BREAKING NEWS

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po shpëtojnë politikanët nga burgu, Rama-Basha promovojnë vetëm besnikët, LSI parti familjare

Ndërkombëtarët japin alarmin: Lidhjet me gjyqësorin po
x

Opinion / Editorial

Ministra që mbjellin minoritete

Ministra që mbjellin minoritete

Me këtë start që kanë nisur qeveritarët tanë duke fabrikuar minoritete me ligje absurde, prognoza tregon se në një kohë të afërt në Shqipëri nuk do ketë më shqiptar. Këtë shkrim ma nxiti nisma absurde e ministrit Lleshaj, që ka projektuar një ligj fantazëm që me 300 firma të krijojë “tufa” të reja minoritetesh, se nuk u mjaftuan me nëntë etni që u krijuan para tre vjetësh. Reagimi sa qytetar aq dhe atdhetar i një personaliteti unik i të drejtës ndërkombëtare, Profesor Ksenofon Krisafi, si njohësi më racional dhe ekspert edhe i minoriteteve, që për fat të keq nuk është thirrur nga “padroni” Lleshi, për arsye interpretative nga ana e tij, sa diabolike aq dhe qesharake, të bën të mendosh se këta bajraktar të pushtetit, kur hipin në karrige e quajnë veten sulltanat që mund të shijnë për interesa të tyre jashtë interesave kombëtare. Një ministër i Brendshëm, për më tepër në Shqipëri, ku prej shumë vjetësh lulëzon korrupsioni, droga, krimi, prostitucioni, nuk e shqetësojnë këto fenomene që po e brejnë dhe po e gërryejnë shtetin dhe shoqërinë çdo ditë e më tepër, por gjen kohë të merret me telenovela që prishin imazhin dhe dëmtojnë strukturën e popullit tonë të copëtuar nga padrejtësitë e fuqive të mëdha në shekuj. Është i freskët fakti që para tre vjetësh u manipulua dhe u krijuan dhe minoritete artificialisht siç është ai serb në Libofshë të Fierit etj., që në të vërtetë janë boshnjakë dhe mesa duket zoti Lleshaj është i pakënaqur me këto “kontribute” të paraardhësve të tij dhe do të hedhi një hap më përpara duke krijuar vatra të reja minoritetesh për të mbuluar gjithë hartën e Shqipërisë. Por ky ministër që na qenka shqetësuar pse ka kaq pak minoritete në Shqipëri dhe si krijues provincial do mbjelli me fantazi “parcela” të reja minoritetesh, pse nuk i shkon mendja te emigrantët shqiptarë që janë denigruar, persekutuar, mohuar e drejta esenciale e lirisë, gjuhës dhe emrave dhe kanë ngelur jetimë në rrugët e botës pa pasur asnjë përkrahje shtetërore. Minoritetet në Shqipëri, falë traditës tonë trashëgimtare, që respektojmë më shumë të huajt se vendasin, në të gjitha sistemet kanë qënë të respektuar dhe privilegjuar në aspektin ekonomik dhe social. Fatkeqësisht kjo sjellje ka munguar te fqinjët tanë jugorë siç është Greqia dhe aq më pak te ata veriorë, ish-Jugosllavia. Në kohën e monizmit minoriteti grek kishte privilegje diferenciale me popullsinë vendase dhe preferenca në të gjithë hierarkinë e pushtetit, duke pasur dhe drejtues e të zgjedhur në organet e larta të pushtetit dhe legjislativit. Mjafton të kujtojmë që nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vitori Çuri ishte nga minoriteti grek. Në sektorin më delikat shtetëror, në Ministrinë e Mbrojtjes për një periudhë disa vjeçare ka qënë ministër, minoritari i nderuar Kiço Mustaqi, pa folur për disa kryetarë komitetesh, zëvendësministra etj. Në të gjithë zonat e minoritetit flitej dhe mësohej në gjuhën greke dhe kishte një katedër në Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës e emërtuar: “Katedra e gjuhës, letërsisë dhe qytetërimit grek”, që mësohej greqisht dhe që vazhdon të jetë edhe sot edhe pse ka 2-3 studentë, në një kohë që nuk lejohen të krijohen katedra shqip po të mos ketë mbi 15 studentë. Ndërsa populli mik Greqia, edhe në ditët e sotme mban ligjin e luftës dhe bën presion në organizatat ndërkombëtare se do vendosë veton për të mos u pranuar Shqipëria në BE, në rast se nuk respekton minoritetin “grek” të Himarës. I dashur ministër Lleshi, (që fati të qeshi dhe Rama të deshi, se kështu është gatuar përsheshi), disa minoritete që i cakton Greqia, siç është rasti i Himarës, etj., që edhe pse ka qënë kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra, ata na diktojnë t’i quajmë grekë, disa të tjerë do na i krijosh ti dhe me këtë trend, minoritet do ngelen shqiptarët në Shqipëri. Unë në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës “Labëria” “Nderi i Kombit”, nisur nga vizioni juaj do mbledh 300 firma nga krahina e Labërisë duke shpresuar se do na e bësh këtë privilegj të na krijosh “minoritetin Lab” në Shqipëri. Mos harro i dashur ministër nga vjen, kush je, ku do shkosh dhe si do përfundosh, po qe se këtë rrugë do vazhdosh. Je një ministër në një kope, që jeni kalorës kalimtarë, që karrigia ju bën pashallarë, por kur zbrisni nga karrigia do mbaheni mend jo se bëtë shtet, por se krijuat parcela të reja me minoritet. “Duke urryer gjithçka të dëmshme për popullin, njerëzit shprehin me këtë dashurinë e tyre për të”, shkruan Karl Libknet. Kushdo që vendos një tullë shtrembër në godinën e shqiptarizmës, do ta ketë përbuzjen dhe mallkimin e popullit. Karrigia nuk të jep dinjitet edhe pse të ka lezet, kur nuk jep bereqet, populli të bën lanet. Mos u merakos për minoritarët, se ata janë bërë pronarë në tokat e libohovitëve ku kanë ardhur si bujkrobër mbi 300 vjet përpara sipas të madhit Eqerem Çabej dhe libohovitët kanë ngelur pa prona falë ligjit fatkeq 7501. Ndërsa qeveritarët grekë, që ulërijnë për të drejtat e minoritetit në Shqipëri, jo vetëm që i përzunë çamët nga trojet e tyre, por nuk u njohën as shtëpinë e as pronësinë. Dhe një pakicë e popullsisë çame e krishtere që mbeti në Greqi, shteti “demokratik” grek i detyroi të konvertohen në grekë, duke ju mohuar gjuhën dhe shkollën shqipe. Këtë strategji ka ndjekur dhe genocidi sllav, për t’i shpopulluar shqiptarët e Kosovës mes furtunave të Rankoviçit dhe viçërve të tjerë pasardhës. Në rast se të troket ndjenja atdhetare në mendje dhe në zemër, për këtë fakt injorimi dhe mungesë reciprociteti mes dy vendeve fqinje, duhet të sensibilizosh qeverinë dhe Parlamentin për të ngritur me forcë zërin në kancelaritë europiane. “Patriotizmi nuk është ai që kërkohet dhe mburret në çastet solemne, por ai që çdo ditë e çdo orë kujdeset pa u lodhur për të mirën e përgjithshme dhe nuk mburret me këtë”, shkruan Graf. Të qenët patriot ose jo, nuk është parullë. Ajo lexohet në veprimtarinë e secilit, veçanërisht kur je në pushtet, se sa dhe si i shërben me kontributin tënd çështjes kombëtare. Mua nuk më shqetësojnë kambanat e tua se ato një ditë do veniten, por ajo që është kryesore dhe që ka një prapavijë të rrezikshme është se nga e ke marrë frymëzimin për të kryer një mision kaq liberal që i shërben strategjisë së fqinjëve tanë grabitqarë. Dhe së dyti më shqetëson fakti që po të kaloj në Parlament, të 140 “deshët” me këmborë se kanë problem ta miratojnë, pa e vrarë mendjen se çfarë do prodhojë dhe kujt i shërben kjo lojë. Të anashkalosh dhe injorosh personalitete unikale në fushën e historisë, drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare, që duhet dëgjuar dhe respektuar për dijet, eksperiencën dhe kompetencën e tyre profesionale si Profesor Ksenofon Kristafi, që është unikal në fushën e vet, apo profesor Pëllumb Xhufin etj., kjo nuk është një rastësi, por një hile e dredhi në një mision antikombëtar, por që s’ka për të rezultuar fitimtar dhe pse ndihen krenarë, nuk është kaq naiv populli shqiptar, sa që duan t’i trajtojnë si dele këta shtetarë, kalimtarë, që pa dyshim kanë bërë pazar.