Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Më jepni edhe mua një leje prindërore, zotërinj të KLD!

Postuar: 23/10/2018 - 07:14

Drejt ishullit të Sazanit diku në mesin e gushtit 1965, një anije e vogël bashkë me ushqimet për personelin e bazës në kabinën pranë kapitenit ishte edhe një letër. Vinte nga larg. Brenda saj ishte lajmi për lindjen e fëmijës së një oficeri që shërbente këtu prej vitesh dhe i takonte të shkonte në familje shumë rrallë. Ai priste me ankth njoftimin si do shkonte lindja e fëmijës. Ishte fëmija i parë që priste dhe gëzimi ishte i natyrshëm. Po e kishte të pamundur të gjendej në shtëpinë e lindjes për ta marrë lajmin e mirë. Ashtu sikundër e pati të pamundur ta përcillte bashkëshorten në ditën që ajo kishte më shumë nevojë për të. Ai donte të ishte me bashkëshorten si çdo burrë që pret të bëhet baba dhe t’i gëzohet lindjes së fëmijës së sapoardhur në jetë. Po detyra nuk ia lejonte. Sot, kjo duket si një përrallë nga e kaluara. Një histori që bie erë myk dhe gati herezi. Po ja që është e vërtetë dhe nuk është i vetmi rast. Janë me mijëra histori njerëzore, ku baballarët e kanë mësuar lindjen e fëmijës në llogoret e luftës, në majën e oxhaqeve, në thellësitë e minierave, në frontet e luftës dhe i kanë takuar fëmijët e tyre pas shumë vitesh kur ecnin në këmbë. Dhe shembujt janë të hershëm e të tanishëm. Dhe këta baballarë i donin fëmijët me gjithë shpirt dhe e mbanin kokën pas kudo që ndodheshin. Për ta jetonin e punonin. Po kjo ishte sakrifica që duhet të paguanin në emër të detyrës, atdheut, punës, vështirësive. Po sot, për shumëkënd këto raste ngjajnë si të kenë ndodhur në prehistori. Po ja që janë të vërteta. Secili mund të kujtojë historinë e vet, të sjelli dëshminë personale si i ka ndodhur dhe ku ka qenë, si e ka mësuar dhe sa ka pritur për ta parë fëmijën e parë apo të dytë.

