BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Më 25 prill t’i largojmë me votë mbetjet e fëlliqësive politike…

Më 25 prill t’i largojmë me votë mbetjet e

Të gjithë, të mëdhenj e të vegjël i kemi dëgjuar dy fjalët e urta popullore për muajin shkurt e mars. Njëra thotë: “Shkurti shkurton urët, marsi mbledh lëkurët”. Tjetra flet për thirrjen që i bën marsi shkurtit: “O shkurt, o im vëlla! Më jep dy ditë hua, ta thaj plakën me gjithçka”. Dhe vërtetë, në pragun e syçeljes, muaji mars me ne shqiptarët, është treguar shumë i ashpër në dy qeverisjet e Partisë Demokratike me Saliun president e kryeministër. Pra, nën udhëheqjen e kësaj partie, marsi na ka lënduar, na ka plagosur, na ka vrarë. Po ju kujtoj ditën e parë të marsit 1997, ku shteti demokratik me në krye presidentin Salë u turr si bishë për të dënuar Vlorën, me dhunë, me gjak… Kërkonte ta bënte zap. Kërkonte të lante duart me jetën e të rinjve vlonjatë. Ata rrezatonin kulturë demokratike, rrezatonin kurajo qytetare dhe qëndresë të pamposhtur, ndaj dhunës së pamoralshme, absurde dhe të turpshme. Po ju kujtoj ditën e dytë të marsit 1997, ditën kur o dogj ndërtesa e gazetës “Koha Jonë” nga banditë, gangsterë, mafiozë, të cilët e bënë shkrumb e hi dhe asnjeri nuk mbajti përgjegjësi… Ndaj shpirti e zemra vuan e heq, se u dogj e gjithë Shqipëria dhe të gjithë pushtetarët me në krye Salën dolën të palagur dhe vazhdojnë të bëjnë gam-gam përsëri, paçka se janë të zhytur deri në fyt në korrupsion e krim. Dhe në vazhdim po ju kujtoj ditën e dymbëdhjetë të marsit 1997, zanafillën e një tragjedie të rëndë, ku shikoje kudo shkatërrime totale të çdo gjëje dhe mbi të gjitha, vullkanizimin e shpirtit të njeriut. Ditën kur Saranda, Gjirokastra, Tepelena, Berati rrokën armët. E gjithë Shqipëria me armë në dorë. Kundër kujt do të luftonin? Vetëm kundër vetes së vet. Po ju kujtoj ditën e trembëdhjetë të marsit 1997, kur i gjithë vendi është përfshirë nën krismat marramendëse të armëve të llojeve të ndryshme. Është kulmi i shpërthimit të krismave, britmave, sirenave, të plagosur, të vrarë… Një katrahurë e vërtetë. Historikisht një tragjedi e paparë për popullin shqiptar. Po ju kujtoj katërmbëdhjetë marsin e vitit 1997, Ditën e Verës, festën tradicionale të qytetit tim. Atë ditë ra ora fatale për Shqipërinë. Politikanët amoralë, politikanët bastardë nisën të ikin… E lanë vendin e tyre në një kaos të paparë ndonjëherë. Atëherë ushtuan fushë e male në kupë të qiellit: “Le të ikin në theqafje, le të ikin prapa diellit”! Të gjitha ditët e marsit 1997 qenë të mbushura me krisma, me viktima. Por më të rrezikshme se krismat ishin provokimet që bënte Berisha. Ndaj njerëzit morën rrugën e detit pa frikë, duke mos menduar se janë vdekje për kombin, ikjet nga sytë këmbët, hemorragjitë. Nga na erdhi kjo e keqe? Na e solli demokracia? Jo! Kaosi i përditshëm na e solli peshqesh, se kemi qeveritarë zagarë e kusarë që fluturojnë me presh… Muaji i tretë i vitit dymijë e tetë, brenda dhjetë ditëve, lëndoi sa s’thuhet me gojë e me shkrim zemrën dhe shpirtin e popullit tim me dy ngjarje të dhimbshme, ku u derdhën shumë lot e shumë gjak të pafajshëm thithi e shtrenjta tokë. Pesë mars i vitit dymijë e tetë. Në mesnatë, në Farkë u mbytën gjashtëmbëdhjetë vetë. U mbyt burri, gruaja dhe dy vajza. U shua familja. Shumë familje të tjera u goditën rëndë në shpirt e zemër. Shteti i Saliut bëri sehir si gjithmonë. I flaku në thellësi të liqenit njerëzit e tij dhe i mbuloi me errësirë. Pesëmbëdhjetë mars 2008. Iku Farka dhe erdhi Gërdeci. Erdhi hataja, erdhi qameti… Ç’të bënin njerëzit e shkretë? U vuri flakën dhe u bëri gropën qeveria e vetë. Gërdeci, tragjedia më e rëndë që ka parë shqiptari në këto vite, një tragjedi që do të mbetet në kujtesë, sigurisht pas vitit 1997, vitit më të mbrapshtë. Pra, njëmbëdhjetë vite më pas, qeveria e Partisë Demokratike me kryeministër zotin Sali, përsëri gjylet plasën dhe vendin përgjak me gjak të pafajshëm. A kanë sy e faqe shoku Sali dhe partia e tij të flasin për drejtësi? Ky njeri dhe partia e tij e dogjën dhe e përvëluan nënën Shqipëri. Ky njeri dhe partia e tij, që sot flasin për