Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ministrat e LSI-së, si yjet e qeverisë

Postuar: 20/11/2018 - 07:13

Pikërisht në Shkodër, atje ku ka lindur edhe proverbi e famshëm “Të hyftë vetja në qejf”, kryetarja Monika Kryemadhi në takim me një grup të rinjsh, tërë qejf deklaroi se: - Në qeverinë “Rama 1” punonin veç ministrat e LSI-së. Ministrat e PS vetëm vidhnin qytetarët. Dolëm në opozitë se s`donim të bëheshim palë, donim ta bënim Shqipërinë si Europa”. Pa iu referuar deklaratave të tjera, secila me hiperbola e lajthitje, me sharje e vetëlavdërime ekstreme të bëra nga Kryemadhi, kjo nga kryeqendra e veriut, përsa i përket vlerave që mbart partia që ajo drejton, veçanërisht kontributet e ministrave dhe administratorëve të partisë së saj në qeverinë e koalicionit të kryesuar nga Rama, që përkon me periudhën 2013-2017 është pika më kulmore. Edhe pse nuk ka lënë rast pa ngritur në qiell përvojën dhe zotësinë e njerëzve të saj në qeveri, dhembshurinë për qytetarët dhe shërbimin ndaj tyre, asnjëherë nuk kishte lëshuar një profkë të tillë. Herë duke i paraqitur si kampionë të ndershmërisë, një ditë tjetër të pastërtisë, zotësisë e ndershmërisë, se pa ta nuk do kishte NATO, lëvizje pa viza, do mungonte buka dhe uji, ajri e drita na ka detyruar këto ditë të shfletojmë kronikat e kohës, kur ata, ministrat lësëistë reklamohen si smeralde në gjerdanin e ndryshkur qeveritar të kohës. Vetëm ministrat lësëistë ndriçonin dhe mezi mbanin në këmbë një ngrehinë, e cila pa ta përfundonte në greminë. Sot, pas kaq vitesh sipas vlerësimit të Kryemadhit, duhet t`u jemi mirënjohës atyre që pranuan të bashkëqeverisin me njerëzit e krimit, socialistët. Ishin njerëzit e LSI-së, që i dhanë përmbajtje dhe e bënë qeverinë diçka më të dashur në popull. Vetëm prej tyre, shqiptarët panë një rreze shprese dhe u ndjenë disi të relaksuar, panë dritë në tunelin e errët të jetës. Ishin këta ministra, që në vendin e shkatërruar dhe vjedhur nga ministrat e mazhorancës socialiste, ruajtën mendtë e kokës dhe gjetën pak drejtpeshim në jetën tonë të përditshme. Pa ata, qeveria do ishte fikur që ditët e para. Pa ta nuk do bënim asnjë hap përpara drejt integrimit. Do mungonin reforma në drejtësi. Pastërtia e mjedisit do mbetej përtokë. Do na mbysnin plehrat. Do kishim një drejtësi, që do të vuante nga problematikat e padurueshme nga qytetarët.

Pasi bën një bilanc të shkurtër me vetveten, mendja të shkon në një pyetje që të godet si çekan në kokë. Si nuk u kujtua kryeministri Rama që tërë portofolet qeveritare t`ia dorëzonte LSI-së dhe ne populli të ishim sot në BE, të kishim një ekonomi të zhvilluar, të ishim të lumtur e të gëzuar?! Të kishim zero kanabis. Spitale si në perëndim. Drejtësi të pavarur si në Amerikë. Rrugë që do të konkuronin me autostradat më të mira të botës. Dhe faji për gjendjen që ndodhemi sot, të mbytur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, është vetëm prej këtij budallallëku të Ramës që nuk arriti të zbulonte ku qëndronte sekreti i “shkëlqimit” të ministrive të drejtuara nga zotërinjtë e zonjat e LSI-së, pjesa më progresiste e së majtës shqiptare. Ishin ata që arritën rezultate spektakolare edhe pse pengoheshin nga xhelozia kryeministrore, duke mos ia dorëzuar çelësat e ministrive, ministrave që vinin nga familja e madhe e LSI-së. Në do ishte arritur kjo, sot do ishim krejt ndryshe. Nuk do kishim asnjë produkt bujqësor jo bio. Do kishim siguri ushqimore që nuk e ka asnjë vend në Ballkan, shërbim veterinar të organizuar në perfeksion si në tërë Europën, deri tutje në SHBA e Australi. Do arrinim t’u jepnim leksione tërë botës me atë që do siguronte Shqipëria, me zyrtarët e sprovuar dhe kalitur në vatrën e partisë, e cila mbuloi tërë dështimet e qeverisë, falë profesionalizimit, devotshmërisë e punës së palodhur të lësëistëve. Po kjo sot nuk ka më dobi. Ai kapitull është mbyllur dhe ka pasur vetëm efekte negative. Ne humbëm shansin për një qeverisje për të na drejtuar në BE. Humbëm vetë këtë organizëm. Nuk arritëm dot standartet e LSI-së në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, pikërisht se nuk kishte njerëz të aftë të kuptonin vlerën e ministrave që vinin nga kjo parti. Si nuk u ndoq shembulli i punës së tyre? Si humbëm këtë shans? Nuk e themi ne. Nuk e arritëm këtë konkluzion vetvetiu. Pikërisht, ishte zonja Monika Kryemadhi, që na e bëri të ditur që nga Shkodra.

