BREAKING NEWS

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr prapaskenat e rënda, i përgjigjet akuzës ‘bombë’ të Sali Berishës: Unë e paralajmërova që...

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr
x

Opinion / Editorial

Mblidhuni në shesh të burrave "kokëlarë", unë "kokëpalari" në rrezik!

Mblidhuni në shesh të burrave "kokëlarë", unë

Për ata qindra e mijëra qytetarët të mbledhur për të drejtat e tyre më 21 janar 2011, zëvendës kryeministri i asaj kohe dhe presidenti i sotëm, qeshte dhe i quante "kokëpalarë". Historia, përsëritet. Sot, është vetë ai që i thërret në shesh të burrave, mbasi tani pas tetë vitesh e kanë "larë" “kokën” dhe u kërkon ta shpëtojnë nga karrigia mbasi është në rrezik. Para tridhjetë viteve, studentët, mbarë populli, u ngrit për të përmbysur diktaturën e për të hyrë në rrugën e demokracisë së vërtetë. Por demokracia e vërtetë, akoma nuk po vjen. Pse nuk po vjen? Shumë e thjesht është, sepse klasa politike e këtyre tridhjetë viteve ka qënë "kokëpalara" e vërtetë që ka sjellë këtë katrahurë! Çudia e këtyre ditëve, është disi ndryshe. Ai që dikur ishte "kokëlarë", pavarësisht bëmave të shumta, i quante "kokëpalarë" ata që kërkonin të drejtat e tyre, bukën e përditshme, padrejtësitë e regjimit, ashtu sikurse edhe sot që padrejtësia vazhdon. Dhe ja çasti erdhi, presidenti ndjen rrezikun e karriges së tij, duke u bërë thirrje "kokëpalarëve". Qëllimi i tij është i njohur. As më shumë e as më pak ai duket sikur u thotë: "Tani, që i keni "larë" kokat, tani që unë ua kam "plotësuar" të gjitha nevojat tuaja, mblidhuni të më mbroni mua që jam në rrezik, sepse unë, gjithmonë kam "luftuar" vetëm për të drejtat tuaja". “Kjo klasë politike është degraduar këta tridhjetë vjet”, thotë "kokëpalari" i sotëm! Kujt ia thotë këtë? Që ka degraduar kjo klasë politike, kjo nuk do shumë mend që ta kuptosh. Por, problemi është që nuk thotë se cili ka qenë kreu i kësaj klase politike. Ka qenë dhe është kryetar partie, ka qenë në postin e kryeministrit, ka qenë në postin e ministrit të Jashtëm, ka qenë në postin e Kryetarit të Kuvendit dhe ja tek e kemi prej dy vite e gjysmë President të vendit. Si vallë t'i ketë shpëtuar ky politikan tridhjetë-vjeçar degradimit si e gjithë kjo klasë politike? Ka kohë që presidenti ynë po e mpreh "shpatën". Dikur i këndonin diktatorit: "Enver Hoxha e mprehu shpatën"! Ai, e mprehu "shpatën" për "armiqtë imperialisto-revizionistë" që ata të mos guxonin të vinin në rrezik sovranitetin e popullit. Eh o popull sa shumë spekulohet me ty. Kur politikanët janë në "siklet" të thërrasin në ndihmë, të përkëdhelin, të quajnë "sovran"! Kur ata janë të qetë, qëndrojnë me "qetësi e dashuri" në poltronët e tyre të pashqetësuar, pavarësisht që ti o popull, merr "sytë për së shkreti", merr udhët e kurbetit për bukën e gojës sepse qëndron mbi pasuritë e shumta që të ka falur natyra, por barkun e ke bosh. Mos vallë ti o popull po i gëzon pasuritë e mëdha mbi e nëntokësore? Absolutisht që jo! Po kush po i gëzon ato? Ata që ke në krye këto tridhjetë vite dhe më keq akoma, tallen dhe shajnë diktaturën e djeshme dhe diktatorin, që megjithë bëmat e shumta që kishin, pasuri nuk bënë për vete edhe fëmijëve nuk u lanë pasuri, por i lanë rrugëve. Degradimi i politikanëve të këtyre tridhjetë viteve vjen pikërisht nga pasuritë që i kanë zhvatur "sovranit" që është "hiçgjë" për t'i kërkuar llogari politikanëve dhe është "sovran" për të mbrojtur këta lloj tipa politikanësh kur janë në rrezik! Shikoi se si po hahen. Diktatorët e djeshëm o popull, ju dilnin për zot, "diktatorët" e sotëm po të shqyejnë, po të rrjepin po të hedhin në vëllavrasje, po kërkojnë të përsëriten edhe njëherë ngjarjet e dhimbshme të vitit 1997-1998. Sot, nuk po ju kërcënohet liria dhe pavarësia, sovraniteti nga "imperialisto-revizionistët", por nga ata që pavarësisht se ti popull nuk i voton për në organin legjislativ, ata, vetëvotohen, sepse ti, nuk je "Sovran". Sot, të bëjnë thirrje të dalësh në sheshin e "burrave" më 8 Dhjetor! Është kjo një datë e njohur dhe e dashur, nga ku mori jetë demokracia e vërtetë po që shumë shpejt, gjatë rrugës, ajo u deformua keqazi dhe nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë e vërtetë. Më 8 Dhjetor të vitit 1990, mori krahë demokracia, por "krahët" ju prenë shumë shpejt dhe ti o popull u "gremise" që sot as vetë nuk e di se çfarë po ndërton, po ndërtoni demokracinë apo po instalon një diktaturë të re. Sot, presidenti thotë: "Unë iki kur të vendosë populli"! Ç'punë ka me popullin ky që nuk e ka zgjedhur populli, por e ka zgjedhur Parlamenti? Kur dje, u zgjodh president, Parlamenti nuk ishte "dele Parlament" por ishte "cjap Parlament"! Sot Parlamenti kërkon ta heqë si president dhe do të jetë presidenti i parë që do të iki për shumë e shumë bëma që ka bërë. Kjo atë e tërbon dhe "thërret në ndihmë popullin për të hyrë bashkë me ta në "dele Parlamentin"! Nuk e marr vesh, dje, juve nxitët deputetët, të dorëzojnë mandatet e t’i largohen Parlamentit për t'ju drejtuar rrugës, sot, kërkoni të merrni njerëz nga rruga dhe t'i futni në Parlament. Po kësaj ç'i thonë? Të mirë apo të këqij, ata janë përfaqësuesit e popullit dhe si të tillë, etika më elementare e kërkon që ata të respektohen sepse të mirë apo të këqij, ata janë ata keni futur në lista ju kryetarët e partive që nga "Rilindja" e deri tek LSI-ja. Ç'është kjo të "pushtojmë" Parlamentin? Sa thellë që i ka hyrë frika dhe kërkon të "trimërohet" si "trimi i mirë me shokë shumë" dhe shokët e tij ai quan popullin, por sesa respekt ka ky popull për këtë që e ka në krye të vendit, këtë ai nuk e di. E tha me gojën e vet. Presidenti, e tha me gojën e vet, tre rrugë kanë mbetur: ose të rrëmbejmë armët, ose të instalohet diktatura e re, ose të gjithë shqiptarët t'ja mbathin nga Shqipëria. "Dy rrugët e fundit, tha ai, nuk kanë të ardhme, kështu që mbetet rruga e parë"! Cila është rruga e parë? Është ajo e rrëmbimit të armëve. Përse? "Jam ushtar unë", thotë presidenti. President është vetëm për të nxjerrë dekrete si ai i 30 qershorit dhe ai i 13 tetorit. Dhe ushtarët, dihet cilën mbrojnë dhe cilën sulmojnë. Mos vallë qytetarët kanë dyshime se edhe "dekreti" i 8 dhjetorit, nuk do të jetë si ai i 13 tetorit? Mblidhuni ju qytetarë dhe mbrojeni presidentin apo kryeministrin. Mblidhuni, por nuk jeni një mëndje, se cilin duhet të mbroni e cilin duhet të rrëzoni. Po të jetë që të rrëzoni të dy dhe një "këllëf" të tretë, që është kryetar i opozitës, do të bëni një vepër të lavdishme, në të kundërt, "mbaji në kurriz se mirë i ke"! A nuk e shihni që këta krerë të politikës “ditë e natë” mendojë vetëm për juve, që të mbushni barkun me bukë, të bëheni të pasur siç janë bërë ata, që të integroheni në Europë, siç ju ka "integruar" Rilindja dhe e "famshmja" "Lëvizja Socialiste për Integrim", që juve ja keni njohur mirë "meritat" e saj në të gjitha fushat? 8 dhjetor 1990-8 dhjetor 2019. Datat janë të njëjta, qëllime të ndryshme. Për tridhjetë vite krerët e politikës, nuk folën, qëndruan ngrohtë në zyrat e tyre, hanin, pinin, vidhnin dhe fakirëve ju japin 4000 lekë asistencë. Nuk janë shqetësuar ndonjëherë që qytetarët e shesin qumështin e tyre tre herë më pak nga uji që Zoti e hedh me bollëk. Nuk u shqetësuan që qytetarët as nuk e dinë se çfarë konsumojnë e çfarë hanë që Zoti i ka ruajtur deri më sot. Sot, thirrjen e bën presidenti, që kërkon të spekulojë me datën 8 Dhjetor, që kërkon t'ua rrëmbejë studentëve. As më shumë e as më pak, më 8 Dhjetor, do t’i shkojnë pas vetëm ata që shkuan të "votojnë" më 13 tetor, sipas dekretit të tij, me përjashtim të