BREAKING NEWS

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të akuzuarit e mëdhenj ja vetëm do shpronësohen, por do burgosen

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të
x

Opinion / Editorial

Metamorfoza e integrimit dhe kredibiliteti i BE

Metamorfoza e integrimit dhe kredibiliteti i BE

Interesat kombëtare në kontekstin europian, kanë qenë dhe mbeten gjithnjë prioritete për qytetarët shqiptarë, të cilët presin të ndihen edhe ata pjestarë të këtij komuniteti ëndërr. Ky event që përbën aksionin më të rëndësishëm politik, për Shqipërinë në këtë fund viti, lidhet me marrjen e një vendimi pozitiv, që do të vërë në provë kredibilitetin e BE, jo vetëm para shqiptarëve, por edhe përballë faktorit ndërkombëtar. Ky vendim do të jetë i një rëndësie të veçantë, për vetë zhvillimet historike dhe marrëdhëniet e BE me Shqipërinë, që do të nxisin edhe më shumë përkushtimin ndaj masave efikase, për përmbylljen e reformave dhe demokratizimin e vendit. Një vendim pozitiv do të promovojë të gjitha përpjekjet e periudhës dialog, në linjën shumëpalëshe që nga fillimi i proceseve demokratike dhe sidomos pas Samitit të Selanikut të vitit 2003. Nëse BE me programin dhe premtimet për zgjerim me anëtarë të rinj të BP, ku bën pjesë edhe Shqipëria si kandidatja më e favorizuar për ndryshimet që ka bërë, nuk do të ketë një vendim pozitiv, atëherë vendet aspiruese do ta humbin besimin për integrimin e tyre në këtë komunitet. Megjithëse është një proces kompleks e mjaft delikat, për vetë detyrimet në plotësimin dhe rritjen e standarteve, nuk ka qenë aspak e lehtë rruga e transformimeve demokratike, në një mjedis mjaft konfliktual dhe të ashpër politik. Shërimi përfundimtar i këtij rajoni problematik në shekuj, do të vijë vetëm me integrimin dhe dhënien fund të mbetjeve konfliktuale, të cilat vazhdojnë të krijojnë alergji politike. Historikisht përpjekjet e para për të vendosur ura bashkëpunimi, midis shteteve të Ballkanit, u bënë me përfundimin e Luftës së Parë Botërore. Ky bashkëpunim përbënte një risi në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe ato diplomatike, i njohur për përplasje etnike të lindura në shekuj. Iniciatore për rolin negociues në përmirësimin e këtyre marrëdhënieve në atë periudhë, kur në Europë kishte lindur një kulturë e re me vetëdije të lartë u bë Anglia. Në këtë gjysmë shekulli, lindën doktrina e sisteme politike të kundërta, ngaqë bota u nda në dy kampe. Anglia së bashku me SHBA përbënin kështjellën e demokracisë, prandaj dhe roli i tyre ishte determinues për marrëdhëniet e reja që po krijoheshin në përplasjet midis dy sistemeve, kapitalist dhe atij socialist të sapolindur në Rusi. Por Anglia këtë rol e mori për interesat e saj, për të ruajtur ekuilibrat dhe status-quonë e vendosur përkohësisht në Europë, nga vendimet e konferencës së Versajës. Anglia e kënaqur nga ç'ka ishte arritur në këtë konferencë, për të shmangur një konflikt të ri, arriti të zbusë marrëdhëniet franko-gjermane nëpërmjet paktit të Lokamos të vitit 1925, që garantonte paprekshmërinë e kufijve të tyre. Po përse Londra e të tjerët nuk ndërmorën asnjë iniciativë, për të normalizuar marrëdhëniet e vendeve ballkanike të futura në konflikt shekullor? Këto fuqi të mëdha të kohës, nuk arritën të krijojnë një tjetër Lokamos edhe për Ballkanin, sepse nuk u kanë interesuar politika të tilla, të cilat janë zvarritur deri në ditët e sotme. Kështu ky rajon nuk mundi të çlirohej nga produktet negative të konferencave ndërkombëtare dhe pasojat e trashëgimisë së dhunshme të Kongresit të Berlinit (1878), të Konferencës së Londrës (1912-13) dhe sistemit të Versajës 1919. Efektet e këtyre trashëgimive, të gatuara nga fuqitë e mëdha të kohës për