BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Mendim për përmirësim ligjor në prokurimet publike

Mendim për përmirësim ligjor në prokurimet publike

Kontrolli i Lartë i Shtetit, si një Institucion Suprem e i Pavarur i auditimit në Republikën e Shqipërisë, operon në bazë të ligjit Nr. 154/2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” dhe ka si detyrë parësore, të kryejë kontrollin për ligjshmërinë dhe rregullshmërinë financiare. KLSH, përmes auditimeve ndihmon që në institucionet publike të të gjitha niveleve të mbahet në fokus ndërtimi i një performance sa më eficente dhe efektive.

Nisur nga disa auditime përputhshmërie në prokurimet publike, lindi e nevojshme pasqyrimi për përmirësim ligjor në funksion të parimeve të ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit. Jo vetëm audituesit e KLSH-së, por edhe çdo njëri që njeh modestisht aktualitetin mbi investimet publike, konstaton një fenomen ku një grup operatorësh ekonomikë, marrin pjesë dhe shpallen fitues në shumë tendera publik. Fenomeni i konstatuar qëndron se një operator ekonomik, merr pjesë dhe shpallet fitues në tendera publikë me autoritete kontraktore të ndryshëm, në të njëjtën kohë me të njëjtin kapacitet ekonomik e kapacitet teknik, të njëjtat makineri dhe mjete. Praktikisht është e pamundur që një operator të zbatojë vepra ndërtimi me shtrirje gjeografike të ndryshme me të njëjtat kapacitete. Nga auditimet e KLSH në ARRSH, FSHZH, AKUK, Institucionet Qendrore dhe ente të tjera prokuruese, është konstatuar se i njëjti operator është shpallur fitues për ndërtime në akse rrugore të ndryshme, në objekte polifunksionale, në ujësjellësa, në linja të tensionit të lartë, madje edhe në Partneritete Publike Private, në të njëjtën kohë të grafikut të zbatimit të punimeve. Pra, janë konstatuar operatorë ekonomikë me kontrata në dy apo më shumë institucione të ndryshme, në pozicione gjeografike objektesh në distancë të madhe nga njëri-tjetri dhe mbi të gjitha në të njëjtën kohë, gjithmonë me të njëjtat kapacitete ekonomike dhe teknike. Operatorët të tillë janë shumë pak në tregun e infrastrukturës, duke krijuar një oligopol kompanish, të cilët marrin punë publike me të njëjtin dokumentacion, duke moslejuar konkurrencën e operatorëve të mesëm apo të ulët dhe duke centralizuar fondet publike në vetëm këto kompani. Po të studiosh buletinët e Agjencisë së Prokurimit Publik, gjithmonë fitues në një periudhë të caktuar janë një grup i vogël kompanish, kur ndërkohë nga të dhënat e QKB dhe licencave të kompanive të ndërtimit, ekzistojnë shumë më tepër kompani. Në VKM nr 42, datë 16.01.2008, Kreu III. i ndryshuar, ku citohej “Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, ndalohet të kualifikojë si fitues, për punë publike, kontraktorë, që janë fitues dhe/apo kanë në proces, në të njëjtën kohë, si kontraktorë/nënkontraktorë, një investim sipas një kontrate të lidhur apo në proces për t’u lidhur, sipas ligjit për prokurimin publik, i cili nuk i ka përfunduar punimet në 70% për qind të fondit të prokuruar në autoritetin kontraktor”. Tashmë edhe kjo dispozitë ligjore është shfuqizuar dhe është lënë vetëm në bazë të deklaratave në Dokumentet Standarde të Tenderit, Shtojca 9 “Deklarata e disponueshmërisë së makinerive” dhe Shtojca 10 “Deklaratë mbi kontratat e lidhura apo në proces”, e cila ka si qëllim, plotësimin e kriterit ligjor që operatori ekonomik brenda së njëjtës periudhë nuk është kontraktor/nënkontraktor për kontratë/kontrata të lidhura dhe/ose është shpallur fitues, me vlerë të përbashkët ose të veçantë, më të madhe se 100 % i kufirit maksimal, që disponon, sipas licencës profesionale, të lëshuar nga autoriteti kompetent. Nga vëzhgimi i punëve kryesore publike konstatohet se të gjithë operatorët ekonomikë e kanë të detyrueshme të plotësojnë këtë deklaratë, e cila varet vetëm nga ndërgjegjja e secilit operator pasi është një deklaratë e pasigluar nga asnjë institucion shtetëror. Mbështetur në Ligjin e Prokurimit Publik, çdo autoritet kontraktor rezervon të drejtën të verifikojë vërtetësinë e deklaratës dhe në rast deklarimi të rremë do të veprojë në përputhje me nenin 13, pika 3 germa të ligjit nr. 9643 datë 