BREAKING NEWS

Ja ministrat që pritet të shkarkohen në vjeshtë, Majko e Lleshaj më të rrezikuarit, sondazhet fundosin shumicën e anëtarëve të kabinetit

Ja ministrat që pritet të shkarkohen në vjeshtë, Majko e
x

Opinion / Editorial

Mbi kryeministrin, rrebeshe e rrufe për vizitën në të vetin atdhe!

Mbi kryeministrin, rrebeshe e rrufe për vizitën në të vetin

Prej shekujsh kur i ka dhembur koka Kosovës, Shqipëria ka pasur temperaturë. Është e natyrshme, ashtu siç ndodh me pjesët e një trupi njerëzor. Historia, ka shkruar një biografi të pasur, miliona fakte dhe raste, beteja për mbrojtjen e territorit të Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse ka një marrëdhënie specifike, ashtu siç ka pasur gjatë tërë viteve pas ndarjes mes dy Gjermanive apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, para se të arrihej bashkimi dhe shembuj të shumtë të shteteve të një trungu, tek ne këto lidhje kanë qenë më së shumti shpirtërore, marrëdhënie specifike, të pangashme me askënd tjetër. Këtu nuk është fjala për të bërë patriotizëm as nacionalizëm. Edhe pse popull me një gjuhë, vëllezër të një gjaku, bijë të shqipes, shqiptarët, këtej e andej kufirit, ndarë me përdhunë padrejtësisht, qysh më 1913-ën, atje, ku është derdhur gjaku i shqiptarit të Shqipërisë është derdhur edhe gjaku i shqiptarit të Kosovës. Na ka prirë një flamur. Kemi kënduar të njëjtin himn kombëtar. Kemi kënduar të njëjtat këngë e kemi kërcyer të njëjta valle. Kemi thithur ajrin e bjeshkëve tona. Jemi ushqyer me të njëjtën bukë, bukën e tokës tonë. Kemi qëndruar dhe jemi ndriçuar nga të njëjtët heronj. Kemi përmendore të njëjta. Krenaria jonë e përbashkët, mbetet Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu dhe simbol mbarëbotëror Shën Tereza. Edhe kur politika ka dashur të trazojë ujërat, nxisë konfliktet, asnjëherë nuk ia ka mbërritur të depërtojë në ndërgjegjen dhe shpirtin e popullit. Ata që e kanë gjykuar veten liderë dhe prijës dhe kanë dashur ta shesin veten si tutorë dhe vendimmarrës edhe për popullsinë matanë Drinit, Kosovën, nuk ja kanë mbërritur, falë ndërgjegjes së thellë të kombit tonë. Shteti i pavarur i Kosovës me veprimin e Perëndimit, shkëputjen prej Serbisë ishte arritja më e madhe shekullore e kombit tonë. Kjo është krenari e padiskutueshme. Po në rrjedhat e viteve edhe pas pavarësisë me shtetin e Kosovës, kanë ndodhur ngjarje të cilat jo gjithmonë kanë qenë hapa para. Kjo si nga vetë politika kosovare, po edhe nga vendimmarrja e organizmave që qeverisin Europën. I vetmi shtet në Ballkan që ende mbahet regjimi i vizave, është Kosova edhe pse premtimi për heqjen e vizave është bërë zyrtarisht më shumë se njëherë pasi janë vendosur kushte dhe shteti i Kosovës i ka realizuar sipas kërkesave, siç ka qenë kufiri me Malin e Zi, Gjykata Speciale për Krime Lufte e vijimi i dialogut me Serbinë. Sapo Kosova ka hedhur një hap përpara, menjëherë është detyruar të eci mbrapa, njëlloj si ameba. Situata politike e sotme në shtetin e Kosovës, është trazuar veçanërisht me veprimin e Gjykatës Speciale në një moment shumë të rëndësishëm kur presidenti Hashim Thaçi pasi kishte prerë biletën për takimin e Washingtonit me presidentin Trump. Në dialogun mes Thaçit dhe Presidentit Vuçiç, sigurisht do diskutoheshin problematika të rëndësishme që kanë lidhje me marrëdhëniet mes dy shteteve dhe qëndrimeve që duhen mbajtur në vijim. Pikërisht në këtë moment u gjend akuza që më së shumti është një hartim me ngjarje të treguara nga individë që nuk e duan dialogun aq më pak Kosovën dhe pavarësinë e saj, përkundrazi kërkojnë statuskuo ose kthim pas, atje ku kanë qënë para vitit 1990. Pas akuzës kundër presidentit Thaçi, pështjellimi i politikës kosovare, ishte i kuptueshëm dhe i pritur. U godit në kokë iniciativa për dialog në Shtëpinë e Bardhë. Kuptohet rivaliteti mes Europës dhe SHBA-së, se cili do mbajë kurorën e lavdisë për pajtimin dhe njohjet reciproke mes dy shteteve deri dje në një shtet politik, këmbëngulja serbe se trojet e Kosovës janë tokë e