Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mbi debatin për festivalin e këngës në RTSH

Postuar: 09/11/2019 - 07:11

Ka disa ditë që ka nisur një debat për festivalin e përvitshëm të këngës në RTSH. Shkak u bë një prononcim në formën e revoltës të kompozitores së mirënjohur Diana Ziu pas skualifikimit të këngës së saj “Mos”, që i qe besuar vokalisht një të riu. Zonja e nderuar në fjalë, akuzonte drejtpërdrejtë Vera Grabockën dhe Zhani Cikon si persona që vendosnin apriori për pjesëmarrësit dhe fituesit, që duke rendur pas vlerave monetare i kishin vënë shkelmin artit. Do ishte mirë që ky debat të ishte hapur kohë më parë dhe jo siç ndodh rëndom në momentin kur cenohesh personalisht, do ishte më parimor. Por siç thotë populli, “më mirë vonë se kurrë!” Monopolizimi i artit dhe jo vetëm, është tashmë një fakt në Shqipëri. Kjo ka frenuar talentet, i ka detyruar ta kërkojnë suksesin gjetiu dhe i ka hapur rrugën mediokritetit. Vip-at e sotëm në art me ndonjë përjashtim, janë njerëz që nuk kanë asnjë lidhje organike me artin dhe për të mbërritur deri tek fama kanë shfrytëzuar rrugë të tjera. Por për të mos u larguar nga muzika (kënga), shumë syresh janë femra të shoubizit, fituese konkurse bukurish, që bisturinë, trukimin për përsosjen e tipareve fizike e kanë implementuar edhe në zejen e të kënduarit. Mundet që ky të konsiderohet edhe trend botëror, marketing, ku pamja shet produktin, thith audiencën. Por tek ne bastardimi, mohimi i vlerave nuk njeh kufij. Kjo ka krijuar një treg informal të ngjashëm me atë të gabit, ku ai/ ajo që bërtet më të tepër (ka paratë dhe miqtë e duhur) mund të hedhë ujin në hava. Gabizmi është shndërruar në sindromë dhe po e vdes këtë komb shpirtërisht, intelektualisht. Nuk marr përsipër në debatin në fjalë (kënga në RTSH) të bëj avokatinë e kurrkujt, as t’i paragjykoj, sa kohë që nuk janë prononcuar të gjitha palët dhe më mungojnë faktet. Akuzat ngado që të vijnë duhen provuar, kurse e vërteta, produkti muzikor nën nivel i këtij tranzicioni nuk ka nevojë për kallauz. Bëhet gjithmonë edhe më i dobët, i pakrahasueshëm. Qoftë edhe me Kosovën, shtet i ri, me protektorat ndërkombëtar. Kjo shpjegon veç të tjerash edhe rezultatet e dobëta në Eurovizion, përtej viktimizimit, folklorizmave “na kanë ngrënë hakun!” Shumica e këngëtarëve të sotëm këndojnë me superpozim (rroftë teknologjia) dhe jo “live”. Ndërsa tekstet janë surrogate, shpesh të krijuar nga po ata vetë, apo njerëz jo kompetentë. Dhe dihet se gjysma e suksesit është tekst i shkruar. Vetëm mbi një fabul të bukur, jetësore mund të krijosh diçka unike, që t’i rezistojë kohës. Këtu të gjithë bëjnë gjithçka dhe asnjëri punën e vetë! Krahasuar qoftë edhe me të shkuarën komuniste, pa mohuar trashëgimitë pozitive, kemi një ndryshim jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje në shumëçka. Largim nga skemat e ngurta, sloganizmave, ku parashikueshmëria dhe jo spontanizmi ishte thelbësore. Më tërhoqi vëmendjen gjithashtu në rrjetet sociale ku gëloi sefte ky debat, se të gjithë komentuesit mbështesnin pa rezerva znj. Diana Ziu, duke anatemuar “pa mëshirë” Grabockën dhe Cikon. Duket si një gjyq publik në mungesë, dhënia e një vendimi me “karamanjollë”. Këtë situatë delikate nuk ngurruan ta përdornin si garniturë edhe disa media apo televizione. Konformizmi, nihilizmi (gjithçka e zezë) kësisoj bëhet vrasës dhe nuk lë vend për analizë serioze, profesionale, për t’i dhënë gjithkujt atë që i takon. Protagonizmi i shtuar, irracional, zgjon pasionet, egoizmat dhe padashur krijon edhe vetë viktima. Në përfundim dua të theksoj se ky debat është i shëndetshëm, sa kohë që priret nga shqetësimi për ringjalljen e vlerave artistike, për daljen nga vorbulla e amatorizmit, monopolizimit dhe jo nga qefmbetjet personale. 

Nga Luan KURTI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:21

Sikur kryeministër i vendit të ishte Tufa i Institutit të Krimeve të Komunizmit, jam i sigurt se nuk do të kishte guxuar t’ia hiqte stadiumit kombëtar emrin e Heroit të Popullit, Qemal Stafa.

Postuar: 14/11/2019 - 07:19

Përgjatë gjysmës së dytë shekullit 20-të, në vendin tonë, në të folurën e përditshme sunduan rënd

Postuar: 14/11/2019 - 07:18

Nga i gjithë diskursi i zonjës Arta Marku përpara KLP, besoj se u qartësua dhe për publikun dhe g

Postuar: 13/11/2019 - 13:23

Le ti marim disa gjëra me radhë e të përpiqemi të hulumtojmë mbi to.

Postuar: 13/11/2019 - 07:20

Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen auditime sipas planit vjetor të miratuar nga Kryetari Bujar Les

Postuar: 13/11/2019 - 07:17

Edhe pse për herë të parë, ndjesa e Lulzim Bashës për taksën e pronës tetë për qind është një ris