BREAKING NEWS

Ku qëndron ngërçi për Reformën Zgjedhore? Ja 3 pikat e nxehta që po mbajnë pezull marrëveshjen PS-opozitë pavarësisht presionit të SHBA dhe BE

Ku qëndron ngërçi për Reformën Zgjedhore? Ja 3 pikat
x

Opinion / Editorial

Mbreti Zog – sinonim i tradhtisë!

Mbreti Zog – sinonim i tradhtisë!

Tradhtia ndaj individit, familjes dhe shoqërisë është përbuzur e dënuar gjithnjë si fenomeni dhe vesi më negativ në jetën e shoqërisë njerëzore. Por kur kjo tradhti ka të bëjë me fatet e Atdheut, ajo dënohet si një vepër e mirëfilltë armiqësore e antikombëtare, një dënim që kurrsesi nuk mund të apelohet.

            Populli shqiptar, është përballur shpesh herë me tradhtinë ndaj fateve të vendit, çka i ka sjellë jo pak dëme në historinë e tij shumë-shekullore. Ndaj dhe në Himnin e Flamurit ka të shënuar vargun e refrenit: “Kush është burrë, nuk frigohet / Po vdes, po vdes si një Dëshmor!”

            Në fillimshekullin e njëzet, soji i tradhtarëve të interesave të vendit tonë nuk ishte i paktë. Individë të ndryshëm, për interesa pushteti e pasurimi, u bënë vegël e të huajve, duke u shndërruar në tradhtarë të interesave të Atdheut. Midis tyre shkëlqejnë dy figura sinonime të tradhtisë: Esat Pahë Toptani dhe Ahmet Zogu. I pari, Esati, që vinte nga shpura e bejlerëve të vendit, një turkoshak i klasit të parë, gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij e kishte mbështetur në prapaskena, kulisa e marrëveshje antikombëtare, të cilat i zhvilloi me të gjitha format, gjer atë ditë që e pagoi me kokë nga krismat e famshme të revoles së patriotit shqiptar Avni Rustemi. I dyti, Ahmet Zogu, tradhtinë ndaj interesave te vendit e ktheu në sinonim, duke ia kaluar edhe Esatit dhe gjithë skotës së tradhtarëve të vendit tonë në shekuj.

            Tradhtitë janë të njëllojta në pikëpamje morale, por dallojnë nga përmasat e dëmeve që shkaktojnë. Ahmet Zogu, nuk realizoi një tradhti të ndonjë marrëveshje, apo të ndonjë beteje ne luftë, por realizoj tradhtinë më të madhe të shekullit, sepse ishte në krye të vendit, ishte në postin e Mbretit, dhe tradhtia e tij lehtësoj pushtimin fashist, tragjedinë më të madhe që populli ynë kishte njohur në kohët moderne.

            Ahmet Zogu, realisht nuk tradhtoi në një ditë, apo në një çast, ku njeriu mund të gjendet bosh; si në një betejë, për shembull, që në një moment njeriu, apo drejtuesi, edhe mund te tutet (frikësohet) dhe në vend që të thërrasë “Në sulm”, i del nga goja thirrja “Tërhiquni”!

Mbreti Ahmet Zogu, siç duan të thonë e ta mbrojnë ithtarët e tij, nuk ra në “tradhti” befasisht, apo i detyruar nga rrethanat, që ju paraqitën në momentet e fundit para pushtimit italian. Ahmet Zogu e kishte nisur tradhtinë qysh në fillimet e karrierës së tij politike, duke filluar me tradhtinë dhe prapaskenat ndaj bashkëpunëtorëve, pastaj tradhtinë ndaj figurave patriotike të vendit, përcjellur me marrëveshje antikombëtare me të huajt, e duke e mbyllur me tradhtinë e hapur kundër gjithë vendit.

