BREAKING NEWS

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet për tritol

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet
x

Opinion / Editorial

Më në fund një rotacion normal kryeprokurorësh

Më në fund një rotacion normal kryeprokurorësh

Në këto tri dekada që pas përmbysjes së sistemit komunist, për herë të parë ndodh një rokadë normale e kryeprokurorëve në Shqipëri. Ish-Kryeprokurorja, Arta Marku prej dy vitesh në detyrë, pasi ngjiti shkallët për në sallën e mbledhjeve të institucionit, u shpreh nën emocion me fjalë prekëse, të matura dhe të drejtpeshuara për pasardhësin e saj, ish-shokun e shkollës Elsion Çela, i cili vetëm një ditë më parë u zgjodh Kryeprokuror me 101 vota nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo përzgjedhje përbën një risi dhe është edhe një nga epërsitë dhe sinjalet më sinjifikative të reformës në drejtësi, që duket se po fut në hulli normale, si zgjedhjen edhe kontrollin, vetingun dhe emërimet në sistemin e drejtësisë, i cili ka vuajtur nga subjektivizmi, politika, abuzivizmi dhe falsiteti ekstrem. Deri sot emërimet dhe zgjedhja e prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjitha shkallët e prokurorisë dhe gjykatave është bërë subjektivisht. I sponsorizuar tërësisht nga politika dhe interesi i liderëve fuqiplotë. Të zgjedhurit dhe të emëruarit në këtë mënyrë difektoze, kuptohet se kanë prodhuar edhe një produkt me skadencë që ditën e parë. Mjafton që t`i mbushej mendja, Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë udhëhequr nga presidenti i vendit të radhës dhe menjëherë të katapultohej në majë të piramidës së drejtësisë si i parapëlqyeri i tij.

