BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Më vjen inat që s’më kan ba mue... “Kalorës të Legjionit të Nderit”

Më vjen inat që s’më kan ba mue... “Kalorës

(Intervistë e supozuar me Sali Berishën)

Urgjent do të lini çdo punë dhe nisuni për në “Shqup” më tha k/redaktori, por duke qenë se unë e dëgjova fjalën “Shqup”, si “Shkup”, me habi e pyeta se kush do vinte sëbashku me mua në Maqedoni, teksa po mendoja se do të kishim të bënim me ndonjë opinion të Ali Ahmetit, lidhur me çështjen kombëtare, paçka se ai për mendimin tim personal, më për zemër ka flamurin e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë se sa atë Skënderbeut të Arbërit. Për të vërtetuar nëse isha në binar apo kisha lajthitur, k/redaktori nxori nga xhepi një kartëmonedhë 500 lekësh dhe kur e pa se unë ja pata mbërthyer sytë mirë, u bind se isha keqkuptuar dhe se nga mendja nuk çaloja aspak. Dëgjo - më tha- se si e dëgjove t’i këtë që të thashë unë është puna jote, por po të përsëris se duhet të shkosh te ish-Shtëpia Qendror e Ushtarakëve nga ku atje do të marrësh në intervistë Sali Berishën më saktë një opinion të tij për zgjedhjet. Buzëqesha për keqkuptimin tim, por dhe për lojën e zgjuar të tij me 500 lekëshin dhe nuk di që përse dhe mua vërtet më ngelen sytë atje?! Duke dalë mendova se ai përqendrim i syve të mi mbi kartëmonedhë, mund të krijonte dhe ide të gabuar rreth figurës sime si një njeri që rend mbas lekut, apo nuk po përjetojmë dhe kohën e verifikimeve të pastërtisë së figurës morale. Nejse, duke qenë se binte një shi i imët, mora çadrën, celularin tim të cilin do e përdorja për incizim, si dhe bllokun bashkë me një stilolaps me bojë të kuqe, që aty për ty e ndërrova direkt duke marrë një me bojë blu. Sapo arrita në hyrjen kryesore më del përballë një djalosh shpatullgjerë, i cili sapo më pa që unë mora drejtimin për të hyrë nga objekti në një gjuhë si nga akcenti verior më pyeti: - Hej, zotnëj ku je tuj shku he burrë?

Për momentin, nuk di se si mu kujtua, që Sala është e ngelet alergjik me vlonjatët e Labërisë, por nga ana tjetër, më erdhi në mendje dhe fakti se vite më parë shoqërohesha shumë me disa nga miqtë e mi të ngushtë si Hajriu, Çimi, Prenga, Nduja e Xhafa të cilët ishin veriorë, por dhe burra të mirë e fisnikë, të cilët mua më patën bërë që jo vetëm të kuptoja por dhe të flisja në aksentin e tyre.

- Or shoq! Pasha nji at’ shna noun, unë me thon t’drejtën nuk kam pas dasht me ardhë, po m’kanë detyrue. U kam nis prej zhurnalit tem, me i marret nji intreviu zotnisë ë tij doktor Salës – i thashë.

- Prej kah të kena ty or shoq?

-Prej Burrelit, ia prita aty për aty.

- Heuuu, Burreli ka burra zakoni, por prej kuj katundi or tëj?!

Për t‘iu shmangur bisedës së mëtejshme me të, i thashë se kisha me shumë ngut dhe kohën gjithashtu e kisha të kufizuar Ai më dëgjoi me vëmendje dhe mbasi mori dikë në radio, ma bëri me shenjë që të afrohesha, por që në fakt ç’është e vërteta më shumë u afrua ai te unë, sëbashku me një instrument si “kaishat e berberëve” që mprehin brisqet, të cilin mbasi ma kaloi nga koka e te këmbët më mori çadrën nga dora e rrotulloi nga doreza, pastaj e ktheu nga maja duke i vënë syrin, më mori stilolapsin sikurse dhe çakmakun me të cilin ndizja cigaret. Ai e vërejti habinë time dhe pa pritur që unë ta pyesja ja nisi vetë sqarimit.

