Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Me kanun e burrëri, apo mbrojtja me drejtësi

Postuar: 22/10/2017 - 07:44

Nga Bardhyl BEJKO

Deri sot kemi parë se mbrojtja e politikanëve, deputetëve, shkelësve të ligjit, vrasësve, trafikantëve, gjithë atyre që kanë qenë në shërbim të pushtetit të radhës, është bërë nga politika, kanuni burrëria, miqësia.

Le t` iu referohemi vetëm disa rasteve kur në pushtet ka qenë PD dhe kryeministër Sali Berisha. Për të mos shkuar shumë larg po e nisim nga piramidat. Një fenomen i shtrirë gjerësisht deri në vitin1997. Gjithë ata që ideuan e krijuan firmat rentiere u stimuluan nga pushteti. Ministri i Financave të kohës deri në krye të qeverisë iu dhanë suport të paparë firmave piramidale dhe u deklarua se paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë. Të gjithë e dimë sa i kushtoi vendit tonë inkurajimi i firmave rentire që u shoqërua jo vetëm me falimentimin e mijëra familjeve, por edhe me rënien e shtetit dhe daljen e krimit në sipërfaqe. Megjithatë personat e politikës që kishin gisht në këtë kasaphanë financiare, u mbrojtën me “burrëri”. Nuk iu dorëzuan drejtësisë. Nuk iu lanë në dorë armikut.

Me ngjarjet në Gërdec, ku u vranë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën qindra të tjerë, ku u shua një krahinë e tërë dhe u mbollën me predha dhjetëra hektarë tokë, ku ishin përzier tërë struktura shtetërore, veçanërisht, ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ministra, nipa, baxhanakë, fëmijë, të tjerë që merrnin dhe jepnin informacione për ngjarjen dhe përcaktonin masa të shpëtonin çdo person të përfshirë, jo vetëm që u mbrojtën, nuk u dërguan para drejtësisë, por kryesorët u graduan, siç u veprua me Mediun që nga i akuzuar u bë deputet dhe ministër.

Në 21 janar të 2011, pas vrasjes në bulevard të 4 qytetarëve që protestonin paqësisht, duke qëndruar në periferi dhe kur protesta kishte përfunduar, organizatorët, urdhëruesit, manipulatorët, gjithë shpura qeveritare ku në qendër ishte edhe lideri i sotëm i opozitës, Lulzim Basha, u godit me top kryeprokurorja, “Silva Konti”, e cila u barazua me lavire bulevardi, ish presidenti Topi si koka e grushtit të shtetit. Dhe sapo doli në dritë se cilët ishin realisht vrasësit, u shuan regjistrimet. Dolën jashtë përdorimit serverat. U bënë të paqena gjithë filmimet. Dhe urdhër-arresti i prokurorisë u hodh në kosh të plehrave. Kushtetuta ra. Shteti braktisi ligjin. Dhe të gjitha veprimet nuk u bënë nga drejtësia, por zgjidhjet iu lanë në dorë burrërisë, kanunit, miqësisë. U çmontuan me urdhër gjithë provat. Zinxhiri komandues i Gardës që kishte detyrim ligjor të siguronte edhe qeverinë edhe protestuesit u morën në mbrojtje dhe u shpallën të paprekshëm. Dhe e gjitha nën hyqmin e qeverisë e cila nuk mund të dorëzonte tek drejtësia njerëzit që shtinë me urdhër dhe ishin në shërbim jo të rendit kushtetues, por të kryeministrit dhe ministrave, urdhërues. E gjithçka u vu nën mbrojtjen e qeveritare. Drejtësia mbeti një relike pa asnjë vlerë. Thjeshtë u shndërrua në një fasadë.

