BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Mesapliku, qendra e Luftës së Vlorës 1920

Mesapliku, qendra e Luftës së Vlorës 1920

Në kuadër të 100 vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës

Organizimi i popullit në shoqata patriotike

Në gjysmën e dytë të prillit dhe në dhjetëditëshin e parë të majit të vitit 1920, forcat italiane duke synuar të shmangnin gjendjen kërcënuese dhe të shtonin forcat në krahinën e Vlorës, u tërhoqën nga pjesët e tjera të vendit. Forcat ushtarake u përqendruan në zonën e Vlorës, duke lënë nga një regjiment ushtarak në pikat kryesore të bregdetit, si në Shkodër, në Shëngjin, në Durrës dhe në Sarandë.

Në trekëndëshin Vlorë-Sarandë-Tepelenë dhe sëbashku me repartet speciale të Korpusit, kishin një efektiv prej rreth 14.000 vetë. Një Divizion italian me vendkomandën në Durrës, me një efektiv rreth 6.000 vetë vepronte në sektorët e tjerë të bregdetit shqiptar. Të gjitha këto drejtoheshin nga “Komanda e Trupave të Shqipërisë” e komanduara nga gjeneral Piaçentini. Nga Smokthina, Velça dhe Vajza trupat italiane u tërhoqën, por kontrolli i tyre kryhej me anën e postave të karabinierisë në fshatra. Populli ishte i bindur se çdo demagogji, çdo lëshim, ishin të kota sepse italiani ishte pushtues dhe si i tillë kishte vetëm një rrugë, të çlirohej prej tij.

Halim Xhelo në prill 1918 ishte sekretar krahinor. Duke përfituar nga detyra organizoi një shoqatë me qëllime arsimore e patriotike. Shoqata zgjodhi kryetar Halim Xhelon dhe sekretar-arkëtar Rexhep Sulejmanin nga fshati Vajzë. Shoqata me emrin “Shtiza e qytetërimit” u bë e para organizuese e protestave popullore në krahinën e Mesaplikut. Ajo ndeshi në kundërshtimin e rreptë të pushtuesve italianë. Për këtë arsye u shpërnda formalisht dhe në vitin 1919 në Brataj, u krijua shoqata e re arsimore “Mbrojtja shkollore”. Kjo shoqatë do të merrej me çështjet arsimore, por në të vërtetë kreu një veprimtari politike, patriotike me synime të qarta kundër pushtuesve italianë. Nga Smokthina në këtë shoqatë ishin Veliko Jaçe, Feti Dero, Hajro Qamili, Hasan Brahimi, ndërsa Velça përfaqësohej nga Yzeir Skëndo e Sabri Myslimi dhe Vajza nga Rexhep Sulejmani.

Sinjalin e parë të rezistencës në Velçë e dha i riu Halim Musa Veseli, i cili në vitin 1918, në Beun preu telat e telefonit Velçë-Vajzë. Për këtë pushtuesit e varën në Fushë Murëz. Më pas torturuan dhe Zenel Balil Muhajn dhe Alem Asllanin, të cilët vdiqën nga torturat. Ndërsa mjaft velçiotë të tjerë u internuan në Itali.

Me iniciativën e shoqatës, më 28 Nëntor 1919 në Vlorë, në Brataj dhe në krahinën e Dukatit u organizua Dita Përkujtimore për Flamurin, ku u mbajtën fjalime, si dhe demonstrata kundër pushtuesit italian. Në demonstratën e Vlorës, në përleshje me italianët, në udhëheqje të protestuesve ishin Osman Haxhiu, Jani Minga dhe Halim Xhelo. Në krah të tyre gjendeshin Muhedin Mystehaku dhe Razip Hito nga Smokthina, Muhamet Meska e Shako Nazaj nga Vajza dhe nga Velça Dushan Miftar Nuraj, etj.

Nga tetori i vitit 1919 ishte krijuar dhe vepronte një komitet i fshehtë, i quajtur Komiteti Kombëtar i Mbrojtjes. Ky komitet kishte në përbërje 27 patriotë vlonjatë me Osman Haxhiun e Hamza Isai në krye. Në përbërje të tij ishin anëtarë: nga Smokthina Zaçe Xhelo, nga Vajza Rexhep Sulejmani dhe Sadik Brahimaj, si dhe nga Velça Ali Beqiri. Komiteti i fshehtë kishte krijuar degë në Mesaplik, që ishte një qendër e rëndësishme e kuvendeve, takimeve dhe manifestimeve popullore. Ky komitet firmosi dhe protestën drejtuar Konferencës së Paqes në Paris, kundër mendimit të ministrit të Punëve të Jashtme të qeverisë Italiane, që sipas tij Vlora ishte krahinë italiane.

