BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Opinion / Editorial

Me zgjedhoren si më the të thashë, ma le ta lashë!

Me zgjedhoren si më the të thashë, ma le ta lashë!

Është bërë pothuaj traditë që fill pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme apo lokale, partitë politike t`i turren me tërsëllimë, ta bëjnë copë e çikë ligjin zgjedhor, sistemin, mënyrën e votimit, numërimit a gjykimit të ankesave të palëve. Partitë që vota e popullit i nxjerr në minorancë, kryetarët së pari, kanë ndjeshmërinë më të keqe ndaj ndarjes së tortës së Parlamentit. Të mikluara me ëndrrën, se pas çdo zgjedhje do fitojnë trofeun dhe do jenë partia e parë me numrin më të lartë të deputetëve, duke dominuar Parlamentin dhe pushtetin, kur zgjohen me shijen e hidhur të humbjes fatale, zhurmuesit, nisin të njëjtin avaz. Kështu ka ndodhur në tri këto dekada demokraci. Akuzat thellohen e fyerjet lartësohen, sherrnajat, zbresin e ngjiten në majat më të larta. Atakohet tërë klasa politike. Organizmat që administrojnë zgjedhjet, demaskojnë dhunshëm, partinë fituese së pari, po edhe tërë trupën që u morë me administrimin zgjedhor. Pa asnjë analizë kritike për rezultatin, shkaqet e humbjes i faturohen palës fituese. Asnjëherë fituesit nuk arrijnë të shijojnë kënaqësinë e fitores. Sulmet për vjedhjen e votës dhe fitorja e krimit, e banditëve, i vënë para përgjegjësisë, ua zbehin arritjet. Janë të shumtë fajtorët që u drejtohen shigjetimet dhe përgjegjësohen për humbjen e radhës. Liderët politikë të gjendur nën trysninë e humbjes, paaftësisë për të arritur treguesit e premtuar, lajnë duart, para mbështetësve dhe financuesve, duke akuzuar palën fituese, e cila sipas tyre nuk fitoi me meritë, po me hile, vjedhje, mashtrim, me përdorim ekstrem të nëpunësve që mbushën kutitë e votimit. Nuk mbetet askush jashtë akuzave të minorancës, duke i kërcënuar dhe vënë para përgjegjësisë, tehut të propagandës që u shpëlan trurin shqiptarëve. Ata nuk humbën po i vodhën. Në tridhjetë vjet demokraci nuk ka ndodhur asnjë rast që zgjedhjet të jenë certifikuar pa akuza të rënda. Pa kamxhikuar fituesit. Ajo që ka dominuar zgjedhjet në këto tri dekada është subjektivizmi i llahtarshëm. Logjika me të cilën analizohet fitorja e humbja, e cila i faturohet jo mungesës së mbështetjes, po shkeljes flagrante që nga fushata zgjedhore, ditën e votimit dhe numërimit, rezultatet e komunikuara apo vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor. Zgjedhjet në vendet demokratike janë festa të demokracisë. Në vendet me demokraci të konsoliduara, rezultati mësohet një orë pas mbylljes së kutive të votimit. Humbësi uron fituesin. Uron, zoti e mbrojttë shtetin tonë! Po tek ne, kjo është e paparafytyrueshme, e pa besueshme dhe nëse do ndodhte, ata që do komentonin humbjen dhe uronin fituesin do trajtoheshin armiq, tregtarë të votave. Po ajo që mbizotëron pas çdo zgjedhje në Republikën e Shqipërisë, është kërkesa taksative post zgjedhore për ndryshim rrënjësor të sistemit zgjedhor, ligjit për zgjedhjet. Nxjerrja jashtë loje e të gjitha rregullave, mënyrës së votimit apo numërimit. Vota tek ne ka peshën e dhimbjes dhe