BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

“Ëmbëlsia” e dikurshme dhe “shëmtia” e sotme e Drenovës

“Ëmbëlsia” e dikurshme dhe “shëmtia” e

Dikur, fshati Drenovë në periferi të qytetit të Korçës, ishte i “ëmbël”, i bukur, lozonjare. Drenova ka nxjerrë poetë, dijetarë, politikanë, atdhetarë që aq bukur i kanë kënduar Drenovës dhe Shqipërisë. Drenova ka lindur Asdrenin, autorin e “Himnit të Flamurit” apo “Himnit Kombëtar” i cili në vitin 1904, botoi në Bukuresht përmbledhjen e tij të parë me nëntëdhjetë e nëntë vjersha “Rreze dielli” të cilën ja kushtoi Skënderbeut. Më pas, ai vazhdoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për Atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftë për çlirim nga zgjedha turke. Është domethënëse ajo ç’ka i shkruante Çajupi këtij mjeshtri drenovar: “Tani besoj se Naim Beu, nuk vdiq se vendin që ai la bosh e zure ti”. Janë dhjetëra e qindra dijetarë, poetë e bamirës që kanë zbukuruar Drenovën, që i kanë kënduar asaj me një zë: “Drenovë dikur nuse / Në rrëzë të Moravës / Qyteti të adhuronte / Sepse të kishte të bukur / Prisje e përcillje / buzëqeshje e humor.. / Bota i ka kënduar drenovares / Banda e parë frymore / Shoqëri “Vatra” në mes tryre / Drenovarë kishte plot / Këtu lindi Apostol Nasi / Që krijoi Hymnin; Vlora,Vlora..../ Kujtimet për Drenovën, shkojnë larg, kujtime që nuk fshihen kollaj nga kujtesa.Të mos shkojmë më herët nga njëqind e pesëdhjetë vite më parë. Ndër të rrallët libra që kam në dorë është “Ç’kanë bërë, ç’po bëjnë e ç’kanë vendosur të bëjnë drenovarët për Drenovën,” botuar nga Shoqëria drenovare “Bashkimi” në vitin 1920 të shek. të kaluar, shkruar nga Zisi Kalo dhe Vani Botka. E shfletojmë, mendojmë dhe krahasojmë. Jo vetëm nuk e teproj, por sido që ta shpreh, unë nuk do të mund të shpreh kurrë ashtu si duhet atë ndjenjë atdhetarizmi, atë përgjegjësi dhe përkushtim të drenovarëve, atë dashuri dhe mall të tyre, për vatanin, Drenovën e drenovarët. Ata merrnin rrugën e mërgimit në Rumani dhe Amerikë, por vatanin nuk e harruan, vendlindjen nuk e harruan, por jetuan me hallet e fshatit ku lindën. Drenova për ata, ishte dhe mbeti familja e dytë. E shfletojmë dhe lexojmë: “Shoqëria “Bashkimi”, nuk ka detyrë të lëvdojë Drenovën, por dëshirën për t’u lënë trashëgim pasardhësve një dritë që të mund të pasojnë gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre, dëshirën për vepra dobiprurëse, dëshirën për të qeverisur fshatin sipas metodave moderne. Pa mos nisur punën që nga rrënja, nuk do të mund të shijojmë ëmbëlsirën e pemëve, mundimeve ose pasurisë që kemi trashëguar. Po të bëjmë mirë këtë punë nuk do të kemi frikë për ndonjë punë të hidhur apo gjurmë të shëmtuar”. Dhe më poshtë: “Themelin e parë, mund ta kemi të vobektë, por shpresat janë të mëdha se bijtë dhe bashkëfshatarët që do të punojnë për të mirën e fshatit do ta bëjnë fshatin “fortesë” të çeliktë që të mos e shpojë dot ay që është mësuar të mjelë djersën e tjetrit, por do ta bëjmë atë një monument të patundur për nderin e fshatit tonë”. I tërë libri qysh nga fillimi e deri në fund flet me vepra konkrete dhe jo me fjalë të përgjithshme atë ç’kanë bërë drenovarët, për Drenovën e tyre ndër vite, por ne do të flasim të paktën qysh nga viti 1875 e këtej. Deri në këtë vit, në bankat e shtetit rumun, u gjendën 80.000 franga të dorëzuar me emra nga dy gjyshërit dhe stërgjyshërit drenovarë për “përmirësimin e gjendjes në fshatin Drenovë”. Me një korrektësi prej atdhetari, me një