Kongresi i Lushnjës dha shkëndijën e organizimit

Pas Kongresit të Lushnjës dhe në jehonë të vendimeve të tij, në fshatin Armen më datat 23-24 Shkurt 1920 u bë një takim me pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha trevat e Vlorës. Në këtë takim u dha fjala dhe u lidh besa për të luftuar pushtuesin italian. Smokthina përfaqësohej nga Zaçe Xhelo. Ndërsa më 26-27 shkurt 1920, Osman Haxhiu dhe Qazim Koculi organizuan në fshatin Lepenicë një takim, ku midis të tjerave u diskutua dhe problemi i grumbullimit të armëve dhe municioneve për luftë. Nga Shullëri ishin: Smokthina përfaqësohej nga Shero Agaj, Zigur Lelo, Hajro Qamili, Hasan Brahimi, Vajza nga Kalo Veselaj dhe Velça nga Hasan Hyso.

Ndërsa më 10 mars 1920, Komiteti i Fshehtë me atributet e Mbrojtjes Kombëtare dha sinjalin për fillimin e përgatitjes për luftë të armatosur të të gjithë popullatës në lumin e Vlorës. Këtu u vendos që çështja e Vlorës të zgjidhej me kryengritje dhe u urdhërua përgatitja e krahinave, duke dërguar anëtarët e tij në fshatrat e Vlorës, Kurveleshit dhe Tepelenës. U krijuan dhe komitete të fshehta në Tepelenë dhe Gjirokastër. Në fshatrat e Shullërit filluan organizimet dhe pleqësitë e fshatrave nisën hartimin e listave për vullnetarë në luftë.

Në fillim të muajit maj 1920 komisioni i Vlorës dërgoi një delegacion në Tiranë për t’u konsultuar e bashkërenduar me qeverinë rreth përgatitjeve që po bëheshin për luftë kundër ushtrisë italiane në Vlorë dhe në rrethinat e saj. Në delegacion nga Shullëri ishin Rexhep Sulejmani nga Vajza dhe Ali Beqiri nga Velça. Qeveria e Sulejman Delvinës u tregua mirëkuptuese dhe mbështetëse.

Më 16 maj 1920 komanda italiane, kishte marrë vesh për organizimin e kryengritjes popullore kështu që shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet italiane nuk lejuan përfaqësuesit e qeverisë shqiptare të hynin në Tepelenë më 17 maj 1920, për të vendosur autoritetin shqiptar, si në Berat dhe në Gjirokastër. Ata qëlluan me top e mitraloz në fushën e Luzatit bandën e shoqërisë “Vatra” dhe trupat e xhandarmërisë dhe vullnetarë shqiptarë që shkonin për të marrë në dorëzim Tepelenën.

Mesapliku, bazë e organizimeve luftarake

Më 19 maj 1920 me iniciativën e Qazim Ademit nga Matogjini në shtëpinë e Rexhep Sulejmanit në fshatin Vajzë u bë një takim me Halim Xhelon dhe Murat Tërbaçin. Nga fshati Vajza këta burra shkuan në Mesaplik në konakët e Zaçe Xhelos. Ata njoftuan të gjithë fshatrat e krahinës së Mesaplikut (Brataj, Tërbaç, Vranisht, Smokthina, Velça, Gjorm, Lepenicë), si dhe fshatin Vajzë se më 20 maj, tek Rrepet e Ismail Qemalit do zhvillohej një mbledhje.

Halim Xhelo që drejtonte mbledhjen do të shkruante se më 24 maj 1920, mesaplikasit u mblodhën në sheshin (fushën) e Mesaplikut, ku vendosën për kryengritje. Mbledhje e gjerë krahinore ishte nga kuvendet e para organizuese të luftës së madhe të vitit 1920. Këtu u analizua situata e krijuar dhe u diskutua për reprezalje dhe arrestime në stil të gjerë të italianëve në popullatë. Në mbledhje foli Zaçe Xhelo, atdhetar i flaktë i cili falënderoi Komitetin e “Mbrojtjes Kombëtare” me Osman Haxhiun në krye dhe tha se kishte ardhur sahati për të shpëtuar Vlorën nga thonjtë e shejtanit.

Në fund të mbledhjes u kërkua nga të gjitha pleqësitë e krahinës të ishin të bashkuar dhe të gatshëm për luftë. Në mbledhje ishte dhe komandanti i Postës së Bratit, kapter Hamzo Nurçe nga Ramica, me gjithë xhandarët shqiptarë që komandonte. Përshëndeti Osman Haxhiu, i cili foli për luftë dhe falënderoi postkomandantin e Komunës Brataj, kapter Hamza Nurçe për faktin se rreshtoi xhandarët me luftëtarët. Këtu u propozua dhe u vendos që më 27 maj të bëhej një mbledhje në Dërrasë të Beunit të Smokthinës, me të deleguar nga qarku i Vlorës.

