BREAKING NEWS

Kryeministri Rama sulmon ashpër Bashën nga Kongresi i PS: Je kundërshtari më i ulët ...

Kryeministri Rama sulmon ashpër Bashën nga Kongresi i PS: Je
x

Opinion / Editorial

Mbyllet një vit me “bubullima e shkreptima” me... tri pika “shi”!

Mbyllet një vit me “bubullima e shkreptima” me... tri pika

...Aq sa efekt do të bëjnë për bujqësinë tri pika shi, aq efekt do të bëjë edhe marrëveshja e fundit pozitë opozitë. U mbushën tridhjetë vite që Shqipëria nuk gjen qetësi nga kjo klasë politike. Njerëz të trishtuar, tokë e zhuritur, liqene e lumenj të shteruar, pyje të sakatuar. U mbush një vit që akoma vjen era e tymit të zi të mandateve të djegura. “Do të bëjmë namin, nuk e njohim Parlamentin, nuk e njohim qeverinë, kërkojmë largimin e kryeministrit”! “Nuk do të ulemi kurrën e kurrës në bisedime me një kryeministër të inkriminuar, të “droguar” që e ka mbushur vendin me drogë me kriminelë, me një kryeministër kryehajdut të pasurisë së shqiptarëve, të djersës së qytetarëve, me një kryeministër që ka kapur të gjitha pushtetet edhe parlamentin, edhe gjyqësorin, ekzekutivin po e po”! Vetëm median nuk e ka kapur, të cilën e quan “kazan” bile një “kazan” të mbushur me hedhurina. Parulla “Rama Ik” u shkrua me të gjitha llojet e ngjyrave, në beze, në faqe malesh, në murre, në kioska e kudo.

Çdo muaj autobuzët e shumtë me vështirësi tërhiqnin ngarkesat e rënda të mbushur më simpatizantë të opozitës. Mbas një pushimi të shkurtër nëpër rrugët e Shqipërisë nga veriu në jug, sa për të ngrënë një pjatë fasule dhe një pilaf që krerët e opozitës ua kishin premtuar badihava dhe një kartëmonedhë njëmijë lekëshe, përsëri merrnin udhën në drejtim të kryeqytetit. “Cunami” i madh mbarëpopullor sa vinte e fryhej në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”! Ngazëlleheshin krerët opozitarë dhe dilnin si triumfatorë në krye të “lumit ” të ardhur në këtë shesh nga të gjitha “përrenjtë” e maleve e gërxheve. Një vit britma çjerrëse, një vit përleshje me policinë, një vit sherre, sharje e ofendime nga më të padëgjuarat. Një vit tym e flakë para selisë së ekzekutivit, një vit mbi tela me gjemba, një vit vërvitje të flakadanëve mbi kokat e qytetarëve, të forcave policore, një vit me molotovë në duar që hidheshin sa andej këtej dhe forcat e rendit i përgjigjeshin me gaz lotsjellës.

Trupat gjykuese të zëna në hall nuk dinin kujt t’ia prishnin e kujt t’ia ndreqnin. Përleshje në dyert e gjykatave, në dyert e komisariateve me ish-përfaqësuesit e popullit opozitar. Në çdo rrugë të kryeqytetit, pak para se të fillonte “lufta” brenda llojit, në vrap e sipër mbushnin edhe xhepat me gurrë apo copa tullash e ç’të gjenin përpara. Ç’të ketë ndodhur vallë? Mos vallë Atdheu është në rrezik, pyeste veten ndonjë kalimtar. Po, po, Atdheu është në rrezik, por jo nga ndonjë pushtues i huaj, por nga vetëm një “pushtues” i brendshëm me emrin Edi Rama. “Çfarë “pushtuesi” i fortë ky Edi Rama. Më i “fortë” se disa pushtues të marrë së bashku. Shpresat dhe britmat e një ish-kryeministri që më në fund ky “cunam pesëqind mijësh” do t’i tregojë vendin “narkoshtetit” dhe kreut të drogës e krimit, se më në fund atë do ta shohim prapa hekurave të ftohtë të qelisë” çdo ditë e më tepër veniteshin dhe shuheshin në terrin e natës me shpresë që do të ripërtërihen muajin tjetër. Kaluan javë e muaj, rituali i njëjtë.

