BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Merkeli duke na qeshur përballë dhe Monika duke na folur me… kurriz

Merkeli duke na qeshur përballë dhe Monika duke na folur me…

Nuk e di, administratorët e FB apo ndonjë nga shokët e mi që e di debulesën time për gratë e fuqishme të politikës, më nxjerrin prej gati dy muajsh sapo hap kompjuterin në mëngjes dy foto në një kornizë: kancelarja gjermane, aktualisht gruaja më e fuqishme e botës Anxhela Merkel me tasin e peshores në dorë duke blerë kumbulla në një treg të lirë dhe duke më vështruar në sy dhe Mona jonë që do të vijë në pushtet duke më folur nga një kanoe me kurriz ( në fshatin tonë thonë me nder me b..thë). Zonja Merkel pret me përulësi që tregtari t’i peshojë kumbullat kurse znj Mona na tregon shpatullat gjithë muskuj si një boksiere ringu. Në përshtypjen e parë nuk ka asgjë për t’u habitur dhe për të vënë pikëpyetje. Dy gra të këtij rruzulli tokësor, si miliona të tjera janë në punë të vet. Por sapo kujtohesh se ato janë gratë me influencën më të madhe në vendet e tyre dhe janë në pozicione diametralisht të kundërta (njëra gruaja më e fuqishme e botës dhe tjetra në kërkim për të ardhur në pushtet), atëherë pikëpyetjet janë në infinit. Sepse ato nuk janë tashmë thjesht gra (apo femra siç ka qejf t’i quajë një mikja ime aktiviste shoqërore në mbrojtje të seksit të dobët), por janë lidere dhe në fund të fundit, duam apo nuk duam ne pasqyrojnë dhe nivelin politik të shteteve që përfaqësojnë. Nga njëra anë kemi Anxhela Merkel, gruan e hekurt që shkallët e karrierës i ngjiti si në hierarki ushtarake shkallë-shkallë dhe kurrë nuk ia errësoi sytë dhe arsyen paraja dhe pushteti dhe nga ana tjetër kemi Monën tonë që qysh në bankat e shkollës u bë lidere politike dhe që teksa i pikon zemra për popullin e vet, shkon dhe i bën edhe maces banjo më vete. Teksa kërkon rritjen e sistemit arsimor, fëmijët e saj i shkollon në dhe të huaj dhe pa pikën e përgjegjshmërisë nxjerr nëpër ekrane një kolegen e saj për të kritikuar sistemin arsimor, kur ajo vetë ka qenë për 8 vjet zëvendësministre e Arsimit. Kemi përballë jo thjesht dy zonja me ndryshim veshje (njëra më e thjeshtë se sa i takon detyra shtetërore kurse tjetra tërë tangërllëk sikur është bajloze deti) dhe moshe, por edhe me ndryshim të theksuar mentaliteti politik. A thua se me rrogën që merr Merkel nuk ka mundësi të mbajë në shtëpi një ndihmëse që midis të tjerave do t’i bënte edhe pazarin? A thua se në rregullat shtetërore gjermane i ndalohet asaj të rrethohet prej bodigardëve dhe t’i hapet rruga kudo që shkon? Padyshim që jo për të dyja pyetjet. Por Merkeli, një politikane e përgjegjshme nuk ka shtëpi 400 metra katrorë dhe vilë me 12 banjo, njëra për macen, por ka një shtëpi fare të thjeshtë dhomë e kuzhinë ku jeton bashkë me bashkëshortin. Sepse ajo as ka vënë dorën asnjëherë në fondet publike apo në thesarin e shtetit dhe të mendojë për shtëpi të stërmëdha. Ajo i është përkushtuar shtetit të vet dhe gjithë potencialin e vet fizik, shpirtëror dhe intelektual e ka vënë në shërbim të popullit të vet dhe shtetit të saj. Nuk jam saktë i informuar, por e mendoj me siguri se po të jetë nevoja ajo mund të mbajë pas vetes dhjetëra “Van Dama” për ta siguruar kur lëviz, por ajo është e sigurtë se nuk rrezikohet nga asnjë gjerman i thjeshtë dhe “Van Damët” i ka çuar të punojnë diku tjetër. Ajo me rrogën që merr në këta vite që drejton Gjermaninë, besoj se me një aritmetikë të thjeshtë i dalin të ardhurat të blejë nja tre-katër shtëpi si të Monikës, por ajo ka logjikën në funksion primar dhe jo rehatinë personale. Ndërkohë që kemi Monën tonë që mirë ka vjedhur sa ka dashur nga pasuria kombëtare, por edhe nuk ka ditur ta fshehë këtë stërvjedhje. Mirë që kërkon të na mbushë mendjen se gjithë këta miliona e miliarda ia ka dhënë e ëma një shitëse e thjeshtë qepësh dhe babai që mori ca metra katrorë tokë në mes të Tiranës me ligjin e famshëm 7501(për të cilët sinqerisht më vjen shumë keq që