Po kohët fatmirësisht kanë ndryshuar. Sot po përmendnim vetëm si kujtime të largëta dhe nuk do flisnim për sakrifica të tilla sepse dukemi si anakronik të zbritur nga kushedi cili planet. Rrugëtimi i tyre përfundon sa mësonim vendimin e KLD-së për lejen prindërore dy vjeçare për gjyqtarin Gjin Gjoni. Anëtar i këtij institucioni iu dha leja për të bërë baby-siterin në Gjermani për kujdesin ndaj fëmijës së vet. Kodi i Familjes dhe ligji 9062 datë 08.05.2003 e sanksionon një të drejtë të tillë dhe për arsye familjare kujdesi i babait ndaj fëmijës është një detyrim madhor që nuk buron vetëm nga ligji, po së pari nga detyrimi shpirtëror e moral i prindërve për mirërritjen e fëmijëve të vet. Në vendet me demokraci të zhvilluar dhe familje të konsoliduara të dy prindërit janë të barabartë dhe të detyruar për shërbimin ndaj fëmijëve. Ligji, Kodi i Familjes u njeh të drejtën e lejes prindërore. Dhe një e drejtë e tillë është e sanksionuar edhe tek ne që 15 vjet më parë. Në aspektin ligjor Gjin Gjoni është në të drejtën e tij të marrë leje pas lindjes së fëmijës dhe të kujdeset për të në Shqipëri apo Gjermani, ta rrisi dhe ndihmojë për një ecuri shëndetësore shumë të mirë të fëmijës së vet. Deri këtu “ok”. Po mënyra si e përfitoi dhe si u dha kjo leje me procedurë të deformuar, lë për të dëshiruar. Rasti është një pasurim i bëmave të KLD-së. Në një kohë kur në procesverbalin e mbledhjes së KLD-së, emri i tij është renditur i dyti në listë-prezencë, në njoftimin e zëdhënësit, për transparencë thuhet se leje kërkuesi nuk ishte në këtë mbledhje. Fakti që një vendim i tillë për dhënie leje prindërore për një periudhe dy vjeçare nuk ishte parashikuar në rend të ditës, ku duheshin dy të tetat e anëtarëve të KLD-së që të futej në rendin e ditës, dhënie e kësaj leje nuk është gjë tjetër veç një nga qokat e shpeshta të këtij organi që në këto tri dekada ka dhjetëra precedent të tillë që nuk janë vetëm të karakterit human. Ky institucion ka shkruar histori të trishtueshme me vendimet që ka marrë. Ky i fundit, të veçantë ka se është ligjoro-komik dhe emancipues në të drejtën e grave dhe burrave. Kujtojmë këtu dhjetëra propozime të Ministrisë së Drejtësisë për gjyqtarë të zhytur deri në grykë me shkelje të rënda në dhënien e vendimeve, të akuzuar për ryshfet e mitmarrje, për korrupsion të cilët janë mbrojtur me stoicizëm nga ky këshill. Jo vetëm nuk janë shkarkuar, po janë graduar. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që kjo qeveria e drejtësisë, e cila ka në krye vetë Presidentin e Republikës të ketë shkundur sistemin. Të ketë ndërmarrë nisma kundër korrupsionit. Ndryshe nuk do ndodhte që pesëdhjetë përqind e punonjësve të drejtësisë do ngelnin në rrjetat e vettingut dhe mos konfirmoheshin. Nuk do mësonim që gjithë gjyqtarët tanë kanë kushërinj dhe rrjedhin nga baballarë e nëna, dajallarë dhe vjehrra, kunetër dhe emigrantë bosa, të kamur, të krimbur në dollar që u kanë falur bijve dhe dhëndurëve miliona nga pasuria e tyre që është siguruar me pension. Nuk më duhet fare të hyj në argumenta dhe të bëj analizë për pasurinë e gjyqtarit Gjin Gjoni. As ti llogaris paratë në banka. Pasuritë e patundshme të trashëguara dhe të fituara nga puna e zonjës së tij. Kjo le të mbetet detyrë e organeve që skanojnë gjyqtarët. Unë po merrem vetëm me vendimin e fundit të KLD-së, me lejen speciale, që është një risi, dhënë për t’u larguar me stil drejt Gjermanisë, ku ai do rrisë