BREAKING NEWS

Pandemia e COVID! Rama publikon të dhënat dhe jep lajmin fantastik: Krenarë, por kujdes se shikoni ç’po ndodhet në... (Foto)

Pandemia e COVID! Rama publikon të dhënat dhe jep lajmin fantastik:
x

Opinion / Editorial

Me cilin moral po shkon në zgjedhje, politika destruktive?

Me cilin moral po shkon në zgjedhje, politika destruktive?

Të elektrizuar nga ethet e zgjedhjeve për pushtet, kjo klasë politike nuk ka mundur të flasë para votuesve, nëse politikat e saj kanë qenë konstruktive apo destruktive. Ata që nuk mund të orientohen në këtë konfuzion amoraliteti, janë qytetarët e thjeshtë që shkojnë pas berihajit, duke mos ditur asgjë për definicionin e kësaj politike, në marrëdhëniet brenda saj si dhe për sinqeritetin dhe egon e saj përballë qytetarit. Por ajo nuk mund të rrëfehet para tyre, sepse nuk ka kurajo të vetëdeklarohet për qëndrimet korrekte apo hipokrite gjatë këtij tranzicioni pa shkëlqim. Që në lashtësi politika është vlerësuar nga baballarët e saj si Aristoteli, Platoni, Sokrati, Machiaveli, Laswell e të tjerë deri në ditët e sotme, si arti i rregullimit të marrëdhënieve, që mban në pozicion drejtimi qeverinë dhe shoqërinë. Në çdo komunitet njerëzish ajo është arti dhe shkenca e administrimit të një shteti, e menaxhimit të punëve të brendshme dhe të jashtme të tij. Kjo nënkupton konceptin strategjik, për metodat dhe taktikat në arritjen e synimeve për ndërtim e ndryshim. Po a u janë përmbajtur politikanët tanë definicioneve, të përcaktuara nga baballarët e politikës si art dhe shkencë, në qeverisjen e etnitetit politik? Realiteti ka folur gjithnjë për jo, sepse ky definim nuk u demonstrua kurrë gjatë këtyre 30 viteve tranzicion, nga që brenda filozofisë së saj, vegjetuan dhe u bënë udhëheqje për veprim krimi, korrupsioni, mashtrimi, manipulimi, përçarja dhe urrejtja e fshehur, ashtu siç e citonte filozofi Seneka: "Urrejtja e fshehur është më e keqe se ajo që shfaqet". Me fillimin e ndryshimeve demokratike, palët u përfshinë në konflikt të hapur, duke krijuar dhe nxitur klimë tensioni, hakmarrje politike, vënie të interesave personale mbi ato të komunitetit, duke shkelur mbi parimet e saj si pjesë integrale e marrëdhënive demokratike. Kështu ajo nuk mori trajtat e një politike konstruktive, për të respektuar tre nga parimet kryesore mbi të cilat ajo mbështetet, komunikimin, objektivat e përbashkëta, si dhe bashkëpunimin për interesat kombëtare. Mos respektimi i këtyre parimeve nga palët në konflikt të hapur, bëri që politika të marrë nota destruktive, duke u kthyer në bumerang për qytetarët. Shembullin më negativ në konfigurimin pluralist të marrëdhënieve demokratike, e dha pragmatizmi i LSI, e cila duke mos gjetur hapësirë për demonizimin e të majtës, iu bashkua kulturës politike të së djathtës, ku pikëpamjet e tyre konvergonin me të njëjtën filozofi. Me futjen në familjen e të djathtës me në krye PD, u hodhën bazat e demonizimit të partitizimit që u kthye në parazitizëm, me pasoja për shtetin dhe drejtësinë e munguar në demokracinë e brishtë. Kështu bashkimi i këtyre subjekteve u bë shtrati i shumë herezive, si mos ndëshkimi i krimit shtetëror, politik dhe ekonomik, që vazhdon të jetë i murosur për 30 vjet. Gjyqësori u vendos nën tutelë dhe manipulimin e politikës, ku fakti më sinjifikativ ishte vetingu, që nxori të gjithë maskaradën e punonjësve të drejtësisë, të lidhur me politikën destruktive. Për këto e të tjera xhevahire brenda saj, ish-qeveria formale e këtij grupimi politik, nuk tregoi kurrë transparencë, por luftën për pushtet e konsideroi si kredit gjenetik, si profesion, idealizëm për karrierë, por jo për transformime e reforma siç bënë vendet e tjera të ish-kampit socialist, që iu bashkëngjitën BE. Kështu LSI me instruktoren e herezive PD, me të hipur në