Turmat që me shumë mund kishin ardhur nga qytetet më të largëta duke çarë rrugëkalimin e “blinduar” nga forcat e rendit, mbas tre apo katër orë “luftë” me të gjitha llojet e armëve dhe mjeteve rrethanore, mblidheshin dhe relaksoheshin nën tingujt e muzikës së “Himnit të Flamurit” të kënduar me aq mjeshtëri nga “Luciano Pavaroti”, kreu i opozitës së përçaro-bashkuar me zërin e tij melodioz. E kush nuk do të sakrifikonte për të ardhur nga skajet më të largëta, për të dëgjuar këtë tenor të rrallë? Po “pushtuesi” Rama? Ah, Rama. Me një barrë kusuresh mbi kurriz, duket sikur midis turmave qindra mijëshe që krerët e opozitës i mblidhnin me hir apo me pahir, qëndron si “i vetëm trim në luftë”! Ashtu si ishte para një viti, ashtu si ishte para shtatë vitesh kur erdhi në pushtet, vetëm ka fërkuar mjekrën të cilën vitin e fundit e ka zgjatur më shumë! Mos vallë e tërë kjo “betejë” një-vjeçare, zhvillohej për të vetmin objektiv, atë të Kodit Zgjedhor? Vallë për këtë “kockë” kaq të vogël u derdh tërë ai mund tërë, ajo djersë? Duhej që të sillej viti rrotull, të plotësoheshin 12 muaj që të vinte edhe rezultati i përpjekjeve “titanike”! Po cili ishte rezultati? U ulën në tryezën e bisedimeve pozitë dhe opozitë për Kodin Zgjedhor. Sa e ndërlikuar na paska qenë kjo çështje, po aq e lehtë na doli. U hodhën prapa krahëve të gjitha përleshjet, akuzat, jargavitjet, inatet, egërsitë, mllefet ndaj kundërshtarit politik.

Ja, sot tek qeshin e bisedojnë së bashku për të përmirësuar Kodin Zgjedhor me lista të hapura apo lista të mbyllura. Kjo është çështja. E ç’rëndësi ka që edhe në të ardhmen, si deri më sot listat e mbyllura do të jenë përsëri brenda një zarfi transparent dhe listat e hapura do të jenë përsëri brenda një kasaforte metalike? Mos vallë deri sot, këtyre krerëve të politikës, e keqja u ka ardhur vetëm nga listat e votimeve, të hapura apo të mbyllura? A kanë qenë ndonjëherë të bindur këta politikanë kur është fjala për të rrëmbyer karriget e pushtetit? Kurrën e kurrës! Ajo që ka rëndësi, a realizohet ajo që Bashës i ka zënë goja “lesh” për vite të tëra duke kërkuar “zgjedhje të lira e të ndershme”? “Njëra nga të dyja përsëriste e përsëriste vazhdimisht Basha, ose me Ramën, ose “zgjedhje të lira e të ndershme”! Ky sipas tij ishte kusht i panegociueshëm. Ose Rama ose zgjedhje të lira e të ndershme. Ose njëra ose tjetra, të dyja bashkë nuk shkojnë. Deri këtu, duket sikur “betejat” e një viti të tërë, ishin të justifikuara! Por, këto dy ditët e fundit çfarë treguan? As më shumë e as më pak, treguan që “betejat për jetë a vdekje pozitë opozitë” ishin të kota nga ana e opozitës dhe nuk kanë qenë aspak serioze sa ato i merrnin simpatizantët e tyre. Bile, çudia shkon edhe më tej nga “serioziteti” i këtyre “betejave”! Çudia qëndron pikërisht në atë që, opozitarët janë ulur në tavolinë jo me “kryehajdutin” Rama, por me hajdutin e kryehajdutit apo e thënë ndryshe me një hajdut të trefishtë, siç është Gjiknuri!

