BREAKING NEWS

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i republikës”, Frrok Çupi del sërish me deklaratën e fortë: Në Shqipëri fundërrinat...

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i
x

Opinion / Editorial

"Mea culpa holandeze" përballë krenarisë sonë kombëtare si popull fisnik!

"Mea culpa holandeze" përballë krenarisë sonë

Sigurisht e djeshmja ishte dita përkujtimore e "Aushvicit" krimit të madh mbi njerëzimin dhe sidomos për hebrenjtë, por më qartë ishte dita e 75-vjetorit të çlirimit të kampit Aushvic - Birkenau nga forcat sovjetike. Natyrisht ne jemi një nga shoqëritë më përparimtare dhe populli më fisnik në Europë në trajtimin e hebrenjve dhe modelit mbrojtës së racës dhe religjionit nga ku mund të merret shembull nga gjithkush në Europë dhe botë. Është vërtet e pamohueshme se hebrenjtë nuk e kanë pësuar në Shqipëri dhe me shqiptarët, si në shumë vende të ndryshme shumë të qytetëruara të Europës.

Unë në vitin 2013-të kam botuar një shkrim në këtë testatë mediatike si “SOT” për të vetmen familje hebreje në Shkodër (nga shumë që kishte), e cila e pësoi nga gjermanët bashkë me shumë shkodranë të deportuar dhe vrarë në kampet e tyre të shfarosjes dhe internimit. Ishte një familje e vetme (e nderuar nga shteti dhe shoqëria shqiptare), e cila nuk arriti tju shpëtonte dot gjermanëve megjithëse shkodranët sigurisht bënë sa mundën për t’i shpëtuar sikundër bënë me disa dhjetra familje hebreje në qytet. Po sigurisht që u fshehën, u larguan në fshatra dhe trajtuan për të shpëtuar si me religjion tjetër dhe përkatësi tjetër etnike. Në atë kohë ose 2013-tën shkruaja: Në dokumentat e veteranëve, të cilët përcaktonin edhe dëshmorët, heronjtë, të internuarit, të burgosurit, të vrarët, është dosja e posaçme të njerëzve të internuar në Prishtinë dhe Mitrovicë dhe pastaj në Dakao, Berlin dhe Buhenvald, Mathausen etj.

