BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Mendimi diplomatik i zonjës Kim, përfaqësuese e zotit Trump!

Mendimi diplomatik i zonjës Kim, përfaqësuese e zotit Trump!

Diplomacia është mirëmbajtja e marrëdhënieve në mes të shteteve, nëpërmjet marrëveshjeve si dhe metodave të zbatuara deri tek marrëveshja. Përndryshe diplomacia ndryshe thirret edhe arti i marrëveshjeve. Zonja Kim në intervistën e saj deklaron: “Jam e nderuar të jem në Shqipëri, ku njerëzit vërtet besojnë tek marrëdhënia dhe vërtet besojnë tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj nuk mund të kërkoja më shumë”. Pikërisht stili diplomatik i zonjës Kim duhet mbështetur mbasi, në themelin e tij janë arti i marrëveshjeve dhe mendimi ndryshe diplomatik i kësaj zonje diplomate amerikane, post-moderne. Intervista e zonjës Yuri Kim, më bëri të shfletoj disa teori linguistike, për gjuhën kulturën dhe mendimin. Deklarata e zonjës Kim: “Në fakt jam mjaft e drejtpërdrejtë, nuk jam diplomate shumë e mirë, them atë që synoj të them”, prezanton mendimin njerëzor dhe politik të diplomates së lartë amerikane, dhe përfaqëson edhe mendimin politik të zotit Trump. Është hera e parë në historinë politike botërore, që flitet dhe veprohet kaq “troç”, mund ta përkthejmë kaq “shqip”! Por neve po humbim disa elementë të rëndësishëm kulturorë dhe shpirtërorë, të kulturës sonë si komb i vjetër. Ne shqiptarët si kulturë, i kemi thënë gjërat si kemi menduar, por në dhjetëvjeçarët e fundit, loja me mendimin dhe të vërtetën ka qenë e dyshimtë! Në periudhën para viteve 90-të, njerëzit kanë qenë të detyruar të mos thonë atë që mendojnë, mbasi kështu ishin rrethanat politike dhe gjeopolitike. Neve pak me vonesë, por kemi filluar të kuptojmë shumë fenomene gjeopolitike në shekullin e kaluar. Por mbas viteve ‘90-të çfarë ndodhi, kur janë edhe vitet dhe një epokë që çështja jonë ka fituar një dimension krejt tjetër?! Me të vërtetë ka shumë arritje në planin politik, ekonomik dhe zhvillimor, pavarësisht edhe shumë problematikave, por sistemi politik në këta 30 vite i edukoi njerëzit të “mendojnë” ndryshe dhe të flasin ndryshe. Zonja Kim, pranon se kur flet, thotë çfarë mendon, duke dalë nga “protokolli i gjuhës diplomatike”. Diplomatët amerikanë edhe europianë, janë detyruar të mos i qëndrojnë protokolleve dhe Shqipëria, të konsiderohet vend i veçantë, ku njerëzit e kanë shumë të vështirë të thonë atë që mendojnë dhe politikanët tallen me njerëzit! Biles ata që thonë atë që mendojnë, i etiketojnë si njerëz që nuk kuptojnë “lojën”, dmth, lojën e korrupsionit, antishtetit dhe antinjeriut nganjëherë duke shitur edhe interesat kombëtare. Zonja Kim u emërua për koincidencë, në një periudhë të ndryshimeve mendore, klimatike, virale, tërmetet dhe pandemia globale. A do të vazhdojë përsëri klasa jonë politike të gënjejë dhe të “lozi lojëra”? Administrata amerikane nuk pranon në asnjë mënyrë, të luhen lojëra në kurriz të demokracisë, drejtësisë, lojëra në kurriz të shqiptarëve, që shpesh përballohen me një jetë të vështirë. Tashti me të vërtetë loja ka filluar të mbarojë, po fillon një etapë e re për të gjithë, falë mentalitetit të politikës amerikane jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon! Teoritë linguistike pretendojnë se gjuha pasqyron mendimin. Një pozicion shumë të rëndësishëm që njerëzit kur flasin, zë mendimi dhe kultura. Mendimi njerëzor është i lidhur me kulturën njerëzore. Kultura sipas, Caren Horney ndikon në krijimin e personalitetit dhe gjuha. Nuk është hera e parë që kryesisht diplomatët amerikanë dalin jashtë protokollit diplomatik dhe gjuhës diplomatike. Më kujtohet kur zoti Lu, deklaronte se shqiptarët flasin për "besën njerëzore" dhe nuk ka burra më të “pabesë” se politikanët shqiptarë. Këto sjellje të këtyre diplomatëve janë të lidhura me zhvillimet anarkike, me urdhëra politikë duke përdhosur shtetin e së drejtës në këta 30 vite. Politikanët shqiptarë në këta 30 vite nuk i pranojnë njerëzit që flasin hapur, që thonë mendimin e tyre. Politikanët shqiptarë gënjejnë ditë e natë, prandaj u përdhunua ish-prona e ligjshme, u rrahën të burgosurit politikë dhe nuk u dëgjuan këshilltarët amerikanë për krijimin e shtetit të së drejtës, por preferuan rrëmujën, pasurimin e shpejtë dhe tani i druhen reformës në drejtësi se do të përfundojnë “mbrapa hekurave”, pa dallime politike të majtë dhe të djathtë. Duke krijuar idenë dhe imazhin e një vendi të veçantë, për përfitime materiale dhe klanore, zonja Kim përdori një gjuhë të veçantë, duke deklaruar se: “Kam udhëzime të qarta nga Uashingtoni. Nuk heq dorë kollaj”! Shqiptarët duhet të ngrenë zërin! Kjo gjuhë diplomatike e prezanton zonjën Kim si një diplomate të vendosur për të çuar përpara reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore.

