BREAKING NEWS

Infektohet me COVID-19 mjeku kirurg në Berat, në gjendje të rëndë niset me urgjencë drejt Infektivit

Infektohet me COVID-19 mjeku kirurg në Berat, në gjendje të
x

Opinion / Editorial

Menyja politike e Monikës, çizmet byrek, veshin kryeministror biftek!

Menyja politike e Monikës, çizmet byrek, veshin kryeministror

Në menynë politike të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, ka gjithnjë surpriza, novacione, gjetje që rrallëkush nga politikanët, jo vetëm në shkallë kombëtare, po edhe ata ndërkombëtare mund t`i krijojnë. Shumëkujt nuk mund t`i arrijë mendimi dhe ca më pak fantazia t`i çojë aq larg frymëzimi. Qysh se LSI doli në opozitë, pas pretendimeve të mëdha të zgjedhjeve të vitit 2017, ku kryeministrit të nominuar, pothuaj gati të emëruar, Petrit Vasili, iu ça telefoni nga thirrjet e shumta për një vend në qeverinë e tij të supozuar dhe aq shumë të lakmuar e propaganduar nga ish-lideri, krijuesi, nuni i formimit dhe rritjes së saj, presidenti i sotëm Ilir Meta, ka rrezatuar shumë stil e sharm për të sjellë në tavolinën e politikës shqiptare, fjalorin enciklopedik, gjetje të rralla që kanë qenë vërtet rubinë në gjerdanin e stërzgjatur të partive politike. Shumica prej të cilave kanë vetëm siglën, emërtimet, programet në defterët e gjykatave shqiptare dhe u kanë mbetur në sirtare, vulat dhe firmat, si relike të pluhurosura pa vlerë. Është e njohur nga të gjithë, se partia presidenciale, është pragmatiste dhe ekuilibriste, zhonglere, gjatë tërë viteve që pas themelimit ka qenë pjesë e tepsisë së pushtetit, herë majtas, pastaj djathtas, po gjithnjë e ulur në tavolinë, ku shtrohet gostia dhe ndahet tepsia e pasuria. Po nëse ka shkëlqyer kjo forcë politike, në etiketimet dhe përçmimet, mallkimet e anatemimet, më së shumti ngjyrimin, pigmentin, ia kanë dhënë disa prej politikanëve të saj më aktivë. Me gjetjet dhe mbushjen e tavolinës së shtruar në politikën me njëqind e ca parti, për herë të parë kemi dëgjuar etiketime vërtet të çuditshme, ilustruar nga fjalori i rrallë i shqipes nga doktor Petrit Vasili. Ka pasuruar shqipen me fjalë të reja, gjetje pikante sa herë i është dashur të portretizojë, fyejë, mallkojë shkollëpakët, vulëhumburit, burracakët, morracakë, katilët, kopilët, oligarkët, intrigantët, sharlatanët, të vështirët, të pështirët, injorantët që çuditërisht i gjen të gjithë në mazhorancë dhe asnjë sa për farë në minorancë. Tabela e qitjes nga doktor Vasili, i preferuari i tij, mbetet kryeministri. Ai është shënjestra, i goditur nga stuhia e shigjetimit nga ish-ministri i Shëndetësisë dhe drejtësisë. Mjeku politikan ka zënë pa dyshim një vend nderi në gjetjet e etiketimeve brilante e pikante. Po zoti Vasili edhe pse bën tërë kohës zërin bas të partisë presidenciale, LSI-së, ka mbetur zë minor, cicërim si zogu i humbur në shkretëtirë, gjatë fluturimeve shtegtare nga vendet e ftohta në ato të ngrohta, ku natyrisht, vendi ynë, ka pozicion të privilegjuar, me diell me shumicë, përkëdhelur në tërë vijën kufitare perëndimore nga valët e Jonit e Adriatikut, cep me cep, nga Mali i Zi deri në Greqi. Edhe pse Vasili përpiqet për një vend primar, vend të parë në grupsharësit profesionistë fjalamanë, mbetet në plan të dytë, përballë gjetjeve stilistike, artistike, të çuditshme, të llahtarshme, për t`u pasur zili, pasi çdo fjalë është një risi që ka për skenariste, Zonjën e Parë të Shqipërisë, kryetaren e LSI-së. Në sallën e Parlamentit shqiptar, në këto tri dekada demokraci, kemi parë e dëgjuar, lloj-lloj histori. Ka pasur krisma, kërcënime, përleshje, ngjitje mbi podium, shkatërrime, sharje me fis e me farë nga stërgjyshërit, gjyshërit, tek të shkretët baballarë. Janë përdorur për t`i dhënë tension politikës, shishe uji, gaz lotsjellës, lëndë plasëse, ngjyrues të kuq, rozë, blu, të zi, miell për simite safi, dhallë, stilolapsa, bojë shkrimi. Vezë me shumicë që vinin drejt nga Surreli. Oh, sa shumë vezë kanë dal nga xhupat e zinj, fshehur thellë deri në gji! Janë shqepur e shqyer xhaketa, grisur këmisha. Janë hedhur në erë marrëveshje me rëndësi, sabotuar reforma të mëdha. Janë vënë gurë nën rrota. Janë bërë edhe shumë përleshje, ku baballarët