Edhe britmat e tyre të para pak kohëve që “kërkojmë në mënyrë të parevokueshme përjashtimin e Damian Gjiknurit nga tryeza e bisedimeve si një hajdut dhe manipulator i votës së lirë e të ndershme”! Të jenë vallë kaq të “ndershëm” këta demokratët, të cilët janë autorët e shpikjes së votave të vjedhura jo më parë, por të paktën qysh nga viti 1996 e këtej? Qysh atëherë e deri më sot e kanë treguar edhe në praktikë që nuk kanë mbetur më prapa nga “rilindasit” e fundit dhe socialistët e mëparshëm për të vjedhur e manipuluar votat e qytetarëve! Por, edhe këtu, nuk mbaron çudia, mbasi ajo vazhdon edhe më tej. Dhe ja: “Më në fund, opozita i imponoi mazhorancës atë çka ajo kërkonte prej shumë kohësh dhe kësaj ja arriti”. Nuk e tha këtë as Çlirimi dhe as Halimi, as Gazmendi dhe as Ndoka, por vetë kryedemokrati Basha! Po kështu edhe mazhoranca, e paraqet këtë marrëveshje si arritje të saj. E kush politikan e “ul hundën” kur është puna për të marrë lëvdata? Për të qenë realistë, kjo marrëveshje nuk ka vetëm anë negative, por ka edhe anë pozitive.

Dhe ana më pozitive e saj është që më në fund opozita u bind që vetëm rruga e dialogut, vetëm respektimi i institucioneve ligjore, vetëm dialogu konstruktiv janë rrugët që të çojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe ngërçeve që këtu, në këtë vend i gjen me shumicë ditë për ditë e muaj për muaj. Nga ana tjetër, edhe hakun të mos ja hamë Bashës, meritën që ai ka në këtë drejtim. Basha, u shkëput nga krahët e “shefit” të tij, që duke qenë simpatizant i protestave të dhunshme për rrëzimin e qeverisë, do të egërsohet në kulm dhe e lusim që të ruajë gjakftohtësinë e të bindet tani në pleqëri që në vendet demokratike, kështu ta quajmë edhe këtë vend, qeveritë nuk rrëzohen me dhunë, por me votën e sovranit, që ai e “respekton” aq shumë. Por edhe i vetëm nuk është i kësaj rruge sepse ka edhe të tjerë, sidomos ata që janë vetë “zot e vetë shkop” që kanë mbetur të vetëm në partitë ku drejtojnë si Medinjtë, Ndokat, pasardhësit e Xhuvelit etj. Ja të dëgjojmë Çlirimin e gjatë ç’thotë: “Gjithçka ka thënë e thotë Basha për Ramën, të gjitha qëndrojnë, Ai, u ul në tryezën e bisedimeve për Kodin Zgjedhor, për asgjë tjetër, sepse kjo, ishte një nga kushtet e Bundestagut gjerman”!

Kjo është më shumë se për të qeshur, jo vetëm me këtë të gjatë të opozitës, por edhe me të shkurtrit e saj. Po pse vallë, Bundestagu, nuk e kritikoi veprimin e djegies së mandateve nga opozita si një akt i paprecedent, fill mbas këtij akti? Pse atëherë nuk e dëgjuan Bundestagun, por do të duhej një vit i tërë? Nuk na thatë gjë o Gjata, diçka tjetër duhet të jetë dhe kjo shumë shpejt do të dalë në sipërfaqe. T’i themi edhe një “meritë” tjetër opozitës, atë që kjo opozitë jashtëparlamentare përfaqësoi opozitën e vërtetë dhe jo ajo brenda Parlamentit. Mazhoranca bëri marrëveshje me opozitën e rrugës dhe jo me atë ligjore. Hajde e mere vesh këtë punë. Punët e stisura shtrembër, dihet që nuk kanë jetë të gjatë. Marrëveshja u arrit, por sherret do të vazhdojnë në të ardhmen, bile edhe më me intensitet...