detyrohem t’i përgojoj në këtë shkrim), por e ndërron surratin sa herë i mbushet mendja, sepse nuk e ka problem të blejë sa kg silikon t’i duhet dhe të paguajë mjekët më të mirë që e përpunojnë atë në trupin e fytyrën e saj. Pastaj shkon në Jalë ku harbohet me dhjetëra të rinj e të reja që fundi-fundit kanë moshën të gëzojnë dhe më pas merr edhe një kanoe dhe një operator (e jo si zonja Merkel që jam i sigurtë që është fotografuar ose rastësisht ose edhe fshehurazi nga ndonjë kalimtar i rastësishëm, pa marrë poza për t’u dukur e thjeshtë) dhe nuk flet dot përballë shqiptarëve, por u tregon atyre me nder b.thën dhe hiqet si supermene që do të mbrojë detin nga grabitja. Dhe kërkon të vijë në pushtet. Se nuk i doli pushteti 30-vjeçar i bashkëshortit që nuk la post madhor shtetëror pa provuar. Dhe keq e më keq e ka lënë Shqipërinë për të cilën asaj i vjen keq dhe është gati të qajë në studiot televizive ku del gati për ditë, për varfërinë e popullit të thjeshtë. Aq shumë e do këtë popull sa tashmë nuk i flet përballë por me kurriz. Vërtet zonja Merkel erdhi nga një shtet pro komunist për të drejtuar shtetin më të fuqishëm kapitalist të Europës dhe një nga më të fuqishmit e botës, por luftoi fort për të marrë atë pushtet sipas rregullave të lojës dhe pa eksese politike. Jo vetëm kjo, por edhe mënyra e drejtimit të këtij shteti të stërmadh i jep asaj të drejtën legjitime të jetojë mes popullit dhe midis popullit. Kurse Mona jonë ka 30 vjet që jeton mes luksit dhe pasurive të vjedhura sa ka fituar jo simpatinë, si Merkeli, por antipatinë popullore. Brumosur me mentalitetin për të qenë pjesë e pushtetit (po nuk jam i sigurtë ia nguliti ajo Ilirit këtë mentalitet apo Iliri asaj por populli thotë se “burri është koka e gruaja është qafa dhe koka kthehet andej nga do qafa”) ajo së bashku me bashkëshortin kanë shitur idealin partiak sa herë kanë dashur dhe kanë bërë paqe edhe me të majtët edhe me të djathtët. Edhe Merkeli ka bërë kompromise politike në Gjermani, por i ka bërë për të mirën dhe qëndrueshmërinë e saj, ndërkohë që Mona e Iliri këto kompromise i kanë bërë thjesht për pazare politike, për të patur dy-tre ministri me të cilat nuk shtonin të ardhurat e shtetit, por të buxhetit të tyre familjar. Janë dy fotografi në një kornizë që flasin shumë jo thjeshtë për dy gra të fuqishme (njëra me fuqi shtetërore, Merkeli dhe tjetra me fuqi fizike dhe monetare, Mona jonë), por edhe antipod të njëra-tjetrës. Merkeli me thjeshtësinë e saj na tregon pa fjalë dhe me veprim se jeta është e bukur dhe njeri je edhe kur blen kumbulla vetë, ndonëse je në shtetin më me potencial në Europë ndërkohë që Mona jonë, ndonëse vjen nga një shtet ku një pjesë e madhe e popullit nuk ka brekë në b..thë, tregon kanoen, muskujt e passhpinës dhe egërsinë në të folur që në përgjithësi nuk i shkon një femre normale. Një Monë sa arrogante aq edhe cinike. Një Monë që më aq sa po jep përpara shqiptarëve bën mirë të hapi një emision televiziv dhe të bashkohet në duet me Koço Kokëdhimën dhe të na tregojë ne shqiptarëve se si bëhet një milionëshi i parë. Por ndërsa Koçua na e ka treguar se ai bëhet përmes punës dhe sakrificës, Mona të na e tregojë përmes përvojës së saj se si vihet ai pa punuar asnjë ditë në shtet, por vetëm duke qenë në krye të partisë dhe deputete. Por më parë të rrëfehet në një teqe, kishë apo xhami për mëkatet ndaj këtij populli e shteti dhe pastaj të hyjë në rrugën e drejtë të zotit. Sepse vërtet të dyja gratë që po përmendim kanë ardhur nga i njëjti edukim, ai komunist por zonja Merkel e kaloi me guxim “Ylberin” dhe u bë zonjë e hekurt ndërsa Mona jonë kujton se do marrë shkopin e drejtimit të shtetit me pallavrat e këtyre 30 vjetëve që kaluam. E gënjen mendja. Ajo do ta marrë në 25 prill një shkop apo dajak siç thuhet në popull, por ai do të jetë dajaku për të larguar njëherë e përgjithmonë nga drejtimi i shtetit njerëz që e kanë mendjen vetëm për të vjedhur për vete e duke mos menduar asnjëherë për vendin e tyre.