Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Më mirë larg shtetit dhe i pasur, se pranë tij dhe i varfër!

Postuar: 14/11/2018 - 07:05

 Shteti, duket se është e kundërta e asaj që thotë kënga për të dashurën. “Më mirë me ty e fukara, se sa pa ty, i pasur”. E kundërta qëndron në atë që “Më mirë larg shtetit dhe i pasur, se sa pranë shtetit dhe i varfër”! Hall me shtet e hall pa shtet, të gjithë e kërkojnë dhe askush nuk e do. Shteti është si puna e “burrit”: Hall me burrë e hall pa burrë, hall të mos martohesh kurrë! Nga njëra anë është më mirë të qëndrosh “beqar” pa shtet ose më mirë ta kemi, por vetëm kur kemi nevojë, në të kundërt, përse ta duam? Kështu kemi “bashkëjetuar” gjithmonë me pushtetet “njerk” dhe të gjithë na kanë lënë fukarenj. Por kjo është një tjetër temë. Ashtu si edhe për burrin, hall ta kesh e hall të mos e kesh... Kur e ke shtetin, të lë fukara, të lë edhe pa martuar me pagën që të jep, kurse kur je “larg” tij, bën pasuri e katandi e jo vetëm martohesh, por dasmën e bën edhe në Katar! “Kemi një jetë që punojmë në shtet burrë e grua dhe kemi mbetur fukarenj”, thotë një punonjëse që nuk është pa shkollë”. “Të na rrojnë krahët”, thotë një tjetër, sepse po të kishim pritur nga shteti, do të mbeteshim fukarenj...”! Kjo “të na rrojnë krahët” duket që nuk ka të bëjë me shtetin në një kohë që edhe shteti do krahë e mendje, do aftësi e reokupacion. Në kontekstin e mësipërm, duket se shprehja: “Të na rrojnë krahët” duket që nënkupton aftësinë për t’i vënë ato në funksion “larg syve dhe larg zemrës” së shtetit! Nuk e di sa janë që punojnë në shtet, por ta zëmë që janë dy apo tre qind mijë. Të gjithë këta marrin një pagë që varion nga tridhjetë mijë që marrin sanitaret, e marr si shembull sepse nuk dua t’u hyj në hak, e deri tek shtatëdhjetë apo tetëdhjetë mijë që marrin drejtorët apo ata më të shkolluarit. Flasim për shumicën e punonjësve të administratës, sepse ka që marrin edhe më shumë e megjithatë, ata janë më të pakënaqur sepse edhe ata nuk mund të vënë pasuri, edhe sikur të marrin njëqind apo njëqind e pesëdhjetë mijë lekë, gjithmonë të reja sepse kjo “lekë të reja e lekë të vjetra” nuk është përcaktuar se kur janë të reja e kur janë të vjetra. Kur shteti të merr taksa, i thotë me të reja, kurse kur të jep pensionin t’i thotë me të vjetra, që të të duken shumë! Por e kemi fjalën për shtetin që të lë fukara. Shumica në shtet janë administratorë të thjeshtë që marrin një pagë që si thonë, “as kanë e as i mbarohen”! Një pakicë janë ata në krye të institucioneve dhe organizmave të shtetit. Këta marrin një pagë të mirë por këtë pagë, këta e kanë të “paluajtshme” sepse fitimet e shumta janë ato që i sjell funksioni, që ju sjell firma dhe vula e tyre.

Të parët që nuk e duan shtetin mbi kokë, janë këta shtetarë të kamur. Nuk janë të gjithë, por edhe pak nuk janë. Sa shtetarë si drejtorë, nëndrejtorë, në institucione, në zyra, në dogana, në tatime, në tendera që bëhen etj., etj., ndëshkohen për abuzime me detyrën, për shpërdorim detyre, për korrupsion, për allishverishe, për vjedhje nëpërmjet tenderave në rrugë e kudo ku investon shteti? Janë shumë!

Në radhën e dytë, ata që nuk e duan shtetin mbi kokë janë biznesmenët, të mëdhenj e të vegjël, të cilët marrin në punë punonjës, por siguracione nuk i paguajnë. Po t’i thuash: “Po sikur t’ua marrin vesh nga organet e shtetit, ata të përgjigjen: “Car shteti more, ke ndonjë llaf tjetër”? Prodhohen pije alkoolike, detergjentë, ushqime të ndryshme false, futen ushqime e barna të skaduara... etj., etj. Pse? Sepse nuk ka shtet, nuk ka kontroll. Po ti thuash: “Nuk keni frikë nga shteti”? Ata të përgjigjen: “Shteti këtu ka mbaruar me kohë”! Kështu edhe ndërtimorët, edhe doganierët, edhe tatimorët, edhe të gjithë ata që fati i ka rënë të jenë si “veshka në mes të dhjamit”! Shteti, me ato “leva” që e kanë detyrë sheh me vigjilencë se ku digjet ndonjë “fije kashte” dhe nuk sheh “flakën” në “trupin e tij! Kush ja ka vënë këtë “flakë”? Vetë shtetarët. Në dogana lejojnë mallra kontrabandë, në tatime marrin një dorë parash dhe shtetin e lënë me “gisht në gojë” në Hipoteka po kështu. Vjedhjet janë galopante nga shtetarët, dallaveret me pronat po ashtu... Kush i bën të gjitha këto që nuk e dëgjojnë çfarë thotë shteti? Nuk janë të paktë titullarët shtetarë që nuk e “ngrysin” funksionin që mbajmë. A mund të thuhet që këta shtetarë e duan shtetin?

