BREAKING NEWS

Publikoi videon e Lefter Allës duke thithur kokainë, Artan Hoxhën e thërrasin në Polici, vjen reagimi që nuk pritej i Blendi Fevziut

x

Opinion / Editorial

Menaxhimi i fondeve ende përbën një sfidë për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore

Po bëhen gati 4 vjet në procesin e implementimit të reformës administrative territoriale në shkallë vendi dhe NJQV ende përballen me vështirësinë e sigurimin e të ardhurave dhe menaxhimin e fondeve në dispozicion. Një nga qëllimet kryesore të reformës për bashkimin e ish-komunave dhe bashkive në njësi më të mëdha dhe të përqendruara ishte mirëmenaxhimi i fondeve, kursimi në shpenzimet e funksionimit, afrimi i projekteve më rajonale përsa i përket shtrirjes territoriale dhe bërja e bashkive më eficente në afrimin e shërbimeve më me cilësi për komunitetin.

Referuar auditimeve dhe konkluzioneve nga auditimi i KLSH vërehet ndryshim i vogël përsa i përket objektivave të reformës sa që në raport me pritshmëritë menaxhimi i fondeve të disponueshme ende përbën një sfidë madhore për bashkitë. Megjithëse janë ndërmarrë strategji specifike në këtë drejtim dhe megjithëse u bë gati një dekadë që planifikimi i buxheteve në kuadër të PBA është mirë-strukturuar, në më të shumtën e rasteve procesi i planifikimit kryhet në një masë formale vetëm për tju përmbajtur rubrikave që kërkohen në buxhetim dhe jo duke studiuar realisht nevojat që në momentin e projekt-ideve. Planifikimi i fondeve dhe miratimi është tagër i bashkive, por referuar pjesës së buxhetit që akordohet nga qeveria dhe mënyra si administrohet nga qeveria në shpërndarje ende nuk siguron autonominë e synuar nga reforma dhe sidomos nga ligji për financimin e NJQV.

Nga auditimet e KLSH është konstatuar se pjesën më të madhe të buxhetit të bashkive, e cila sigurohet nga qeveria, ende vazhdon të jepet jo në kuptimin që ato fonde janë të bashkive dhe i përkasin atyre, por duke ruajtur një kontroll jo të vogël duke i strukturuar në formë grandi, si ai i pakushtëzuar dhe fondet specifike, duke bërë në këtë mënyrë bashkë-administrim dhe duke krijuar hapësira për varësi dyfishe të funksioneve specifike si arsimi parashkollor, shërbimi zjarrfikës, kullimi etj. Një aspekt tjetër shqetësues në raport me qeverinë për NJQV është dhe ndërprerja e shpenzimeve çdo vit rreth muajit nëntor, e cila bën që likuidimi i detyrimeve të shtyhet për vitin tjetër. Ky është shqetësim serioz pasi në bazë të kufizimeve ligjore, buxhetet e bashkive bëhen efektive rreth muajit shkurt të çdo viti, procedurat e prokurimeve nuk mund të fillojnë përpara kësaj periudhe, zgjatja e procedurave dhe zbatimi i projekteve diktojnë në më të shumtën e rasteve financimin e tyre në fund të vitit.

Në këto kushte, pavarësisht radhës FIFO të diktuar nga ligjet e buxhetit, evidentohet hapësirë që në kuadrin e përgjegjshmërisë jo në nivelin e duhur të abuzohet me likuidimin e detyrimeve nga NJQV. Duke u bërë praktikë disa vjeçare, kjo ka sjellë sot një stok faturash të palikuiduara si në shumën 3,864,223 mijë lekë në Bashkinë Tiranë, në shumën 110,129 mijë lekë në Bashinë Mirditë, në shumën 248,324 mijë lekë në Bashkinë Pogradec, në shumën 142,899 mijë lekë në Bashkinë Shkodër ose në total në fund të vitit 2018 në shumën 5,063,227 lekë për 19 bashki të audituara nga KLSH, të cilat evidentohen, raportohen, por pak bëhet ose aspak pasi më të shumtat janë detyrime ndaj operatorëve të biznesit, të cilët ndërmarrin përsëri projekte nga bashkitë pavarësisht detyrimeve që iu kanë bashkitë nga projektet e kaluara.

Kjo sjell impakt negativ në cilësinë e punëve apo të shërbimeve, ku në jo pak raste KLSH ka evidentuar dëme ekonomike për punime të pakryera apo të kryera jo në cilësinë e duhur dhe ka rekomanduar shpërblimin e dëmit si në Bashkitë Tiranë në shumën 4,008 mijë lekë, Berat në shumën 8,946 mijë lekë, Sarandë në shumën 10,595 mijë lekë, Himarë në shumën 13,398 mijë lekë ose në shumën 78,537 mijë lekë për 20 bashki të audituara nga KLSH për vitin 2019. Burimi tjetër i rëndësishëm për bashkitë është mbledhja e të ardhurave nga vetë bashkitë për taksa e tarifa vendore, qiradhënie, arkëtime gjobash etj. Në këtë drejtim, nga auditimi ka rezultuar se burimet njihen relativisht mirë nga bashkitë, shkalla e taksave dhe tarifave përcaktohet drejt sipas mundësive të komunitetit brenda tavaneve ligjore, përcaktohen e miratohen në buxhet, por mbledhja e tyre është ende një sfidë madhore.

Nëse për një sërë taksash dhe tarifash përsa i përket popullsisë është gjendur e udhës të mblidhet nga agjent si ujësjellësi, OSHEE dhe ndonjë ent tjetër, pjesa që ngre peshë në të ardhurat përsa i përket qirave për shfrytëzimin e resurseve në territor mbetet problem shqetësues. Në jo pak raste KLSH ka evidentuar mungesë të ardhurash me peshë si në bashkitë Kurbin në shumën 288 mijë lekë, Tropojë në shumën 563 mijë lekë, Pukë në shumën 5,265 mijë lekë apo Shkodër në shumën 2,525 mijë lekë. Nëse bazuar në rekomandimet e KLSH dhe duke rritur përgjegjshmërinë e strukturave përkatëse do të bëhej i mundur arkëtimi i të ardhurave nuk do të ndodheshin në pamundësi likuiditeti bashkitë në jo pak raste, saqë kanë rrezikuar financimin e shpenzimeve të funksionimit deri në pagat e punonjësve të bashkisë siç u evidentua në Bashkinë Berat në muajt shtator-tetor, 2019.

Një e ardhur e rëndësishme janë dhe arkëtimet nga gjobat dhe, neglizhenca në arkëtimin e tyre, ka sjellë pasoja pasi pas parashkrimit ato mbeten të ardhura pa shpresë arkëtimi si në Bashkinë Berat, të cilat shkonin në shumën rreth 28miljonë lekë në 4 vitet e fundit. Nëse reforma synonte bërjen më ekonomike dhe eficente të strukturave organike të bashkive kjo nuk ka ndodhur. Biles në disa raste janë fryrë më shumë se duhet, pasi nuk janë mbështetur në studime të mirëfillta për tju gjendur i zoti punës dhe jo puna individit. Megjithatë, pavarësisht kapaciteteve të fryra institucionale, përgjegjshmëria, organizimi, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi përbëjnë një sfidë madhore për bashkitë. KLSH ka rekomanduar ristrukturime duke kryer studime mbi ngarkesën në punë, aftësitë profesionale dhe integritetin e punonjësve të bashkive, por ende nuk është kuptuar dhe vlerësuar atje ku duhet ky adresim.

*Auditues i Lartë