Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Më shënoni edhe mua për vetting

Postuar: 09/09/2018 - 07:41

Fjala vetting prej dy vitesh është bërë si ajri, uji, buka, toka, dita, nata, na duket si motra. vëllai, vajza djali. Shkurt, nuk ka sekondë të mos dëgjojmë fjalën magjike e çudibërëse. Për vettingun flasin politikanët. Biznesmenët. Gjyqtarët i ka mbërthyer makthi i kësaj fjale magjike. Biem të flemë e zgjohemi me këtë fjalë në gojë. Fermerët e kanë shkruar ndër sera. Biznesmenët, në thasët e miellit që importojnë po që në fund iu dalin me mungesa të proteinave dhe pa dokumenta të origjinës nga është blerë. E ka kapërcyer fjalën parti. Emrin lider. Militant. Është bërë kryefjala e ditës dhe vitit. Është top fjala e shqipes. Detyrimisht kaq shpesh sa flitet për të edhe kuptimi logjik ka humbur dhe gati po zhvlerësohet si kuptim leksikor. Do duhen ditë e net të gjata të citohen tërë ata që e lakojnë, citojnë e sqarojnë dhe përpiqen të gjejnë rrënjët e kësaj fjale që edhe pse nuk buron nga shqipja jonë është shqiptarizuar sa ka zënë kreun e fjalorit. Ka fituar titullin kampion. Kaq deri tani që kanë kaluar vetëm dy vjet, po deri në fund sa të përfundojë tërë sitja e strukturave të shoqërisë nga drejtësia te politika, deri te policia e më pas letërsia e administrata, romanet e poezitë siç përflitet nga grupe të ndryshme interesi për të shkuar tek mësuesit, mjekët e deri në poret më të imta të shoqërisë, deri ku do arrijë limiti i citimit të kësaj fjale që gjendet brenda nesh në dejet tona si oksigjeni në gjak, lëkurë, nën lëkurë, stomak, bark, zorrë e qelizat milionëshe të trupit tonë?