interesat e tyre, kanë patur një ndikim të madh në lojërat e politikës ballkanike. Akoma edhe sot shfaqen mentalitetet e vjetra, që lidhen me çështjet e kufijve, të minoriteteve, që nuk kanë gjetur një rezultat përfundimtar. Këto minoritete privohen nga të drejtat për gjuhën, flamurin, shkollat shqipe, siç ndodh në Serbi, Mal të Zi e Greqi. BE si një organizëm kompleks që premtoi parajsën për europianët, për ne shqiptarët ka tingëlluar paksa i vështirë, duke u nisur nga larmishmëria e shumë gjërave, që kanë bërë diferencën, që nga identiteti, komuniteti i vlerave të përbashkëta, tregu i përbashkët pa kufij të brendshëm, solidariteti dhe deri tek burokracia. Ky komunitet siç dihet ka qenë një sipërmarrje e jashtëzakonshme historike për europianët, pavarësisht nga turbulencat e brendshme që kanë shkaktuar përplasje, mosdakordësi, pakënaqësi, deri dhe largim prej tij siç ndodhi me Mbretërinë e Bashkuar. Duke qenë një komunitet i përbashkët, nuk arriti premtimet për cilësinë e jetës, që europianët të ndihen më komodë, por edhe më të fortë së bashku, se sa çdo shtet i vetëm si më parë. Faktorët që kanë ndikuar dhe që po e bëjnë akoma të qëndrueshëm këtë komunitet, janë parashikueshmëria që lidhet me zbatimin deri më një të rregullave të dakordësuara, të cilat rrisin ose dobësojnë besimin tek anëtarët. Një tjetër faktor mbi të cilin bazohet ky komunitet, është filozofia e solidaritetit, që përbën fuqinë brenda tij. Një nga provat që vërtetoi dhe reflektoi këtë solidaritet, ishin masat efikase për përballimin e pandemisë, para saj kriza financiare që i ka fillimet nga viti 2008, fatkeqësitë natyrore ku ka përfituar edhe Shqipëria, në përballimin e pasojave të tërmetit fundvitin e kaluar. Por komuniteti është përballur edhe me pasojat e globalizmit, terrorizmit, emigracionit të paligjshëm, të grupeve neonaziste e fashiste, të cilat kërkojnë vëmendje për të evituar efektet negative të tyre. Në këtë front të përbashkët kanë qenë dhe janë edhe shqiptarët, që nëse dikush nuk i njeh virtytet e tyre, duhet medoemos t'i njohë si qenie mendimi dhe vlerash, që gjatë gjithë historisë, gjërat i ka zgjidhur me tru e jo me bajonetë, siç kanë vepruar fqinjët tanë kundër nesh. Prandaj anëtarët e këtij komuniteti dhe sidomos skeptikët, duhet të binden se nëse ka një popull në Ballkan, që nuk duhet të ketë frikë nga e kaluara e vet, ky është pikërisht populli shqiptar, por që fatkeqësisht jemi lënë në harresë. Shqiptarët mendojnë se pranimi në këtë shoqëri, përbën një nga politikat më të rëndësishme për ta, që do t'u ndryshojë rrjedhën e jetës, për të mos u ndierë të braktisur, por të mbështetur dhe përkrahur fuqishëm nga një komunitet i shpresave të mëdha. Integrimi jo vetëm do të tjetërsojë historikisht Shqipërinë, por mbi të gjitha për shqiptarët që do të ndryshojnë veten, për të menduar se e ardhmja e tyre është në Shqipëri, ashtu si shumë qytetarë të vendeve anëtare. Duke ndryshuar veten ata do bëhen garanci edhe për komunitetin, për të mos u zhgënjyer prej tyre. Ata mendojnë se ky komunitet do të ndikojë fuqishëm në industrializim e vendit, të shkatërruar nga doktrinat e qeverisjeve të papërgjegjshme. Ata mendojnë se ky komunitet do të ndikojë në agroturizmin, në gjallërimin e biznesit, tek njerëzit në nevojë, tek fëmijët që duan arsimim më të kualifikuar, në universitetet prestigjoze të Europës etj. E për të gjitha këto kërkohet ndërgjegjësim, përkushtim e bashkëpunim, në radhë të parë nga partitë politike, të cilat nuk duhet të mbyllen në llogoret e luftës për pushtet, por të përballen me këtë sfidë historike, me prioritetet kyçe, të vendosura nga BE që do bëjnë të mundur hapjen e dritës jeshile, që Shqipëria të mos mbetet tek ura e Qabesë.