BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Më shumë se tradhti ndaj interesave kombëtare...

Më shumë se tradhti ndaj interesave kombëtare...

...Është akti i fundit i kontrollorëve të hapësirës ajrore të të vetmit aeroport ndërkombëtar, siç është aeroporti “Nënë Tereza”! “Armiqtë e Shqipërisë, janë shqiptarët, jo të tjerë”, thotë Faik Konica. Këtë radhë “armiqtë” e saj e hoqën fare “maskën”, jo atë të infeksionit “anticovid”, por të një infeksioni më të rrezikshëm, siç është ai i urrejtjes, për të treguar që jo vetëm partinë, jo vetëm njëri-tjetrin, jo vetëm shtetarët që nuk i duam, por nuk duam as njëri-tjetrin. Është e pamundur që armiqtë të veprojnë të vetmuar apo rastësisht, përkundrazi, ata veprojnë gjithmonë në unison me njëri-tjetrin dhe sipas një skenari të paracaktuar. Bllokimi i fundit i aeroportit nga gjashtëdhjetë apo tetëdhjetë sabotatorë dhe më tej akoma tradhtarë të interesave kombëtare, këtë e tregoi. Kjo, është e kapshme, e dukshme, e prekshme, për vetë kohën kur u zgjodh që siç do tregojë koha më vonë, janë shumë më të thella arsyet e vërteta, duke i qëndruar asaj që asgjë tjetër nuk mund ta justifikojë përveç asaj për të dëmtuar interesat kombëtare, pikërisht në këtë moment të një emergjence kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndodhemi në fushatë parazgjedhore, në një fushatë që është tejet e egër mes forcave politike, në një fushatë kur të gjithë “aktorët” e politikës i tregojnë “muskujt” njëri-tjetrit për të marrë pushtetin me çdo mjet e me çdo çmim. Taktikat që ndjekin për këtë qëllim strategjik janë të qarta, por që këto të arrinin deri atje sa të bllokonin edhe fluturimet e avionëve, apo si ta themi ndryshe të bllokonin edhe “frymëmarrjen” e Shqipërisë, për të mos marrë “oksigjenin” e domosdoshëm nga jashtë, kjo nuk mund të imagjinohej. Dëshmi më e qartë që shumë shqiptarë, jo ata që janë aktorët e dukshëm, por ata që qëndrojnë nga mbrapa “perdes”, që janë mësuesit e këtij skandali, nuk mund të gjesh. Është e njohur tashmë që në rast agresioni të një shteti kundër një shteti tjetër sovran, së pari do të synohet pushtimi i aerodromeve dhe porteve për të bërë të mundur izolimin e ndihmave nga jashtë. Nga ky grup puçistësh, për vetë numrin e kufizuar si “burra të zgjedhur” dhe që “kanë në dorë” shumë për të bërë zgjodhën bllokimin e fluturimeve. Do të dëgjojmë në të ardhmen shumë politikanë të forcave të ndryshme politike, do të dëgjojmë analistë të tipit Bushat apo Lubonja, do të dëgjojmë media “të pavarura” që do të zhurmojnë, por mbeten disa të vërteta. Së pari a u lejohet punonjësve që punojnë në objekte të rëndësisë së veçsantë të bëjnë grevë? Me ligj, kjo nuk u lejohet. Së dyti, a ishin paralajmëruar më parë organet shtetërore për këtë grevë? E vërteta është që nuk kishin paralajmëruar. Së treti, a mund të bëhet grevë në bllok e të arrihet deri atje sa që jo një sektor, por i gjithë trafiku ajror ndërkombëtar të pezullohet duke shkaktuar një kaos të paparë në këtë situatë kaq emergjente siç është situata në të cilën ndodhemi? Ka edhe shumë të tjera, por edhe këto, janë të mjaftueshme për të vepruar pa hezitim në bazë të ligjit. Në