BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

“Memoriali i Hormovës”, gur prove në respekt të të rënëve, por dhe apel se ende shovinizmit grek i kullojnë jargët për “Vorio Epirin”

“Memoriali i Hormovës”, gur prove në respekt të

Shkak për këtë shkrim bëhet një atdhetar me origjinë nga Mallakastra, i cili me armë në dorë sëbashku me shokë e tij shqiptarë të Dardanisë, luftuan për çlirimin e kësaj krahine nga kthetrat e shovinizmit të egër serbo madh deri në lirinë dhe pavarësinë e saj. Tashmë ky qytetar e atdhetar, nuk është i vetëm, ai sëbashku me disa shokë të tij dhe në bashkëpunim me djemtë hormovitë dhe atdhetarë të tjerë e patën menduar mirë e bukur që në vendin ku ndodhet aktualisht “Përkujtimorja” e masakrës së Hormovës, masakër kjo e planifikuar, organizuar dhe drejtuar direkt nga forcat më të egra barbare të andartëve shovinistë grekë në vitet 1913-14, të ringrihej duke u riparuar po e njëjta “Përkujtimore”, e cila ishte e lënë në mëshirë të fatit, e prishur e shkatërruar jo vetëm nga erozioni i kohës, por dhe erozionet shkatërrimtare të kokës në të gjitha “ecejaket” e qeverive të ndryshme mbas viteve 90-të. Shkak për këtë nismë, u bë edhe qëndrimi i egër, drejtvizor, i njëtrajtshëm i konsullit grek në Gjirokastër, i cili në këmbim të lejeqëndrimeve të shqiptarëve në Greqi, u kërkonte qytetarëve shqiptarë të “besimit ortodoks”, të deklaroheshin si grekë. Një shtet demokratik, sikurse kërkon të hiqet Greqia, nuk ka pse ushtron presione të tilla nëpërmjet konsullit të vet. Nëse këtë gjë p.sh, do e kërkonte një llogaritar i thjeshtë nga Korfuzi, nuk do të merrej dhe aq shumë në konsideratë, por kur këtë gjë e kërkon me forcë konsulli i Greqisë i atashuar në Gjirokastër, atëherë kjo do të thotë, se është një vijë konstante dhe konseguente e politikës së jashtme greke, veçanërisht ndaj Shqipërisë. (Sikurse dhe vite më për që kërkonin helenizimin e emrave të emigrantëve shqiptarë me banim në Greqi gjë që më shumë se 70% ja arritën qëllimit të tyre). Situatat e vështira ekonomiko-shoqërore që përjetoi Shqipëria, sidomos në kohën e tradhtisë dhe sabotimit që ju bë socializmit mbas viteve 90-të të shekullit të kaluar, e vuri Greqinë në vendin e parë “mikpritës” për shqiptarët, të cilët morën rrugën e kurbetit. “Dashamirësia” e qarqeve shoviniste greke, nuk ka aspak të bëjë me dashamirësinë e vërtetë e të sinqertë të këtij populli, i cili u hapi portat e fqinjësisë së mirë shqiptarëve. Por pikërisht këtë zemër të hapur bujare të popullit grek, shovinizmi i “magalli idhesë” dhe disa nga kokat e nxehta të qeveritarëve nacionalistë e ultra nacionalistë grekë, e tundin fort sikur të ishin ata “jetëdhënësit e shqiptarëve” dhe me këtë rast, gjoja (kjo gjithmonë sipas tyre) u lind e drejta të dominojnë dhe diktojnë dhe në punët e brendshme të Shqipërisë. Raste të tilla ka me dhjetra e me qindra, por më të fundit mund të përmendim ndodhinë me qytetarin Odise Gremos, që është shembulli tipik i punës së mbrapshtë të diplomacisë greke në këtë çështje. “Djemtë të Labërisë” të cilët ishin mbledhur në protestë për këtë qëndrim antishqiptar nga konsulli i Greqisë ju bashkëngjitën dhe të rinj nga Kosova. Po dikush dhe mund të çuditet. Çne Kosova, këtu në Gjirokastër?! Aspak nuk ka vend për çudira të tilla, sepse çdo pikë tokësore e Shqipërisë është dhe e Kosovës, sikurse çdo grusht dheu prej Kosove, është dhe nga dheu i Shqipërisë. Por ajo që kanë të përbashkët është, se dhimbjen deri në kockë ndaj orekset shoviniste, rreziqet, pushtimet, të rënët, reprezaljet, masakrat, therjet dhe deri te nxjerrja e fëmijëve me bajoneta nga barku i nënave i kanë përjetuar më shumë pikërisht këto troje. Nënave e motrave tona të Labërisë, por dhe atyre dardane faqet me gjithë rremba e vija, jua u ka bërë më shumë loti se sa pleqëria! Në këtë kuadër, këta djem në bashkëpunim me të rinj të tjerë, por dhe me