BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Me simbole si Selam Salaria krenohet Shqipëria

Me simbole si Selam Salaria krenohet Shqipëria

Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” “Nderi i Kombit”, duke pasur një ndjeshmëri patriotike për të promovuar figura të shquara në luftrat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar dhe shoqëror, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit tonë, herë pas here ka bërë propozime organeve kompetente si qeverisë, bashkive dhe qarqeve në rrethe, që në shumicën e rasteve kanë gjetur miratimin e institucioneve përkatëse. Një nga këto kërkesa që doja të veçoja në këtë trajtesë është dhe propozimi që i është përcjellë Bashkisë së Tiranës, për të përjetësuar aktin sublim të Heroit të Popullit Selam Musait, “Nderi i Kombit”, nëpërmjet një busti, pasi është një rast emblematik në historinë e heroizmave e të rënëve në luftrat shekullore të vendit tonë. Ky propozim gjeti aprovim dhe u shfrytëzua 100 vjetori i rënies së heroit për të përuruar bustin e realizuar me mjeshtëri nga skulptori Ladi Llakaj, profesor në Akademinë e Arteve. Selam Musai, është biri i Salarisë, por si takon më as Salarisë, as Labërisë me veprën që kreu, por gjithë Shqipërisë. Kur mori lajmin ogurzi për pushtimin e Vlorës, u nis urgjent me një tabor nga Tepelena, mbi 100 e ca petritë, drejt Vlorës dhe luftoj me një heroizëm të pashoq, duke kapur topin e pushtuesit italian nga gryka, derisa ra heroikisht në betejë me armikun. Kënga popullore e ka përjetësuar nëpërmjet vargjeve që flasin shumë për këtë akt emblematik: “Çu dha komandën Selami, o djem se iku vatani, Vlorën me gjak ta lani”. E vazhdon “Çe zure topin nga gryka, lule Selam labi lule”. “ Të vranë o Selam të vranë, në Babicë përmbi hapsanë, në qafë që sheh limanë”. Vepra e Selam Musait, ngjan me një legjendë që e bën atë simbol të trimërisë, guximit, heroizmit dhe patriotizmit të pashoq. Kurorën e lavdisë që mban Labëria mbi krye duke u dekoruar dhe shoqata e saj “ Labëria”, me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, nga Presidenti i Republikës, është falë veprës patriotike dhe heroike e të rënëve në luftrat shekullore të bijve të saj për liri dhe pavarësi. Më 11 Qershor të 1920, në Babicë të Vlorës, Selam Musai, në luftë me armikun dha jetën heroikisht, ndaj dhe përurimi i bustit u bë në këtë datë historike, që përligj 100 vjetorin e rënies së tij. Lufta e Vlorës e 1920, ishte një epope që shënoi një kthesë historike në jetën e popullit tonë. Ajo ishte Pavarësia e dytë e Shqipërisë. Zjarri u ndez në Vlorë, por flaka e tij përfshiu gjithë Labërinë e më gjerë. Kjo luftë mori karakter kombëtar gjithëpërfshirës, duke u angazhuar forca të shumta nga Gjirokastra, Tepelena, Skrapari, Berati, Mallakastra, Korça, por jo vetëm dhe nga treva të ndryshme veriore, kryesisht nga Shkodra dhe Shqipëria e Mesme si Durrësi, Elbasani e deri në Fier etj. Nga Shkodra, ishin të pranishëm figura të shquara të besimit katolik si Luigj Gurakuqi, apo hierarkë si Luigj Bumçi, Shtjefën Gjeçovi, etj. Mjafton të kujtojmë një telegram mbresëlënës, që Shtjefën Gjeçovi i dërgon Kryepeshkopit të Shkodrës, ku i shkruan: “Imzot, kur të vij në Shkodër do t’u mësoj të flisni labçe, se vlonjati për Shqipërinë, jep fëmijën, djeg shtëpinë dhe fal pasurinë”. Kjo është një thënie lapidar e një intelektuali dhe kleriku verior, ku flet qartë për patriotizmin e trashëguar të trevës së Labërisë. Kryeqyteti i vendit Tirana, nën drejtimin e kryetarit Erion Veliaj, ka bërë ndryshime të dukshme ndërtimore dhe infrastrukturore, por ka mangësi në përjetësimin e figurave historike, patriotike dhe kulturore, që s’ka vend për t’u krahasuar me vendet e Europës së përparuar, por parë në raport me fqinjin tonë verilindor Maqedoninë e Veriut, kryeqyteti i saj Shkupi ka një kompleks arkitekturor me personalitetet më të shquara të vendit të vet. Në këtë vështrim kritik, Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” “Nderi i Kombit”, si misionare e promovimit të vlerave historike, patriotike dhe kulturore kombëtare, i ka bërë propozim Bashkisë së Tiranës, që të vendosë një monument madhështor në një shesh të caktuar në qendër të Tiranës, krijuesin e shtetit të pavarur shqiptar, apostullin e pavarësisë, Ismail Qemalin. Tirana ka sheshe e rrugë dhe për tradhëtarë të kombit dhe mund t’i lenë për t’i njohur veçanërisht rinia që se ka jetuar kohën e kaluar, dhe të vendosin një etiketë “Sheshi i tradhtarëve”. Jemi dëshmitarë të gjithë si popull, që për turpin e Shqipërisë, në 100 vjetorin e Pavarësisë, u gjend një monument i aksidentuar në magazinat e Muzeut Historik Kombëtar, dhe u mor e u vendos përballë kryeministrisë afër një bunkeri, si për t’i “thënë “ Ismail Qemalit, se ky është shteti që krijove, sakrifikove dhe ëndërrove ta lësh të lirë.

Kryetari i bashkisë, Veliaj premtoi publikisht në përurimin e bustit të Selam Musait se dhe këtë mangësi të pafalshme të trashëguar në vite për kryeqytetin e vendit, bazuar në propozimin e Shoqatës “Labëria”, do ta korrigjojë me dinjitet për t’i dhënë vendin e duhur, krijuesit të shtetit të pavarur shqiptar Ismail Qemalit, që për nga roli dhe rëndësia, vjen i dyti pas heroit tonë kombëtar Skënderbeut. Presim dhe shpresojmë, se nuk do jetë e largët dita që një monument madhështor të Ismail Qemalit, në qendër të Tiranës, do ta përurojmë në standardet më të larta që meriton.