fillim ky akt i paprecedentë u paraqit si grevë për shkak të uljes së pagave, më pas u paraqit si “paaftësi” dhe për shkak “të stresit” në punën e tyre etj. etj. Të gjitha këto, nuk janë shkaqe, por sebepe. Ja të marrim atë të “paaftësisë” të disa punonjësve. A kishte kush prej tyre ndonjë dëshmi të tillë nga autoritetet mjekësore? Askush! Edhe në qoftë se do ta marrim këtë si një të vërtetë, si është e mundur që gjashtëdhjetë e pesë, bien në pozitat e këtyre tre apo katër të paaftëve? As më shumë e as më pak, shumica bie në pozitat e disa gjoja të paaftëve për të bllokuar trafikun ajror, për t’u bërë “varrin” shqiptarëve dhe Shqipërisë me aq mundësi sa kanë “në dorë” sepse po të kishin më shumë, edhe më shumë do të kishin bërë! Është e hershme kjo që në situata të veçanta, mbi Shqipërinë vendosen partitë, të cilat, pak e nga pak punojnë “me durim” se si të përçajnë, të urrejnë, të mashtrojnë. Të marrim atë të uljes së pagave. Në të gjithë botën vërehet një fenomen i tillë për shkak të pandemisë. Nuk mund të themi që ata marrin shumë tre apo katër mijë dollarë në muaj, sepse, në fund të fundit është specifika e punës së tyre që njëri prej tyre merr aq sa marrin dhjetë apo njëzetë pensionistë që kanë luftuar apo që kanë punuar në sektorë më të vështirë siç janë punonjësit e nëntokës. Edhe kjo vërteton atë që e keqja më e madhe, nuk janë ata që nuk ngopin barkun me bukë, por ata që kanë dhe nuk dinë sa kanë dhe ku i kanë. E keqja më e madhe nuk është ajo që ky shtet dhe jo vetëm ky që është sot, por të gjithë që kanë ardhur e kanë ikur, nuk është në gjendje të ndihmojë të varfrit, por nuk është në gjendje të ngopi të pasurit. Së pari ky fenomen, nuk vjen nga këta punonjës kontrollorë të hapësirës ajrore, por vjen nga “koka”, atje ku është qelbur me kohë “peshku” dhe kjo “erë e qelbur” zbret deri poshtë në “bishtin” e punonjësve të çfarëdoshëm. Krerët e kësaj politike ta quajmë, kërkojnë të ruajnë ato pasuri që kanë rrëmbyer me pa të drejtë dhe për këtë përdorin “mercenarët” e tyre për të shkaktuar trazira që pavarësisht asaj që dëmtojnë Shqipërinë, ruajnë privilegjet e tyre... Të vijmë tek punonjësit në fjalë. Në qoftë se këta punonjës kanë paralajmëruar më parë shtetin e tyre që për shkak të uljes së pagës do të arrinin deri atje sa të bllokonin trafikun ajror atëherë është faji i shtetit, i cili kursen në “thërrime” dhe harxhon pa “doganë” në krunde! Ka edhe shumë defekte të tjera ky shtet, të cilit i ka humbur vigjilenca veçanërisht në sektorët jetikë ata që me veprimet apo me mosveprimet e shtetit, shkaktojnë pasoja të rënda, si në rastin konkret. Një gjë e tillë, shtetit as që i kishte shkuar ndërmend fare, duke i njohur mirë kundërshtarët e tij, e aq më tepër në këtë periudhë kur ata janë tepër vigjilentë dhe të gatshëm të godasin atje ku shtetit “nuk ia pret” dhe të zihet “gafil” si në rastin konkret! Që shqiptarët janë e keqja e vetvetes edhe kjo dihet, e cila është treguar edhe në raste të tjera. Kemi një mentalitet që vjen nga thellësia që ne, nuk shkojmë pas ligjit, por shkojmë pas prijësve dhe hera herës, marrim edhe “ngjyrat” e tyre. Kështu i ka vajtur Shqipërisë me krerët që ka