Padyshim që ka firmat dhe vulat e Hys Zajës dhe Jup Troshanit, dhe normalisht që unë vetë personalisht di qartë dhe mirë këtë histori internimesh nga gjermanët në vitin 1944, sepse dhe babai im ishte një prej të internuarve të tyre, por i shpëtuar gjallë për fat. Në këtë dosje të posaçme flitet me radhën e vendosur prej tyre për Dario Zhak Arditi i lindur 1917, i arrestuar në dhjetor 1943 dhe burgosur në Shkodër, por pastaj është çuar në kampin e Prishtinës në maj 1944. Pastaj mbas dhjetë ditësh është dërguar në kampin e shfarosjes në Dakau në Gjermani ku është eleminuar, ose vrarë me gaz. Më pas vijnë po kështu emri i Leon Zhak Arditi i vitit 1943, po ashtu i arrestuar në dhjetor dhe internuar në maj 1944 me po të njëjtin fat. Vjen pastaj Luka Zhak Arditi i datëlindjes 1890-të, me po të njëjtin fat, pastaj Luçie Zhak Arditi e vitit 1910 dhe në fund Ugo Zhak Arditi i vitit 1927, që mbyll tragjedinë e një familje hebreje në Shkodër. Të gjithë kanë vdekur në Dakao ku u vra apo vdiq dhe Zyhdi Muhemet Repishti, i cili u torturua në burgun e Gestapos në Shkodër dhe i ra fati i zi të vdiste dhe ai në Dakao, por mbasi kishte qenë në Mathauzen. I vetmi që shpëtoi nga kjo familje ishte djali i madh Mosi. Ai ishte dhe vazhdoi si një farmacist i nderuar dhe i respektuar. Polemikat mbi zhdukjen e një familjeje shkojnë në drejtimin se “ja pra që është zhdukur një familje” dhe padyshim që familja është zhdukur në këtë mënyrë të sipërtreguar, por…!? Por nuk ka kurrfarë të dhëne se kjo familje nuk u mbrojt apo se u shit në atë kohë. Nuk ka dhe për më tepër dihet qartë se përpara tyre italianët i kishin të skeduar se kush ishin dhe çfarë bënin apo ku banonin. Për më tepër se me ardhjen e gjermanëve dokumentacioni i kuesturës ra në dorë të tyre. Një nga nuset e familjes dhe sidomos ajo e quajtur Sara, apo pikërisht e shoqja e inxhinierit, duke marrë pjesë në polemika falenderon popullin e Shkodrës për respektin dhe trajtimin ndaj familjes Arditi. Ajo tregon se familja është arrestuar menjëherë në rrugën “Badra” dhe “shpëtoi” vetëm Zhaku, i cili ishte në farmacinë e familjes. Ai merr vesh se janë marrë nga gjermanët dhe gestapo dhe vrapon për t’i shpëtuar, por arrestohet për vete. Në fakt, Sara tregon se ai kthehet gjallë nga Prishtina, por as që bëhet fjalë se gjen gjallë më gruan dhe fëmijët e deportuar. Janë disa shqiptarë që janë kthyer gjallë dhe në këtë vijë ishte dikur dhe babai im, duke më treguar dhe atë pak që dinte mbi historinë e dhimbshme të farmacistit hebre. Por në fakt, ajo, pra Sara, tregon se kësaj familjeje nga disa familje shkodrane “ju është lutur për ndihmë”, pra për t’i fshehur dhe vetëm mos pranimi në ardhjen e gjermanëve, ka sjellë dhe pastaj arrestimin e tyre dhe vrasjen në kampet e përqendrimit. E kjo duket qartë dhe në atë çfarë shprehet edhe në cilësimet komiteti veteranëve. Dario është shpallur dëshmor dhe të tjerët viktima, por unë kam dosjen e kohës së “diktaturës” që deklarojnë “qëndrimin e mirë politik të tyre”. Të gjitha këto në arkivin e Muzeut të Shkodrës! Gjithashtu janë faktet e qarta të “fshehjes” së qytetarëve të tjerë me origjinë hebreje, të cilët ose u fshehën, ose u “kthyen” në myslimanë, për t’i shpëtuar rrezikut të reprezaljes së gestapos. Kurse familja Arditi ishte qartësisht e dukshme, si me biznesin dhe me shtëpinë dhe lëvizjet në kohën kur rreziku i deportimit nga gjermanët ishte i madh.

Në dokumentacionin e tashmë dalë për publikun, janë pikërisht këta anëtarë të familjes Arditi, por së bashku me ta janë dhe Alush Shefqet Dibra i vrarë në Dakau, Ahmet Muho Cungu i çuar në Hamburg dhe çliruar nga amerikanët. Gjergj Shkurtaj, i internuar në Frankfurt dhe liruar nga amerikanët. Luigj Simon Sula i vrarë me gaz në Dakau. Po ashtu dhe Mirash Pal Biba, i vrarë në Gjermani, por pa u caktuar mirë vendi. Ndrec Shtjefen Shtjefni, i kapur dhe internuar në Lingen dhe i liruar nga aleatët. Pashuk Simon Gjeravina, i internuar në Hylz dhe i liruar nga aleatët. Po në Hylze është internuar dhe Pashuk Simon Hila, i kthyer mbas lirimit nga aleatët dhe mbas tij Rrok Ndue Lazri i internuar në Zigen, pastaj Rifat Murat Laçej i internuar në Hamburg VII-A dhe i liruar nga amerikanët. Mbas tyre vjen Selim Beqir Golemi i internuar në Laipzig dhe aty është vrarë i pushkatuar. I fundit është Vehbi Sait Ramadani i internuar në Mathhauzen dhe Ervil në Francë dhe i ardhur gjallë në Shqipëri në 7-3-1945. Po vij te realiteti i sotëm! Kryeministri i Holandës ka bërë një "mea culpa" se shoqëria holandeze nuk mundi të ruajë rreth 100.000 hebrenj holandezë që u shfarosën nga nazistët. Sigurisht shoqëria holandeze, një nga më të përparuarat në botë dhe me një shtet nga më demokratikët në botë, sot është e qartë, por sërish te kjo shoqëri ka "bjondë" dhe parti me tipare neo fashiste dhe nacionaliste intolerante etnikisht dhe religjionarisht. Krenaria jonë kombëtare në 75-vjetorin e Aushvicit është se e ka pësuar vetëm një familje hebreje duke u shpëtuar disa mijëra dhe se sigurisht mbas luftës në Shqipëri kishte më shumë hebrenj se kishte në fillim të saj. Por ka më mbas "mea culpa" të kryeministrit holandez, i cili bashkë me qeverinë e tij dhe Parlamentin e tij "nuk do kaq shumë Shqipërinë në BE"! Sepse shumë më vonë se 1945-sa (1995-së Srebrenicë ) e Aushvicit, ushtarët holandezë paqeruajtës kanë lejuar pa reaguar ndarjen e burrave dhe grave dhe që të shfarosen rreth 8000 boshnjakë në Srebrenicë nga kriminelët serbë.

