BREAKING NEWS

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson të dhënat: Ja sa raste të reja u shënua në 24 orët e fundit nga koronavirusi

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson
x
BREAKING NEWS

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik
x
BREAKING NEWS

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama jep mesazhin e fortë në France 24, paralajmëron ndryshimin e madh: Do të bëjmë çfarë është e mundur që...

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama
x
BREAKING NEWS

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena që donin të vrisnin biznesmenin e njohur në Sarandë?

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena
x

Opinion / Editorial

Më lehtë të fitosh pushtetin se reformosh administratën e shtetit!

Më lehtë të fitosh pushtetin se reformosh administratën e

Zgjedhjet e njezetë e pese prillit ishin kurorëzim i punës katër vjeçare të mazhorancës dhe Kryeministrit Edi Rama. Roli përcaktues i tij është i padiskutueshëm. Mandati i dytë mund të cilësohet pa mëdyshje një gjysmë mandat, jo për kohëzgjatjen as për arritjet, po për dy fatkeqësitë e mëdha që përjetoi vendi ynë për një periudhë të shkurtër kohore. Sapo u shuan lëkundjet e tmerrshme të tërmetit të 26 nëntorit 2019, në mars Shqipëria u vizitua nga virusi vdekje prurës, Covid -19. Ekonomia u tkurr tmerrësisht me mbylljen e bizneseve nga më të voglat deri tek më të mëdhatë. Ndryshoi mënyra e jetesës. Shoqëria u konvertua në konsumatore. Shpenzimet u ngjitën në qiell dhe prodhimi e të ardhurat ranë në kuotat pranë zeros. Buxheti i shtetit shtrydhi të gjitha rezervat monetare për të garantuar mbijetesën e qytetarëve. Shkurt mandati u përgjysmua për sa i përket zhvillimit dhe të ardhurat cekën fundin. Me këtë bilanc të rënduar, shto këtu protestat shkatërruese të opozitës, pengesat e shumta të krijuara prej saj në aksionin për përmbysjen e pushtetit me dhunë, erdhi mazhoranca në zgjedhjet e 25 prillit, duke u kërkuar shqiptarëve mandatin e tretë. Beteja mes opozitës e bindur në fitore dhe kërkesës për mandat të tretë për herë të parë në këto tri dekada nga mazhoranca kërkonte një tjetër qasje dhe frymë, punë vetëmohuese, organizim kapilar për të kontaktuar me çdo individ dhe për t`i bindur per votën pro. Fal mbështetjes dhe besimit,vlerësimit për punët e kryera dhe mënyrës si u bindën shqiptarët më shumë me veprat e përfunduara, reformat e thella dhe fushatës së zhurmshme me premtime fantaziste që kapërcenin edhe premtimet e Sudes e Xhaferit të piramidave të qeverisë Berisha, u arrit të fitohet thellë. Kjo është padyshim mbështetja më e madhe që shqiptarët i dhanë Edi Ramës. Është historia e suksesit që theu tabutë dhe kapërceu traun e të pamundshmes. Çfarë është bërë mirë nuk ka nevojë për koment as për reklamë aq më pak për rreshtim të sukseseve dhe arritjeve që njihen nga qytetarët dhe i bindën t`i jepnin qeverisë së denoncuar si bandë nga lidershipi opozitës pushtetin, lidhën kontratën për herë të tretë me të. Këto arritje morën notën maksimale dhe qeveria u vlerësua për premtimet e mbajtura përkundër mohimit të gjithçkaje nga opozita e bashkuar. Dy nga arritjet më të mëdha që ishin gur themeli edhe për fitoren, padyshim ishte përballimi i tërmetit dhe pandemisë. Rindërtimi dhe vaksinimi. Pushteti u mor me votë. Kjo është fitore e PS, mazhorancës dhe lidershipit të saj. Po nëse u fitua mbi opozitën për të vijuar qeverisjen, ka një hallkë themelore, e cila ende nuk është fituar dhe