Serbisë ose “Serbinë e japim Kosovën kurrë” nxitën qëndrime surprizë e keqdashëse. Zoti Thaçi, në Kosovë ka qënë tërë këto vite. Në krye të shtetit. Është akuzuar, po fakte nuk ka pasur kurrë. Të tjerë liderë kosovarë, Haradinaj, Fatmir Limaj, kanë provuar qelitë e Brukselit dhe kanë triumfuar pasi nuk ka pasur asnjë akuzë të provuar. Gjithsesi, Thaçi mori në dorë hartim-akuzën e Gjykatës Speciale, çka e detyroi të anulojë biletën për kryeqytetin e SHBA-së. Politika shqiptare në këto rrethana nuk mund të qëndronte pasive. Nuk mund të heshte. Përgjithësisht, faktori politik i Shqipërisë, mbajti qëndrim dhe dënoi aktin e ndërmarrë në një moment kritik kundër Thaçit. Në këto rrethana, kryeministri i Shqipërisë, vizitoi Kosovën, ku u takua me tërë faktorët politikë kosovarë në pozitë e opozitë. Kjo shkuarje, është një udhëtim, si drejt shtëpisë, tek vëllezërit, matanë kufirit në pjesën e atdheut amë. Vizitë, jo për kortezi aq më pak për hipokrizi, siç nxituan disa gramafonë mediatikë të këtushëm. As për ngushëllim, obobo ç`u gjeti! Është vizitë e një shqiptari që në rastin konkret është kryeministri i Shqipërisë, i cili edhe me Kushtetutë e ka detyrim ligjor, veç atij moral, të mbështesë dhe luftojë me të gjitha energjitë sipas ligjeve ndërkombëtare Kosovën dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as njëri prej liderëve politikë të Kosovës. Faktori politik kosovar e mirëpriti këtë vizitë në kohën dhe momentin e duhur. Dhe Rama i takoi të gjithë, pa përjashtuar askënd edhe nëse me ndonjërin ka pasur fërkime. Po në ngjarje të mëdha, ashtu si përballë fatkeqësive të rënda, hallet personale nuk ka asnjë vlerë. Në krye dalin shqetësimet e përbashkëta. Shqipëria dhe Kosova. Para tyre, asgjë nuk ka vlerë as mllefet, as inatet, sherret apo qefmbetjet. Të tilla ka edhe brenda një familjeje, një partie dhe qeverie dhe janë të pashmangshme. Vizita u përshëndet nga kryetari i LDK, Mustafa. Kurti, kryeministri Hoti e presidenti Thaçi. I tërë spektri politik kosovar. Siç u pa, me zë e figurë në asnjë moment kryeministri Rama nuk bëri shpëtimtarin. Takimet i bëri siç i donte rasti. Tek e fundit nuk ishte shkuar për ndezur zjarre apo shtuar hidhërimin aq më pak të thellonte dasitë. Shkoi, si shqiptar, foli si shqiptar, si vëllai te vëllai, pa supermaci apo duke bërë prijësin që i di të gjitha dhe ka në dorë shkopin magjik të zgjidhjeve të situatave të vështira. Mesazhin, se jemi bashkë në momente të vështira e morën të gjithë në tërë territorin, ku jetojnë shqiptarët. Po nëse faktori politik në Kosovë dhe pse ka diferenca, këtu në Shqipëri, kjo vizitë u shoqërua me bubullima, lëshim rrufesh, akuza, me anatemime mbi Ramën. U zbrazën rrufetë e zemërimit dhe shpifjeve. Dikush tha se shkoi atje në emër të Vuçiç, shkues për të? Do të bëjë pazare në një kohë kur pazaret nuk mund t`i bësh kur nuk ke në dorë asnjë mundësi. Se do bëjë paktin e ndryshimit të kufijve. Shumë insinuata u derdhën me një zë të frikshëm, jo vetëm nga politikanë të Shqipërisë, duke nisur nga i përhershmi akuzator, Berisha, po edhe skalione të dyta e të treta edhe ata që shajnë kur ai ecën në bulevard, pasi duhet të mbyllet në shtëpi ose në burg. Akuzat dhe mllefet, etiketimet nuk i kursyen as analistët tanë, të cilët në vend të thonë të vërtetën dhe ta mbështesin këtë iniciativë, sepse tek e fundit është për bashkimin e vullneteve dhe energjive për t`iu kundërvënë një lufte të hapur në rrafshin ligjor, kundër lidershipit kosovar, të cilën duan ta trajtojnë, si agresorin dhe vetë agresorët t`i shpallin viktima, sulmojnë një vizitë që mbart mesazhe atdhetarie dhe shqiptarie. Mund të mos e duash Ramën. Ta duash jashtë politikës. Të heshtë, të mos flasë. Po jo ta sulmosh kur ndërmerr një mision të tillë që duhet të vlerësohet. Faktori politik, mediatik, analistë, opinionistë të Shqipërisë mbajnë të njëjtin qëndrim kundër kryeministrit Edi Rama edhe kur hesht edhe kur flet, edhe kur nuk shkon, edhe kur viziton Kosovën. Ai është gjithnjë i sulmuari i politikës sonë egoiste!