pushtet, elaboruan doktrinën e antropologut të Britanisë së Madhe të shek. 19-të Francis Galton mbi "Eugjenikën negative". Kjo doktrinë që ju përshtatej psikologjisë së tyre, merrej me eliminimin e anomalive gjenetike, për të mbajtur racat superiore të pastra, ashtu siç cilësoheshin PD-ja dhe LSI-ja nga Saliu dhe Ilir Meta. Me t'u vendosur në tempujt e pushtetit, e definuan politikën në rrugën e amoralitetit, jashtë institucionit të moralit. Pse? Sepse ata nuk e kanë njohur kurrë institucionin e moralit, si një kategori universale që sipas studiuesve dhe specialistëve të psikologjisë me të njëjtin emër, ai është pasqyra për politikën dhe politikanët, por mbi të gjitha ai ndan të mirën nga e keqja, të dëmshmen nga e dobishmja, të ndershmen nga e pandershmja. Legjitimen nga jo legjitimja, të ligjshmen nga e kundërligjshmja të shoqëruara nga egoizmi. Asnjë marrdhënie politike vertikale apo horizontale, nuk mund të mbijetojë pa moral. Po me cilin moral flasin në këtë fushatë politikanët tanë? Për moralin që shkatërroi marrëdhëniet brenda vetes dhe vlerat njerëzore? Me moralin e pandëshkueshmërisë për vrasje, shkatërrime, zhvatje, afera të bujshme me CEZ-in në krye, vjedhje, lobime e sulme ndaj reformave e faktorëve strategjikë SHBA e BE? Për moralin që cënoi vlerat shoqërore dhe humbi dobishmërinë njerëzore? Për moralin e sakrifikimit të pushtetit për sakrilegjin e krimit dhe hajdutërisë? Për moralin e shkeljes së drejtësisë shoqërore dhe degdisjen e asaj ligjore në humnerat e padrejtësisë? Kjo etikë që përbën amoralitetin e kësaj politike, na ka shoqëruar gjatë këtyre viteve si në pushtet edhe në opozitë. Si të tillë këta birbo të politikës brenda dhe jashtë institucioneve partiake e shtetërore, jo vetëm që vazhdojnë të moralizojnë për t'u rikthyer në pushtet, por tregojnë edhe muskujt, duke na thënë se ne jemi akoma të fortë dhe nuk na tremb askush. Me sjelljet dhe qëndrimet mospërfillëse të tyre nga pandëshkueshmëria, po tregojnë se janë mbi shtetin dhe mbi drejtësinë e përgjumur, që nuk dihet se kur do ta shkrepë "koburen" përpara gjithë këtyre herezive. Me çfarë morali del në fushatë Lulzim Basha, drejtuesi i pazgjedhur nga asnjë strukturë e PD së mbetur, i vendosur privatisht në krye të saj nga "menaxheri" i tij Sali Berisha? Si ka kurajo të kërkojë detyra shtetërore, kur në të gjitha funksionet e ngarkuara pa asnjë meritë, u pushtua nga dështimet dhe akuzat për vepra penale me karakter shtetëror, politik dhe ekonomik, që nuk ka dhënë llogari përpara drejtësisë? Me çfarë kurajo flet presidenti Ilir Meta, që ka braktisur Presidencën dhe është vënë në krye të opozitës, duke kërcënuar institucionet e shtetit me revolucion dhe shantazhon ndërkombëtarët? Me këtë rrëshqitje jashtë çdo arsyetimi logjik, duke u bërë kontingjent i ushtrisë së molotovëve dhe të lëndëve plasëse, po demonstron degradimin e tij nga lodhja dhe konsumimi në detyrat e shumta, të ngarkuara që në adoleshencë pa vënë brisk në faqe. I kthyer në figurë filmash animacion, ka humbur çdo ndjenjë përgjegjësie për detyrën e kreut të shtetit, duke u shfaqur para publikut si manekin karnavalesh. Si do e fitojë besimin e qytetarëve, drejtësia e vonuar kur protagonistët e veprave penale të politikës, luajnë poker para saj duke i bërë karshillëk? Sa më shumë që do të vonohet pandëshkueshmëria e protagonistëve të politikës destruktive, aq më shumë do të injorohet kriza morale, si varrmihëse e vlerave shoqërore dhe agonisë për rrugën e përbashkët të integrimit. Prandaj qytetarët e nderuar të këtij vendi, nuk duhet të kthehen në mish për top, nga popullizimi frenetik i politikës destruktive. Ata me votën e tyre si sovranë mbi partitizmin, duhet të tregojnë se janë identiteti, morali, nderi, respekti për kulturën dhe familjen që përfaqësojnë.