tanë kombëtarë, kanë tërhequr njëri-tjetrin zvarrë. Janë kërcënuar dhe mallkuar me varje, vdekje. Janë bërë ultimatume. U është nxirë fytyra me keq se këpuca kundërshtarëve politikë. Dhe të tjera e të tjera, pa harruar rrënimtarët, militantët, ata që duan Parlamentin të shpërndarë, zjarrmëtarët, ata që e kanë ndezur flakë nga themelet deri në çati Kuvendin dhe kanë sulmuar për ta rrafshuar tempullin. Kjo nuk është fantazi. As shpikje për gazetari, po e provuar, e memorizuar në kronika, e deklaruar nga presidenti në prag të zgjedhjeve të qeverisjes vendore, çka e detyroi të anulonte dekretin për zgjedhje në emër të shmangies së djegies së Parlamentit. Po pasurimin e menysë politike, jo vetëm me fjalë, fjalime, deklarata, gjeste, simbolika, propozime, amendime, ndryshime, imponime, relacione, që janë praktika të njohura në veprimtarinë e gjithë parlamenteve normale në botë, e ka zënë me kohë të plotë me simbolika Monika. Të ishte për të gjitha sa më sipër, sikur të udhëhiqeshin nga kjo frymë dhe të bënin politikë, deputetët tanë, do mbeteshin monumente të gjalla në zemrat e shqiptarëve. Po nuk ndodh kështu. Seç ka një mobilizim ekstrem për t`u sharë e për t’u ndarë. Për t`u çjerrë e për t`u shqyer. Si të vinin ca nga toka e të tjera planetë dhe mos të kishin të njëjtin gjak ndër deje. Po ajo që i ka dhënë sallës së Kuvendit të Shqipërisë dimensionin më të ri, shndërruar në skenë teatri, që e ka kthyer në arenë gladiatorësh, poligon, ku provohen armët e reja kundër deputetëve dhe qeverisë, është padyshim Zonja e Parë e Shqipërisë. Deri kohë më parë ishte idhull për mua. Kur drejtonte FRESSH-in, gratë socialiste. Ishte aq e natyrshme! Po kur një ditë në mes të rrëmujës parlamentare të shkaktuar në kulm të zemërimit kur bënte kryeprokurorja betimin, Monika, flakëroi çizmen firmato me tërsëllimë, drejt tribunës së sallës së Kuvendit, atje ku qëndrojnë ministrat e qeverisë, çizmja mbi Parlament u bë hit dhe u duk se kapërceu çdo limit. Çizmja u bë arma më e re në armaturën parlamentare. Një produkt i ri i paparë në tavolinën e politikës së madhe. Po të huazonim gastronominë edhe pse nuk do gjenim asnjë rast të dytë si ky fluturim, u duk se mbi kokat e deputetëve fluturonte, jo çizmja firmato, po byreku në pako. Po nuk do mbetej kaq e varfër gastronomia. Ndaj duheshin bërë të tjera kërkime për gatime. Të pasurohej menyja. Të nderohej partia. Të krenohej Shqipëria. Rasti nuk vonoi. Mbërriti si lajmëtari në nxitim së largu, thuajse fare pa gojë. Kryetarja Monika, pasi shau e mallkoi, në emër të mbrojtjes të Teatrit Kombëtar, menynë më të re prezantoi. Dhe gjetja e supergjellës më të re e pashijuar kurrë ndër ne nuk vonoi. Pasi bëri betimin për linçim të fadromistit, pushkatim të policit, iu turr kryeministrit. Nuk la pa përgojuar e sulmuar, gjithë ata që bënë këtë hata dhe shembën ato pllaka. Iu premtua secilit nga një dënim shembullor. Dikujt largim nga puna. Të tjerëve shumë më keq. Për t`ua marrë edhe atë dreq jetë. Po surpriza ishte ruajtur për në fund. Ishte reklamimi i gatimit më të ri, biftek me vesh kryeministri. Kishim dëgjuar për barngrënës. Mishngrënës gjithashtu, gjithçkangrënës, po veshngrënës asnjëherë. E nxitur nga tregimet e moçme shqiptare, sherreve në stane që kur qesëndisnin apo kërcënonin dikë e tmerronin me betimin: Të presim veshët. Të hamë hundën! Të nxjerrim sytë! Të heqim kokën! Të bëjmë gropën. I kemi dëgjuar, po sa do mësojmë deri sa të rrojmë. Jemi në pritje të shpikjeve të reja me menu si gjithnjë nga veshët me pjesët e tjera. Nuk ka rëndësi nëse janë brenda në copa llastiku, veshje verore, bluza dimërore, kostume popullore, pelerina apo këpucë a opinga. Nuk do çuditeshim që tavolina e politikës, të vazhdonte me gatime të tjera. Me të tilla kërcënime, jemi rritur e mësuar. Shumica i përkasin kohës së kaluar. Sapo Monika kërcënoi me ngrënie veshi të kryetarit të qeverisë, u shtua edhe gjella më e re, ajo e fundit fare, biftekut që Monika do serviri në tavolinën e politikës së ditës, të panjohur fare, biftek me vesh kryeministror si ekuivalencë e teatrit shtetëror. Kjo është politika më e re e gastronomisë, e servirur nga politikania moderne e Shqipërisë!