Ahmet Zogu, tradhtinë e hapur ndaj fateve të popullit shqiptar e nisi në dhjetor të vitit 1924, kur me dhunën e armëve dhe me mbështetjen e bajonetave serbe e të rusobardhëve, përmbysi qeverinë demokratike, që kishte dalë nga Revolucioni i Qershorit 1924, e që kryesohej nga demokrati më i madh shqiptar i kohës, Fan Noli. Rikthimin në pushtet, Zogu nuk e realizoi me revolucion shoqëror, por me kundërrevolucion regresi, i cili e rikthej vendin dhe qeverisjen në një mesjetë otomane, pa asnjë lidhje me iluminizmin e Rilindasve tanë.

Gjatë 15 viteve që sundoi si Kryeministër, president dhe si Mbret, Ahmet Zogu e mbështeti sundimin e tij në intriga, vrasje e përndjekje të patriotëve e revolucionarëve, si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Fan Noli etj. Ai gjithashtu sundimin dhe pushtetin e tij e mbështeti duke bërë marrëveshje me shtetet fqinjë, Serbinë dhe Italinë, të cilat jo njëherë ishin evidentuar si armiq të Shqipërisë.

Përpara se të vinte 7 prilli i zi i vitit 1939, kur Italia fashiste pushtoi vendin, Ahmet Zogu e kishte vënë në ankand disa herë vendin e tij, në ankand politik dhe ekonomik. Dhe këtë e bënte për të ruajtur fronin mbretëror, i cili mund t’i kërcënohej nga masat popullore të shtypura e të vuajtura nga ai dhe shpura e Bejlerëve dhe Agallarëve që e mbështesnin. Pikërisht se për 15 vjet të qeverisjes së tij (1924 – 1939), ku dy të tretat ishin mbretëri, Zogu kishte përdorur intrigën, prapaskenën, vrasjet dhe tradhtinë ndaj kundërshtarëve dhe vetë vendit të tij, u krijuan kushtet që në 7 prill ’39, ai ta braktiste popullin dhe vendin e tij në mënyrë të turpshme, duke e lënë të zhveshur përpara bajonetave të fashizmit italian.

Ikja e Mbretit Zog në 6 prill, apo në mëngjesin e 7 prillit 1939, nuk ishte një lajthitje e shkaktuar nga frika e momentit, por një veprim i zgjedhur me vetëdije. Një vetëdije që e kishte planifikuar më përpara, ndaj dhe kishte përgatitur në kohë “suitën” e tij dhe bagazhet e florinjve, për të kapërcyer drejt azilit politik, tek ata që e kishin mbështetur në veprimet e tij antikombëtare.

Mbreti Zog, në vend që të “mbërthente” opingat e të dilte malit për të luftuar “armikun pushtues”, siç pati komunikuar disa ditë para 7 prillit, mbërtheu arkën e shtetit, pasurinë e popullit dhe u arratis pa kthim. Madje, për më keq, nuk la as “Çelësat e Konakut”, ku “robtë” e tij (populli), të mund të merrte ndonjë pushkë apo fishek për t’i dalë ballas hasmit, siç veproi shqiptari patriot e Heroi i Popullit, Mujo Ulqinaku, e shokë të tij nga disa krahina të vendit.

Ahmet Zogu, me veprën e tij të zezë 15 vjeçare në krye të vendit, kurorëzuar me kryeveprën e tradhtisë së hapur në prag të 7 prillit të zi të vitit 1939, mbetet sinonim i tradhtisë kombëtare.

Asnjë dokument, asnjë dëshmi, asnjë institucion shtetëror apo shoqëror, nuk mund të rehabilitojë tradhtarin e interesave kombëtare me emrin Ahmet Zogu. Këtë, për fat të keq, e kanë bërë dhe po e bëjnë pseudo-demoktatët dhe pseudo-socialistët e alternuar në pushtet, të cilët, duke qenë për vete tradhtarë të interesave kombëtare, doemos do të bëjnë “Krushqi” me tradhtinë.

Por kjo “krushqi” me tradhtinë, nuk mund të jetë jetëgjatë. Populli do ta përsërisë 29 Nëntorin e zjarrtë të vitit 1944, që shembi tradhtinë dhe i solli vendit Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë.