BREAKING NEWS

Asnjë marrëveshje për Zgjedhoren, PD akuzon PS por nuk tërhiqet nga asnjë kusht dhe qeveria teknike

Asnjë marrëveshje për Zgjedhoren, PD akuzon PS por nuk
x

Opinion / Editorial

Midis dy të këqijave, “koronave” dhe “viruseve”...!

Midis dy të këqijave, “koronave” dhe

 ... E keqja më e vogël është ajo e “koronave” që sipas qeverisë dhe specialistëve, ndodhen në ambientet e jashtme dhe mirë bëjnë që thonë “mos dilni jashtë” sepse ruajmë jo vetëm veten, por edhe të tjerët. Ndoshta Qeveria, ka parasysh që qytetarët të mos infektohen në ambientet e jashtme nga “korona”, prandaj edhe ata, marrin masa që të dalin me maska dhe doreza. Pra, “ilaçi”, “koronës’ i është gjendur por, janë fare të pambrojtur nga “viruset” tregtarë, kudo që shkojnë në ç’do njisi ku tregtohen fruta perime. “Maska” qeveritare për këtë mungon...Është mëse e drejtë që “arma” e vetme për t’u mbrojtur nga kjo e keqe, sikur të mos na mjaftonin hallet e tjera, është qëndrimi brenda banesës.

Kjo, është e drejtë, por nuk është e drejtë as ajo që thonë “qëndroni brenda banesës” duke e ditur që edhe banesa është e mbushur me “viruse’ që janë jo më pak të rrezikshme nga viruset e “koronës” jashtë. Qytetarët, dalin për të bërë pazarin, në orarin e lejuar dhe mbajnë nga një maskë e një palë doreza dhe duket sikur ngushëllohen që mbrohen nga e keqja. Ata, e dinë që kjo, është e keqja më e vogël, përpara asaj që nuk kanë asnjë mbrojtje nga “viruset” dykëmbësha tregtarë, e cila bën që të “infektohen” nga truri, nga duart, nga “xhepat ”..!.. Gjysma e të keqes është “koronavirusi” që po pushton rruzullin tokësor përpara këtyre “viruseve” që ne nuk po na ndahen!. “Viruset” janë përhapur më shumë se “koronat” jo vetëm jashtë, jo vetëm në banesa, por edhe kudo ku tregtohen fruta perime.. Këta “viruse” i gjen me “shumicë” në ekranet e medias vizive dhe atë të shkruar, i gjen në rrugë, i gjen kudo. “Virusi” tregtar e tërheq zvarrë të moshuarin për tre kokrra portokalle apo për dy kokrra limona, pavarësisht që ai ja paguan ato sekserit të punësuar.

Kudo ku tregtohet, do të dëgjosh sherr. Qytetarët, nuk binden edhe sikur t’ia bësh shqiponjën me pëllëmbë! Nuk e dëgjoi mirë një kliente çmimin e 1 kg qepë, por kur “virusi” i kërkoi të paguante 2800 lekë (të vjetra) ajo i flaku duke bërtitur: “Mos i hëngshi inshallah..”! Sikur edhe 200 metra larg të shkosh nga një njësi tregtare tek një tjetër, i njëjti mall është me çmime të ndryshme sa dyfishi i asaj që ka qenë përpara “koronës’! “Kudo si Lutua, shtëpia pikon.”! Kjo “korona”, jo vetëm që po na infekton nga shëndeti, por po na “infekton” edhe nga xhepat! Bëni krahasimin tashti midis “koronës” dhe “virusit”. Kështu qenka e thënë për qytetarët e këtij vendi që edhe në kohët më të vështira si në këto ditë që po kalojmë të mos gjejmë pak qetësi kundër këtij “armikut” të përbashkët, por duhet të dëgjojmë edhe “viruse” të tjerë që i kemi prezent edhe në brenda banesës.

Specialistët, mjekët dhe gjithë personeli shëndetësor, janë angazhuar në këtë luftë si në të gjithë rruzullin tokësor për të mposhtur këtë pandemi. E ndërsa të gjithë, me mjekët e nderuar që janë në vijën e parë të frontit” dhe që kanë marrë përsipër ta zhdukin këtë armik pa marrë parasysh “plumbat” e padukshëm që atyre u kërcënojnë jetën e që nuk dihet nga vijnë. Janë këta që meritojnë jo vetëm falënderimet por më shumë se kaq, por këta, nuk kanë ç’farë t’i bëjnë “viruseve” që na kanë zaptuar ekranet dhe nuk shqiten. Qeveria nga ana e saj, ç’do ditë e ç’do orë bën thirrje që të qëndrojmë nëpër banesa, brenda katër mureve sepse “armë” tjetër më të efektshme se sa kjo, për të shpëtuar shumicën e popullsisë nga kjo kolerë, nuk ka.

