Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Më tepër gabohet në Tiranë sesa në Genova

Postuar: 21/08/2018 - 07:17

Ndërtimi përveçse është një shkencë teknike, është edhe një shkencë empirike, pra një shkencë e cila një pjesë të teorisë të saj e nxjerr nga gjëmat dhe disfatat që ndodhin gjatë kohës. Menjëherë pas tërmetit të vitit 1967 me epiqendër në Shkup, ndryshuan në mënyrë të ndjeshme kushtet teknike antisizmike. Shpesh thuhet se kushtet teknike në ndërtim “shkruhen me gjak”. Një konfirmim fatal, por sa i rëndësishëm për tu patur parasysh e sidomos për të mos neglizhuar në asnjë rast. E aq më tepër për të reaguar kur gabimet konstatohen para se ato të bëjnë “ligjin”. Shkatërrimi i urës në Genova, është fatkeqësi e madhe. Por për ne, për fat tani për tani është një çikë më pak, është një kambanë pa dëme, por tepër ogurzezë. Sepse, personalisht kam idenë që kemi “përparuar” kaq shumë në “ecjen përpara më tym”, sa tashmë nuk na premton më koha të ndalojmë më pas. Të shikojmë se ku kemi arritur, të korrigjojmë atë që është e nevojshme dhe të masim hapat për të ardhmen. Por sikur kjo të ishte e mundur, pra edhe sikur koha të na premtonte, ne nuk i kemi institucionet për të bërë qoftë edhe minimumin e minimumit, evidentimin zyrtar të problemeve që kanë dalë dhe efektivisht qëndrojnë mbi ne si ajo “shpata e Demokleut”. E mbani mend vite e vite më parë, nëpër ato ngastrat e vogla bujqësore (apo agrare, nuk më kujtohet se si quheshin) që kishte në çdo shkollë, ku në mes të saj të ngritur mbi disa shkallë druri kishte një kafaz të vogël e një flugë ere në majë? Ishin e quheshin, në mos gaboj, “stacione meteorologjike të shkollës”, nëpërmjet të cilave nxënësit mësonin se si mateshin temperaturat e ambientit, sasia e shirave që binte dhe drejtimi e forca e erës? Në çdo shkollë 7 apo 8-vjeçare! Sot në asnjë lum të Shqipërisë nuk matet e ndiqet sistematikisht niveli i prurjeve, veç atyre që i kanë mbi shpinë këto prurje si në hidrocentrale. Përveçse nëpër to nuk ekziston as edhe një lloj gradacioni (ato lartat të ndara me ngjyrë të kuqe në centimetra e metra), nuk ka as edhe një gjysmë njeriu që t’i kontrollonte ato nëse do të vendoseshin, megjithëse kemi vite e vite që uji na mbyt për çdo të tillë dhe në kohëra të tilla përmbytjesh të gjithë flasin për nivelin e ujit. Kujtoj këtu se zyrtarisht, për herë të parë në Shqipëri është fotografuar niveli i ujit në urën mbi lumin Buna në vitin 1905, e pas asaj për 90 vite ky proces jetik për ne ka vazhduar normalisht e me ndjekje të vazhdueshme në krejt vendin, deri në kapërcyellin e viteve 90-të, kur ekonomia e “çekut të bardhë” shqiptar e konsideroi këtë, si qindra çështje të tjera teknike si praktikë “komuniste” që duhej braktisur. Ashtu siç ndodhi në fakt. Sot nuk ka më asnjë lloj instituti apo bërthame projektimi shtetërore e cila të jetë në gjendje të planifikojë, organizojë e kontrollojë krejt punën projektuese që bëhet në vend nga individë apo organizata projektuese private. Nuk është çudi që sot të mund të dëgjojmë se projektues apartamentesh të merren e t’ju besohet projektim digash apo urash, në mos ka ndodhur. Ne jemi një shtet që vetëm mbledhim taksa dhe vetëm i shpenzojmë ato. Nuk ka asnjë lloj