Kështu u veprua edhe me fshehjen e korrupsionit, ku të gjithë pamë me zë e figurë se si mister shtatë përqindëshi në zyrë të shtetit bëri qokën e radhës. Një natë para gjyqit, kryeministri me vizitën në shtëpi i dërgoi mesazhin gjykatës. Asnjë veprim ndaj tij.Eshtë yni. Po nuk janë vetëm këto rastet që kemi parë e jetuar në këtë Shqipërinë tonë të këtyre viteve demokraci. Kur pushteti i përqendron në një dorë, qeveri, gjykatë e çdo hallkë drejtësie. Dhe nuk i lihet në dorë asgjë drejtësisë, por i transferohen zgjidhjet e vendimet, burrërisë dhe miqësisë. Je miku im. Rri i qetë. Je në vathën time, asnjë s`të prek. Edhe nëse deri dje ke qenë përballë e jemi sharë sapo fut këmbët në frontin opozitar qëndro pa frikë se e djeshmja është harruar dhe askush nuk ka për të ta kujtuar. Se ishe i keq deri sa ishe kundërshtar, po sot e tutje je bërë njeriu më i mbarë. Dhe për të verifikuar këtë që sapo cituam, nuk ka rëndësi të bëjmë shumë analiza. Mjafton të hedhim sytë tek krerë e bashkimi opozitar kush dhe cilët janë ulur në tavolinën e rrumbullakët të bashkimit që hiqen se janë të gjithë qelibar dhe nuk kanë asnjë mëkat për të larë.

Mbrojtja me kanun e burrëri, ka qenë deri sot një strategji që ka funksionuar në këto njëzetë e shtatë vjet. Kush ka qenë pranë pushtetit të Berishës le të ketë bërë krimet më të rënda është marrë në mbrojtje dhe është bërë gjëma për të mos ia dorëzuar drejtësisë. Kjo sipas logjikës se ai që ka pushtetin do ruaj dhe mbroj deri në fund qeveritarët që i shërbejnë. Për ata nuk ka gjykatë. Nuk ka prokurori. Nuk ka drejtësi.

Tani le të vijmë tek rasti më i fundit. Pas daljes në dritë të emrit të ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, i cili përmendet nga trafikantët e kanabisit, Habilaj, nuk duam të bëjmë juristin, as politikanin. Na mjafton gazetaria. Po ajo që del në dritë me kaq sa lexuam e dëgjuam në asnjë tabulat nuk dëgjohet që trafikantët të kenë biseduar qoftë edhe njëherë me ish ministrin. Asnjë sekondë. Vetë Tahiri, edhe pse nën presionin opozitar, deklaroi se asnjëherë nuk ka pasur kontakte me trafikantët Habilaj. Dhe dihet se për ta, dy herë ka pasur referime në prokurori. Po prokuroria nuk ka vepruar. Nuk i ka arrestuar. Përse? Është detyrë e prokurorisë për ta sqaruar. Ashtu sikundër nga të gjitha anët Tahirit i vijnë thirrjet: Trego shokët. Thuaj emra. Duam se cili ta ka bërë këtë kurth. Nga cila anë të vjen kjo e keqe? A është Rama apo Xhafaj? Janë të tutë që të duan pas hekurave, apo opozita. Shpëto kokën e porosit me “dashamirësi” Koço. Se nga duhet të ruhet Tahiri, vetëm ata që i bëjnë thirrje për t`u ruajtur e dinë.

Opinioni shqiptar, edhe pse i bombarduar kaq rëndë si kurrë më parë është shumë më i qartë sot se dje. Kush e ndoqi Tahirin në “Opinion” e kupton shumë mirë se prokuroria nuk bën ligjin, por Maliqin. Se çështja nuk është juridike, por politike. Nuk është halli i Tahirit, por i gjithë Tahirëve. Nuk është lufta kundër krimit, po lufta për qeverinë. Nuk flitet në emër të popullit, po të atyre që e kanë humbur popullin. Në tërë këtë histori me fajtorë e egzekutorë, me dosje e debate, me citime e përcaktime është qëndrimi i vetë Tahirit, por edhe i mazhorancës. E cila ka një tjetër qasje. Që nuk ka vënë në plan të parë burrërinë, politikën, kanunin, unin, si të mbrojnë Saimirin, por si t`i hap rrugë drejtësisë. Se duhet të flasi drejtësia dhe të sqarohet gjithë opinioni. Nëse ish ministri ka bërë trafik le të shkojë në qelinë e fundit të burgut. Nëse ka mbështetur trafikantët le të vuajë bashkë me ta. Nëse vërtetohen përgjimet le të dënohet. Po drejtësia duhet bërë e drejtë ama. Jo siç ka ndodhur që, prokuroria që në këto tetë vjet nuk ka lëvizur as gishtin kundër krimit. Përkundrazi i ka ricikluar sa herë janë arrestuar. Dhe i ka amnistuar.

