BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Me ligje në dorë, apo me pëshpëshe në vesh?

Me ligje në dorë, apo me pëshpëshe në vesh?

Shteti ka ngritur disa struktura me kompetenca të qarta, të cilat kanë detyrë ta bëjnë këtë shtet të manovrueshëm e funksional. Se ç’ka brenda këtyre strukturave, nuk duhet heshtur, se në vend që të koordinojnë punën me njëra-tjetrën, krijojnë konflikte, që barrën e tyre e mban populli i varfër. Qëkur kemi hyrë në këtë qerrata demokraci, nuk po e marrim vesh, se cilët të zgjedhur punojnë për popullin e cilët i kundërvihen atij. Unë kam punuar në organet e pushtetit lokal dhe nuk më vinte mirë kur shikoja anëtarët e Këshillit Popullor të rrethit, që më shumë flinin nëpër karrige se debatonin për problemet që shtroheshin. Këshilli quhej organi më i lartë i pushtetit në rreth, po ai mblidhej katër herë në vit dhe pastaj ishte i paqenshëm. Atëherë pata bërë një studim për funksionimin e këtij këshilli, nga i cili doli se në çdo mbledhje kishin folur vetëm dy këshilltarë, të tjerët ishin kryetarë kooperative, kryetarë këshilli e drejtorë ndërmarrje, që e kishin spostuar këshillin komplet. Pas atij studimi nuk u lejuan të flisnin të pazgjedhurit, po debate nuk u bënë kurrë. Edhe një këshilltar që krijonte debate e shuante heshtja e të tjerëve. Përse shkova kaq larg për të hyrë në temën që kam zgjedhur? Nëse tani nuk të ndalon njeri të çash dërrasa qëkur nis e sos mbledhja e këshillave bashkiakë ose në Kuvendin e Shqipërisë, ka një kapërcim të pakuptimtë, që përmes këtij farë debati, është krijuar një armiqësi mes tyre, që nga inati, ngrejnë duart edhe kundër popullit. Askush nuk mendon se ç’pasoja sjell ky debat inatçor në popull, mjafton të mposhtësh kundërshtarin. A thua të jenë këto elementët e demokracisë së vërtetë? Mbledhjet janë kthyer në ringje boksi. E ndjeu i ndjeri Azem Hajdari kur iu kundërvunë në Kuvend, ku deklaroi: “Nëse do të vijë demokracia kështu, mos ardhtë kurrë”. Unë jam për debat kudo që diskutohen problemet e popullit, që të nxjerrim përfundime me kosto të lirë dhe të dobishme. Mirëpo përse nuk kemi një debat konstruktiv në organet e zgjedhura? Kjo ndodh sepse disa këshilltarë nuk kanë as gërshërë, as llastik. Ata nuk janë të zgjedhur, por të vënë me miqësi e shoqëri, që kanë krijuar një zinxhir miqësor, që nuk diskutojnë me ligje në dorë, po me pëshpëshet që u thonë në vesh. Zihet deputeti me kryetarin e bashkisë dhe e ndan këshillin në dysh për të mos aprovuar asnjë projekt që vjen nga bashkia! Kjo ndodhi në Këshillin Bashkiak të Skraparit. Por jo vetëm në Skrapar. Unë kam informacion nga bashkëpunëtorët e mi, se në disa prej tyre, mbledhjet e këshillave kthehen në debate për interesa të ngushta personale. Kryetarë bashkish nuk pranojnë ndërhyrjet e deputetëve ose kryetarëve të partisë për të punësuar miqtë e tyre dhe ata, në vend që të merren vesh si të zgjedhur, futin qindra pyka, që këshillat bashkiakë t’i kthejnë në konflikte të kota. Strukturat janë krijuar për të mbështetur njëra-tjetrën, jo të hedhin shashka. Të mos harrojmë, ata janë njerëz të zgjedhur, po na qenkan zgjedhur për të vënë bërryla e gurë nën rrota. Dhe të ashtuquajturit këshilltarë, të komanduar nga deputetët marrin vendime të çuditshme, që mendja të mos pranohet në mbledhjet e këshillit! Unë e di që Kushtetuta thotë ndryshe: “Mbledhjet e Këshillit Bashkiak bëhen të hapura”. Me siguri nuk e kanë lexuar këshilltarët, se janë mësuar të vendosin sipas urdhërit të deputetëve ose faktorë të tjerë, të cilëve u binden verbërisht. Kjo është fatkeqësi! A mund t’i quash përfaqësues të popullit këta kopjues, që i marrin urdhërat skutave dhe vendosin bllokimin e investimeve? Deputetët kanë rol që ti ndihmojnë bashkitë duke u gjetur donatorë për t’i shtuar shërbimet popullit. Të mos harrojnë se zgjedhjet po vijnë dhe është radha e popullit për të bërë bilancin e punës së tyre. Është e çuditshme se disa deputetë nuk flasin me zgjedhësit dhe, pa pikë turpi janë afruar e lubiten si ato konet për të kërkuar votat, që i kanë shpërdoruar. Drejtësia vihet me dinjitet, jo me të lutur, me inat e kopjacë. Puna e të zgjedhurve nuk prodhon grurë e misër, po ka një lloj rendimenti të vlefshëm, që nuk kanë ditur ta prodhojnë shumë prej tyre. Nëse ka probleme që i kundërvihen popullit nga drejtuesit e bashkive ose këshillave bashkiakë, ka struktura të tjera, që janë caktuar për t’i zgjidhur konfliktet, jo me inat. Nëse konfliktet artificiale për të plotësuar tekat bëhet pengesë për të votuar projektet e paraqitura, kjo tregon paaftësinë e këshilltarëve. Detyrohen organet më të larta që të urdhërojnë këshilltarët të votojnë projektet ashtu siç janë paraqitur. Dhe ata të ashtuquajtur këshilltarë ngrejnë duart të dorëzuar! Këtu merr fund roli i të tillë të zgjedhurish. Problemet që janë në kompetencë të Këshillit Bashkiak, nuk ka të drejtë t’i komandojë njeri tjetër kushdo qoftë ai, por kjo ndodh kur këshilltarët veprojnë me të fryrë në vesh. Një këshill që punon me urdhër nuk është këshill i popullit. Ne themi, që të zgjedhim më të mirët për të na përfaqësuar dhe të mirë janë ata që punojnë me ligjet e shtetit jo me pëshpëshe te veshi. Por, fatkeqësisht këta na qenkan zgjedhur për t’iu kundërvënë popullit sipas porosive që u vijnë nga inatçorët. Jeni të lutur mos e shpërdoroni votën dhe besimin e popullit, se zgjedhjet vijnë sërish dhe do t’u shoqërojë gjithë jetën urrejtja e popullit. Këshilltarët kanë punë me popullin, jo me ata që ngatërrojnë dynjanë. Kjo sëmundje s’duhet lejuar më, se po e krimb pushtetin. Por më e keqja është se këto konflikte ndodhin kur i përkasin të njëjtit subjekt. Megjithatë debatet duhet të vazhdojnë për të nxjerrë vendime të pjekura jo për të përçarë këshillat e bashkive.