gjithë ata njerëz të mirë e të ndershëm në kujtim të masakrës së Hormovës të martirizuar dhe nën thirrjen se shovinizmi është jo vetëm dëm dhe fatkeqësi për fqinjët, por dhe vetë atyre që e mbartin atë, ndërmorën një protestë aty nga mesi i qershorit të këtij viti, që autoritetet lokale nuk e dëshironin të zhvillohej për shkak të situatës së “rrezikut infektiv”. Mbase “korona” në këtë rast u erdhi në ndihmë, për të mos krijuar “incidente diplomatike” me konsullin “vorio-epiriot të megalli idhesë” e megjithatë të rinjtë protestuan. Edhe pse disa prej tyre i ndaluan si shkelës të rregullit duke i mbajtur nga 4-5 orë në ambjentet e komisariatit të policisë. Por ky lloj “luajaliteti diplomatik” dhe i autoriteteve vendore të disa prej drejtuesve kryesorë në rrethet e jugut, duket në realitet sikur e tkurr patriotizmin e tyre, që deri tani e kemi parë vetëm në letër. Kur vetë të rinjtë tanë atdhetarë në bashkëpunim me ish-luftëtarë shqiptarë të UÇK-së ndërmarrin nismën e rinovimit të “Përkujtimores se Hormovës” ndaj barbarisë shoviniste greke në tokat shqiptare, përse ngurohet ta japin lejen e riparimit, apo do kujtohen kur të ndodhë një “Peshkëpi e dytë”? Nuk u kanë mjaftuar vallë, thirrjet histerike në shumë vende madje dhe nga zyrtarë të lartë të Greqisë që me fjalimet e tyre patetike në Himarë apo dhe në disa fshatra të Dropullit i mbajnë sikur të jenë në tokën e tyre madje disa “madhorë vendorë” heshtin duke futur kokën si struci, por nën tavolinë? A ka turp më të madh që ushtarëve grekë të rënë në luftë kundër fashistëve italianë u ndërtohen varreza, varreza këto me një prapavijë të lexueshme dhe tejet të rrezikshme “vorio-epiriote”, teksa këmbëngulja për rinovimin e përkujtimores për masakrimin e 217 burrave hormovitë të Tepelenës ngurohet dhe hezitohet?! Të dhënat flasin se autoriteteve greke legale dhe atyre ilegale, kur sapo morën informacion për këtë nismë të djemve shqiptarë nuk u erdhi mirë. Nëse nuk u ka ardhur mirë, do të thotë se ata edhe sot në kohët moderne janë po aq shovinistë sa dhe një shekull më parë duke pretenduar jugun e Shqipërisë. A nuk e kuptojnë autoritetet më të larta shqiptare dhe ato lokale se aksi Korçë-Përmet- Tepelenë-Gjirokastër përkon me pretendimet e dikurshme të Jorgo Zografit dhe Napoleon Zervës, por dhe të korofillakëve të tanishëm vorio-epiriotë?! Mirë këtë që nuk e kuptojnë, por të paktën të mos i pengojnë djemtë tanë të rimëkëmbin memorialët, sepse kështu rimëkëmbin dëshmorët dhe të nderosh dëshmorët e vendit tënd, është miliona herë më mirë se sa të instalosh gurë varresh për armikun... në tokën tënde. Sigurisht duhen përgëzuar qëndrimet burrërore e atdhetare jo vetëm të djemve dardanë dhe atyre të Labërisë, por dhe të gatishmërisë se T. Peçit me shokë, sikurse dhe të atdhetarit gjirokastrit Aristotel Petro, djemve e vajzave sokolesha të Gjirokastrës, të rinjve e të rejave nga Malësia e Madhe, Kosova e Maqedonia. Iniciatori i saj Meçan Balaj, luftëtar dhe invalid i luftës së UÇK-së, i cili është dhe frymëzuesi i kësaj nisme sëbashku me arkitektin kosovar, Blerim Bajraktaraj e dhjetra të tjerë që kanë kontribuar në mbledhjen e fondeve për riparimin e këtij “Memoriali”. Nëse autoritetet shqiptare, qëndrore dhe lokale nuk japin leje atëherë këtë punë duhet ta marrë në dorë e gjithë rinia e jugut madje dhe gjithë Shqipërisë, si një nismë e përgjithshme për t’u përhapur pse jo dhe në shkallë kombëtare në nderim të të rënëve, e jo të protestojnë për interesa të pasurimit të kapitalistëve shqiptarë. Është në nderin dhe dinjitetin e të rinjve shqiptarë, që në çështje të tilla me vlera të mëdha historike dhe edukativo-atdhetare të mos ndalen kurrë sepse tërësisht janë problemet tona dhe aspak e Greqisë apo dhe e vendeve përreth. Ju lumtë djemve të Labërisë, Dardanisë, shqiptarëve të Maqedonisë dhe gjithë shqiptarëve kudo në botë, përkrahës së kësaj nisme!