Kush janë debitorët më të mëdhenj në shtet? Janë institucionet e tij, deri edhe në pagesën e energjisë elektrike. Sa miliona ka nxjerrë KLSH-ja si shpërdorime nga shteti? Me miliona! Funksionarët e lartë ndëshkohen, aq sa ndëshkohen për “shpërdorim detyre” sepse punonjësi i thjeshtë nuk ka detyrë që ta “shpërdorojë”, por edhe nuk ka as të japi e as nuk i jep kush që të ndëshkohet për korrupsion. Ai i bën “hyzmet” vetëm shtetit dhe me aq sa merr thotë: “Edhe kaq sa marrin të na rrojë shteti” megjithëse me një rrogë shteti nuk mund të “qullosësh” asgjë, e nuk të dalin as për të blerë ilaçet e muajit. Po të të bjerë ndonjë hall shëndeti e mos e dhëntë zoti të bësh ndonjë “rezonancë magnetike”, në spitalin e shtetit bëji “derman kokës! Barnat shteti nuk i rimburson, operacionet apo vizitat që bëjnë pacientët i paguajnë si “frëngu pulën”! Përse shteti mban tërë atë personel në spitalet shtetërore përderisa spitalet private janë edhe më “qarta”, edhe më cilësorë, por edhe shërbejnë më me kulturë. Pacienti paguan që paguan si në spitalin shtetëror, edhe në atë privat, por, të paktën privatët nuk e “hedhin” pacientin “rifuxhio” në korridoret e spitalit siç e hedhin shtetarët! Sikur një i ndershëm të zbatojë ato që thotë shteti: “Mos vidh”, “Zbato ligjet dhe rregullat”, “Mos shpërdoro detyrën”, “Mos bëj kontrabandë”, “Kryej detyrën me përgjegjësi” etj., etj., do të mbetej fukara! Po të bënte të kundërtën e këtyre do të bëhej i pasur, do të bëhej me vila e makina luksoze. Po t’i shtosh armatës së fukarenjve të shtetit edhe ata gjashtëqind mijë pensionistë, mijëra që jetojnë me një asistencë qesharake, t’i shtosh edhe para e tetraplegjikë, bëhet një numër shumë i madh që e kërkojnë shtetin që të marrin më shumë. Po këta, kur i thua që mos bëni ndërtime aty ku nuk lejohet sepse do të përmbyteni nga Lumi, ata thonë: “Ku ka shtet këtu more”! Kur përmbyten, kërkojnë shtetin: “Ku është shteti të na japi dëmshpërblimet? Ah “i ziu” shtet, që bie në hall! Ata që kanë para, nuk i japin taksa, ata që janë fukarenj që përbëjnë më shumë se nëntëdhjetë përqind të popullsisë, thonë: “Ku është shteti”? Vetëm këta, shteti i ka “nën zap” dhe u rrit taksat!

Do t’i lëmë mënjanë të gjitha sa thuheshin për shtetin nga teoria leniniste e shekullit të kaluar si “dajak” apo “armë” në duart e shumicës për të shtypur pakicën apo e kundërta. Këto janë p.. me rigon! Shteti sot në demokraci është “rregullator”, “menaxher” apo “sehirxhi”, quajeni si të doni, por ai duhet të bëjë atë që nuk e bën dot qytetari, si psh të sigurojë mbrojtjen e vendit, të sigurojë jetën e qytetarëve, etj., etj. Dje në diktaturë, dyert e shtëpive ishin prej një tallashi të presarur që jo me grusht t’i bije, por edhe me gishtin e vogël po ta shtyje, hapej! E megjithatë, askujt vjedhësi apo keqbërësi nuk ja mbante të hynte sepse e dinte se ç’e gjente! Sot në demokraci, megjithëse dyert janë të blinduara, megjithëse dyfekët, bombat, thikat edhe tritolin e mbajnë tek koka, përsëri, flenë me frikë! Përse? Dje, nuk ja mbante nga shteti ashtu si ai ishte, diktator por ishte më i “mirë” nga ky i sotmi që nuk duket gjëkundi, e për pasojë qytetarëve u vjedhin shtëpitë, vjedhin bankat, vjedhin makinat e blinduara me para, vjedhin biznese! Pse? Sepse nuk ka shtet”! Edhe shtetit i “kanë mbirë qepët nga fletët” por edhe qytetarëve, shteti i është bërë “ferrë nëpër këmbë”! Të tërë e kërkojnë, të tërë presin nga ai, të tërë i fshihen kur është puna për të paguar taksat. Po të dëgjosh edhe opozitarët që për ç’do taksë gjithë ditën bërtasin “Shtet hajdut”, “Shtet kriminel”, “Shtet trafikant” merret me mend se ç’heq shteti! Kur bizneset falimentojnë, bërtasin: “Ku është shteti”? Kur ato ecin mirë dhe fitojnë, i fshihen shtetit për të mos paguar taksa dhe janë këta që bërtasin si në kohën e tanzimatit: “Nizam e xhelepe s’ka, është vendi fukara”!

Hall me shtet e hall pa shtet, hall të mos kesh shtet kurrë! 

Nga Pandeli BARDHI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.