Zonja Kim është përfaqësuese tipike e zotit Trump, i cili thotë dhe deklaron atë që mendon në diskursin e tij politik në këta 4 vite dhe mendoj që është një gjuhë dhe një politikë që do të sjelli stabilitet ekonomik në botë dhe në rajonin tonë të trazuar nga luftrat e përgjakshme. Prandaj zonja Kim vlerëson reformën në drejtësi, si një investim i madh i SHBA, jo vetëm nga pikëpamja financiare, por edhe ajo njerëzore. Prandaj deklaron që reforma në drejtësi duhet shtyrë dhe çuar përpara. Synimi i Shteteve të Bashkuara, në mbështetjen e reformës zgjedhore ishte shumë i qartë, të mbështesin Shqipërinë të përmbushë kërkesat për anëtarësim në BE. Vetëm anëtarësimi në BE, do të dërgojë “mbrapa hekurave” ata politikanë, zyrtarë lokalë dhe kombëtarë, që kanë përdhunuar fondet publike, siç ka ngjarë në Rumani, Bullgari, Kroaci etj. dhe do të krijojë shansin për një Shqipëri stabël dhe demokratike! Kam besim se zonja Kim ashtu siç deklaron, nuk heq dorë kollaj, nga reformat e vërteta në favor të shqiptarëve. Reformat që nuk janë një "çelësa" deklaron Kim, siç përpiqen t’i interpretojnë disa, por janë "spektër", janë procese që kërkojnë durim dhe përqendrim. Vetëm proceset me një spektër të qartë dhe të detajuar, do të realizojnë reforma të vërteta në Shqipëri, që janë të domosdoshme. Për mendimin tim, Shqipëria duhet të çlirohet nga korrupsioni dhe të zbatohet vendosmërisht sundimi i ligjit, kjo duhet të jetë filozofia politike e së ardhmes. Këto janë deklaratat e diplomatëve miq të Shqipërisë dhe ky duhet të jetë modeli që duhet të mbështesin qytetarët shqiptarë, që duhet të thonë atë që mendojnë! Politikanët duhet të jenë të barabartë para ligjit, si në të gjithë botën e qytetëruar dhe të zhvilluar! Mendimi politik i zonjës Kim duhet mbështetur nga të gjithë, si një grua diplomate me një dimension dhe spektër tjetër, që do të zhvillojë procese të mëdha në Shqipëri!