fëmijën dhe do kthehet pas një periudhe të gjatë. Po kështu si prind i uroj që pasardhësi të ketë jetë të gjatë dhe të rritet si i thonë me nënë e baba. Dhe lutem që edhe ai të eci në gjurmët e të atit dhe të bëhet një nga punonjësit e drejtësisë së ardhshme. Po pse nuk u gjet një mënyrë tjetër e dhënies së lejes për Gjin Gjonin meqenëse e ka të nevojshme të largohet kaq gjatë? A ishte kjo e vetmja mundësi për një largim disa kohë me një ikje të butë? Tërë ata vendimmarrës, ajka e sistemit të drejtësisë që janë qeveria e këtij sistemi mund të gjenin çdo mënyrë tjetër për t’i dhënë leje prindërore se për nënat thuhet leje lindjeje, zotit Gjoni. Dhe ai mund të merrte aeroplanin e të udhëtonte në qytetin gjerman, ku jeton familja e tij. Në fillim, si gjithë të tjerët mendova se gjyqtari do qëndronte diku në ndonjë lagje të Tiranës për t`u kujdesur për fëmijën, po isha gabuar. Ai do jetë për ca kohë në Gjermani. Tani në kulmin e skanimit të gjyqtarëve kur vettingu vazhdon të kalojë në sitë tërë gjyqtarët e prokurorët dhe pritej radha edhe për Gjin Gjonin, pikërisht ai gjeti shtegun për ti ikur vettingut. Për të bërë “brexit” nga sistemi i drejtësisë për një “azil” të përkohshëm në Gjermani. Sipas ligjit të funksionimit të komisionit të vettingut, gjyqtari duhet të jetë i pranishëm në gjykim ashtu si çdo individ për të cilin gjykohet një çështje civile apo penale. Dhe gjyqtari Gjoni nuk bën përjashtim nga ky rregull i gdhendur në Kodin Penal e Civil. Po si i bëhet që ai do jetë kaq larg? Do ti kërkohet të vijë? Po nëse fëmija ka nevojë të jetë me të, ka temperaturë, është me grip, nuk ka oreks, është me bark dhe ai ka në xhep leje prindërore, a nuk është i justifikuar me mungesën e tij? Atëherë është në të drejtën ligjore, prindërore dhe vetë zotit të qëndrojë pranë fëmijës. Dhe kur të kthehet nga leja, Gjin Gjonit do t’i ndodhë si historia e ushtarit të Luftës së Dytë Botërore që qëndronte në anën tjetër të Atlantikut dhe nuk kishte marrë asnjë lajm se lufta kishte dy vjet që kishte mbaruar. Edhe Gjoni, kur t’i bjerë rruga për këtu, besoj se vettingu do ketë mbyllur siparin dhe Gjoni nuk do gjykohet fare nga komisioni që do ketë përfunduar detyrën dhe i ka kaluar të gjithë në testim. Gjyqtari Gjin Gjoni nuk iku vetë. Nuk u largua pa njoftim. Ai po ikën me vizë nga KLD. Të firmosur e të vulosur. Dhe do ketë një dokument, të cilin mund ta përdori për të mbrojtur veten para gjykatave tona deri në Strasburg. Dhe nëse do isha në vendin e tij do iu thosha organeve të vettingut: -Zotërinj të nderuar përse më keni thirrur? Me ç`të drejtë? Ku e bazoni thirrjen? Marrim variantin nëse e thërrasin për ta konfirmuar në detyrë. Ai ka të drejtë të thotë: -Unë kam qenë me leje nga KLD. Jam i justifikuar dhe ju jeni duke më cënuar të drejtat e mia ligjore. Dhe për këtë kërkoj dëmshpërblim sepse më keni cënuar integritetin moral e profesional. Dhe ec e mos e dëmshpërble pas kësaj Gjin Gjonin! Nuk ka fare rëndësi nëse në mbledhjen e dhënies së lejes ishte kuorumi i nevojshëm apo jo! Është paradoks t’i kërkohet KLD-së llogari pasi kjo është ndërhyrje në pavarësinë e punës së tij. S`do ishte normale të paragjykohen vendimmarrësit e këtij institucioni se ata janë ta paqortueshëm. Janë në të drejtën e tyre për të emëruar, shkarkuar, transferuar, vlerësuar, ngritje në detyrë apo pushuar ankimime për gjyqtarë e prokurorë sepse janë vetë ekzekutivi i pushtetit të drejtësisë. 