Për të llogaritur përdorimin e fjalës vetting nuk do hynin në punë kompiuterat e kohës së sotme. Do duheshin teknologji më të sofistikuar, më moderne. Pa këtë fjalë shpresëdhënëse e çudibërëse nuk ka kuptim dhe vetë jeta jonë. Pa të, asgjë nuk është më e plotë. Të gjithë ndihemi bosh, pa ekuilibër nëse nuk e përmendim të paktën një mijë herë në ditë dhe në disa ditë të veçanta edhe dhjetë mijë. Se për të nuk ka kufij. Biem të flemë, zgjohemi dhe në vend të çarçafëve na duket se jemi mbuluar me vettingun. Në vend të dysheqeve si të shtrihemi mbi të. Kokën nuk e vendosim më në jastëk pambuku, po mbi vetting. E kështu kudo. Ulemi dhe bëhemi njësh me magjiken e famshëm, vettingun. Duhemi, shahemi, pajtohemi, servilosemi, hakërrehemi, përzihemi, qetësohemi. Mërzitemi. Edhe pse shumëpërdorimi i fjalës i humb brendinë e bën gati të paqenë e të padukshëm, i humbet kuptimin dhe i zbeh logjikën ne nuk i ndahemi kësaj fjale që është bërë sinonim i jetës tonë. Pasi kemi dy vjet që ulemi e ngrihemi me vettingun në radhët e drejtësisë, shikojmë se si kalojnë para togave të zeza, burra të rëndë e gra të papërkulura deri dje, juristë të të gjithë shkalleve të gjyqësorit që i kanë parë deri sot qytetarët përballë si individë që kanë pritur drejtësi, për herë të parë i njohëm në një kënd ndryshe. Ata që kurrë nuk i ishin rrëfyer askujt. Gjyqtarët e prokurorët më në fund zbritën në tokë, u bënë tokësorë e njerëzorë dhe nuk mbahen më si qiellorë. Dhe pikërisht këta gjyqtarë iu nënshtruan vettingut. Shumë prej tyre u zbuluan tërësisht nga bëmat që kanë bërë. Shumë prej tyre dorëzuan pelerinat e rënda dhe zbritën nga podiumet për t’u gjykuar si individë të zakonshëm. Për herë të parë mbetën të shenjestruar pasi në jetën e tyre profesionale dolën me plagë të rënda në trup dhe nuk u dalin llogaritë për shtëpitë e bankat, ku kanë depozituar para kesh. Nuk sqarojnë dot hipotekat për trojet e pyjet, ullishtat e gjithçka që kanë fituar në emër të profesionit. Në emër të faktit se kanë fituar të drejtën për të gjykuar e dhënë drejtësi, po që është konvertuar për shumë prej tyre në pasuri. Në betejën për të kaluar vettingun, gjyqtarët e prokurorët, çfarë nuk na kanë parë sytë?! Burra hijerëndë, që nuk dinin pse e kishin tërë atë pasuri. Që nuk sqaronin mënyrën e vendosjes së saj. Që pasuritë i kanë dhuratë prej të afërmve bamirës e emigrantëve që nga Amerika deri në Australi. Që ata kanë qenë më fatlumët, që vetëm u kanë dhuruar dhe asnjëherë nuk kanë dhënë asnjë qindarkë për të afërmit pasi kanë qenë në anën e atyre që vetëm kanë fituar dhe asnjëherë nuk kanë humbur. Kemi parë se si kanë bërë pelivanin dhe me marifete e alibi janë munduar të justifikojnë pasurinë që kanë fituar. Asnjëri nuk ka fituar duke punuar, po vetëm se u është dhuruar. Po kështu kemi mësuar sa pak llogari kanë bërë për të argumentuar parat e pasurinë e fituar edhe për atë që kanë deklaruar. Juristë që në punën e tyre u është dashur të llogarisnin deri dhe qindarkën për ata që kanë gjykuar për vete nuk kanë bërë dot llogaritë e milionave. Arsyeja dihet. E kanë menduar veten të paprekshëm. Që nuk do kishte kurrë një burrë mbi të merrej me pasuritë e jetën e tyre. Po ja që erdhi një ditë dhe për ta pati një sitë, e cila pasi i shoshiti, ca i kaloi e ca i mbyti.

Po në rrugëtimin e gjatë të gjykimit të personalitetit e pasurisë, të dinjitetit dhe moralit, të njerëzve të drejtësisë, u panë shumë pelivanë nga politika se si mbrojtën me thonj e dhëmbë, gjyqtarë e prokurorë që u kanë shërbyer ndër vite. Dhe ndaj kanë ngritur me qindra prita e kanë bërë dhjetra kulisa për t`i shpëtuar nga shoshitja. Liderë politikë, burra dhe gra, kanë ndërmarrë aksione e kanë bërë debate me ambasadorë e përfaqësues shtetesh për të mbrojtur në organet e drejtësisë, jo ata që e meritojnë se për ta nuk kanë asnjë nevojë. Po pikërisht ata gjyqtarë që nuk kanë dhënë drejtësi, po kanë zbatuar urdhëra dhe porosi. Ndaj edhe sot pas kaq muajsh nuk ka KLGJ, KPK, SPAK e organe të tjera që kërkon reforma në drejtësi. Dhe e gjitha kjo se ka individë, liderë e parti që i duan këta gjyqtarë të mbeten në sistem si monumente të gjallë.