disave. Do t'i shkojë Petrit Vasili, i specializuar si zëdhënës. Nora Malaj, e cila kjo është krenare për këtë "Burrë shteti" dhe "garant të Kushtetutës" dhe këshilltari Tedi Blushi, i cili me thënë të vërtetën vetëm ai "gajaset" së qeshuri me "mbarësitë" e presidentit. Ai, nuk ka qenë i tillë, por ka marrë doza të rënda "infeksioni" nga Presidenca. As më shumë e as më pak presidenti kërkon që "populli, të marri në dorë fatet e tij". Kush ja ka rrëmbyer "fatin" popullit? Ja kanë rrëmbyer pikërisht këta politikanë me këtë president në krye. Kur "bisha" plagoset, kërkon të kafshojë ç'të gjejë përpara. Sikur të ishte në kushte komode, sikur të ishte një njeri i thjeshtë e t'i bënte thirrje popullit thjesht për të ndryshuar këtë sistem, me siguri populli do t'i shkonte pas, por ai nuk i shkon pas, qoftë edhe presidentit, kur ai nuk gëzon asnjë grimë respektin e tij. Por, a mund të besohet ky president, kur këtë thirrje e bën kur ka dalë jashtë "shinave" të demokracisë e të logjikës, kur i është cënuar pozita e tij, që i trembet Gjykatës Kushtetuese si "djalli temjanit", kur e di që nesër do të përgjigjet për gjithçka ka bërë? A ka ky një fije morali për t'i bërë thirrje popullit, të dali në shesh? Kjo, është fare e papranueshme. Presidenti, a nuk erdhi në pushtet me këtë Kushtetutë? Kushtetuta, ishte e mirë kur atë e solli në pushtet, tani që i rrezikohet karrigia, Kushtetuta duhet ndryshuar. "Kushtetutën, thotë presidenti, në vitin 2008, e dhunuan palaçot e Ramës”. Dakord, Rama, është njëri prej "palaçove", por "kryepalaço" ishte ai, që ti nuk e përmend, ai që i ka bërë këtij populli e këtyre qytetarëve sa e sa "të mira", ai që jo njëherë ka bërë thirrje për të rrëmbyer armët dhe për këto "merita" juve e thërrisni në zyrë për t'ju dhënë mend se si të veproni. A nuk ju kujtohet kur ai "hungërinte" në Parlament duke pushtuar foltoren dhe duke ju quajtur juve "komplotistë" për Mëhill Fufin dhe Tom Doshin? Duhet t'ju kujtohet. Juve "me qetësi e dashuri" e “qetësonit” duke ju bërë thirrje kolegëve të partisë së tij që: "A ja keni marrë ilaçet doktorit? "Jepjani shpejt ilaçet se po na sëmuret doktori"! Juve president, deklaroni që "Unë do të iki, atëherë kur të vendosë populli"! Po, vetëm në këtë rast populli është "Sovran". Po mirë a e keni pyetur ndonjëherë popullin juve se ç'farë mendon populli për juve? Me siguri, nuk e dini, prandaj i bëni thirrje që të mblidhet në shesh, duke i rrëmbyer flamurin studentëve të dhjetorit. I thirrët një e nga një ish-presidentët. Mirë bëtë, për t'u konsultuar për të mirën e punës. Por jo, halli nuk ishte këtu, halli ishte gjetkë, kërkonit prej tyre të të jepnin forca që të shtrëngoni fort karrigen. Njërin prej atyre që ju dha "armë", e thamë më lart, sepse ai ka eksperiencë për armët. Tjetri ishte Nishani, i cili edhe ky, megjithëse me gradën e kapterit, rrëmbeu edhe ky një kobure dhe doli në "shesh të burrave" në këndin e lojnave për të mos u ndërtuar. Ky, ju dha moral për të mos u tundur nga "istikami"! E thirrët edhe Rexhep Mejdanin, i cili nuk është i karakterit tuaj dhe me siguri do t'ju ketë dhënë ndonjë mendim të saktë, por duke qenë që ai, as të...as të..., e kaluat radhën edhe me Rexhepin. Por falsiteti i juaj për të marrë mend nga ish-presidentët është pikërisht ajo që nuk thirrët atë që me të vërtetë ka një barrë mend, që është atdhetar, që është patriot i vërtetë, siç është Alfred Moisiu. Unë po them, po të dëgjoni këtë burrë patriot, kurrë nuk do të gaboni. "Patriotizmi" juaj i vërtetë, është vetëm ajo që bëni shqiponjën me pëllëmbë. Ky nuk është patriotizëm, as atdhetarizëm, por e kundërta e tij. Mund të themi që "patriotizmi" ka mbetur vetëm duke bërë shqiponjën me pëllëmbë. Patrioti i vërtetë punon çdo ditë e çdo orë në shërbim të kombit të vet. 

Nga Pandeli BARDHI