shtet ligjor, me urë zjarri në dorë bënë atë që as një pushtues nuk e bëri dot, bënë atë që shqiptarët ta qajnë me lot Shqipërinë e gjorë. Sot ju kujtoj kulmin, njëzet e tetë marsin e vitit 1997. Atë ditë në Otranto shkuan në fund të detit 83 vetë. Një tragjedi e vërtetë. U vesh me të zeza nëna Shqipëri. Kush mban përgjegjësi? Askush! Ata shkuan për dhjamë qeni, për t’u mbushur thesi. -Pse kështu ky marsi, muaji i parë i pranverës, të sillet kaq keq me shqiptarët në pragun e syçeljes, thashë atëherë unë. Po shteti ku ishte në atë fund marsi? Shteti u shkërmoq si kalliri i misrit në gardhecin thurur me purteka. Presidenti Salë i binte karadyzenit… U desh të ribëhej shteti në vitet që do të vinin, por ngadalë e çalë-çalë, nga politikanë e qeveritarë mashtrues e kusarë, që mendjen e kishin dhe e kanë për të mbushur xhepin me euro e dollarë, ndërsa njerëzit e thjeshtë, si gjethi në vjeshtë bien, rrëzohen për tokë, bëhen trok, plagosen, vriten kudo, në shtëpi, në rrugë, në arë… Edhe një herë, ja, kaluan kaq vjet, nga Otrantoja erdhëm në Farkë e Gërdec. Pesë mars e pesëmbëdhjetë mars 2008. Tani Saliu është kryeministër, jo vetëm që nuk realizoi premtimet që mori përsipër, por gjashtëmbëdhjetë vetë i çoi në fund të liqenit. Njëzet e gjashtë vetë i përpiu “Hiroshima” e Gërdecit. I dërgoi në atë botë. Ata dhe treqind e ca të plagosur e qindra shtëpi të djegura e mijëra orendi të bëra shkrumb e hi, kërkojnë shpagim, kërkojnë drejtësi. Është haram, ajo që keni vënë mënjanë, presidentë, kryeministra, deputetë kusarë e kurvarë! Ju që na sollët Otranto, Gërdec e 21 Janar. Ka për t’u zënë mallkimi i popullit të mjerë, se ia punoni me hile kurdoherë. Ju i kthyet muajt e viteve në muaj vrasës, me mijëra viktima dhe fare nuk bëheni merak. Vazhdoni t’i bini fyellit të fitimit në çdo stinë të vitit, në çdo orë të ditës, në çdo minutë e fraksion të sekondës. Hani, pini, fitoni! Të varfrin, të mjerin godisni e shkelmoni! Por duhet ta dini, se po u mbush kupa, ju ku do të shkoni? Për ju s’ka varre, se toka e martirizuar shqiptare nuk u pranon, se ka afër tri dekada që u duron, se jeni sjellë me të vetëm si banditë e kusarë, i keni vënë dhe zjarrin, ndërsa me popullin e thjeshtë si qenë e zagarë, e keni zhytur thellë në mjerim e varfëri. Rëntë mbi ju ndëshkimi më i madh, se jeni ngarkuar me krim e korrupsion për pushtet e pasuri! Dua ta mbyll shkrimin tim, por nuk më lënë viktimat e përditshme nga jugu në veri, se kur ke një qeveri që punon e lufton vetëm për vete, një qeveri që sigurinë e jetës e ka mbuluar me pluhurin e harresës dhe rend drejt fitimit, drejt ngjitjes nëpër shkallët e tij me çdo çmim. Lumi ta marrë Shqipërinë! Unë kam besim se shqiptarët e vërtetë nuk do ta lënë që ta marrë lumi Shqipërinë. Ata do të punojnë e luftojnë për gëzimin e lumturinë. Kjo ditë nuk do të jetë e largët, por mua më vjen keq se kemi derdhur e po vazhdojmë të derdhim shumë gjak të pafajshëm… Ajo, do të vijë patjetër. Ja, NATO na e hapi derën. BE na e ringjalli shpresën. SHBA na e ka dhënë besën. Ne kemi për detyrë që me votën tonë të lirë e të pastër politikanët mashtrues e gënjeshtarë, kusarë e gjakatarë t’i dërgojmë në humnerën e viteve sa më parë dhe të zgjedhim në udhëheqje e drejtim politikanë të rinj që e duan me shpirt Shqipërinë, që kanë respekt e dashuri për punën dhe njeriun, që të luftojnë papushim skamje e mjerim. Dhe ka sy e faqe, kjo opozita jonë, të ngjitet në fron, të marrë pushtetin përsëri. Kjo opozitë lubi, me aparatçikë që vegjetojnë. Sa shumë e pacipë, kjo opozita jonë! E mbushur me mashtrues, e mbushur me hipokritë, e mbushur me zagarë, me katila, me kusarë. Me liderë bastardë, me liderë skeptikë, me liderë dhelparakë. Idhujt dhe djajtë e saj, na çuan në të tmerrshmin dhe të neveritshmin batak... Sot kjo opozita jonë hipokrite, me në krye Partinë Demokratike, kërkon pushtet përsëri me hile... O shqiptarë! Nuk kanë sy e faqe mbetjet e fëlliqësive politike, janë gjarpërinj me zile! Ndaj këto mbetje i largoni me votë. Jo vetëm sot, por dhe mot! I largoni sa më parë, se janë vazhdimi i atyre, që sollën vitin e zi 1997, Otranto, Gërdec dhe 21 Janar!