BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Opinion / Editorial

Menaxherja e dijes

Menaxherja e dijes

Në ditën e 7 marsit, dua të flas me admirim për menaxhimin e situatës së rrezikshme dhe të jashtëzakonshme të shkaktuar nga Covid-19 në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, si kudo në sistemin tonë arsimor. Dhe për drejtuesen e kësaj shkolle, Teuta Braçaj. Teuta ka 25 vjet eksperiencë në arsim. Qetësia dhe pjekuria, të fituara nga ky çerekshekulli në shërbim të nxënësve, pasioni dhe dëshira për të bërë mirë në këtë punë, e sollën të përballonte edhe sfidën më të madhe të jetës së saj: ruajtjen e jetës së stafit mësimor dhe nxënësve, ndërsa duhej siguruar mbarëvajtja e mësimit të ndërthurur online me atë me prani fizike. Covid-19 ndryshoi gjithçka jo vetëm në jetën tonë, por edhe në mësimdhënie. Teuta reagoi me guxim dhe vendosmëri që nga dita e parë e mbylljes totale, 9 marsi 2020. Ua përcolli në kohë reale udhëzimet e lëshuara nga Ministria e Arsimit të gjithë mësuesve dhe menaxherëve të shkollës. Nën drejtimin e saj, mësuesit krijuan grupe mësuesish në platformën WhatsApp. Teuta ishte e pranishme dhe koherente me kërkesat në të gjitha grupet e krijuara në WhatsApp, ku merrnin pjesë mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Në vetëm tre ditë mbas mbylljes totale, znj. Braçaj arriti të zhvillonte orët e mësimit në internet, orët online për të 1227 nxënësit e shkollës. Rinisja e menjëhershme e mësimdhënies, përmes mësimit në internet pati një efekt të menjëhershëm pozitiv psikologjik tek të gjithë: si mësuesit edhe nxënësit dhe prindërit. U caktua një orar, 3 orë mësimore në ditë me një kohëzgjatje prej 90 minutash çdo javë dhe një pushim 30 minutash ndërmjet tyre. Mësuesit fillimisht përdorën WhatsApp për të ndarë mësimet me foto ose audio, por më vonë nga trajnimi në internet dhe i mbështetur nga mësuesit e IT, ne krijuam klasa, të cilat sollën një risi në mënyrën e transmetimit të njohurive. Teuta ishte e vetëdijshme për natyrën e ndryshme të raporteve me teknologjinë te stafit te saj pedagogjik. Shkolla “Petro Nini Luarasi” ka 65 mësues të moshave të ndryshme dhe eksperiencave të ndryshme të mësimdhënies. Teuta punoi gjatë dhe me durim me mësuesit më të moshuar, të cilët e kishin më të vështirë të futeshin në mësimin në internet, derisa ata më vonë u bënë pjesë e kësaj metode në internet dhe shumë syresh ishin ndër më të dalluarit. Kishte mësues që përdorën metodën ZOOM për të pasur kontakt të drejtpërdrejtë me klasën e tyre. Disa mësues të tjerë gjithashtu filluan të krijojnë kanalet e tyre në Youtube, në të cilat kaluan mësimet e regjistruara më parë. Teuta i nxiti mësuesit t’u jepnin detyra nxënësve edhe gjatë mësimit online, përgjigjet e të cilave nxënësit i dërguan edhe me e-mail, krahas kontrollit nga mësuesi gjatë mësimit online. Në të gjitha rastet, znj. Braçaj nxiste vlerësimin në kohë reale nga ana e mësuesve, të detyrave të paraqitura nga nxënësit me e-mail ose WhatsApp. Të mësuarit në internet ishte një sfidë jo vetëm për menaxherët dhe mësuesit e shkollës, për vetë nxënësit, por edhe për prindërit. Teuta i falënderon nga zemra të gjithë prindërit e 1227 nxënësve të saj për përkushtimin maksimal për pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në mësimin në internet. Ajo është e vetëdijshme se të mësuarit në internet nuk mund të zëvendësojë procesin e të mësuarit në shkollë, por për situatën në të cilën ndodhet e gjithë bota, si dhe ne në Shqipëri, Teuta e thotë me bindje se mësuesit, nxënësit dhe prindërit, të gjithë së bashku ia dolën të realizojnë një vit shkollor 2019-2020 jo vetëm të plotë, por edhe efektiv, brenda mundësive të kufizimeve nga Covid-19. Kujdesi maksimal u bë për maturantët e këtij viti të jashtëzakonshëm shkollor. Për shkak të numrit të madh të nxënësve në një klasë (më shumë se 30), Teuta i ri-grupoi ata në mini-grupe me 10 nxënës në secilën klasë dhe i vendosi në të gjitha ambientet (klasat) e shkollës në të tre katet. Një orar i ri mësimor u vendos vetëm për ato disiplina që ishin provime për maturantët. Mësimi personal për maturantët filloi në 18 maj dhe përfundoi në 5 qershor 2020, me të gjithë stafin pedagogjik të vënë prej saj në dispozicion të çdo paqartësie që mund të kishin maturantët. Nxënësit dhe mësuesit u pranuan në shkollë nën masa të rrepta të sigurisë shëndetësore: me maska, ata dezinfektoheshin në hyrje, u matej temperatura dhe vetëm atëherë hynin në klasë. Kishte pastrues dore në çdo bankë, pasi dorezat nuk ishin efikase për t'u përdorur gjatë orëve të mësimit. Si Teuta ka shumë menaxherë të suksesshëm të dijeve në shkollat tona. Dua me gjithë shpirt t’u uroj të gjithë atyre gëzuar Festën e 7 Marsit. Për ta, si prind dhe qytetar ruaj mirënjohjen më të thellë.