Por ndërsa specialistët, mjekët e nderuar dhe të gjithë punonjësit e nderuar të kësaj fushe na bëjnë thirrje për të qëndruar nëpër banesa, të tjerë: “viruse” na i bëjnë të mërzitshme edhe këtë “armë”, atë të mbylljes në banesë. Ndryshimi midis “koronave” dhe “viruseve” është se këta të fundit, shihen me sy, kanë “shije”, kanë “ngjyrë” e bile u duken edhe bindjet që kanë dhe më keq akoma, askush nuk merr mundimin të gjejë ndonjë “vaksinë” as në këtë kohë “kolere”. Këta “viruse” janë qysh nga Kryevirusi” që “të keqen” e gjen tek “Edvin Chekup Maska” e deri tek “virusja” më e re LSI-ste.

Të dëgjosh Monikën të flasë për koronavirusin në televizion duke thënë: “Fati ynë është në dorën e Zotit” dhe “t’i lutemi Nënë Terezës, të vërë dorën mbi këtë popull”, është pak të hidhesh nga ballkoni! Ajo, nuk e kupton këtë, sepse sikur ta kuptonte, do të qëndronte 24 orë “non stop” në ekranin e Vasilit që i mbledh këto si Vasili tjetër, me qëllimin e vetëm që të hidheshin sa më shumë! O Zot! Nuk i lejojnë specialistët, këta “strategë” të vërtetë në këtë betejë por na dalin disa “specialistë” që jo të shfarosin viruset, por t’i shumojnë ato.

Televizori ka mbetur i vetmi mjet argëtimi në këto ditë izolimi total dhe kur ky mjet informacioni, “infektohet” nga “viruset” e politikës, ç’na mbetet tjetër? Tek shkruaj këto fjalë kujtoj një tregim nga shkolla fillore në librin e Këndimit, “Plaku dhe rrepka”. Plaku vendosi të shkulte rrepkën, por hiq e hiq dhe nuk e shkuli dot. Në ndihmë thirri plakën, hiq e hiq dhe nuk e shkulën. Më pas thirrën mbesën e deri tek macja dhe miu e të gjithë bashkë, hiq e hiq dhe nuk e shkulën. Po përsëritet e njëjta tabllo edhe në ditët e sotme. Kryeministrit i ka rënë në “pjesë” të kapi i pari për “veshi” këtë të keqe. Pas tij, vijnë gjoja për ta ndihmuar që nga LSI-sti Vasil, Manjanët, Lulëzimët, Gazmendët, Palokat e deri tek Kërpaçi, e mbas tyre disa palo gazetarë e analistë, jo për të ndihmuar si të heqim kolerën, por si të rrëzojmë këtë qeveri e këtë Kryeministër, apo si të themi të ndërrojmë timonin e makinës edhe kur ajo është në ecje e sipër me shpejtësi, duke harruar që midis dy të këqijave rreziku më i madh në këto kohë, është koronavirusi. Nuk u bindën këta që qeverinë nuk e rrëzuan dot as në kohë “paqe” e jo më në këtë luftë?

 