- Tash m’ndigjo! Una me thon t’drejtën jam me shërbim veç tëj, ske pse me u mërxit prej mejet se dasht me e dijt tina, nji kshuna e kanë do punë. Shoqiiiii...bota ka hec para e tash kanë dal armet e sofistikume. A e din tëj, se me nji shiringet si ajo që ka pat dikur doktorri t’injektojnë në distancë mikrobin e tërbimit e ska mo burrë me ta qitij ashtë, se të nglet tanë jetën brenda?! A e din t,i se ja me një çakmak si kina, tjetri ul kryt si me ndezë nji cigare dahon, kur fap robin e shef të shtrirë në dhet, dekun toket?! Janë masa sigurimi dhe ndasht me dijt tina, qi prej 21 janarit ne...( më fali prej zotnisë tuj) i kontrollojmë t’gjithjë gjer ke ulluku i sumës. Një herët na pat ndodhë që dikush kish pat një monedhë floririt që e pat kaperxy se mos ja merrnin këtu në Shqup, kur fap na e dha shenjën ky istrumenti. Mua me thonë të drejtën më erdhi keq se atij qyqarit ja shqyn krejt bythen, pa e kuptur fare e aspak, se monedha ende nuk kishte shkuar atje ke zorra e trashë, por ish strehu në stomaq. Ja kështuna o pra..

Me thënë të drejtën, prisja se kur do mbronte që të shkëputesha dhe falë Grida Dumës, e cila më njihte e ia bëri me shenjë rojës që të me lejonte. Ajo duke mi ngulur sytë (o zot si nuk rashë dhe unë dekun toket!) më mori e më çoi drejt e para zyres së Salës, paçka se unë mendoja se ishte pikërisht bukuria e Mata Harrit, ajo që e bëri atë spiunen më të famshme të botës. Grida, vërtetë nuk ishte spiune, por ama thuhej se me bukurinë e saj, ajo kishte çmendur gjysmën e deputetëve të PD-së dhe më të shumtën e gjysmës së PS-së. Bile këta të fundit pa i djegur PD-ja mandatet, shikonin Gridën dhe e jepnin votën sipas saj. I vetmi që i bënte ballë kësaj bukurie ishte Saliu, i cili kurrë nuk e kishte parë me sy lakmitari. Kështu që, mbasi e falënderova me mirësjellje Gridën, trokita lehtë te dera. Unë aspak nuk prita sepse ai e hapi vetë derën e kjo, jo se ai i do gazetarët, por sepse kërkon përherë të jetë në qendër të informacionit të botës mediatike, madje mundësisht dhe me foto më të madhe nga sa është origjinal vetë Saliu.

- Përshëndetje zoti Sali! Jam gazetari “Kusur Madhi” dhe vi nga ana e shtypit për të marrë një opinionin tuaj lidhur me zgjedhjet, nëse ju do kandidoni apo jo, por dhe me ecurinë e mëtejshme të zgjedhjeve!

Shiko këtu e më dëgjo mirë ti “Kusur Madhi” pik së pari më ka ngelë shumë qejfi me ty sepse përherë me drejtohesh Saliu... Saliu.. Saliu. Ore e din ti se boll një herë me qenë president mue tanë shqiptarët duhet të me drejtohen President e jo Sali? Nji Kadare ishte ai dhe Franca e bëri “Kalorës të legjionit të nderit” pa kal, po unë qi jam malcor den babden dhe po qe se ne hypna në kalë është vështirë me na zbrit. E kisha fjalën kam qenë, jam e do të ngelem President i shqiptarëve. Iku Zogu nga Shqipëri? Po iku, por ama dhe në mërgatë ai ngeli Mbret i shqiptarëve dhe Leka u bë princ trashëgimtar paçka se vlonjatët më 1997-n protestonin “Nuk duam Lekën...por duam lekët”. Edhe unë i kam bërë kaq shërbime Francës dhe sinqerisht ta them se ja kam inatin që nuk me kan ba dhe mue Kalores Nderi si Ismailin. Jo jo,të lutem shumë se që thua ti ata francezët para se me e vra Avnia në Paris, at Esat Toptanin e kanë ba kalorës e mue që kam kontribue aq shumë jo!

- Zoti Sali...

Ore “Kusar” ke për me më fol si duhet ti me mua apo jo? A do me më thirrë mua president, apo don me të nxjerre prej jake e zverku jashtë?

- Kusur e jo kusar zoti President.

Ja pra e shikon ti se u bane me të fol ndryshe? Ja kështu ndihem dhe unë, nëse s’je tuj më fol ose doktor ose “zoti President”, ja pra dhe unë kështu si ti ndihem keq!