shqetësimit. Për shqiptarët, janë aq të shumta kontestimet zgjedhore, saqë ata shkojnë në votime, jo për të festuar fitoren, a pranuar humbjen, po më së shumti si forcë tradite, se jemi mësuar të votojmë ndër vite me urra, këngë e valle. Dhe rezultatet njiheshin pasi demokracia funksiononte vetëm me një individ. Hapi i parë që hedhin humbësit, pasi bëjnë zhurmën e zakonshme dhe ndezin flakë tërë vendin, me protesta, demonstrime, hedhjen në erë të vendnumërimit të votave, është bojkoti total i Parlamentit të dalë nga zgjedhjet. Pala humbëse paraqitet në sallë vetëm pas shumë muajsh. Nuk ka zgjidhje pa bojkot, tek ne. Humbësi vetëm akuzon. Hapi i dytë është kërkesa për ndryshim të ligjit zgjedhor. Odiseja nis nga ankesat e kontestimet, mos pranimet, refuzimet dhe më tej shkon në kancelaritë e shteteve që asistojnë Shqipërinë. Bombardohen radhazi: Berlini, Roma, Parisi dhe Washingtoni. OSBE dhe ODHIR bëhen tabela e qitjes. Dërgohen rekomandime, propozime për ndryshime të thella prej tyre. Ligji i radhës mohon tërësisht atë paraardhës. Po rekomandimet gjykohen minimaliste. Pala humbëse mbetet e pakënaqur, e zhgënjyer. Jo në pak raste fajësohen ata që janë arbitra të pranuar. Opozita, vetëm kur fiton, gjykon se zgjedhjet janë kryer në standard. Po humbi kthehet përmbys vendi, nis gjithçka nga e para. Zhurma dhe fjalomania, deklaratat, sherret, protestat e dhunshme marrin në dorë situatën. Populli na votoi ne! Ju na vodhët. Dhe nisin akuzat. Lakohen me emër e mbiemër. Shfaqen video, kronika nga beteja për zgjedhjet, duke bërë baltë përpjekjet për zgjedhje korrekte. Hapi i radhës i humbësve, kërkesat për shkrirje të Parlamentit. Etiketimi si bandë kriminale. Sipas humbësve atje janë llumi, injorantët, arrogantët, hajdutët, të pacipët, të korruptuarit. Nuk do bëhemi fasadë e atij Parlamenti, betohen liderët e PD dhe LSI. Dhe nisen letrat e fakset, e-mailet, njoftimet drejt BE dhe PE, Gjermani, Austri, Bruksel, Francë, SHBA. Anulimi i zgjedhjeve dhe zgjedhje të reja menjëherë, është hapi i radhës. Hapi tjetër është kërkesa për qeveri të unitetit. Qeveri teknike, kujdestare bashkëpunimit, integrimit. Ose qeveri teknike ose pa qeveri fare. Mjafton që opozita të ndihet e qetë dhe mazhoranca e kërcënuar ndaj sulmeve për zgjedhje të vjedhura. Akuzat, faktet e paprovuara, i shërbejnë më së shumti miklimit dhe qetësimit të militantëve, bashkëpunëtorëve, mbështetësve dhe çlirimit nga përgjegjësia e humbjes së liderëve politikë, të cilët sipas statuseve të partive të tyre pas humbjes duhet të dorëhiqen, ashtu si veprohet në gjithë vendet demokratike. Kjo traditë nuk aplikohet nga asnjë forcë politike në Shqipëri. Nëse do të ndodhte, sigurish, do damkoseshin si tradhtarë, armiq të partive respektive. Hapi tjetër i humbësve është ultimatumi për ndryshim sistemi. Lista të hapura, Parlament me dy e tri dhoma, me një e dy kate. T`u hiqet e drejta kryetarëve të partive për zgjedhjen e kandidatëve për deputet. Nisin kërkimet e ndryshimet. Reflektohen propozime për sistem të ri, amerikan, anglez, spanjoll, italian, danez. Këtu ndër ne nuk ka humbës. Jemi të gjithë fitues. Jemi triumfatorë. Kështu se kemi në