vendosur në krye të shtetit në këta tridhjetë vjet. Herë është gjendur në krye të shtetit një i marrë dhe i bëri shumicën të “marrosur” duke i ndarë në miq e armiq të papajtueshëm, apo duke i mësuar se si të “shullëhen” e të marrin para me firma piramidale. Më pas vjen një tjetër, qejfli kazinosh dhe lojërash kompjuterike, një ahengxhi, që e mbushi vendin me kazino dhe llotosporte. Më pas vjen një piktor që mburret me “plakën” Shqipëri duke e paraqitur si të “rilindur” në moshë vetëm se ia ka lyer buzët me të kuq! Në zgjedhjet që kemi përpara, pretendon që të vijë një që asnjëherë nuk e ka “lidhur mirë gomarin” dhe kërkon të bëjë eksperimentin e radhës me Shqipërinë. Ky, që pretendon të vijë në pushtet, gjithmonë ka qënë humbës, por këtë radhë kërkon të justifikojë humbjet e tij, por absolutisht që mendon t’i bëjë mirë Shqipërisë, përveç asaj që thamë, të bëjë eksperimentin e radhës për të ardhur në krye të Ekzekutivit. Këtij “çunaku” edhe shumë faj nuk i vihet për gjithçka bën për të provuar një gjë që nuk e ka provuar kurrë më parë edhe sikur të djegë Shqipërinë. O tempora o Mores! Deri kur kështu? Secili votues me votën e tij në zgjedhjet që vijnë së shpejti, duhet të kuptojë që këto, nuk janë zgjedhje që të vijë e djathta apo e majta në pushtet. Këto janë zgjedhje midis dy rrugëve: Ose Shqipëria të ketë shtet ligjor, ose të ketë një shtet rrumpallë, ose Shqipëria të integrohet në Europë, ose të jemi gjithmonë në luftë me njëri-tjetrin. Kemi tridhjetë vjet që Shqipëria ka qenë e “pushtuar” nga shqiptarët, të cilët këta janë plotësisht të zhgënjyer nga kjo klasë mandatarësh, që ka “pushtuar” pyjet, lumenjtë, liqenet, hapësirat, e gjithçka tjetër. Kemi një klasë mandatarësh që nuk e lëshojnë pushtetin dhe sa herë që e ndjejnë rrezikun, lëshojnë “tymnaja”, bëjnë zhurmuesin duke hedhur “gurin” e fshehur dorën. Nxitin “mashat” edhe për të mos djegur duart, por edhe që “zjarri” të mos vijë në sarajet e tyre. Ajo çka është e qartë, përgjegjësia kryesore për këtë skandal të përmasave të mëdha, është vetë shteti, i cili me paaftësinë e tij, nuk u paraprin situatave të tilla sidomos në këtë periudhë ku ndodhemi, kur kundërshtarët politikë tërë shikimin e tyre e kanë drejtuar për të parë “qimen” tek tjetri dhe asnjëherë “trarin” përpara tyre. Po kur kjo “qime” tek tjetri, bëhet “tra” tek kundërshtari? Duhet që as më shumë e as më pak të veprojë ligji, ndaj këtyre “burrecëve” që u drejtohen kolegëve sikur “U kanë mbajtur bythën në ajër për njëzet vjet”! Po mirë more, zotëri t’i themi sepse jo “zotëri”, por është një fundërrinë” që jeni paguar për atë punë që ju është ngarkuar si çdo punonjës tjetër prandaj edhe jeni më të paguarit dhe me të drejtë. Vallë kjo ishte mënyra për t’u hakmarrë jo ndaj atyre që shkojnë për pushime luksoze siç shkoni ju, por ndaj atyre që presin të afërmit e tyre në arkivole nga vendet e tjera? Për këtë u kërkoj falje lexuesve, por që fatkeqësisht, ky është realiteti, kjo është dashuria që kemi ne për njëri-tjetrin pa zënë në gojë shtetin, i cili me kohë ka dalë nga “udha e Zotit”, prandaj edhe shqiptarët, të vetmen shpresë e kanë edhe në rastin konkret t’i luten Zotit...