fitorja mbi të është edhe më e vështirë se ajo e pushtetit. Është fitorja mbi administratën, revolucionarizimi i saj dhe sjellja e zyrtarëve në nivele të pranuehsme, si shërbëtorë të popullit dhe zgjidhjes së halleve dhe kërkesave të qytetarëve. Në të gjitha takimet e kandidatëve te mazhorancës, po edhe te opozitës, dukuria që u shpalos më shumë, ku u shigjetuan me të gjitha ngjyrimet, u bënë kritika e akuza, ishte performanca e administratës të shtetit shqiptar. Nuk pati takim, debat, konsultim, dialog, pa kritika për mënyrën si sillen, jo pak punonjës të administratës së shtetit shqiptar. Administrata nga baza deri na qendër është në syrin e qytetarëve. Në kompjuterët dhe blloqet e kandidatëve per deputetë, janë regjistruar qindra ankesa, kërkesa, shqetësime, halle, ndjeshmëri, perceptime, akuza ndaj atyre që e kanë detyrë të presin dhe zgjidhin, sqarojnë çdo kërkesë që u drejtohet apo për të dhënë shërbime në kohë reale. Përballë shqetësimit të qytetarëve nuk ka rëndësi nëse është administrata spitalore, kujdesi për shëndetin, fiskale, tatimore, doganore, urbanistike, bashkiake, kadastrës, kujdesit shëndetësor. Ajo që i bën qytetarët të pakënaqur është tendenca e jo pak prej tyre për të fituar padrejtësisht. Është mospërfillja që shoqëron zgjidhjen e nje ndihme ekonomike, konflikt mes banorëve të një pallati, marrja e lejes së ndërtimit, kolaudimit të objektit, ashtu sikundër mungesa e informimit për pastrimin e qytetit mes lagjeve, ujërave të zeza që dalin para hyrjes së pallateve, largimi i serviseve dhe marangozive, lokaleve që ndotin mjedisin dhe e bëjnë jetën të padurueshme si rrjedhojë e emetimit të gazrave përmes pallateve. Punësimi, ku edhe pse i kualifikuari nuk ka mundësi të trajtohet pasi nuk ka mbështetje, nuk ka klan, nuk është i biri, kushëriri, kunati, baxhanaku i dikujt që ka pushtet. Për të gjitha këto qytetarët jetojnë shqetësimin e moszgjidhjes dhe mos përfitimit të së drejtës që u takon. Prej këtej lindin natyrshëm pakënaqësi, qejfmbetje, pikëpyetje, mosbesim, urrejtje, jo vetëm për administratorin që është një ingranazh në trupin e makinerisë së stërmadhe të shtetit, konkretisht administratës nga maja në qeveri, ministrat, drejtorët me peshë, ata që kanë kompetenca, firmë vulë në vendimmarrje. Pas çdo rasti, mosmarrje të së drejtës dhe zgjidhjeve të kërkuara, keqkuptimi dhe mosbesimi mes palëve, qytetar-administratë, pezmatohet me të drejtë hallexhiu dhe jo vetëm që mbetet i pakënaqur nga refuzimi dhe mos interesimi i atij që është në atë post falë vullnetit të qytetarëve që njëherë në katër vite, u afrohen, i dëgjojnë, i miklojnë, u rrahin shpatullat në kërkim të votës, besimin për të ardhur në pushtet. Mes qytetarit dhe administratorit, qoftë në skajin më të largët apo në kreun e pushtetit duhet ta kuptojnë mirë se nuk janë atje për t`u kapardisur as për të pritur prenë e radhës. Ata janë për t`u shërbyer qytetarëve. T`i dëgjojnë, të bëhen pjesë e zgjidhjes, të jenë korrektë dhe të manifestojnë dashuri dhe profesionalizëm. Po pse sillen në këtë mënyrë jo pak administratorë, zyrtarë që realisht kanë detyrë funksionale të thonë: Yes sir? Kur kanë të vetmen detyrë të zgjidhin shqetësimet e popullit! Ka shumë shkaqe dhe arsyet janë pa limit. Themelore mbetet ideja e përkohshmërisë dhe vlerësimi i vendit të punës thjesht si përfitim. Nëse administratorë të veçantë e mbyllin ditën pa shtuar asgjë në kuletë, atëherë kjo ditë cilësohet prej tyre si e premtja e zezë, pa bereqet, ditë e humbur, orë koti.

