BREAKING NEWS

Listat e hapura/ Kryeministri Rama del live dhe jep qëndrimin e PS (VIDEO)

Listat e hapura/ Kryeministri Rama del live dhe jep qëndrimin e PS (VIDEO)
x

Opinion / Editorial

Mëshirë për shkatërrimtarët opozitarë

Mëshirë për shkatërrimtarët opozitarë

Historia e godinës së Teatrit Kombëtar, është bërë sot tema më e nxehtë e ditës mes qeverisë, komunitetit të artistëve, opozitës operacionale që i ka dalë në shteg gjahu dhe medias që e kolovit ngjarjen nëpër emisione emocionale për të përmbushur programin sipas prirjes partiake të gazetarëve. E vërteta ka mbetur pezull. Kampi i aktorëve është ndarë në dysh, pro dhe kundra prishjes së godinës, sipas gjykimit dhe këndvështrimit të tyre. Në demokraci, jemi të një mendimi që të mos jemi të një mendimi për të dhënë opsione publike për fenomene që kanë karakter kombëtar. Një pjesë e komunitetit të artistëve janë shprehur për t’u prishur godina e Teatrit Kombëtar, pasi është e konsumuar dhe nuk përmbush funksionin për të përballuar shfaqje artistike të nivelit bashkëkohor. Ndërsa pjesa tjetër, një grup nostalgjikësh, që kanë debutuar e interpretuar në atë godinë janë të mendimit se nuk duhej të shembej, pasi ka të bëjë me kujtesën historike të artit shqiptar. Secili grup, në këndvështrimin e tij përbën objekt diskutimi. Të gjithë aktorët që janë ngjitur në atë skenë për vite të tëra, kanë kujtime, mbresa, e nostalgji personale e kolektive për role e interpretime, që kanë krijuar personalitetin e tyre artistik. Një kujtim vetjak e kam dhe unë për atë godinë pasi në vitin 1964 kam konkurruar për aktor dhe kam fituar me grupin e profesor Birçe Haskos, Timo Fllokos dhe Mevlan Shanajt, etj. Fituam 18 vetë, por unë nuk munda të filloja studimet pasi kryeministri i kohës Mehmet Shehu, tre ditë para se të hapnin dyert universitetet erdhi në Vlorë dhe kryetari Komitetit Ekzekutiv, Myzafer Trebeshina, i tha: “Shoku kryeministër një agronom i mirë ka fituar konkursin për aktor dhe do na largohet”. Ai, ju përgjigj: “Para se të duam art, duam bukë”. Kaq u desh, që të ndërpritej ëndrra në mes. Prishja ose jo e godinës së Teatrit Kombëtar, nuk është e drejtë e asnjë pale që i jep vetes atributet e autoritetit pronësor. Fjalën për të marrë një vendim të përgjegjshëm duhet ta thonë ekspertë të fushës të instituteve të specializuara si ai i Ndërtimit, Monumenteve të Kulturës, etj, që janë në gjendje të bëjnë vlerësimin e gjendjes fizike të godinës. Ajo, që është e gabuar në vështrimin tim, ka të bëjë me kohën dhe momentin që u zgjodh për të kryer aktin e shembjes së godinës. Ky moment i papërshtatshëm ka agravuar situatën dhe ka ndezur konflikte të panevojshme në situatën që po kalon vendi pas tërmetit të 26 nëntorit dhe epidemisë së koronavirusit. Protestat dhe pretendimet e disa prej aktorëve të teatrit sado subjektive që të jenë janë elemente të një demokracie funksionale, liberale. Ajo, që bie ndesh me karakterin demokratik të demonstratave të qytetarëve, është përfshirja e opozitës në këtë aksion që nuk ka karakter politik dhe që duan ta shfrytëzojnë për përfitime politike për rrëzimin e qeverisë. Opozitarët të vënë në rresht si kope delesh, të prirë nga “dashi me këmborë”, Presidenti i Republikës, sufleri Ilir Meta, “garanti i