tru ngulitur psikologjinë e prijësit, fitimtarit. Etja për pushtet prevalon mbi çdo logjikë. Vetëm fitorja është e vërteta. Të tjerat janë mashtrime gënjeshtra. Historiku i ndryshimit të sistemeve zgjedhore, ligjeve për zgjedhjet, kanë kaluar në këto vite në kalvare të paparashikuara, gati të përvitshme. Mosbesimi dhe përplasjet, etja për të arritur në pushtet me çdo çmim, mbyll të gjitha shtigjet e arsyes njerëzore. Politikanët tanë shndërrohen brenda ditës në llogaritarë meskinë, bëjnë llogaritë, si u intereson partive. Nëse ndër vite, betejat, para e pas zgjedhore, kanë qenë të vështira, diskutimi për ligjin e ri zgjedhor, për zgjedhjet e ardhshme tani janë shndërruar në beteja pa logjikë, asnjë rregull, me zero besim. Një gjë është e sigurtë. Braktisja e Parlamentit nga PD dhe LSI dhe mungesa e tyre në sallën e Kuvendit, ku ngjizen ligjet zgjedhore e kanë kthyer debatin në sulme pa principe, pa asnjë etikë. Partitë që kanë lënë mandatet, kërkojnë të jenë faktor përcaktues. Duan të imponohen. Ose kështu, siç themi ne, ose reformë zgjedhore nuk ka. Avazi i vjetër është kthyer në pikën e nisjes. Duam vend në komision! Ta shkrihet komisioni zgjedhor! Të shpërndahet Parlamenti. Të iki qeveria! Qeveri pa Ramën! I dëgjon në çdo sekondë demokrat e lësëistë. Për të realizuar reformën zgjedhore, siguruar gjithëpërfshirjen, mazhoranca u dakordësua për krijimin e Këshillit Politik për zgjedhjet. U mundësua riprania e ekspertëve të opozitës. Po kjo nuk u mbushi mendjen opozitarëve se mund të arrihet një ligj kushtetues i gjithëpranuar. Edhe kjo zgjidhje u kontestua. U flak në kosh. U hodh poshtë si mall pa vlerë. Mjaftoi një preteks, siç ishte shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, po një i tillë do shpikej që PD dhe LSI e partiçkat minore të shpallnin divorcin. Të inatosurit, siç bëjnë fëmijët që ikin nga loja sapo mërziten, nisën deklaratat kërcënuese. Loja me kungulleshka, hidh e prit, i zuri vendin arsyes, logjikës. Sapo nisi të vihej ligji i zgjedhur në vijë, liderët e opozitës shpalosën mospjesëmarrjen, bojkotin ekstrem. U desh të hyjnë në lojë SHBA dhe BE përmes ambasadorëve, Kim e Soreka në Tiranë. Basha e Monika, ca nga zori e ca nga frika ndryshuan timon. Nisën të akuzojnë mazhorancën se kërkon të bëjë reformë pa opozitën, se kërkon të bojkotojë dhe të lërë Shqipërinë pa zgjedhje. Sabotim nga Rama u justifikua largimi i PD-LSI. Kësaj i thonë të vras natën e të qaj ditën. Apo pyetjes së rojës, po hajduti që vodhi lopën nuk ka asnjë faj? Opozita edhe për largimin nga Këshilli Politik fajëson qeverinë. Si gjithnjë me reformën zgjedhore, luhet loja: E kam unë e ke ti. Më the, të thashë, ma le ta lashë. Unë dua, nuk do ti. Unë them po, ti thua jo! Po kthesa 180 gradë e Lulzim Bashës e Monika Kryemadhit për t`iu rikthyer bashkëpunimit me mazhorancën për miratimin e reformës zgjedhore nëse është reale dhe e sinqertë, është kthim në realizëm. Po nëse është taktikë për të dalë nga llumi atëherë është fiks hipokrizi. Do gjendet ndonjë sebep dhe liderët opozitarë do refuzojnë dhe reformën zgjedhorë do e marrin zvarrë sipas parimit ma le ta lash, ma kërkove s’ta dhashë!