Historiku i KLD-së në këto vite është i mbushur me tregime e histori, me akuza e arritje me vendime të mira e shumë të këqija. Ka dhënë masa e ka anulluar dënime të njerëzve të drejtësisë. Më së shumti në këtë organ miqtë kanë mbrojtur shokët e një llogoreje. Thuhet se më parë, jo tani mos e dhëntë zoti, ka pasur edhe influenca partiake. Po më parë veç se sot, bah, në asnjë mënyrë nuk ndodh që të ketë shmangie të tilla. Në roje të vendimmarrjes është vetë Presidenti Ilir Meta! Po me këtë lejen prindërore, tani kur gjyqtarët janë në monitorim dhe kontroll, në verifikim pasurorë e profesional në lidhjet e tyre shoqërore dhe kontroll të figurës morale dhe familjes së ngushtë, gjeti rastin ta shpërblej zotin Gjin me leje dy vjeçare kujdesi prindëror?! Ai do jetë këtu mes nesh kur të jetë dy vjet më i vjetër dhe fëmija të mbushi dy vjeç. Nuk e di nëse ka mundësi të tjera si ngrirja e statusit të gjyqtarit, pezullim i veprimtarisë së tij për një periudhë të caktuar me të drejtë page apo pa pagesë dhe mund të zgjidhej një nga këto bamirësi apo lehtësi për gjyqtarin? Nuk e di pse u zgjodh pikërisht kjo e dhënies së lejes prindërore që duket edhe pak komike për ne të paemancipuarit, fshatarët pra. Ndoshta këtu KLD që ka në gjirin e vet, jurist të sprovuar kanë menduar se kur je me leje lindje (prindërore) askush nuk ka të drejtë të marri vendim pushimi, të të largojë nga puna apo të të pezullojë nga detyra. Në këtë mënyrë Gjin Gjoni mbetet i paprekur edhe nga vettingu dhe vendimet që mund të merren ndaj tij janë nul. Ai sot me këtë leje në xhep është më i mbrojtur se kurrë, më shumë se vetë imuniteti që zotëron si gjyqtar. Është me “leje prindërore” nga organi më i lartë i sistemit të drejtësisë nga KLD, ku vota e Presidentit është një garanci plus apo jo? Sa për reagimin e Ministres së Drejtësisë, Zonjën Gjonaj dhe argumentimin se leja e dhënë gjyqtarit është në shkelje të ligjit dhe procedurave si dhe një gabim i KLD-së duhet marrë me rezerva pasi anëtarët e këtij organizmi janë aq kompetentë sa kurrë nuk kanë marrë vendime të diskutueshme aq më pak të qortueshme! Ata janë etaloni i drejtësisë ndaj dhe sistemi i është kaq solid, i shëndetshëm dhe i paprekur nga korrupsioni dhe bëmat që e shoqërojnë tërë jetën. Kjo leja speciale e KLD-së për Gjin Gjonin i ka bërë të gjithë paksa dyshues, ziliqarë, i ka vënë në pritshmëri dhe u ka nxitur kureshtjen njëherësh. Edhe mua që pres të bëhem gjysh, seç më ka ngacmuar dëshirën të nis nga e para dhe të përfitoj një “leje prindërore” se qenka vërtetë një zgjidhje brilante për t`iu larguar, jo vetëm stresit e përgjegjësive para komisioneve kontrolluese apo gjykatave, po edhe se është një kohë në të cilën mund të përfitosh pagë qyl, privilegje dhe ngritje profesionale aq më tepër kur mundesh të shkosh në një shtet të zhvilluar për tu rritur në kualifikime, jo vetëm si juristit, po edhe si “baby-siter”. Ndaj edhe unë do doja të më llogarisnin dhe të më akordonin një leje prindërore. Do më pëlqente shumë që këtë nder të ma bënte KLD-ja. Le të bëjë një përjashtim njëherë të vetme edhe për një qytetar jashtë sistemit siç jam unë.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:12

Edhe pse çështja e përkatësisë fetare të një Heroi Kombëtar, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi, në këtë vit jubilar të Gjergj Kastriotit, kjo çështje ka qenë ndër më të debatuarat në mesin e studiuesve dhe të histo

Postuar: 15/11/2018 - 07:11

Është e sigurtë se diktaturat krijojnë siguri dhe rend publik!

Postuar: 15/11/2018 - 07:09

Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe mendojmë në shumë drejtime përfshirë dhe audit

Postuar: 14/11/2018 - 12:25

Prishja e shtepive te banoreve te Unazes se Madhe eshte antikushtetuese, jo thjesht e paligjeshme

Postuar: 14/11/2018 - 07:06

 Protestat e opozitës tonë ngjajnë shumë me informacionet që jepeshin përditë në seksio

Postuar: 14/11/2018 - 07:05

 Shteti, duket se është e kundërta e asaj që thotë kënga për të dashurën.

Postuar: 14/11/2018 - 07:03

 Më thanë se edhe tre njerëz të kulturës, intelektualizmit kishin aplikuar për llotarinë ame