unitetit të popullit”, dhe të dirigjuar me mjeshtëri nga “arkitekti” Berisha, duan ta shfrytëzojnë këtë moment për rrëzimin e qeverisë Rama. Krahas tyre janë radhitur dhe një klasë opinionistësh oportunistë, që janë ekspertë të kulturës, arkitekturës, arsimit, shkencës, ekonomisë e bujqësisë. Këta “korifenj të së vërtetës” flasin me kompetencë për çdo fushë të jetës. Kjo klasë politike opozitare, janë ata që në fillimet e pluralizmit hodhën themelet e demokracisë duke aplikuar teorinë më absurde në mendimin njerëzor, “teorinë zero”. Kjo teori ogurzezë, kishte si filozofi përdorimin e kazmës në themele të trashëgimisë nga e kaluara, për shkatërrimin dhe zhdukjen e çdo vlere kulturore, historike shoqërore dhe ekonomike që ishte krijuar gjatë sistemit socialist. Një marrëzi shqiptare që s’do ta besojë asnjë njeri normal, që nuk e ndesh në asnjë vend të botës, qofshin dhe ato të xhunglave të Afrikës, që të merr frika kur i kujton. U shkatërruan fabrika, uzina, kombinate, hekurudha, institucione arsimore, kulturore, shkencore e shoqërore, muze e lapidarë, që përjetonin historinë kombëtare. Meqë jemi te shkatërrimi i godinës së teatrit, le të kujtojmë prishjen e Kinostudios “Shqipëria e Re”, që prodhonte 12 filma në vit, me interpretimin e kolosëve të artit e skenës dhe ndalimin e shfaqjes së filmave që kishin tematika patriotike, jo pamje të degjeneruara që na jepen sot në filmat dhe pjesët teatrale “moderne” të frymës “demokratike”, që të vjen turp t’i shohësh në prani të familjes. Në valën e shkatërrimeve, një lider i Partisë Demokratike, kur shkoi në Divjakë për një miting elektoral, pa aty një godinë madhështore, kinoteatrin e qytezës, i ngjashëm nga madhësia dhe arkitektura me kinoteatrin e Vlorës dhe të Korçës dhe ju drejtua të pranishmëve: “Akoma qëndron në këmbë kjo vepër e socializmit, nesër e dua ta shoh në tokë”. Dhe s’mund të ndodhte ndryshe, të nesërmen urdhri shkoi në vend, kinoteatri u rrafshua. Me një aksion të rinisë nisi prerja e kolltukëve në Pallatin e Kongreseve, por falë një drejtori që ishte nga shtresa e të persekutuarve, kur e lajmëruan punonjësit e tij, pasi ishin grisur rreth 100 karrige, shkoi tek të rinjtë dhe i ndaloi në aksionin e tyre të përçudnuar për të prishur një vepër unikale që e kemi edhe sot. Piramidën që ishte një vepër arkitektonike është shndërruar në një karikaturë në qendër të Tiranës. Atë godinë pasi e përdorën për disa vjet si qendër kulturore, më së fundi e braktisën dhe e zhveshën duke i vjedhur dhe veshjen e jashtme me mermer dhe qeveria Rama nuk i ndëshkoi. Ishte Partia Demokratike që Shtëpinë Qendrore e Oficerëve, jua mori ushtarakëve me dhunë dhe ja ndryshoi identitetin duke e kthyer në zyra, në një kohë që kishte një godinë të re. Edhe për këtë rast Partia Socialiste kur ishte në opozitë u zotua se kur të vijë në pushtet do t’ua kthejë ushtarakëve. Premtime, pa realizime, baras me dështime. Qeveria Berisha, mbahet mend për shumë shkatërrime të pronës 50 vjeçare, që ishte krijuar me mundin e djersën e punës të papaguar të shqiptarëve. Por ishte kjo qeveri që për kapriçot e saj prishi mbikalimin te “Zogu i Zi”, me një kosto prej mbi një milion euro dhe sot ai rrethrrotullim është burim aksidenti për udhëtarët. Kjo strategji u