Sot është koha që ministrat e qeverisë “Rama 2” të bëjnë një bilanc dhe t’i kërkojnë falje popullit për paaftësinë që kanë shfaqur dhe mungesën e kompetencës drejtuese që kanë treguar në jetën e tyre ministrore, me skandalet që kanë shfaqur gjatë punës së tyre dhe e gjitha kjo se nuk ka ndjekur shembullin e djemve e vajzave të LSI-së. Edhe aq pak sa ndriçoi qeveria “Rama 1” është meritë e LSI-së, ishte drita e saj. Pa të, vetëm errësira do ta pllakoste këtë vend. Zymtësia dhe humbja e besimit do gëlonte. LSI, vetëm sa mori nga socialistët dhe zyrtarët e saj, zhgënjimet dhe faturën e padrejtësive, korrupsionin, vjedhjet, abuzimin. Padrejtësisht u bë pis. Si të thuash, humbi ndershmërinë e virgjërinë. Armën më të fortë, që ka qenë në ADN-në e saj. Akuza këto, që nuk i meritonin dhe më shumë se kaq nuk kishte arsye t`i mbanin mbi shpinë, kur ata ishin etalon i së drejtës, i ndershmërisë dhe kompetentë në drejtim. Janë të kota dhe keqdashëse akuzat se “Rruga Tiranë- Elbasan”, edhe pse me dyfish financime nuk arriti kurrë të bashkonte në një segment rrugor të përfunduar e me standarte për katër vjet. Edhe pse në krye të saj ishte një lësëistë. Edhe pse financimet, gjatë tërë viteve vërshuan lumë. Dhe vetëm një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme u akorduan edhe 35 milionë euro, të cilat nuk është se shtuan ndonjë kilometër rrugë të përfunduar po përmirësuan financat e ministrave. Ashtu siç ishte në 2013-ën, mbeti edhe në qershor 2017-të. Edhe pas ikjes së ministrit, rruga mbeti po aty. Dhe e tëra sepse qeveria sabotoi Ministrinë e Infrastrukturës. Pa folur këtu për “kompetencën” dhe ndjekjen e punimeve për ndërtimin e baipasit të Fierit, ku dhe sot mijëra punëtorë dalin në protesta për të marrë pagat e papaguara. Dhe po bëhen gjashtë vjet që baipasi është vetëm një gjurmë në terren. Katër vjet vetëm sinjalistikat e dridhjes mbi asfalt, duke lyer me bojëra me ngjyra dhe ndonjë tabelë vertikale u pa nëpër segmentet rrugore të Shqipërisë. Kjo, edhe pse në krye të ministrisë ishte ministër i LSI-së. Pa folur këtu për segmentin e rrugës së Gjinarit, që ishte bërë vetëm simbolikisht. Në hartë e përfunduar dhe në terren e pafilluar.

Nëse kalojmë në sitën e verifikimit tërë punët e ministrave të LSI-së, vëmë re se punët, jo vetëm nuk kanë shkëlqyer, po janë shembujt se si shumë punë nuk ishin punë. Një luftë gati një vjeçare po bëhet për mënyrën e grumbullimit dhe përpunimit të mbetjeve organike, gangrenë në vendin tonë. Furra gëlqereje kudo. Gurore në zemër të malit të Tomorrit. Pyje të shfarosura nga sëpata e papërgjegjshmërisë. Është LSI dhe kryetare Monika, që i ka anatemuar më shumë se të gjithë praktikat e përdorura për përpunimin e mbetjeve, duke shkuar qytet më qytet për të kundërshtuar ndërtimin e impianteve dhe me sa kujtojmë edhe në krye të kësaj ministrie ishte njeriu i kësaj partie. Drejtimi dhe puna e një qeverie në realitet është një bashkëpunim tërësor dhe i organizuar, dhe nuk ka vend për copëzime e as për ta parcelizime. Dhe në këtë kuadër, kur punët çalojnë në një drejtim, kjo është përgjegjësi e tërë qeverisë. Se nuk mund të thuhet, kjo parcela këtu është shumë më e mirë se kemi punuar ne që dimë të bëjmë mirë detyrat, se jemi të specializuar, por këta të tjerët që mblidhemi bashkë, debatojmë, marrim vendime, biem dakord për adresimin e fondeve, për ndihmën ekonomike, përparësitë e zhvillimit, luftën kundër trafiqeve dhe korrupsionit, ndalimin e përhapjes së lojërave të fatit, marrëdhëniet me fqinjët, politikën e jashtme në tërësi, bashkëpunimin ndërshtetëror, janë frytë i punës së një pjese. Nuk mund të thuhet, kjo pjesa këtu që shkëlqen është e imja. Kjo tjetra që nxin e juaja. Trajtimi i diferencuar dhe logjika e ndarjes, duke i veshur vetes suksesin dhe të tjerëve dështimin më kujton procesin e punës në repartin e sixhadeve në ish ndërmarrjen e madhe të qytetit, ku punonin 1.000 gra. Thurja e një sixhadeje bëhej në grup. Në të punonin me muaj 4 ose 6 gra. Bënin të njëjtat lëvizje. Merrnin frymë në një ritëm. Lëviznin fijet në sinkron. Natyrisht, secila kishte përvojë të ndryshme. Po në fund, cilësia ishte rezultat i punës kolektive. Dhe gjatë kontrollit të procesit, kur thurja ishte gabim, përgjegjësja e repartit qortonte gjithë grupin dhe pasi ua prishte pjesën e dëmtuar ose të bërë keq e rifillonin nga e para. Po përgjegjësia nuk ndahej. Edhe pse krahasimi nuk është i barasvlershëm, puna në ekip këtë nënkupton.