Ka një ndryshim të madh mes socialistëve dhe gjithë frontit opozitar. Dy qëndrime. Shumë standarte. Deri dje në pushtet të vjetër e të rinj. Dhe fringo të rinj. Të sapo shpallur opozitarë. Në frontin opozitar për kritere e standarte ka pasur mbrojtjen me çdo kusht, mosdorëzimin para drejtësisë, zëvendësimin e saj, me tutorë, me miq, me shokë, me burrëri e me kanun, politikisht, nëse gjithë ata burra e gra që u ulën në “tavolinën e Antimafias” e antikrimit, gjithë atyre analistëve që bëjnë jo gazetarinë, por prokurorin, kanë vepruar sipas aksiomës: “Për tanët nuk ka burg”. “Për ta nuk ka drejtësi dhe prokurori që t`i vërë para përgjegjësisë”. Dhe për ta realizuar këtë kanë bërë pakte e e kanë ndalur e penguar drejtësinë për të pasur dorë të lirë që të shpëtojnë njerëzit e tyre. Ndryshe vepron sot mazhoranca. Të hapur para drejtësisë. Respektojnë pushtetin e drejtësisë. Se reformat, vetingun, gjykimin e drejtë nuk e kanë për shfaqje as dukje, nuk e kanë për simbolikë. As për fasadë. Nuk flasin ndryshe e bëjnë ndryshe. Se nuk luftojnë nën rrogoz për të mbrojtur askënd edhe persona që kanë kontribute të jashtëzakonshme për shtetin. Dhe ky qëndrim në gojën e shumë prej politikanëve, quhet jo burrëri. Dorëzim. Lëshim. Shitje. Padrejtësi. Mosmbështetje. Pafuqi. Dhe e gjitha kjo buron nga psikologjia e kultivuar deri sot se njerëzit në pushtet nuk ka gjykatë t`i hetoi apo t`i dënoi.

Një ndryshim shumë i thellë mes gjithë atyre që bëjnë tellallin dhe vënë përballë, kanunin e burrërinë me drejtësinë. Po kjo nuk do të thotë që e drejta të mos thuhet dhe deputetët të mbyllin sytë. Në se provat e akuzat janë pa baza dhe për tu dukur më shumë se duhet parimorë të thuhet po, kjo do të ishte vërtetë paburrëri dhe dorëzim para atyre që kërkojnë të përfitojnë e të bëjnë politikë e të presin koka vetëm me ca tabulate apo çdo rast tjetër që janë bërë nga trafikantë që nuk ua mbyll dot gojën të thonë çfarë të duan dhe si të duan. Se drejtësia pa prova. Pa fakte. Pa argumenta nuk është drejtësi po padrejtësi.

Dallimi nga mbrojtja me urdhara, burrëri, kanun, miqësi, tek mbrojta me drejtësi, ka dy qëndrime. Dy botë, dy filozofi. Janë ballpërballë: shteti dhe antishteti!

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/11/2017 - 07:22

Bashkëjetesa me të keqen nuk është një rast i veçuar. Tek ne pothuajse është shndërruar në një fenomen që e takon kudo. Sapo del nga shtëpia. Ecën nëpër rrugët e qytetit. Hyn në një mjedis kulturor, në stadium, në teatër, klub, spital, kudo,ku kërkon një shërbim.

Postuar: 23/11/2017 - 07:21

Projekti TAP, kalimi i gazsjellësit të madh nga Azerbajxhani, sigurisht nuk është as sukses shqiptar, biles as sukses domethënës rrugësh ballkanike – por sukses dhe intere

Postuar: 23/11/2017 - 07:06

Lufta e dosjeve është në pikun e saj. Dosje për këtë, apo për atë protagonist politik, për këtë aferë, apo atë tjetrën. Me shifra astronomike, mbresëlënëse.

Postuar: 22/11/2017 - 07:34

Nga Ramazan Sherja

Postuar: 22/11/2017 - 07:33

Nga Florim ZEQA

Postuar: 22/11/2017 - 07:32

Nga Sokrat NDREÇKA

Postuar: 22/11/2017 - 07:29

Nga Artan Xh. DUKA