BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Opinion / Editorial

Mediokritetet përballë "Rilindodumdumit" me shalqi të fryrë kimikatesh!

Mediokritetet përballë "Rilindodumdumit" me shalqi të

Ku ka më propagandë negative, batutaxhie, e neveritshme, sipërfaqësore dhe folklorike si kjo që ka filluar për të ardhur në prillin e 2021-shit. Në një anë është "shoëman-i" i Surrelit që gjënë më serioze ka kur ecën për inaugurime dhe Ballukja, apo Manastirllesha, apo ministra e ministresha, drejtorë dhe drejtorevica i shpjegojnë në ecje e sipër tërr tërr tërr e tërr tërr tërr. E pastaj vetë KM-ja ju kthehet o me batuta, o me korrigjime mërr mërr mërr e mërr mërr mërr. Po po, ka filluar dhe një stërzgjatje të folure të bezdisshme, që sot të duket ajo e dikurshmja sorollatëse e Nanos... mrekulli aktoriale në shpejtësi. Janë bërë më të shëmtuar se dikur Berisha në krye, gjysmë dhe fillim të rrugës, si inaugurim. E pastaj fillon për të bërë dhe dyluftimin virtual (domethënë medemek kundërshtarin) me Bashën me batutat tashmë bajate që bëjnë të qeshin vetëm idiotët e humorit me "bark vere" të tipit, jo shalqi, jo tramvaj, jo ky kështu dhe ky ashtu, të një dokumentari më propagandë e neveritshme se sa dokumentarët e Enverit dikur përpara filmit. Por ky është sot Rama dhe kjo është sot "Rilindodumdumi" i tij, që në këtë mënyrë funksionon. Të gjithë e kuptojnë se është "dumdum", të gjithë që ju ka ardhur në majë të hundës me të dhe "dumdumin" e tij, e kanë të qartë delirin që atë dhe të tijët i ka kapur, por në fakt, përballë tij kanë një model të pa sigurtë, të shfryrë politikisht dhe që ka shpresë vetëm te zemërimi i shoqërisë nga Rama, për të ardhur në pushtet. Po janë tepër, por tepër përfitues, pa asnjë kontribut real që klikën Rilindja, ta rrëzojnë me meritë të epërsisë së tyre politike. E kjo shikohet mirë te zgjedhjet e famshme në PD. Shikohet qartë te njerëzit e zgjedhur dhe te mundësitë që ka një parti për të paraqitur kapacitete, vlera dhe individë jo vetëm me integritet politik dhe moral qytetar, por dhe që janë përballë, kanë pavarësi në mendimin e tyre politik. Në fund të fundit, që kanë dhe shprehje të pavarësisë dhe momentit të tyre politik krenar si kontribut intelektual dhe të pastër në biografinë ekonomike dhe intelektuale. Akoma PD-ja e Bashës shikon biografinë politike si PD-ja e Berishës ose si PPSH-ja po e Berishës. Akoma kjo parti shikon anëtarin përfitues që nuk bën një vërejtje, që nuk përballet parimisht dhe që mban qëndrime të guximshme të vetat dhe jo sipas dëshirës së lidershipit të sprovuar politik në PD. Po të ditur sa ka seriozitet, sinqeritet dhe sa ka pastërti në biografinë ekonomiko financiare. Po pra shkurt, sa të pastër e ka pasurinë dhe sa i pastër është individi në pushtetet e dikurshme apo të provave pushtetërore më përpara. Por kryesorja është tashmë mbas daljes së emrave një mediokritet i jashtëzakonshëm politik, intelektual dhe padyshim i qartë se i shërben pikërisht qëllimit të lidershipit për të mos qenë njerëz me autoritet në shoqëri që të besohet realisht përballje dhe fitorja me një nga qeverisjet më arrogante dhe korruptive në tridhjetë vite demeko-demokraci. Po kjo e Edi Ramës ose njeriut të pakteve të mëdha me Berishën dhe Bashën. Njeriut që arriti të frymëzojë dhe të ketë "fatin" e daljes së opozitës jashtë që ai dhe surrelianët tij, të ketë çdo pushtet vetë dhe të bëjë çfarë t’i dojë zemra dhe interesi. Mediokriteti i PD-së në emra është kudo, por ai ka emblemën e tij në Shkodër, ose qytetin e vetëm në Shqipëri që nuk e ka dorëzuar kurrë pushtetin te PS dhe që nga PD-ja është kthyer në parcelën eksperimentale të bashkëpunimit morboz PD dhe PS. Lista e PD-së në shumicë (ka ndonjë përjashtim) është ajo e njerëzve që nuk sjellin asgjë të re të dukshme, të artikuluar dhe të merituar publikisht. Ajo listë ka kreun e bashkisë të fundit (po bën shtatë vite) që ka devijuar Shkodrën në qendrën e madhe urbane të paadministruar, pa shërbime dhe më në periferi të urbanitetit më shumë se çfarëdolloj qyteti në Shqipëri. Ka "meritën" e drejtimit më të keq, absurd dhe asgjë bërës gjatë gjithë demokracisë. Po dhe këtë dhuratë jua bëri Rama duke kandiduar "integritete" politike si i di ai me tipa që fshehin diçka dhe gjithçka në biografitë personale ekonomiko financiare. Lista e PD-së ka gra dhe vajza që kanë marrë katapultim pushteti politik nga baballarë demokratikë si militantë dhe kryetarë, por dhe familjarë të ish PD-së, apo funksionarë bashkie, por pa asnjë kontribut normal personal. Ka të tjera që i kanë bërë fresk Ramës në Kryeministri, kur ai tallte "trapin" si me PD-në në marrëveshje me Bashën dhe me të gjithë shqiptarët. Ka ish-kryebashkiakë që nuk mbahen mend për aksione të vërteta shërbimi urban, përveç lejeve të gabuara, të cilat i kanë paguar kryebashkiakët e tjerë mbas tij. Po janë dy profesorë të rinj dhe të vjen keq për prof Gurakuqin që sigurisht nuk mund të ketë nivelin e njerëzve me dyqane që kujtojnë se kollarja i bën intelektualë. Sigurisht unë e kuptoj se PD-ja ka bërë maksimumin e saj. Ka zgjedhur për nga organizmi dhe shpirtrat e saj, realisht një listë e cila është "as mish as peshk", por që nuk mund të jetë kurrsesi më e mira për Shkodrën. Mbase Rama si zakonisht do t’ia besojë qytetin (e gjyshes) miliarderëve dhe periferikëve dhe padyshim PD-ja (dikur bashkëpunoi për të nxjerrë kryebashkiaken) sidoqoftë nuk ka shkuar deri këtu, por...? Por mediokriteti, mungesa e mendimit të ri dhe sidomos aftësitë personale janë një dyshim i madh politik. Por absolutisht e njëjtë është situata kudo në Shqipëri kur është kështu në degën e cila ka rezistuar prej 30-të vitesh përballë socialistëve. Ka rezistuar jo se e ka merituar, por sepse shkodranët nuk duan as mënyrat dhe fytyrat e sidomos nga fundi, të një PS-je në Shkodër për faqe të zezë. Tani si kundër është mentaliteti në Shkodër pikërisht në lidershipin e Tiranës besojnë se funksionon në të gjithë Shqipërinë. Kujtojnë se në Korçë, Berat, Vlorë, Elbasan, Përmet, Tepelenë, Peqin, Leskovik, Ersekë, Fier, Lushnje, Pogradec etj. etj. - si në Shkodër, kanë marrë inat Ramën dhe do votojnë Bashën. Po pra qoftë dhe me mediokritete. Do largojnë "dumdumin" e Rilindjes që nxjerr tym, harxhon vaj, bën zhurmë, vjedh natën dhe ditën, është i shëmtuar dhe keqan, vetëm se "ai është kështu dhe jo se PD-ja nuk është dumdum për vete". Mendojnë se ju duhen mediokritetet si përfaqësim njerëzor politik, që nuk iu nxjerrin punë në lidershipin lart në Tiranë, sepse Ramën do ta largojë "inati popullor". Kujtojnë se në ato rrethe që përmenda janë si Shkodra që e kanë patologjikisht neveri të majtën përfshi dhe "demokratin rilindas" Rama. Kujtojnë se vlen thënia e Shkodrës se PD-ja në Shkodër dhe një gabel të vendosë (respekt dhe vlerësim për komunitetin rom dhe egjiptian) fiton me socialistët. Mbase mbase, por nuk më duken llogari të bukura e sidomos të drejta. Por në fund të fundit lart në PD janë të "zgjuar" vetë. Po dhe e kam fjalën nga - gjumi. Po ti kthehem batutaxhiut nga Surreli (është fshat i njohur për batuta dhe humor Surreli) mbase PD-ja dhe opozita janë tramvaj me shalqi, por dhe "Rilindja" është "dum dum" me shalqi prodhuar me kimikate dhe hormone. Po nga ato që të mbysin po u ekzagjerove në të ngrënë. Puna është se Rama e di që PS-ja e nënshtruar nga ai dhe Rilindja, është ndryshe dhe kjo pastaj mund të jetë nesër diferenca në zgjedhje.