20.11.2006, i ndryshuar “Për prokurimin Publik”, ku citohet se APP përjashton çdo operator ekonomik në procedurat e prokurimit për periudhën nga 1 deri në 3 vjet, kur keqinformimi dhe dorëzimi i dokumentave që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi. Pra, të gjithë operatorët që fitojnë shumë punë publike, të cilët janë mjaft të fuqishëm me kapacitete ekonomike dhe teknike, duhet të përjashtohen nga prokurimi publik pasi mund të rezultojnë se kanë realizuar deklarata të rreme në shumicën e rasteve. Fenomeni i këtyre operatorëve ndërtues, të cilët janë kthyer si kompani që merren vetëm si tregti procedurash prokurimi (dokumentash), por në fakt puna realizohet nga nën/kontraktorë të tjerë (informal), të cilët për shkak të mungesave të dokumentacionit ekonomik apo teknik, nuk ngrejnë kapacitet e tyre kurrë. Këta OE fitojnë punë me vlera të larta në autoritetet kontraktore, pasi vetëm këta i plotësojnë kriteret kualifikuese dhe më pas, vetë këta OE hapin tender me nënkontraktorët të cilët do të realizojnë punët. Në të gjitha autoritet kontraktore, nuk është realizuar asnjëherë një verifikim nëse operatorët ekonomikë pjesëmarrës, kanë punë në proces (përveç rasteve kur AK duan të s’kualifikojnë ose të dëmtojnë OE të caktuar), por të gjithë AK janë mjaftuar vetëm me deklaratë. KLSH nisur sa më sipër, përmes auditimeve ka konstatuar vazhdimisht monopolizimin e tregut nga një grup i caktuar operatorësh, të cilët kanë bllokuar tregun dhe njëkohësisht ka sugjeruar nëpërmjet rekomandimeve, ndryshime me qëllim përmirësimin e funksionimit të administratës në mirëmenaxhimin e fondeve publike, në funksion të zhvillimit të sipërmarrjes së re dhe nxitjes së konkurrencës. Agjensia e Prokurimi Publik disponon të gjitha të dhënat e kontratave publike të fituara nga Autoritetet Kontraktore dhe operatorëve ekonomikë. APP ka informacionin e plotë të dokumenteve të tenderit dhe dorëzimet e ofertave për të gjithë operatorët ekonomikë në autoritete kontraktore. Pra, këto të dhëna janë të mjaftueshme, për të konstatuar nëse operatorët ekonomikë, kanë punë në proces dhe APP mund të ndjekë të gjithë elementët e zbatimit të kontratës dhe informacionin mbi kapacitetin ekonomik dhe teknik të operatorit. Në funksion të përmirësimit në shpërndarjen e punëve publike dhe nxitjes së konkurrencës, është e nevojshme përmirësimi i sistemit elektronik të APP, duke krijuar pengesa në autoritetet kontraktore që operatorët ekonomikë, të cilët janë të angazhuar plotësisht në një kontratë, mos të shpallen fitues në shumë kontrata në të njëjtën kohë me të njëjtat kapacitete ekonomike dhe teknike. KLSH ka dhënë rekomandime e ofruar shërbime në fushën juridike, ekonomike, inxhinierike apo edhe fusha të tjera, për kurimin dhe korrigjimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore që veprimtaria e tyre, të jetë sa më korrekte me shpenzimin e fondeve publike dhe në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore. Propozimet e këtij përmirësimi mund të jenë të larmishme. Një ndryshim i domosdoshëm i parë nga këndvështrimi auditues, mund të jetë p.sh: Dorëzimi i një vërtetimi të lëshuar nga APP për të gjithë ata operatorë ekonomikë pjesëmarrës në procedurat e prokurimit, me anë të të cilit të vërtetohet se nuk janë pjesëmarrës në procedura të tjera prokurimi në kohën e konkurrimit. Vetëm APP mund të verifikojë dhe më tej, të lëshojë vërtetime të tilla tek të interesuarit për tu paraqitur në konkurrim në procedurat e prokurimit të Autoriteteve Kontraktore. Në këtë mënyrë, nuk lihet asnjë vend për aludime në rastin e vetëdeklarimit nga operatorët ekonomikë që konkurrojnë në procedurat e prokurimit. Në vazhdim, edhe Autoritetet Kontraktore të detyrohen nga ligji që përpara vlerësimit të ofertave, të marrin informacion nga APP për operatorët pjesëmarrës nëse ata kanë punë në proces. Ky lloj sistemi do të krijojë ulje shumë të ndjeshme të monopolizmit, duke stimuluar dhe liruar tregun, duke nxitur konkurrencën, duke bërë shpërndarje të mirë të punëve publike, duke kursyer fonde publike, duke rritur eficiencën në cilësinë e ndërtimit dhe duke rritur zhvillimin ekonomik të shtetit.

Nga Aldo KUME*

*Auditues në KLSH