Kurse në fakt shqiptarët nga po të njëjtët kriminelë, ju hapën dyert 1 milion vëllezërve të tyre shqiptarë kosovarë, për t’i ruajtur nga gjenocidi si etnik dhe religjionar të praktikuar në Europën moderne. Ku e kam fjalën? E kam fjalën se ne vërtetë kemi një shtet të lëkundshëm ligjor, mbase më shumë se sa duhet të korruptuar, që kemi një shoqëri akoma larg standardeve europiane dhe se Holanda është një shoqëri dhe shtet me standarde të larta. Por....?! Por shoqëria shqiptare, populli shqiptar, ka krenarinë dhe standardet më të mëdha, më të pa arritshme në trajtimin e njeriut, etnive, religjioneve të ndryshëm, racave dhe bashkëjetesës të mrekullueshme si shembull fantastik i pakrahasueshëm me neofashistë dhe gjenocidistë të fshehur me kujdes në shoqërinë holandeze. Ne nuk kemi se çfarë leksioni të marrim nga holandezët në ditën e përkujtimit të viktimave dhe 27 janarit që përkujton vitin 1945-së! Shoqëria shqiptare nuk merr leksione nga askush dhe as nga holandezët për këtë temë, sepse është më e dashura dhe më e mrekullueshmja në kontinentin plak. Holandezët po, kanë pse të vijnë dhe të marrin leksion lirie dhe humanizmi te shqiptarët. E nuk ka pse të na bëjë përshtypje dhe një "jo" e Holandës, sidomos asaj Holande euroskeptike ose anti europianiste, e cila pastaj mbase nuk bashkohet as me KM-në e saj, për një "mea culpa" për kohën e pushtimit të tyre nga nazistët.

Ne në këtë pikë dhe këtë ditë të kujtimit të krimit të madh në Aushvic dhe kampet e përqendrimit nazist, jemi krenarë si një popull fisnik. Pastaj nëse "mbeturinat etno refraktarë dhe religijono-refraktarë" në Holandë duan që Shqipëria dhe shoqëria shqiptare të mos jetë në Europë - realisht aq na bën. Një shoqëri e lashtë që ka trashëguar antikitetin e Pellazgëve dhe Ilirëve e Dardanëve ( kur Holanda ishte nën ujë) ka ardhur sot në tokën e tyre megjithëse të cunguar në pozita fantastike tokësore dhe historike pikërisht në Europë dhe euroskeptikët e anti shqiptarët në Holandë nuk kanë se çfarë tju bëjnë. Po po dhe sikur të ketë përjetësisht një jo të tyre në BE. Absolutisht ata do të mbeten për "mea culpa" përpara shoqërisë fisnike dhe moralisht të përparuar në këtë drejtim sikundër është ajo me zemër të madhe dhe në bashkëjetesë moderne si shoqëria shqiptare.