institucioni shkencor zyrtar që paraprakisht studion dhe jep prognoza të të ardhmes, shënjon probleme të rëndësisë kombëtare apo lokale sipas rastit dhe parashikon fondet që do të ishin të nevojshme për zgjidhjen e tyre. Janë kryer më parë nga institutet e projektimit, gjithçka, deri edhe në qindarkën e fundit, e jo të ndodhë si sot që rrugët të maten e vlerësohen si nëpër magazinat e “dërzhavës” me kilometra mesatare dhe tenderat të bëhen me vlerat më të vogla, si ata matrapazët e bagëtive, pas të cilëve rri Ali Babai që fillon marifetet e veta e që ndërton gjysma urash e gjysma rrugësh, sipas “qejfit” të qeses të vet. Jo, më parë, ashtu si edhe sot në krejt botën, vlerat që duhen për të ndërtuar veprat ndërtimore bëheshin e bëhen sipas vlerës reale që duhet të ketë kostoja e tyre, e më tej vazhdon perfeksionimi i saj mbi bazë të teknikës e mekanizimit. Shteti ynë, mesa duket bën sikur e administron ekonominë e vet, por vetëm me... fjalë. E si mund të ndodhë ndryshe kur në krye fare të shtetit kemi “zgjedhur” një Parlament ku deputetët rrihen me çizme e shahen nga nënat? Del raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit me konkluzionin se gjatë vitit të kaluar është shkelur disiplina financiare në një vleftë prej më tepër se 800 milionë euro, nga të cilat 86 milionë euro janë kërkuar të dëmshpërblehen dhe a thua se u dha kushtrimi “o burra nëpër plazhe”, asgjë, as një fije qime... nuk lëviz. Në vend që, ose kryetari i këtij institucioni “për mashtrim”, ose dy apo tre ministra përkatës “për shpërdorim” të ishin gozhduar nëpër karriget e prokurorisë, vazhdojmë e dëgjojmë plot kërshëri sesi “x gjyqtar u përjashtua nga radhët e drejtësisë, pasi nuk kishte deklaruar garazhin që i kishte “dhuruar” vëllai (punë që në fakt duhet bërë dhe vazhduar më tej). Një shtet, sado i vogël qoftë ai, pa një minimum të domosdoshëm teknikësh shkencëtarë krejtësisht në dispozicion të tij, është njësoj si një trup pa kokë, që drejtohet vetëm me instinkte, me reflekset e aparatit administrativ, funksioni i të cilit është që të dhënat e detyrat shkencore t'ia përshtatin kushteve të veprimit të vet dikastereve apo institucioneve e pasi instancat të marrin vendimet e duhura të kërkojnë deri në fund zbatimin e tyre. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se të presësh shkencë, ide e projekte të organizuara shkencore nga administrata apo nga ndihmësit, qofshin këta jo nga universiteti i “Harvard”-it, por edhe nga ai i “Hënës apo Marsit”. Mendoni, kaq e rëndë është gjendja e kontrollit të cilësisë të ndërtimeve duke filluar qysh nga projektimi, zbatimi e përgatitja e materialeve apo lënda e parë, sa sot nuk ka forcë që të kundërshtojë çdo lloj ndërtimi që mund të paraqes në treg qoftë edhe batakçiu më i parë. Kaq e vërtetë është kjo punë sa përpara se objektet të hipotekohen, garancia e cilësisë të ndërtimit sigurohet nëpërmjet deklaratave noteriale të vetë atij që e ka projektuar ndërtimin e jo mbi bazë të kontrollit të vetë cilësisë të projektit, apo “kodeve euro-shqiptare”, kushtesh teknike të projektimit e zbatimit të firmosura nga Presidenti i Republikës. Me pakë fjalë, shteti ynë kërkon garancinë e cilësisë të bukës që shitet nga vetë ...furrxhiu. Pse? Sepse u “hodh ujët bashkë me foshnjën brenda”, u hodh krejt legjislacioni i hartuar e kompletuar nga dhjetëra e dhjetëra institute shkencore e nuk u përtërit. Kurse tani duhet të bëhet gjithçka nga e para, në fakt edhe për ndryshim të kushteve e kohës. Nisur nga gjendja katastrofike ku e ka çuar ky shtet shkencën në përgjithësi dhe institucionet shkencore në veçanti, nga alarmi krejt i ligjshëm për cilësinë e ndërtimeve në vendin tonë e ballafaqimin që duhet të bëjmë urgjentisht pas kësaj katastrofe ndërtimore në Genova, të cilën e bëri të ditur këto ditë me alarm legjitim nëpër rrjetet sociale profesori i ditur, militanti i ndërtimeve zoti ndërtimit Fisnik Kadiu, pas leximit të një njoftimi mbi “kasat fiskale”, për të cilat është bërë një investim i jashtëzakonshëm e pa efektivitet, bëra një “budallallëk”: Për këto “kasa fiskale” të famshme, na qenkan shpenzuar nga ana e “zotit Shtet” 64 milionë euro. Parashikohen që, meqenëse objektivi i transmetimit të të dhënave nuk është arritur, do të shpenzohen edhe 15 të tjera. Pra rrumbullak 79 milionë euro. Pale se çfarë del më tej!!! Le të supozojmë se një i “luajtur mendsh”, si vetëm për fillim e nxitje do të emëronte apo organizonte një “institucion shkencor” të natyrës si më sipër pranë Këshillit të Ministrave, pra një organizatë shkencore shtetërore që studion, përcakton e i paraprin vendosjes të kritereve shkencore e teknike, standardeve, euro-kodeve, teknologjisë normative, si dhe ngritjes e gjetjeve të rrugës për organizimin pranë bashkive të çdo qarku mini-bërthama të vogla shkencore, etj. Nëse ky grupim shkencor do të kishte si fillim 50 inxhinierë, teknologë, specialist etj., dhe për çdo muaj ata do të paguheshin secili prej tyre nga 800 euro, në një vit për ta do të shpenzoheshin total 480 mijë euro, në 10 vite 4 milionë e 800 mijë dhe në 100 vite 48 milionë euro. Si qëndron kjo shifër me ato 79 milionë eurot e “kasave” apo ato 800 milionët e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. “Dhe yjet rrinë e vështrojnë!” E ne tashmë kemi filluar e lutemi “ishalla nuk bie shi e na mbyt, do zoti nuk na shkund me ndonjë tërmet 7 ballësh e na shkrin, o zot ruaj digat tona e mos na hidh malet mbi çatitë e shtëpive”...

Nga Bardhyl ERMINI

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/11/2018 - 07:13

Pikërisht në Shkodër, atje ku ka lindur edhe proverbi e famshëm “Të hyftë vetja në qejf”, kryetarja Monika Kryemadhi në takim me një grup të rinjsh, tërë qejf deklaroi se: - Në qeverinë “Rama 1&rdquo

Postuar: 20/11/2018 - 07:11

"Jelekët e Verdhë" paralizuan Francën të shtunën, por bilanci i një proteste të tillë ë

Postuar: 20/11/2018 - 07:09

Sipas ligjit nr.115/2014, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes

Postuar: 18/11/2018 - 07:34

Askush nuk do të donte të ishte pensionist, jo vetëm për arsye të moshës së tronditur nga trokitj

Postuar: 18/11/2018 - 07:33

Sipas një sondazhi të Gallup, 79% e të rinjve shqiptarë të moshës 15-29 vjeç duan të largohen për

Postuar: 18/11/2018 - 07:32

Këtë titull të këtij shkrimi do të doja ta shpjegoja me fjalë të thjeshta – “Sindroma

Postuar: 18/11/2018 - 07:30

Ish kryeministri maqedonas, që qeverisi vendin për 10 vjet më radhë, Nikola Gruevski u dënua