Tërë këto muaj kemi parë se si Basha, Kryemadhi, Berisha, Salianji, Alibeaj, Bylikbashi, Shehi, Balla, Ermonela e dhjetra analistë e opinionistë të bëjnë kërdinë për të mbajtur fort në sqetull drejtësinë. Kur ende puna me vettingun në drejtësi është e papërfunduar, lideri i PD-së, Lulzim Basha pa u pastruar ahuri i drejtësisë kërkon vetting në politikë. Platforma e prezantuar nga Elbasani është vërtetë për t’u përshëndetur. Tek e fundit ne qytetarët jemi të etur për një politikë të pastër dhe politikanë të ndershëm. Të largohen nga skena politike të gjithë ata që kanë bërë mbi këtë popull shumë hatara. Dhe për këtë inisiativë, unë qytetari Bardhyl në skaj të Shqipërisë, sapo dëgjova, edhe pse nuk i përkas politikës nuk mund të heshtja. Ndaj që në minutën e parë një lutje i bëra zotit Basha: Vetting edhe për mua një orë e më parë. Dua katarsis. Të më skanohet pasuria. Të më llogariten hotelet, motelet, bankat, llogaritë se nuk mund të na lini mënjanë dhe të tregoheni i pashpirt. Mbështes platformën “Basha”. Më në fund të gjithë në vetting. Do shohim se si do mbeten ca mbi e shumë nën sitë. Do parakalojnë politikanët tanë, ata që për vite me radhë kanë drejtuar Shqipërinë. Dhe skaneri besoj nuk do kursejë të nxjerrë në sipërfaqe tërë ato bëma të politikanëve shqiptarë, që e kanë marrë këtë vend vetëm zvarrë. E do hapet llogaria. Do zbulohet fshehtësia. Është rasti për të parë sa të varfër janë këta politikanët tanë që të vetmin biznes në jetë kanë pasur qenien në parti. Do shohim si u shtua pasuria. Si u blenë vila. Si u ndërtuan pallate. Se me cilin shkojnë në vakanca. Cilët janë miqtë e tyre dhe a kanë flirte me ata që janë përgojuar për trafik. Ata që kanë blerë pasuri dhe janë bërë milionerë nga hiçi. Më në fund në pasqyrë do shikojmë tërë politikanët tanë nga e djathta ekstreme- tek komunistët. Cilët kanë bërë më shumë pasuri dhe si? Kush janë të ndershmit e cilët me cene në biografi? Si i rritën kapitalet disa dhe si ndërtuan resorte të tjerët? Si u ngjitën në krye të piramidës shtetërore, edhe pse vetëm me fillore. Do shikojmë goxha burra shteti që i kemi njohur fillimisht tek sheshi. I kemi parë kur bashkonin zërat me ne të tjerët për një Shqipëri si gjithë Europa. Ata që udhëtonin me ne në rrugët me gropa. Pastaj do njohim shumë biografi se si një bari u bë ministër për bujqësi. Dhe si një infermier u bë kolonel. Do dëgjojmë e mësojmë shumë histori. Ndaj zoti Basha, vettingu në politikë mirë se të vijë. Po nuk e dimë cili do jetë fillimi. Aq më pak nuk njohim nga do fillojë seleksionimi. Nga ata që u ngritën si gjithë të tjerët dhe kishin nga një pardesy, apo nga ata që zbritën nga mali? Sidoqoftë, vettingu në politikë sa më shpejt të vijë. E rëndësishme është që të mos i shmanget asnjëri. Po duke parë ato që kanë ngjarë me drejtësinë të gjithë tanimë e dimë se ku do kalojë politika dhe cilët do përjetojnë gëzimin e cilët do i mbështjellë frika. Po frika është e madhe se vetë inisiatori i vettingut, pasi të shikojë se kush e rrethon dhe të dëgjojë bamët e tij, ka mundësi se do mallkojë atë që vetë programoi. Dhe në ditët që vijnë, do shikojmë se si do retushojë atë që vetë pohoi. Bile pa kaluar asnjë ditë dëgjuam se si e parashikon Basha vettingun në politikë. Jo për ata që janë vënë para drejtësisë për vjedhje të mëdha. Jo për miliona. Kurrsesi për vrasje në bulevard. Asnjëherë për ata që kanë vjedhur apo kanë miqësi me kriminelët. Që kanë qindra fotografi me trafikantët. Jo, thotë Basha, nuk është fjala për familjarët e të afërmit. Për djemtë e hallës e kunetërit. Nuk bëhet gjueti shtrigash. Duam vetëm vetting për politikanët. Me fjalë të tjera, një eksperiment që të mbetet gjithçka në epruvetë. Jo në sytë e qytetarëve, as në shesh të mejdanit. Po në skuta e fshehtësi. Të mungojë transparenca. Të mbytet besimi. Kthesën e parë e mori Basha. Sinjali e dha. Në shtyp, në analiza, në podiume u mbyt. E ka me Berishën, nxituan të thërrasin analistët. E ka me kundërshtarët politikë. E ka me ata që i konsideron armiq. Dhe në këtë trusni u kthye timoni. Vettingu është vetëm për politikë, më dëgjoni. Për të gjithë, apo kundërshtarët?! Kurrsesi për ata që na kanë drejtuar në këto tri dekada.

