Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Megjithëse ja hoqën “kollaron” dhe e veshën me “brekushe”...!

Postuar: 20/03/2019 - 07:12

...Përsëri Partia Socialiste mbetet forca më serioze politike në vend. Kur them i hoqën “kollaron” kam parasysh seriozitetin me të cilin ajo ka përfaqësuar interesat e të majtës shqiptare, qysh nga krijimi i saj e deri në ditët e sotme. Herë pas here, megjithëse Edi Rama, sipas rastit ja ngatërron “kollaron” me “brekushet”, përsëri Partia Socialiste qëndron shumë më lart nga simotrat e saj të tjera që gjenden në pikën e hallit! Dihet që populli shqiptar, nga vetë natyra dhe kushtet në të cilat ndodhet, është i majtë. Por, a ka zhgënjim sot nga elektorati për Partinë Socialiste? Me plot gojën mund të them që ka, por ky zhgënjim nuk është ndaj Partisë Socialiste, por është ndaj “Rilindjes” apo ndaj “brekusheve” që nuk ka bërë realitet ato që ka marrë përsipër. Nuk e kam fjalën nga mënyra e veshjes, por gjithmonë nga serioziteti me të cilin partia përfaqëson interesat e shtresave që përfaqëson. Partinë Socialiste, pavarësisht nga “traumat” që i shkaktoi Fatos Nano, Edi Rama e mori në “dorëzim” si një Parti me “kollaro”. Fill pas kësaj me disa teori të ashtuquajtura “Përtej të majtës e të djathtës” që nuk kishin fare lidhje me programin e Partisë Socialiste, e më pas gjatë rrugës me ca shpikje dhe emërtime si “Rilindje”, “Shqipëria që duam”apo “Të gjithë në bashkëqeverisje” etj., etj., nuk ishin gjë tjetër përveçse disa “maocedunizmave”! Largoi shumë njerëz të nderuar dhe me “taban” nga Partia Socialiste për të marrë disa “çapaçulë” që nuk e kanë “haberin” nga punët e qeverisjes. Këto do të mbeten në histori siç mbeti ajo e Saliut të Parë që do të “zhdukte” korrupsionin, këtë plagë që është rrënjosur me shekuj, duke i dhënë numrin e tij të telefonit për të denoncuar qytetarët! Vetëm një mendje anakronike prej Saliu, mund të zhduki korrupsionin me këtë mënyrë. Mbledhjet e qeverive “ambulante” ishin një “vërë në ujë”! Me programin e majtë të partisë, “brekushja” prodhoi jo pak oligarkë me afera korruptive, duke i ngrënë “racionin” Bashës, por edhe Basha, i cili as që e ka idenë se çfarë programi përfaqëson partia e tij sepse i janë errur sytë për pushtet, u qan hallin shtresave të varfra, duke i ngrënë “racionin” Ramës. Si këto janë edhe shumë të tjera që kanë krijuar jo pak kosto për Partinë Socialiste, kanë shkaktuar jo pak lëkundje” në rrugën e kësaj “anije” që e kishte shumë të qartë rrugën e saj, programin e saj dhe qëllimin strategjik të saj. Premtoi shumë, por bëri pak, e besuan shumë por edhe zhgënjeu shumë, e mori vetë “timonin” me mburrje por nuk e besonte që do të kishte kaq “gropa”, kaq shumë “puseta” të hapura, kaq “ferra” e “driza” gjatë rrugës ku do të kalonte “makina” e Rilindjes. Nuk e besonte as atë që opozitarët në Shqipëri, që vetëm emrin kanë të tillë, edhe atje ku nuk ka pengesa të tilla i krijojnë artificialisht!