Sorollatja me papërgjegjshmëri ekstreme dhe indiferentizmi nuk janë të vetmet arsye të qëndrimeve të dënueshme dhe të papranueshme të administratës. Nuk janë të paktë ata që sapo hyn hallexhiu në zyrat e shtetit e vrojtojnë nga koka te këmbët dhe nuk e matin nga shtati as nga veshja a dosja nën sqetull, nuk e vrojtojnë nga guna, po sa do paguajë ekstra për shërbimin që kërkon edhe pse është në të drejtën e tij të vlerësohet maksimalisht nga zyrtari dhe administratori i çdo rangu qoftë. Tipikë janë disa administratorë që asnjëherë nuk i janë nënshtruar rotacionit. Nëse mazhoranca qëndron tetë vite në qeveri aq zgjat e dhe karriera e administratorit. Edhe kur i duhen tre muaj të dalë në pension ai emërohet drejtor. Nuk janë të paktë ata që çelin librezën të punësuar drejtor dhe dalin në pension po në postin e drejtorit. Bile, jo pak prej tyre edhe pse mund të jenë larguar nga drejtimi për mungesë personaliteti, paaftësi menaxhuese, të përlyer, përgojuar me fakte, ata pasi një pauze disa mujore riciklohen në një vend të ri pune si të jenë të pazëvendësueshëm dhe në bashkësinë qytetare të jenë të vetmit që mund të mbajnë poste dhe të jenë drejtues të ndërmarrjeve a institucioneve. Kjo është vërtet e tmerrshme sepse këtyre drejtuesve të paprekshëm dhe pazëvendësueshëm u duket vetja mbinjerëz, të paprekshëm, të pazëvendësueshëm, u hyn vetja në qejf, iu duket se kanë lindur vetëm për drejtim dhe komandim. Se janë individë që gëzojnë këto privilegje dhe askush nuk duhet të guxojë t`i vërë në dyshim aftësitë e tyre që shumë herë pompohen e amplifikohen sikur pa ata e gjithë Shqipëria mbetet pa boshtin që e mban në ekuilibër. Kudo gjen të tillë drejtues që anatemohen e përgojohen. Në opinionin e gjerë ky lloj drejtuesi tregohen me gisht. Ata e gjykojnë se janë në ato vende, jo për kualitet dhe zotësi, po se dinë ta dredhin, ta mbajnë mirë me ata që i emërojnë dhe për ta nuk ka asnjë vlerë se qytetarët i akuzojnë për hajdutë apo individë që vetëm dinë të zhvatin. Pikërisht këta “shërbëtor” të popullit, emërohen vetëm në ato vende, ku ka para, ku rrjedh e pikon përditë diçka, ndryshe, lëvizin të gjithë gurët për një pozicion tjetër që fitimi është i padiskutueshëm. Drejtomania është një sëmundje që rrjedh nga etja për të fituar. Ka disa nga këta “shërbëtorë” të qytetarëve që nuk të marrin vetëm atë që ke në xhep, po të shqyejnë edhe vetë astarin e xhepave. Dhe kjo sëmundje duhet të marrë fund. Se mund të fitosh pushtetin, po nëse ke humbur administratën në dreq të shkojë edhe vetë pushteti. Administrata është zemra e shtetit. Pulsi dhe radari i tij. Si të jetë administrata është edhe qeveria. Këtu nis e mbaron korrupsioni. Populli nuk mund të takojë ministrin. Ai ka punë me atë zyrtarin e zakonshëm, atje në fshat, në lagje në zyra. Kur ata të presin me hundë e buzë, kur të hedhin letrat në fytyrë nuk fyhet qytetari, po vetë personaliteti dhe dinjiteti i shtetit shqiptar. Po çfarë ndodh mes qytetarit dhe zyrtari, ulur pas tavolinave të punës, rehatuar në karrigen rrotulluese, si i presin qytetarët, si dëgjojnë dhe sa të vëmendshëm janë për hallin e tyre? Jo pak punonjës administratorë, i bien shkurt me përgjigje si të bezdisur. Do ta shikojmë! Duku nesër, eja javën tjetër, do ta studiojmë, do ta rregullojmë, do marrësh përgjigje. Pas kësaj pritje qytetari rrudh buzët, ul kokën, mbyll derën pas vetes për t`u rikthyer përsëri me shpresën se do gjejë zgjidhje të shpejt, po përsëri zhgënjim i plotë. Rikthimi për të gjetur zgjidhje bëhet edhe më i pamundur. “Shërbëtori administrator” të përcjell me mospërfillje. Ka disa institucione tipike ku kjo sjellje është më shprehëse. Kadastra është një hallk e dobët e administratës sonë, ku me qesëndi thonë se duhet të shkosh i superarmatosur. Po nuk është vetëm Kadastra, ku përplasen hallexhinjtë. Janë të shumtë ata që i lidh puna me ndërmarrjen elektrike, ku jo pak raste u krijohen probleme me mbifaturimin ose faturim energjie pa harxhuar asnjë kilovat. Në fshatin Çiflik, jo pak familjeve u erdhi fatura e harxhimit të energjisë për elektropompat që i kanë në fermat e tyre për ujitjen e agrumeve. Bëhet fjalë për harxhim energjie në stinën e dimrit kur dihet se askujt nuk i nevojitet të ndezë elektropompën pasi ujitja bëhet nga zoti. Qytetarët kanë kontakte të shpeshta me administratën. I lidh puna me të. Pas shtëpisë, pas kontakteve me familjarët, zyrat mbeten mjediset më të frekuentuara, ku trokitet për gjithçka. Nevojat e qytetarëve janë të natyrave të ndryshme. Nuk janë të paktë ata që për vite me radhë nuk regjistrojnë pasurinë e tyre, tokën, ndërtesën, truallin e ndërtimit. Për të arritur në zgjidhjen e këtyre shqetësimeve, është e domosdoshme të kontaktojnë me zyrat e legalizimit, urbanistët, inxhinierë, hipotekues, regjistrues dhe një numër të madh administratorësh. Deri sa administratorët nga fundi në majë të piramidës administrative të kuptojnë se janë atje për t`u shërbyer qytetarëve, deri sa zyrtarët do kuptojnë se janë shërbëtorë të shqiptarëve dhe jo padronë të tyre, deri sa të reformohet administrata dhe të eliminohen kontaktet faqe më faqe dhe në ato zyra të ulen ata që e meritojnë dhe qytetarët të gjejnë zgjidhje e të priten e respektohen mund të kesh fituar mbi opozitën,vështirësitë, pandemitë, tërmetet, pushtetin, po nuk ia ke arritur të fitosh mbi administratën, e cila ta shemb mbi kokë edhe vetë pushtetin që ke fituar me votë!