disiplinë shembullore, me një dashuri dhe mall që nuk matet, bijtë e tyre, e vazhduan këtë traditë edhe në vitet e mëvonshme se ç’do të bëjnë për fshatin e tyre. Ata ishin në kontakt të vazhdueshëm me bashkëfshatarët, me hallet dhe shqetësimeve të tyre e i përgjigjeshin me të holla të cilat janë të dokumentuara për çdo vit. Shkojmë njëzet vjet më pas në vitin 1895. Shoqëria e drenovarëve të Rumanisë, na ka dhënë deri më sot shumë pemë të ëmbla dhe njerëzore, ka martuar në shumë raste vajza të vobekta, ka nderë dorën duke ndihmuar çdo mot të vobektit e fshatit me nja shumë të këndshme, ka zbukuruar fshatin me çezma, udhë, ndërtesa publike, shkolla, kisha dhe ka bërë shumë mirësia....Por, mirësia më e madhe që ka bërë kjo shoqëri, është qereçi, (betoni), që ndalon lumin e Drenovës që është në Juglindje të fshatit, ujërat e të cilit në rrebeshe të mëdha mbytnin dhe prishnin kopshtet dhe luadhet e fshatit dhe rrezikonin tërë fushën e Drenovës. Për të mos vazhduar më tej mbasi çdo kush i kupton fare qartë duke bërë edhe krahasimin me kohën e sotme, Shoqëria “Bashkimi” shpreh edhe keqardhjen që “Nuk kemi asnjë dekument në dorë që të mund të japim hollësira po koha po na vërteton që gjer në ditët e sotme asnjë prej ndenjësve ose mërgimtarëve të Kazasë Korçë dhe përgjithësisht të Shqipërisë nuk u kanë mundur të ngrenë një shoqëri mirëbërëse të madhe dhe të pasur si të drenovarëve”! Më poshtë, deri në përfundim të detyrave që kjo shoqëri ka përcaktuar edhe detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të shoqatës, qysh nga kryetari, sekretari, arkëtari etj. etj. dhe jo vetëm të kryesisë së saj, por edhe të fshatit Drenovë duke kërkuar informacion të saktë se si janë shpenzuar shumat e dërguara dhe veprat që janë ndërtuar me ato të ardhura. As më shumë e as më pak, një model, një shembull se si mund të përparojë fshati, shoqëria në të ardhmen. Libri i Ziskë Kalos dhe Vani Botkës, jo vetëm nuk të mërzit, por të fut në mendime. Libri, përmend dhjetëra drenovarë që kanë lënë gjurmë, që kanë shkrirë pasurinë e tyre për bashkëfshatarët e tyre, për fshatin Drenovë. Midis dhjetëra të tjerëve, është edhe emri i Efthim Kristo Avrami. Ja ç’shkruan Shoqëria “Bashkimi”: “Si burrë me mend që ish, kur po i afroheshe vdekja në Bukuresht, shkroi dhiatën mi emrin e nipit të tij Z. Anastas Ratsit, me anën e së cilës e ndan pasurinë e tij midis soit dhe fshatit. Për blerjen e fshatit nga Imlaqi i Ali Pashës (Tepelenës) dhuroi 2000 napolona....Unë i nënshkruari, i dhuroj këto të holla për të paguar imlaqinë e atyre që nuk kanë fuqi të paguajnë sot, po me konditë që këto të holla, t’ia ktheni fshatit dhe të prishen për përparimin dhe lulëzimin e Drenovës”! Dy fjalë edhe për autorin e këtij libri, Zisi Kalo. Ai nuk shkruan vetë, por të tjerët shkruajnë për atë që jo vetëm nuk mbeti prapa të tjerëve, por ishte në krye të tyre. Pasardhësi i tij është nipi me emrin e tij Alfred (Ziskë) Kalo. i cili është jo vetëm ndër biznesmenët më të suksesshëm në qytetin e Korçës, jo vetëm një biznesmen model, por mbi të gjitha një biznesmen njerëzor, që jo vetëm hallet e shqetësimet i ndan me bashkëfshatarët e tij, por edhe të ardhurat. Ai ecën në gjurmët e gjyshit të tij, që Drenova të jetë pjesë e familjes së tij. Në gjurmët e tij, ecën edhe kolegu tjetër Ilir Deti. Por, as me një “lule” as me dy e tre nuk del “behari” i sotëm i “futur” thellë mes “ferrave”. Folëm deri tani për modelin e “prapambetjes” para më shumë se njëqind e pesëdhjetë