E keqja më e madhe sipas një farë analisti të quajtur Lubonja, që edhe në pamje edhe në përmbajtje, duket më i rrezikshëm nga virusi “korona”, thotë që “armiku më i rrezikshëm nuk është koronavirusi, por Rama, që “po na sulmon e po na bën të shqyejmë njëri tjetrin, që po na sjell diktaturën dhe shkopinjtë! Unë nuk them që Rama, po e menaxhon si duhet situatën, por në fund të fundit, atij i ra në “pjesë” kjo “këmborë” që mirë apo keq, ai do e “tundi” sipas mënyrës së vet. A bëri mirë Rama që postoi videon e gabuar? Aspak! Por në fund të fundit ai kërkoi falje për këtë dhe jo vetëm njëherë. Por jo, nuk i mbushet mëndja këtij “burimi” të viruseve në ç’do kohë, sepse inatin nuk e ka me “koronavirusin” por me Ramën. Ramën kritikoje për të gjitha, por të paktën nuk ka vrarë askënd por ti i ashtuquajtur analist nuk ke ç’ti bësh “gomarit dhe i bie samarit”! Në këtë kuptim, mos u trembni o Lubonjë sepse Rama, nuk nxit dhunën, të tjerët janë ata që nxitin dhunë dhe që ti u shërben. Kjo, është puna juaj..As nuk mund të them që mënyra se si po e menaxhon Rama dhe qeveria e tij situatën, është mënyra më e mirë, por të paktën është në të mirë të qytetarëve. Unë nuk jam dakord, as me nxjerrjen e autoblindave në rrugë për të vendosur disiplinën tek qytetarët. Trembeshin dikur këta qytetarë nga tanket e autoblindat, por sot që kanë dalë “shejtanët nga shishja”, jo vetëm që nuk tremben por ksehasin një copë herë, duke pirë raki aty mbrapa murit ku nuk shkon autoblinda! Nuk e kanë në gjak këta qytetarë kulturën që duhet si kudo edhe në atë të qëndrimit brenda banesës. Pasojat e kësaj kulture i kemi vuajtur dhe do t’i vuajmë edhe për shumë kohë në të ardhmen.

 

Edhe daljet e shumta Rama në televizion, i ka nga halli pavarësisht që ai e bën si ai kuzhinieri që ka gatuar një kazan me supë dhe për të na dhënë atë copkë “mish” që ne kërkojmë, ai i vjen kazanit rreth e rrotull katërmbëdhjetë herë me lugën e drurit në krah dhe atëherë kur na ka ikur “oreksi” ai nxjerr atë copkë “mish” nga fundi dhe na i jep. Kjo, nuk ka rëndësi përpara asaj që ne, si qytetarë, jemi të pa marrë vesh! E dëgjon fjalën e Kancelares Merkel për masat që duhen marrë në këtë kohë dhe të bën ta dëgjosh e ta respektosh. Por Merkeli, në fund të fundit e di se me ç’farë populli ka të bëjë dhe kjo duket në të gjitha fushat. E dimë që e kemi zakon, të bëhemi “specialistë” në të gjitha fushat, si në atë të politikës ku të gjithë jemi politikanë, në atë të drejtësisë, kur të gjithë bëhemi prokurorë e gjyqtarë, këto kohë po mësojmë që paskemi qenë “specialistë” edhe në shëndetësi, duke i dhënë këshilla edhe qeverisë, edhe Kryeministrit etj., sipas bindjeve të shefave të tyre të politikës. Nuk bëhet fjalë të kapemi pas cikërrimave, por pas asaj ç’ka është kryesorja. Në kohën kur e tërë mazhoranca qeverisëse është e angazhuar në luftë për të mposhtur këtë pandemi, opozita dhe “kalanderët” e saj jo vetëm që virusin real po e shumojnë edhe më shumë por edhe ne qytetarëve na i bëjnë të mërzitshme qëndrimin brenda e të mendojmë mirë që “gomari na ngordhi” por hajde edhe të durojmë edhe “infeksionin” politik të disa “të diturve” që ju “hanë racionin” mjekëve dhe specialistëve.

Jashtë nuk duhet të dalim, jo vetëm pse këta na e thonë specialistët, por e shohim si domosdoshmëri, por të paktën të na lënë rehat politikanët e të mos na infektojnë sepse jo të gjithë e kanë në gjak të lexojnë libra, sepse librat, dihet, i lexojnë të diturit, analfabetët kanë marrë “turrën” e këshilltarëve, e të politikanëve me tituj e grada shkencore në Universitetet që u mbyllën sepse i mbaroi “boja” duke firmosur e vulosur tituj e grada shkencorë fals.

Për të mos e zgjatur, po e mbyll me një fabul të këngëtarit bilbil e poet devolli, Endri Fifo: “Një ditë gomari tek doli në fshat/ I foli krekosur gjelit aty pranë/ Ç’është kjo sëmundje/ Që erdhi nga larg/ Sa s’gjendet gjëkundi/ Ta shërojë ilaç?/ Grip shpendësh është, tha gjeli/ Dhe do të kalojë/ Patjetër mjekësia/ Do ta zbulojë farmakun/ Veç ka mijëra vjet kërko e kërko/ S’po gjen dot vaksinën/ Të zhdukë gomarllëkun....!