do të reflektonin. U largua, por edhe e mbante kokën prapa. Ende pa zbardhur akoma dita, filluan të dalin “minjtë”, “fësht” nga një vrimë e “fësht” nga vrima tjetër, të gjithë u bashkuan në një korr të vetëm: “Këto, nuk ishin votime të ndershme e të lira, por ishin një masakër e vërtetë e votës së lirë. I mohuan gjithçka kishin thënë kur sovrani fliste. Ah, sa paske për të vuajtur o sovran dhe do të vuash sepse “minjtë” kanë tridhjetë vite që të gërryejnë, të pickojnë e nuk të lënë rehat. Tamam si ajo “laraska” e quajtur LSI, më shumë se pesëmbëdhjetë vjeçare që herë ka hipur mbi “kaun gajto” e herë mbi “kaun balash”, që nuk ka bërë “shkrap” për punë përveçse ka ngrënë ka pirë e ka rrëmbyer dhe në fund të dyve, u kanë lënë “glasat” në kurriz! Më keq akoma, kërkon të rrjepë sovranin, duke kujtuar se ai nuk ka veshë e nuk ka sy! Nejse, vazhdojmë atje ku e lamë. “Minjtë” ia mbathën në ditën kur sovrani fliste. Një ditë përpara se të fliste ai, foli Monika: “Unë do ta quaj dështim në qoftë se marrim 18 deputetë” dhe “Kryeministri në ikje, do të shporret”! Sipas “berihajit” fliste edhe “kryeministri” i ardhshëm me zë të ngjirur: “Ora e triumfit po afron! Rama me qeverinë e tij, do të shporret njëherë e mirë”. Të gjitha “kukuvajkat”, në një zë! Flisnin kështu prandaj edhe sovrani u tregoi vendin. “Kryeministrit” të ardhshëm i kishte ikur gjumi dhe qëndronte me veshë hapur e sy mbyllur tek fermerët i bindur se ata i kishin bërë llogaritë se sa u binte për fermer nga ceku njëqind milionë euro, e kështu pensionistët prisnin pensionin jo më pak se katërqind euro, mjekët njëmijë e dyqind euro, mësuesit njëmijë, infermierët e deri tek pastruesit nga katërqind euro. Kujtonte ky “kryeministër” se ata po qëndronin me gojë hapur, sikur ata të mos e dinin që fliste kështu një humbës i pesë “betejave”, por hajde e mbushi mendjen se… Doli nga vrima edhe ditën që fliste sovrani: “Sot është një fitore e madhe për Partinë Demokratike”. Këtë e tha edhe mbasi po merrte “shkopinjtë” e parë nga Sovrani. “Ne do të vazhdojmë betejën tonë për demokraci të vërtetë”, duke qënë i bindur edhe vetë që vetëm xheli në flokë i ka mbetur. “Vullneti i popullit është në kutitë e votimit”! Sovrani e dëgjonte “veresie” sepse e di që ky “Kryeministër” i ardhshëm, është i pabesë. Nuk kaluan veçse disa orë dhe “vullneti i popullit” që ishte në kutitë e votimit, u “tjetërsua” sipas atij që i haheshin shumë “dardhat” e Kryeministrisë. Këto kuti votimi, u bënë sikur të ishin “frutjere” që nga fruta t’i kthente në lëng apo u kthyen nga gjendja e ngurtë në gjendje të “lëngët” ose nga “vullnet” i popullit, në “mall që shitej dhe blihej” dhe si për çudi, ky “mall” u shit e u ble nga socialistët në një kohë që me zë e figurë, dolën socialistët dhe demokratikasit që shitën e blenë vota. Duhet ta themi qysh në fillim: Derisa e vërteta të mos thuhet me emrin e saj, Shqipëria do të vuajë shumë, do të vuajë për dekada të tjera në të ardhmen. Vazhdojmë me personazhet që dolën nga skutat. Para se të vendoste sovrani, foli një analo-lëpist Zheji: “Lufta më 25 qershor është një luftë midis atyre që luftojnë për mandatin e tretë dhe që do të “thyejnë qafën” dhe midis atyre që do të luftojnë për ruajtjen e votës së lirë e të ndershme”! Që të flasësh kështu, duhet të jesh Zheji nga mendtë e kokës, dmth as më shumë e as më pak të vendosësh “ujkun” për të ruajtur “mëlçitë” ose hajdutin për të ruajtur paratë! Mbas tij dolën shumë analo-lëpista të tjerë nga ata që paguhen për të mashtruar. Mbasi foli sovrani, foli një tjetër Zhej, i quajtur Bushat: “Vota e qytetarëve, u tjetërsua, u manipulua, sepse socialistët me Ramën siç i kishin parashikuar “exit pollet” ashtu ashtu edhe rezultatin”. Qytetarëve, iu vodhën votat? Çudi e madhe, pse tërë ata demokratikas “vigjilentë” e lejuan t’iu vidheshin votat? E kështu me radhë ca Rakipër me dhe pa prapashtesën “Llari”, ca patriotë të presidentit, që bëjnë “të fortin” e “të diturin” duke zhgarravitur në gazetat e tyre e duke e përqëndruar tërë goditjen kundër “diktatorit” dhe të “paudhit” Rama! Një “hibrid” Berisha-Meta, ka bërë një zbulim të madh. Ai thotë: “Socialistët, janë fara më e keqe mbi sipërfaqe”! Këtë “mësim” duhet ta kenë parasysh demokratikasit sidomos kur bëhet thirrje nga “vatra” demokratikase. Edhe shkrimtaren Açka, me një barrë mend, duhet ta dëgjojnë kur thotë: “njerëzit e mi, sot morën udhët për t’u larguar nga diktatura”! Po mirë moj “Dyjackë”, por ti udhët i ke marrë me kohë për t’u larguar. Më shumë se kushdo tjetër, janë këta gazetarë, shkrimtarë apo analistë, që e “morën në qafë” Bashën dhe presidentin bashkë, që ky i fundit të bëhet gazi i botës. I besuan për nëntë muaj me radhë, qysh kur e morën “stafetën” nga Fahri Balliu dhe i drejtuan “grykat e zjarrit” kundër “armikut”, “diktatorit” Rama për ta “shporrur” atë nga skena politike. Po e quajmë që Rama është diktator, po si është e mundur që atë edhe sovrani edhe ndërkombëtarët e duan? Po si është e mundur që ky Diktator edhe i vetëm luftoi dhe triumfoi mbi “armiq” kaq të shumtë edhe brenda “kampit” të tij edhe nga tërë shpura e “armiqve” jashtë partisë nga “armiq” të egër e të pabesë siç ishin gazetat e shumta paçavure që shpifnin, baltosnin, trillonin sajonin ditë e natë pallavra për “zullumet” e “armikut”, “hajdutit” “oligarkut” Rama. Mbas tërë këtyre “luftëtarëve” që fjalën e bënin sfurk e çomangë foli sovrani, i cili i tha Ramës: “Vazhdoni rrugën që keni nisur, sepse po e latë në dorën e këtyre “sorrave”, vendin do ta “shqyejnë” çika çika”! Më larg kishte shkuar Monika e LSI-së dhe mbas tre ditësh nga dita kur sovrani foli, mbërriti dhe foli para qytetarëve, por as me 18 deputetë, por vetëm me 4, duke bërë të paditurën që partinë e saj e kishte marrë “porropia” qysh para tre vitesh. Këtë “shpërblim” ia dhanë të dy bashkëshortët dhe këtë, nuk e kuptonin, duke ia faturuar fajin Presidentit Vuçiç! “U uroj fitoren oligarkëve dhe bandave të Edi Ramës. Votat e LSI-stëve, janë vjedhur apo janë shitur nga socialistët, ashtu si e kishte paralajmëruar Vuçiç. Ne, ndërtuam një strategji të gabuar. LSI-stët edhe në të ardhmen do të jenë në sheshe”! Po pse o sovran, nuk e pranove Kejdën, Kllanjanë, Vasilin, “lepurin” Luan, të të “zbardhin” faqen? Presidenti bashkëshort i dërgon Monikës, letër falënderimi nëpërmjet Blushit. “Po, kështu është, votat, janë vjedhur”! Mark, M.M merr zjarr: “Edi Rama, është Lukashenko i Ballkanit, ai është diktatori dhe hajduti i votave dhe këto zgjedhje, mbeten zgjedhjet më të manipuluara për faj të Ramës”! Flet Marku, ashtu si di ai kur “argumentonte” që “në demokraci edhe do të vriten njerëz”! Presidenti vetë i tha Ramës: “Në qoftë se merrni 71 vota, unë do të të dorëzoj edhe mandatin e presidentit, në të kundërt, gjej vrimë e futu”! Këtej e tutje, “diktatori” Rama, do të jetë edhe president që presidenti në ikje ta “gradojë” dy herë diktator. U zhduk nga skena presidenti për tre ditë nga dita kur foli sovrani. Shumëkush, mendoi që po bënte dorëzimet, dikush tjetër thoshte që kishte shkuar në stërvitjen “Defender” për të promovuar “armët e kohëve të pellazgëve si shufra, sfurqe dhe hunj, por nuk ishte e vërtetë. Të tjerë thoshin që “ka shkuar në Malin me gropa” për të praktikuar raketat “Tomahouk” dhe “SAM P” se sa e kanë ato fuqinë shpuese. Por as kjo nuk doli e vërtetë dhe ja, “fap” u shfaq nëpërmjet këshilltarit të tij: “Mos prisni që Presidenti të japi dorëheqjen, sepse ai kur e tha këtë ishte i dehur dhe mbasi i doli rakia, u qetësua dhe tha: “Unë, vërtet thashë që do të jap dorëheqjen, por në qoftë se zgjedhjet do të ishin demokratike dhe jo të vjedhura. Prandaj, mos prisni që ai të japi dorëheqjen”! Po kush ishte kaq i shqetësuar për presidentin? Askush tjetër përveç Blushit sepse do të mbetej ashtu si ai e quante ai Erion Veliajn: “Do të mbeteni rrugëve si qen i pasterilizuar”! Po kush doli me zë e figurë për shit-blerje votash? Dolën LSI-stët, me zë e figurë dhe nuk pamë të zhurmonte ndonjë sëpatë, apo ndonjë kosore. Askush nuk e pranon humbjen. Dy janë ato fjali që këta farë krerë të politikës i kanë hequr nga fjalori. Të mos njohin institucionin e dorëheqjes dhe të mos pranojnë humbjen edhe kur këtë e vendos sovrani. Përderisa këta farë politikanësh të kenë këtë mentalitet otoman që të mos njohin gabimet dhe mangësitë e tyre, Shqipëria do të vuajë edhe për shumë vite dhe mjerë qytetarët që presin ditë më të mira. Me siguri që në zgjedhjet e ardhshme Presidenti, ky i sotmi apo ndonjë tjetër, do të dekretojnë zgjedhjet e ardhshme dy vite përpara, sepse këtë herë as një vit nuk u mjaftoi as të bindnin qytetarët me hir apo me pahir që t’u jepnin votën, as të ruanin votën nga hajdutët siç thonë nga Rama apo nga ndonjë tjetër…