Sponsorë të kësaj përzgjedhje në dhjetëra raste kanë qenë jo vetëm politikanët edhe ata që sot emërtohen sot si oligarkë të cilët në njëmijë mënyra investoheshin për individë që u shërbenin bizneseve të tyre në mbylljen e problemeve apo në perspektivë për t’i mbrojtur nga goditja e ligjit. Po violinë e parë në tërë këto zgjedhje kanë qenë politikanët. Gjyqtarë e prokurorë zor se kapërcenin ylberin pa dëshirën dhe pëlqimin e Berishës, Mejdanit, Nishanit dhe i fundit në radhë presidentit aktual Ilir Meta. Po nëse zgjidhja e tyre ishte një dëshirë presidenciale gati symbyllur dhe inspirohej nga shumë figura të tjera të politikës, kryesisht nga mazhorancat e radhës, trajtimi i tyre ishte ekskluzivitet i politikës. Për këtë nuk ka nevojë të bëhet asnjë analizë e hollësishme, të studiosh, të shfletosh dosje e sivi apo t’u drejtohesh arkivave. Mjafton të përcjellësh vetëm mënyrën si janë trajtuar prokurorët e përgjithshëm gjatë detyrës dhe e kupton menjëherë se sa të gjata i ka pasur tentakulat politika mbi ta. Si ka komanduar akuzat e rënda për secilin. Si janë denigruar dhe anatemuar, përgojuar e akuzuar ata që vet i kishin sponsorizuar sapo nuk i kanë dëgjuar. Si u janë rezervuar opinionet dhe sharjet seriale gjatë tërë periudhës që ata kanë qenë në detyrë si kryeprokurorë. Asnjëri për fat të keq nuk ka bërë kryeprokurorin. Me përjashtime shumë të rralla. Nga momenti kur një nga ata ka dashur të zbatojë një ligj, të marrë një vendim jashtë influencave politike, sapo ka prekur dikë në pushtet menjëherë ndaj tij janë drejtuar shigjetat vdekjeprurëse. Kolltuku i tyre ishte instaluar mbi mina shpërthyese. Në përfundim, Kryeprokurori është larguar nga detyra me përdhunë pas një stuhie sulmesh dhe fyerjesh dhe gjyqi politik deri në jetën e tyre private. Fat i tillë iu rezervua dhe provoi ish-Kryeprokurori, Maks Haxhia. U hodh në rrugë vetëm se tentoi të bëjë Kryeprokurorin pa marrë dorën e politikës. Po kjo herezi i kushtoi postin. Dhe mos të harrojmë se një qëndrim i tillë ekstrem u mbajt ndaj një prokurori i cili ka në biografinë e tij përvojë brilante e një personalitet të spikatur dhe formim të përgjithshëm e profesional ekselent. Këtë e ka dëshmuar gjatë tërë këtyre viteve sapo zbriti për herë të fundit shkallaret e prokurorisë dhe ushtroi profesionin e avokatit. Po nuk është i vetmi. Të njëjtin fat, shporrje me dhunë nga detyra me akuza e batare balte pafund, pësoi edhe Theodhori Sollaku, i cili u përzu se kështu deshi politika e të mëdhenjve. Ina Rama ose “Silvia Konti” siç e etiketoi Sali Berisha në momentin e zgjedhjes, e pësoi edhe më keq. Vetëm se guxoi të vërë para drejtësisë organizatorët dhe urdhëruesit që qëlluan mbi turmat e protestuesve dhe vranë me armët që i kanë në duar për të mbrojtur popullin, katër të pafajshëm. Pikërisht nga qëndrimi që mbajti kjo “Silvia Konti” mori mbi vete tërë mllefin e ish-kryeministrit Sali Berisha. U etiketua me fjalët më fyese, u akuza si puçiste dhe u fye shumë rëndë nga ata që duhet t`i dilnin në mbështetje dhe ta inkurajonin për të bërë detyrën. Fatet e kryeprokurorëve në këto tri dekada janë si të nëmurit e politikës. Vetëm Adriatik Llalla u mor në mbrojtje. Po ai ishte i preferuari i presidentit dhe kishte themele të qëndrueshme pasi veç prokuror bënte edhe fermerin. E parafundit, Kryeprokurorja Arta Marku u zgjodh në një seancë parlamentare, ku nuk u kursyen, jo vetëm fyerjet dhe akuzat, po deri edhe molotovët e tymueset, shishet e topat e letrave të lagura, duke e shndërruar sallën e demokracisë në fushëbetejë përleshjesh. Sikur atje të betohej kryekriminelja e Shqipërisë dhe jo Kryeprokurorja e Republikës të Shqipërisë, që do jepte drejtësi dhe do mbronte ligjin. Nën breshërinë e akuzave dhe molotovëve e mbrojtur nga një çadër, sikur mbi të të binin asteroidet nga qielli i opozitës nuk u la të ngjitej edhe në podium. Zonja Marku nisi një rrugëtim të minuar dhe të paragjykuar thellësisht nga politika. Ndaj saj nuk u kursye asgjë. E shanë. E anatemuan. E dërmuan me gjithë ç`kishin ndër duar. E akuzuan se ishte prokurore politike. E përzgjedhur dhe e sponsorizuar nga Edi Rama. U thirr prej tij për të mbrojtur Tahirin dhe mos hapur dosjet e rënda të krimit. E anatemuan. E denigruan deri në palcë. Po Arta Marku përballoi një sfidë të vërtetë. Me profesionalizëm dhe ndershmëri ia doli që të luftonte për dy vjet, jo vetëm si Kryeprokurore, po edhe si kryegladiatore e imponuar nga sjellja jashtë çdo parametri njerëzor e etike të një lidershipi politik që lufton me drejtësinë sikur ka përball shkatërrues të saj. Pasi tri dekadave në kulmin e reformës në drejtësi në një kohë kur udhëheq një mazhorancë që së paku respekton ndarjen e pushteteve, Kuvendi i Shqipërisë në një seancë normale, dinjitoze, zgjodhi zotin Çela, Prokuror të Përgjithshëm. Zgjedhja e tij u bë pas renditjes në vend të parë me më shumë pikë nga KED. Nuk hyjmë në labirintet e politikës nëse në mazhorancë do ishin ata që sot bëjnë opozitën rrugore. Po nëse do ta mendonim për një sekondë sikur të ishin ata në qeveri si do të organizoheshin prapaskenat dhe do bëheshin marifetet për të kurorëzuar në fund atë që parapëlqente politika. Shumë iluzione pati edhe në prag të zgjedhjes së Kryeprokurorit Çela. Jo të pakta ishin insinuatat se mazhoranca do kapërcente renditjen sipas shembullit të dhënë nga Meta dhe të zgjidhte të parapëlqyerën e vet, zonjën Marku. Po nuk ndodhi kështu. Parlamenti veproi me logjikën e ligjit dhe kërkesat e reformës në drejtësi. Askush nuk u imponua për një kandidaturë të sponsorizuar politikisht. Kjo është një arritje e shkëlqyer e reformës në drejtësi, po edhe një maturi e Kuvendit që dha shenjat e një sjelljeje normale dhe të përgjegjshme. Për herë të parë në historinë post-sistemit komunist, shqiptarët panë me sy se si bëhet një rotacion normal edhe në kreun e prokurorisë. Një rotacion i munguar dhe i papërfytyruar deri sot. Nuk është se u bë ndonjë çudi. Po çudia e vërtetë është pasi në vendin tonë nuk janë mësuar me një rokadë normale që paraardhësi dhe pasardhësi nuk shpallin njëri-tjetrin armik, nuk i shtrëngojnë dhëmbët e nuk i tregojnë muskujt atij që vjen në atë kolltuk. Më shumë se cilësitë e Kryeprokurorit të ri, për të cilin duam të jetë në lartësinë e detyrës dhe garant i Kushtetutës dhe ligjit, si një Kryeprokuror që do zbatojë ligjin për të gjithë dhe nuk do bëhen viktima vetëm të vobektit më në fund, Shqipëria ia mbërriti të bëjë një rotacion normal, etik, moral, ligjor dhe të zgjedhë në rrugë institucionale një Kryeprokuror për meritë, jo nga politika, të vlerësuar nga specialistë dhe jo një vegël që t`i shërbejë politikanëve. Kjo është e para herë që ndodh në këto tri dekada. Në të ardhmen, sigurisht, kjo do duket vetëm një rutinë proceduriale. Po, pas kësaj zgjedhjeje, veç!

Nga Bardhyl BEJKO