Kur dëgjuam platformën “Basha” për veting në politikë të gjithë u gëzuam nga një çikë. Ndaj, nga ai i drejtuam sytë. Dhe e besuam se e kishte seriozisht dhe jo sa për politikë. Ndaj edhe ne qytetarët e zakonshëm, unë miku im gazetar Pandeliu në Tiranë, Besi shkodran, Kliti në redaksi, të gjithë ne qytetarët e zakonshëm të këtij vendi iu drejtuam me një lutje rrufe. Për vettingun na shënoni dhe mos na kurseni edhe ne! Po ky vettingu më i ri i ka ca problematika. Ka propagandën brenda dhe ndarjen si me thika. Nuk e dimë si do zgjidhet kryetari i vettingut në politikë? Mos vallë, ai që ka mbi shpinë bëma të mëdha, apo ai që ka miliona? Si do përcaktohen kufijtë për atë që do largohet nga politika? Do merret për bazë ajo që ka shkruar apo çka performuar? Do hapen llogaritë bankare? Do gjurmohet pasuria në çdo shtet apo thjesht ato që ka në xhep? Ja u zgjodh edhe kryetari, po më tej? Cili do jetë antari? Po këshilltari? Po vendimmarrësi? A do gjejmë në politikë individë që dora të mos iu ketë zënë miliona dhe që t’ua lëmë në duar fatet tona? Se sa shikojmë e dëgjojmë deri tani tërë politikanët, duket sikur janë si ai shkopi që ka rënë në pusin e baltës dhe askush nuk mundet të kapë pa u bërë me baltë. A do jetë vettingu për politikanët vetëm në njërën anë ashtu siç u projektua dekriminalizimi, apo do vërë para përgjegjësisë tërë politikën? Do ketë transparencë, apo sa t`iu vërë frikën disave? Nëse Basha e ka seriozisht dhe jo për propagandë, atëherë të mos shikojë as majtas as djathtas. Të gjithë politikën në vetting dhe politikanët të skanohen për t’i parë një ditë se kush janë ata që mburren e na shajnë. Ndaj sot, edhe unë i bashkohem Bashas për vetting. Që i ndershmi të mos konvertohet në horr. Vetting për mua. Vetting për ty. Për liderë në opozitë. Në qeveri. Për ministra. Për deputetë. Për ata që jetojnë me qindarka dhe ata që numërojnë milionat në kuletë...

Nga Bardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 2. Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës, ndonëse ai ka lindur në Filat të Çamerisë, një ndër qendrat kryesore patriotike e kulturore të trevave të Jugut.

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët ësht

Postuar: 23/09/2018 - 07:38

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 23/09/2018 - 07:37

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 22/09/2018 - 07:24

Pozita dhe lidershipi i saj, akuzon opozitën për pengesë në reformën e drejtësisë dhe sidomos dy

Postuar: 22/09/2018 - 07:22

Para çdo palë zgjedhjeje, në Shqipëri, klasa politike as nuk ia ka idenë te premtimet ndaj zgjedh

Postuar: 22/09/2018 - 07:19

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tj