Në mbledhjen e Beunit kishin ardhur dhe përfaqësues nga Kurveleshi e Tepelena. Në mbledhje u vendos bashkimi, u ndaluan grindjet dhe hakmarrjet. Thirrja përfundimtare e takimit ishte që çdo fshat të përgatitnin luftëtarët për në luftë. Mbledhja e përgjithshme e forcave dhe përfaqësuesve të krahinave të bëhej më 29 maj 1920 në Baçalla.

Nga mbledhja e Mesaplikut u lëshua thirrja: Ju bëjmë të ditur se nevojat e rrezikut që ka marrë në sy Vlora dhe atdheu flasin për bashkim e kuvendim në malin e Baçallasë. Nxitoni të jeni atje. Me lutje Osman Haxhiu. Zaçe Xhelua, Shero Emini dhe pleqësia e fshatarve të Smokthinës shoqëruan Osman Haxhiu dhe patriotë të tjerë për në Baçalla.

Në Beun u lëshua thirrja për të rrokur armët e për të organizuar çetat e luftëtarëve për kryengritje çlirimtare dhe në të shënohej: Ditën e mërkurë, 2 qershor 1920 Fuqitë e Armatosura të gjenden në mal të Beunit.

Qendër e rëndësishme në përgatitjen dhe nisjen e luftimeve

Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” dhe disa nga anëtarët e Këshillit të Luftës pas Barçallasë u mblodhën më 30 maj në Mesaplik, në shtëpinë e Zaçe Xhelos. Këtu u bisedua gjatë mbi organizimin e fillimit, e vijimit të veprimeve luftarake, mbi gjendjen e forcave italiane dhe të garnizoneve të tyre, për organizimin e çetave të fshatrave, për furnizimet me armë dhe municione, për organizimin e furnizimit me ushqime të luftëtarëve etj. Komisioni i Luftës me Osman Haxhiun në krye në mbledhje debatuan me Ahmet Lepenicën për planin e luftës. Osman Efendiu kërkoi nga të pranishmit dhe zoti Ahmet, që në mal të Beunit, të mblidhej edhe një herë komisioni ushtarak dhe Këshilli i Luftës. Mbledhja në Mesaplik ishte një dëshmi tjetër se Mesapliku dhe Smokthina në vitin 1920 në pamjen e pozicionit gjeostrategjik, por edhe të angazhimeve për luftë ishin qendra të rëndësishme në përgatitjen dhe nisjen e luftimeve.

Prej Mesaplikut anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe Këshilli i Luftës u shpërndanë në fshatrat e tyre për organizimin e çetave të luftëtarëve. Më 1 qershor, Osman Haxhiu, Ali Beqiri, Qazim Kokoshi, Murat Miftari, Halim Xhelua dhe Beqir Sulo shkuan në Ramicë të shoqëruar nga Zaçe Xhelo, Bajram Qamili, Zigur Lelo, Arif Rushani, Zoto Zotaj etj.

Për hartimin më mirë të planeve të luftimit, Komisioni Ushtarak me Osman Haxhiun dhe anëtarë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” e ngritën shtabin në Ramicë. Këtu u përqendruan dhe përfaqësuesit e fshatrave Dukat, Tragjas e Radhimë: Alem Mehmeti, Imer Çelua, Hamit Selmani, si dhe Baba Ahmet Turhani nga Tepelena dhe Kanan Mazja nga Shkoza.

Më 2 qershor 1920 në vendin e quajtur Rrapi i Gurrave, në pllajën e Beut u mblodhën rreth 480 luftëtarë me Osman Haxhiun, Komitetin e “Mbrojtjes Kombëtare” dhe Këshillin e Luftës. Në Këshillin e Luftës ishin zgjedhur atdhetarë të shquar nga parësia e fshtarëve, të cilët kishin marrë pjesë dhe më parë në Lëvizjen Kombëtare, duke filluar me kryengritjet antiosmane të fillimit të shekullit e sidomos në luftimet kundër shovinistëve grekë 1912-1914. Midis tyre ishin: Zaçe Xhelo (Ramicë), Memo Metja (Brataj), Laze Malo (Tërbaç), Rexhep Sulejmani (Vajzë), Mato Robi, Toto Hosi (Bolenë), Rrapo Meto (Vranisht), Boro Pipaj (Matogjin), Hasan Hyso (Velçë), Brahim Musai (Brataj), Sheme Jazo (Lepenicë), Azem Sulo (Vranisht), Abdurraman Çiraku (Vërmik).

Në mbledhje Këshilli i Luftës dhe anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” vendosën të hartojnë dhe t’i dërgojnë një ultimatum gjeneral Piaçentinit dhe komandës së trupave pushtuese italiane në Vlorë.