Ndryshe nga Kryemadhi, deri sot nuk kemi dëgjuar asnjë qëndrim zyrtar nga qeveria që të ketë fajësuar pjesën e LSI-së për dështimet dhe punët që nuk kanë ecur sipas programeve. Përkundrazi, Rama për ministren e Integrimit, Gjosha tha se “ishte një yll në ngjitje”. Dhe mirë ka bërë, se puna e mirë është vlerë për tërë ekipin. Nëse analizojmë kurorat e dafinave dhe lavdet që u vesh ministrave të LSI-së, duke i shpallur si kampion të ndershmërisë dhe përkushtimit, si individë që bënin diferencën në radhët e qeveritarëve të tjerë, atyre që vinin në këto poste nga socialistët, habitesh me guximin që ka dhe përpjekjet që bën për ta paraqitur pjesëzën e qeverisë që zotëronte si më rezultativen e produktiven në drejtimin e punëve të shtetit. Ta konsiderosh mburrje këtë qëndrim është fare pak. Vetëkënaqësi? Vetëlavdërim? Është shumë më shumë! Edhe përpjekja për të argumentuar largimin nga koalicioni si një veprim i imponuar dhe si një masë për të frenuar krimin apo keqqeverisjen, siç bëri dhe ka bërë shumë herë për t’u vetëpastruar nga mëkatet e bashkëqeverisjes Monika nuk është se i shton ndonjë pozitivitet partisë së saj. As ngre aksionet tek aleancat e reja. Aq më pak tek votuesit. Se në opinion, këtu poshtë është i fortë mendimi që shumë herë, pjesa e ka nxirë më shumë të tërën. Se protagonizmi i ministrave të LSI-së, shumë herë ka frenuar reformat. Se qëndrimet e tyre kanë bërë të shtyhen shumë projekte të rëndësishme me vlera kombëtare. Se shumë herë ligje me peshë, janë deformuar e ndryshuar, pikërisht nga ata ministra që sot mburren si korifenj të zhvillimit dhe administratorë të spikatur. Të thuash se ministrat e mi ishin ajka e qeverisë, ishin diamantet që rrezatonin, kurora e lavdisë të çdo arritjeje brenda e jashtë vendit dhe të tjerët bloza që nxinte kudo, është vërtet e dhimbshme dhe përtej çdo logjike. Në këtë gjykim nuk ka as një pikë modestie. Asnjë gram përgjegjësie. Asnjë ide funksionale. Asnjë autokritikë për punët e pakryera. Kur dëgjon Monikën për vlerësimin ndaj ministrave të saj në qeveri të vjen vërtetë çudi. Kur njihesh me argumentin e divorcit me koalicionin nga ndihmësi i saj Luan Rama se me ikjen e tyre, PS mbeti e zbuluar, të duket sikur thonë: Me ta ishim pranë Europës dhe pa ta po i afrohemi gropës. E në vijim të kësaj logjike nuk mbetet tjetër për të thënë, veçse u ka hyrë vetja në qejf deri atje sa mungesa në qeveri e ministrave të LSI-së, është sot e keqja më e madhe e Shqipërisë!

 Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/12/2018 - 07:09

Është një çudi, pse lëvizja e studentëve ka tërhequr aq shumë vëmendjen? Aq shumë komente. A po tundet politika?

Postuar: 14/12/2018 - 07:07

Një tjetër ciklon i afrohet uraganit të protestave të studentëve...

Postuar: 14/12/2018 - 07:06

Në kuadër të arritjes së objektivit strategjik për rritjen e numrit dhe të cilësisë së auditimeve

Postuar: 14/12/2018 - 07:04

Protesta e studentëve është në vetvete një revolucion ndryshimi, për ta nxjerrë arsimin shqiptar

Postuar: 13/12/2018 - 07:12

U desh lëvizja studentore të dilnin në sipërfaqe tërë ata që kërkojnë të riciklohen në politikë n

Postuar: 13/12/2018 - 07:11

Nuk ishte ndonjë shfaqje kaq interesante dhe sidomos kaq dobiprurëse ajo e Kryeministrit me Dudus

Postuar: 13/12/2018 - 07:10

Nepotizëm dhe korrupsion ka edhe në universitetet europiane, por kur denoncohen ato hetohen dhe n