Por, a ka humbur plotësisht besimi sot tek Partia Socialiste? Absolutisht jo. Me bindje të plotë mund të themi që krahasuar me kohën ku duhej të ishte Partia Socialiste, është mbrapa, dhe krahasuar me partitë e tjera në “terrenin” shqiptar, është shumë më përpara! “Mos u mburr mos u lëvdo, thotë populli, gjatë rrugës do të të shoh”! Dhe ja, në rrugën e bërë deri sot, qeveria e mazhorancës nuk ka atë forcë që pati në fillimet e saj, nuk ka atë “mburrje’ të fillimeve të saj, nuk ka mbajtur ato premtime për të cilat u zotua para elektoratit. Pavarësisht ndryshimeve, në thelb, në bazë, ka po ato që la përgjysmë “qoftëlargu” para tij, po atë “tymnajë” që lanë paraardhësit e tij. Edi Rama u mundua të bëjë shtet dhe për hir të së vërtetës ka bërë jo pak, megjithë “stërkëmbëshat” që i kanë vënë “ujqërit e bashkuar”, që për “pak” pushtet që e kanë humbur, janë të gatshëm t’i vënë zjarrin Shqipërisë, janë të gatshëm ta shesin Shqipërinë, edhe për “pesë pare spec”, janë të gatshëm që për interesat e tyre ta çojnë Shqipërinë pranë “Republikës së Kiribatit”, por jo nëEuropë. Më keq akoma, politikanë të paskrupullt që nxjerrin dita ditës “mejhanet” shqiptare, analistë që mbasi kanë lëpirë ndonjë “kockë” që u hedhin “imzotët” e tyre që i paguajnë, “proteinat” e tyre i “djegin” duke nxirë në faqet e gazetave apo duke llomotitur në ekranet e televizioneve. Këta janë të përnatshëm, të njëjtë e me të njëjtin mllef që zbrazin, duke nxitur urrejtjen, duke i fryrë ndasive midis shqiptarëve ku nuk mbizotëron arsyeja dhe logjika e shëndoshë, ku nuk mbizotëron toleranca dhe humanizmi por egërsia. Të gjithë “të ditur” dhe asgjë të mençur për “mejdan”! Janë aq shumë gjëra për të thënë, janë aq shumë gjëra për të korrigjuar në këto situata që po kalojmë. Në këtë mori faktesh, unë po marr vetëm njërën prej tyre, atë, që kush po i vjen më shumë në ndihmë Partisë Socialiste sot për të realizuar programin e saj dhe për të hequr nga rruga ata “shkëmbinj” që nuk kanë rënë nga faqja e malit, por i “rrokullisin” opozitarët! Këtë ndihmë më shumë se kushdo tjetër po ja japin Partitë opozitare, që siç e thashë më lart, vetëm emrin kanë të tillë! Po si ato po e ndihmojnë Partinë Socialiste? Secila prej tyre ka mënyra të ndryshme, por unë duke mos shkuar më tej do të mbështetem vetëm tek protestat e kohëve të fundit që organizon opozita. Edi Ramës, asnjë socialist nuk do t’ja harrojë atentatin që i bëri Kushtetutës në prillin e “Zi” të vitit 2008 që u bë palë me krimin. Pasojat e atij atentati po shfaqen në mënyra të ndryshme në kohën e sotme, qysh nga Organi Ligjvënës e deri poshtë. Askush nuk do t’ia fali Edi Ramës, rrahjen e shpatullave të kriminelit për krimin që bëri në Gërdec, pasojat e të cilit i vuajnë akoma edhe sot dhjetra e qindra banorë ku humbën të afërmit e tyre, që humbën banesat dhe i infektuan edhe tokën... Krimineli dhe “sejmenët” e tij që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit nuk u mjaftuan me kaq, por kriminelët i ngriti në poste dhe u dha privilegje për të vetmen meritë, atë të vrasjes së njerëzve të pafajshëm. Sot, Fatmir Mediu nuk është përgjegjës vetëm për Gërdecin e megjithatë ndihet shumë komod prapa “mburojës” Basha. Po kështu, komod ndihet edhe “njeriu që qesh e filozofon” Nard Ndoka, që edhe ata katër pesë anëtarë të partisë që i kanë mbetur me të cilët luan letra gjithë ditën, jep leksione për demokracinë në koalicionin e Bashës. Cilin të marr tjetër e të “falenderoj” për kontributin” që jep për mazhorancën. Ja, të marrim edhe Monikën. Monika qëndron në krye të protestave “për të drejtat e saj, për taksat e larta” për të hequr zvarrë “shëmtirën” Rama” si përgjegjës për gjendjen e sotme, “për largimin nga vendi të 400.000 shqiptarëve”, për “korrupsionin e madh”, “për rritjen e kriminalitetit”, për vjedhjen dhe blerjen e votave nga mazhoranca e sotme” etj., etj. “Shkencëtarët” e shpikjes së vjedhjes së votave janë PD-istët dhe LSI-stët! Këtë “shpikje” Basha me Monën, ja faturojnë rilindësve, që nuk janë pa faj! A ka ndihmë më të madhe që i jep mazhorancës kjo kryetare dhe ky çift bashkëshortor që natën janë në “unison” dhe ditën bëjnë opozitarin? Si mund të prezantohen më mirë këta “të pakorruptuar” para popullit, i cili ua njeh rrënjë e dhëmballë? A ka ndihmë më të madhe për mazhorancën qeverisëse, kur populli sheh se kush kërkon të vijë në pushtet? Sa herë që protestojnë “kokëpalarët” Presidenti ja mbath jashtë vendit, ku të mundet dhe që andej, “Simboli i unitetit” vrojton ngjarjet në Shqipëri duke dhënë “kontributin” e tij. Këtë radhë, duke dëgjuar Bashën, që tha se “ka filluar numërimi mbrapsht për Edi Ramën” dhe duke dëgjuar bashkëshorten e tij, mendoi “Plasi peshku” dhe me vrap u ngujua në zyrën e tij, duke vrojtuar se si do të “hiqej zvarrë “shëmtira” nga momenti në moment” Por në fund, mbasi mbaroi gjithçka dhe “gurhedhësit” lanë prapa vetëm gurët e hedhur mbi policinë, u zhgënjye dhe menjëherë lëshoi mesazhet e tij: “Duhet të qëndroni larg konfrontimeve fizike”, “Nuk duhet dhunë”. “Qëndroni larg provokimeve”! Është pak që këtij njeriu t’i thuash “Simboli i Hipokrizisë” përveç të tjerave që ka mbi kurriz. Ky dhe partia e tij që ka mbetur “ferrave” rrugës, as që kanë të krahasuar me Partinë Socialiste. Lum ne që të kemi o President që i “dilni të keqes përpara” dhe vetë qëndroni shumë vite dritë larg fizikisht dhe mendërisht. E megjithatë, shtypi ju vlerëson shumë për “kontributin”! Një tjetër kalemxhi LSI-st sipas urdhrit të Monikës, u hakërrehet ndërkombëtarëve. “Shqipëria nuk është lulishtja e Hotel Rognerit dhe fluturat shumëngjyrëshe të Kryeministrisë”! Nuk e ka keq, por shyqyr që ndërkombëtarët nuk u hyjnë thellë bëmave të të gjithë krerëve LSI-stë në poste të ndryshme, të cilat akoma “tymojnë” dhe nuk mund të pastrohen shpejt si gurët e protestuesve të Bashës. Sot, LSI-ja është vetëm Monika sepse partia ka mbetur rrugëve për të djegur goma të vjetra.