- Atëherë zoti president mbase janë dhe zëra, por përflitet se struktura të veçanta brenda partisë tuaj juve duan t’ju nxjerrin jashtë politike, madje t’ju përjashtojnë dhe nga kandidimi për deputet. A është e vërtetë kjo?

E kush asht ai i marrë me më nxjerrë mue jashtë politike? Jam lider historik? Jam! Ja pra kët nuk e dijnë vetëm shqiptarët por dhe Evropa bashkë me Amerikën. Po kush asht ai burrë me më rrëze mue prej kalit. Edhe vet ai i marri Alfred Çako e ka parashikue se mue kanë për me më zgjedhë përsëri, sepse fundja Lulin une e futa në politikë. Pse si thu tina, Luli e ka tagrin me më rrëzu mue? Po rrëzoi mue ka me i firu krejt elektorati sepse unë e mbaj në këmbë Partinë Demokratike paçka se dukem se tash për tash jam në hije. Le ta provojë po ja mbajti bytha! Do thush ti, se është porosi e Amerikës. Qenke budallë! Pse si thue ti “Kusur madh” a nuk e din Amerika se kush jam unë, ti mendon se ata nuk më dun? Po qe se e mendon kështu gabon, sepse jo vetëm Amerika, por dhe Europa, në kushtet e tanishme përsëri ma kanë nevojën. Ja të pys unë ty: Kush u doli në mbështetje kur rrëzum diktaturën më të egër të Europës, ishte pikërisht Sala (dmth unë presidenti) po kur filloi rebelimi komunist në Vlorë kush i dërgoi atje tanket, po Dik Martin në Rambuje kundër UÇK-së enveriste, që në fakt duhet me nënkuptue Europën kush e mbështeti? Isha unë o pra. Të lutem shumë nuk duhet me i ngatërru gjanat. Po qe se Luli provon të më spostojë, ka plot mënyra të tjera për të spostuar Lulin (në këtë moment nënqesh lehtë e më shkel syrin). A e din ti Kusar... ( më fal kusur ) se më 21 Janar ne vërtet kishim kusuret tona, por e hëngrëm sa krahu për ata bythëlëvizurit e LSI-së dhe korrupsionin e Ilirit?! Jam përfolur edhe una ç’është drejta me Gërdecin, por kusar nuk është ai që vjedh... është ai që kapet.

-Jini përfolur dhe ju me firmat piramidale z.President, madje e kini dhe me zë e me figurë nga ku deklaroni se paratë e atyre firmave ishin të pastra, të pastra vërtet, por u vodhën në mënyrën më të pistë!

Shiko, jo jo të lutem shumë, më digjo mue! Kjo ishte e para herë. Mos harro se ne vinim nga socializmi që kurrë nuk kishim vjedhur. Thamë ta provonim nji herë si ai Jovan Bregu. Ore se tash u kujtova a e din ti se një ndër ligjet ekonomike të kapitalizmi është përvetësimi i punës dhe parave të tjetrit. Ky a është ligj?! Do thush ti që po është ligj. Por ama ligjet duhen provuar në praktike dhe me të vërtetë, rezultoi se në kapitalizëm vidhet si dreqi sikurse vodhëm, (më fal vodhën). Sa për video mos më fol se videot më të sakta janë ato që s’janë të sakta si psh ajo e Lilit. E kupton t’i Kusur se ku e kanë hallin në fakt këta të Amerikës dhe Europës? Duan me godit krimin e vjedhjeve dhe korrupsionin. Por nëse më heqin mua Ilirin, Ramën, Ruçin, Mediun, Ndokën, Shpëtimin, Dukën etj. a e di ti se Shqipëria nuk ka për t’u bërë kurrë?! Pa ne, Shqipëria nuk bën dot asnjë hap përpara, ja prandaj na do Europa dhe Amerika. Mundet që një ditë dhe të na heqin nga jeta politike, por mbaje shënim se asnjë nga këta emra që shënova unë nuk do dënohet kurrë. Duan të më heqin sepse e dinë që mbas 25 prillit unë bashkë me kolegun tim Presidentin aktual do dalim e do mbushim sheshet. Rama që tani ka porosit çitjane që të mos i dalë poshtë këmbëve! (Qesh me të madhe duke u çuar në këmbë, sinjal ky që do të thoshte se intervista e supozuar kishte përfunduar).