viteve më parë dhe vijmë njëqind e pesëdhjetë vite më vonë, në kohën e sotme e në mënyrë të veçantë në këto tridhjetë vitet e fundit. Le t’i drejtohemi përsëri poetit drenovar: “Kurse sot.. “Majtas djathtas 30 vjet / Të morën bukurinë / Shkatërruan një qytezë të bukur / Të morën shkëlqimin”! Sot kohët kanë ndryshuar dhe ndryshimi më i madh është që po harrohen traditat, po fshihen gjurmët e traditave të shkëlqyera. Qysh nga viti nëntëdhjetë e këtej, është e vërtetë që kanë kaluar tridhjetë vite në kohë dhe është po kaq e vërtetë që kemi shkuar më shumë se treqind vite mbrapa në zhvillim, në përparim. Ku janë gjurmët dhe vazhduesit e veprave dhe punëve të mira që kanë lënë të parët? Është absolutisht absurde të mendosh një gjë të tillë. Pse e themi këtë? E themi mbasi deri në vitet gjashtëdhjetë, megjithë vështirësitë që krijonte diktatura përsëri për të mos pranuar “dhurata” nga jashtë edhe kur ato dërgoheshin për institucione shtetërore si shkolla, kinema etj. etj., drenovarët e emigruar në vende të ndryshme si Rumani dhe Amerikë, të organizuar në shoqata të ndryshme, nuk e harruan traditën e tyre. Me fondet e dërguara prej tyre, u ndërtua shkolla e fshatit, u ndërtua kinemaja, u ndërtua një muze model ku pasqyrohej puna dhe përpjekjet e drenovarëve për dije dhe arsim, lufta e tyre me pushkë dhe penë për pavarësi e përparim. Lexuesit, ndoshta do t’i kujtohet kur lexoi pak rreshta më lart që emigrantët drenovarë, krahas shumëve të tjera që i dërguan bashkëfshatarëve të tyre për vepra të tjera, dërguan edhe për t’i bërë pritë lumit të Drenovës për të mos përmbytur shtëpitë dhe të mbjellat. Sot, në kohët “moderne” nuk i bëhen prita lumit të mos përmbytur shtëpi dhe toka, por i bëhen atij “prita” me inerte dhe hedhurina që lumi të mos vazhdojë rrjedhën në shtratin e tij, që të përmbyti shtëpi e toka bujqësore dhe jo vetëm kaq, por asnjë “frangë” për dëmshpërblim as nga shteti as nga “bamirësit” që i është harruar emri! Sot, në kohën “moderne” nuk është nevoja që lumi të përmbyti shtëpi sepse ato, “shkojnë” vetë dhe mbyten në lumë. Kështu shkoi edhe muzeu, i ngritur me aq mund e sakrifica e bashkë me fondet e dërguara nga vetë drenovarët. Bashkë me stendat e materialet e shumta të tij, shkuan në lumë edhe historia dhe shkëlqimi i drenovarëve, për të lënë prapa errësirën. E ç’kishte rëndësi muzeu, kur koha thirri në skenë “shkëlqimin” e kolonave me bojë blu të muzeut në vitin 1997 të kthyer në zyra të komunës? Edhe Asdreni, nuk “vlente” më në këtë kohë të “demokracisë”! Mbas viteve nëntëdhjetë, dikujt, nuk i interesonte historia, kultura, traditat e vyera të baballarëve, gjyshërve dhe stërgjyshërve të drenovarëve. As kurora me bredha rreth e qark Drenovës, nuk është më. Ajo rra pre e “dhëmbëve” të sharrave, ashtu si ra “pre” historia nën dhëmbët e ruspave. Drenovarët, në shekuj i janë kundërvënë “agresivitetit” të natyrës dhe e kanë bërë “zap”, por sot, as ata, e askush tjetër, nuk po bëjnë dot “zap” “lumin” e makutërisë që po “pushton” tokat e bukës me ndërtime, nuk po bëjnë dot “zap” as lumenjtë që gërryejnë tokat, nuk po bëjnë dot “zap” “pushtetin” e antiligjit, nuk po bëjnë dot “zap” hemorragjinë e Drenovës dhe gjithë Shqipërisë. Drenova dikur me 840 shtëpi dhe mbi 4000 banorë, sot, ka rënë në qetësi me vetëm afro njëqind shtëpi ku banojnë vetëm të moshuarit. Janë harruar tashmë ato për të cilat drenovarët dhe Asdreni i kanë ngritur në vepra monumentale siç janë atdheu, dashuria, natyra, mendimi dhe bukuria.