ndoq edhe me shkatërrimin e fabrikave dhe uzinave bashkëkohore duke filluar nga Azotiku i Fierit, që prodhonte plehrat azotike dhe nitrat amoni të domosdoshme për bujqësinë, duke i zëvendësuar me mbeturina importi të skaduara nëpër depot e Europës, që nuk kishin asnjë efekt te bimët. Zinxhiri i shkatërrimeve pasoi me uzinën e telave në Shkodër, uzinën e precizonit në Korçë, fabrikën e llambave në Vlorë, me katër fabrikat e çimentove në katër qytete të vendit, kombinati i Tekstileve në Tiranë e në Berat e shumë vepra të tjera që prodhimet e tyre plotësonin nevojat e vendit dhe eksportoheshin në vende të ndryshme të Europës. Mirë që nuk shkatërruan dhe hidrocentralet që i kishte ndërtuar Partia e Punës, se edhe sot do ndriçoheshim si në mesjetë me kandil e me pishë. Kjo ishte fryma e Partisë Demokratike dhe e liderit të saj komunistit, ekstremistit Berisha. E njëjta batërdi, u bë në bujqësi. U shkatërruan kryevepra botërore, që befasoheshin të huajt kur i vizitonin, si blloku i agrumeve në Lukovë e Ksamil të Sarandës, i Jonufrës në Vlorë, blloku i fiqve në Berat me 800 ha, më i madhi në Ballkan, ferma e Shtoit në Shkodër me mbi 800 ha vreshta, me vinotek nën tokë, që po të mos ishte prishur, sot do siguronte të ardhura kolosale për popullsinë e atij qyteti, si dhe Stacioni i Zoteknisë në Shkodër, ndër më të pasurit me kafshë të rralla që konkurronte shumë vende të Europës. Shqipëria kishte sera për frymë më shumë se çdo vend në Europë, që prodhonin mozaik perimesh si dhe shumë ferma me rezultate të larta që siguronin nevojat për drithëra buke në shkallë vendi si NB “ 29 Nëntori ” Lushnjë, NB “Maliqi”, NB “Plasa” në Korçë, NB “Thumana” në Krujë NB “Kamza” “17 Nëntori”, e “ Gjergj Dimitrovi”, në Tiranë, NB “Sukthi” në Durrës, e shumë e shumë ndërmarrje të tjera që konkurronin me rendimente vendet më të zhvilluara të Europës. Ato u shkatërruan dhe u grabit pasuria e tyre dhe kafshët prodhuese: si gjedhë, derra, kuaj e bagëti të imta. Këto veprime banditeske bënë që t’u hapet rruga importeve të mbeturinave për përfitime dhe pasurimin e matrapazëve politikë, që agrumet të vinin nga Greqia, molla nga Maqedonia dhe gruri nga Bashkimi Sovjetik dhe Serbia. E njëjta filozofi u ndoq edhe me Institucionet Kërkimore Shkencore. U prishën Institucionet Kërkimore Shkencore me përvojë shumë vjeçare dhe më profesor të zëshëm dhe në arenën ndërkombëtare, që u hodhën në rrugë dhe u lanë pa punë, e deri duke burgosur kolosë të shkencës me famë ndërkombëtare si Farudin Hoxha etj, e duke u zëvendësuar me militantë mediokër, që i sollën shumë dëme zhvillimit të ekonomisë. Kanë ndodhur disa katastrofa atmosferike, me përmbytje e djegie, sepse u shkatërruan pyjet, argjinaturat, kanalet kulluese dhe brezat mbrojtës dhe s’kishte një mendim të kualifikuar teknik. Krahas instituteve të njëjtin fat pati dhe Akademia e Shkencave, që u deformua, u zhvesh nga institutet përbërëse të saj dhe u kthye në një magazinë pa inventar, saqë nuk e ka marrë veten deri në ditët e sotme. U liberalizua arsimi shtetëror dhe ju hap rruga atij privat jashtë çdo kriteri metodik dhe me mangësi të personelit pedagogjik, duke arritur të prodhohen dhe shiten diploma fallco, gjë që ka prishur imazhin e arsimit të lartë dhe ka rrëzuar