Meqë ra fjala për Bashën, për nga vetë “rëndësia”jo më kot e lashë për në fund. Basha tashmë njihet mirë nga të gjithë. Ai njeh shumë gjëra, por nuk njeh atë më elementaren. Edi Rama nuk rrëzohet me protestat e rrugëve e aq më tepër me militantë. Basha, nga prapa mban një “kacek” nga ata që i fryjnë zjarrit, një Gazmend që i jep “ajër” Bashës që ai t’i fryjë “borigës” së tij që nxjerr vetëm një tingull, atë të krimit e të korrupsionit të të tjerëve, por jo atë të “vrimës tjetër të kavallit”, atë që të gjitha të zezat që i janë shkaktuar këtij vendi e këtij populli janë të partisë së tij, që sot është katandisur në një parti që përfaqëson vetëm disa militantë. Militantë në Kryesinë e partisë, militantë poshtë nëpër degët e partisë të njërit apo tjetrit “Sejmen” të Bashës. Protesta e fundit të militantëve të Bashës dhe Monikës si ç’do protestë tjetër që ka bërë dhe do të bëjë, janë vetëm spektakle. Qytetarët panë policinë e “Qoftëlargut” që nuk e dimë si i shpëtoi pa e parë “Protestën më të madhe në Historinë e Shqipërisë”, “Uraganin e Madh” që do të fshinte Maduron”, por i ka rënë pika për dollarët që do të paguajë Zeni i tij! Tek Guri me vërë, një nga një do të shkojnë të tërë”! Policia e “qoftëlargut” të vriste siç vrau, policia e sotme ngrohet në zjarrin e gomave që ndezin militantët e Bashës dhe durojnë edhe gurët mbi kokë që u hedhin “gurëhedhësit”! Ky është ndryshimi i madh midis dy qeverive dhe qytetarët e shohin. Këtë nuk e shohin Palokat dhe Gazmendët e Bashës që thonë: “Dyert e Ndërtesës së Kryeministrisë i shkatërroi vetë policia që të nxirrte prej andej lëndët helmuese”. Që të thuash këtë, duket të jesh ose Nokë, ose Palokë, ose i sapo dalë nga Pavioni Nr 5!

Shumë të tjera do t’i lëmë për herën tjetër, konkluzioni është: “Edhe një mijë herë të bëhen votime, Partia Socialiste do të fitojë” dhe kjo, jo se e kanë aq me qejf Socialisten e aq më pak “Rilindjen”, por duke i krahasuar me partitë e Basho-Monikës, qëndron shumë lart! Rilindjen e mban në pushtet kjo “biçim” opozitë!

Nga Pandeli BARDHI     

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2019 - 07:45

Ne shqiptarëve nuk na ligështon dhe demoralizon qëndrimi persistent i shpirtngushtësisë franceze, që mbylli portat e hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Postuar: 20/10/2019 - 07:44

Ende e mbaj mend kur këtu e një dekadë më parë, në rrjetet sociale, shtrohej pyetja dhe hidhej në

Postuar: 20/10/2019 - 07:43

“Gabim historik” u cilësua nga vetë ekzekutivi i BE dhe shumica e vendeve të BE, qënd

Postuar: 20/10/2019 - 07:41

Tani po fillojnë të bëjnë "racizëm" diplomatik, politik, krejtësisht jo normal dhe pady

Postuar: 20/10/2019 - 07:40

....Emmanueli francez, nuk ka shumë kohë që ka dalë në skenë për t'i thënë "Jo" hap

Postuar: 20/10/2019 - 07:39

Pasi derdhëm marazin e zhgënjimit nga “jo”-ja franceze për të na çelur bisedimet e an

Postuar: 19/10/2019 - 14:40

Është për t`u habitur kur në kulmin e diskutimeve për çeljen e negociatave të Shqipërisë në Këshi