nivelin e arsimit në tërësi në kuota shumë të ulta. U shkatërruan strukturat e qeverisjes dhe centralizimi i pushtetit në qendër i nxori jashtë loje gjithë sektorët e ekonomisë. Drejtorët e drejtorive në rrethe u përqendruan në qendër, madje disa drejtori kaluan rajonale siç është rasti që drejtoria e Bujqësisë Vlorës kaloi në Lushnjë, e plot raste të tjera që flasin për një anomali e çoroditje dështake. Në emër të së resë, drejtues të paditur shkatërruan eksperiencën e transmetuar në vite. Autorët e shkatërrimit janë komunistët antikomunistë dhe trashëgimtarët e tyre. Si në çdo kthesë apo revolucion të shoqërisë njerëzore, edhe tek neve dolën në krye njerëz me vese, aventurierë, mediokër, për të përfituar nga privilegjet e pushtetit, duke e përdorur atë si pronë vetjake. Shqipëria trashëgoi një pasuri nën dhe mbi tokësore të fuqishme, që po të administrohej dhe shfrytëzohej me nikoqirllëk do të kishte një bazë ekonomike të qëndrueshme. Por shitja e minierave, burimeve naftë-mbajtëse dhe energjisë elektrike të huajve për afera korruptive, e kanë katandisur Shqipërinë në një raja në duart e të huajve. Shqipëria është bërë pronë e të huajve. Nuk është e largët dita që do lypi edhe vende për varre, me politikat e mbrapshta 30-vjeçare që ka aplikuar. Kjo strategji e shkatërrimit u përsërit në vitin 1997 dhe 1998, por në një spirale më të lartë, me grushtin e shtetit, por që për fat të shqiptarëve, u ndal nga ndërkombëtarët dhe SHBA. E gjithë kjo ekspoze shkatërrimtarësh dhe shumë të tjera që kanë ndodhur në këto 30 vjet, s’rroken dot në një shkrim, duan romane për t’i përshkruar. Lind pyetja kush ishin ata demokratë që nisën jetën mes shkatërrimesh nëpërmjet teorisë zero, të tokës së shkretuar dhe që vazhdojnë edhe sot dhe kërkojnë ta marrin pushtetin nëpërmjet revolucionit me dhunë dhe jo me metoda demokratike nëpërmjet votës?! Autorët s’kanë nevojë për identitet. Jo më larg, por këto dy ditë në emisionin opinion të Fevziut, u pyet Berisha nga gazetarët se si mund të vijë e djathta në pushtet dhe ai, u përgjigj se Ramës s’mund t’i marrish pushtetin me votë, veçse me dhunë nëpërmjet revoltave. Këtë filozofi të vetën, që e ka injektuar te opozita, Berisha e përsërit pa ju trembur syri sa herë jep intervista apo është i pranishëm në studio televizive. Mazhoranca e dëgjon, e citon dhe nuk e denoncon një antishqiptar që bën thirrje për luftë. Këtë dobësi të mazhorancës Berisha e njeh mirë. Berisha, kundërshtarët e tij politikë duke filluar nga Rama, i shan me libër shtëpie siç bëri edhe në studio ditët e fundit duke sharë ministrin e Brendshëm me epitetet: “ministër i poshtër, pa fytyrë”, etj. Kur ndërhyri gazetari Lorenc Vangjeli, duke i thënë që doktor, nuk është etike të shash, nuk të shkon fyerja. Berisha ju përgjigj me krenari, më shkon, më shkon për këta lloj ministrash. Në anën tjetër dëgjon Monikën me një fjalor banal rrugaçërie, që garon me Berishën dhe që të vjen turp ta përmendësh dhe ndihesh i fyer për këtë klasë politike që kemi në krye. Ç’ironi! Monika e larë me flori, të flet me dhimbje për varfëri, a e merr vesh se ku jetojmë o njeri?! Njerëzit e ndershëm pyesin veten kur do vijë dita që shqiptarët të mendojnë të ndërtojnë dhe jo të shkatërrojnë. Le të shpresojmë...