Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ministrja e Arsimit mbjell pemë, kryebashkiaku i Cërrikut prish memorialin e Arsimit

Postuar: 14/04/2018 - 08:46

Ndërtimi i një memoriali në nderim të mësuesve në qytetin e Cërrikut tre vite më parë, ishte një ngjarje e madhe e vlerësuar jo vetëm nga protagonistët, por edhe nga komuniteti qytetar i Cërrikut. Me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit dhe me angazhimin e një grupi pune në funksion të këtij memoriali kujtimi, u bë i mundur realizimi i një vepre që i shtoi qytetit të Cërrikut krenarinë për brezat e kaluar të atyre mësuesve dinjitozë që ngritën një brez intelektualësh të mirëfilltë. Tre vite më pas ky memorial nuk ekziston, u prish pa nam dhe pa nishan. Në inagurimin e këtij memoriali morën pjesë që nga Drejtori i parë i gjimnazit, Enver Delimeta sëbashku me shumë mësues që kanë dhënë mësim dhe kanë edukuar breza të tërë nxënësish e deri tek deputetë dhe drejtues arsimi. E veçantë ishte prania e Drejtoreshës së Përgjithshme të arsimit Parauniversitar, zonjës Zamira Gjini (Abazi). Kjo e fundit përcolli jo pa emocion edhe përshëndetjet e ministres Lindita Nikolla. Për një vepër të tillë që nuk ka vetëm vlerë skulpturore, por ka vlerë nderimi për punën e brezave të arsimtarëve që nga fundi i viteve ’50 e këndej, veçanërisht të viteve ’60 dhe ’70. Pyetja që shtrohet është se kush e prishi, kush e hoqi, kush e zhvlerësoi moralisht dhe materialishtnjë vepër që mund të quhet me plot gojën dinjitoze sepse u kushtohet atyre, mësuesve që në Cërrik kanë patur vlerësimin maksimal. Në parantezë duhet të themi se kjo vepër që sot nuk është, është frut i kryebashkiakut Altin Toska që, pa ju dridhur dora dhe pa shkuar nëpër mend një herë të vetme se çfarë veprimi po bënte, ai e hoqi atë. Preteksti: Ristrukturim i sheshit në qendër të qytetit. Si qytetar, si banor i këtij qyteti, si ish nxënës që nga klasa e parë e deri në maturë, unë dhe të gjithë brezat e shokëve të mi, tek ai memorial për mësuesit, pamë dëshirën e mirë të ish kryebashkiakut Servet Duzha dhe Këshillit bashkiak të qytetit, për të bërë sadopak një vlerësim për ata burra dhe gra arsimtarë që me përkushtim dhe dinjitet, me njohuri dhe informacione të programuara, nxorën nga duart e tyre profesorët e ardhshëm, mjekët dhe inxhinierët e ardhshëm, mësuesit dhe agronomët e mirë, shkencëtarë dhe akademikë, personalitete të artit dhe kulturës, nxorën edhe burra shteti duke e bërë Cërrikun nga një qytezë të thjeshtë në një qytet që për meritë të këtyre mësuesve ka gjeneruar vlera. Për mendim të arkitektëve të respektuar që kanë bërë projekte sheshesh të qyteteve, thuhet se veprat e artit dhe simbolet e një qyteti, siç ishte memoriali i mësuesve dhe ai i punëtorëve që simbolizonin punonjësit e rafinerisë së naftës për shkak të të cilit u krijua ky qytet, meritonin të vlerësoheshin si pjesë e projektit. Nuk e di kush ka qenë ideatori i projektit, por di që kryebashkiaku aktual Altin Toska, ish nxënësi im në Shtërmen, fshat pranë Cërrikut, nuk tregoi as më të voglin respekt, jo për mua si mësues që u bëra edhe organizator i atij aktiviteti, por as për gjeneratat e mësuesve që bota gjithnjë i nderon. Ka një shprehje që thuhet se “Nderimi për mësuesit nga nxënësit është nderim për të ardhmen e brezave se kush nuk investon për të sotmen do të humbë të ardhmen”. Duket qartë se kryebashkiakut të Cërrikut i ka pëlqyer investimi dhe vlera në para e tij se sa investimi që kanë bërë brezat e arsimtarëve për ti dhënë të ardhmes së qytetit dhe vendit, nxënës dhe kuadro të fushave të ndryshme të jetës shoqërore, ekonomike e kudo. Gjithkush që ka parë ministren e arsimit, zonjën Lindita Nikolla që mbolli pemë në kuadër të një fushatë të sensibilizuar për mbjelljen e një sasie të konsiderueshme pemësh në Tiranë, detyrimisht që ka shprehur respekt, se pemët në një stinë pranvere janë gjelbërim, se siç thotë Gëte “Druri i jetës duhet të jetë gjithnjë i gjelbërt”. Pikërisht këtë vlerësim mori edhe drejtoresha e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, zonja Zamira Gjini, që u bë pjesëmarrëse “në mbjelljen” e një memoriali për të nderuar mësuesit e saj dhe të gjithë nxënësve që gjelbëruan qytetin e Cërrikut. Por çuditërisht, një nxënës i keq prishi memorialin e gjeneratave të mësuesve. Nëse në qytetin e Cërrikut ka një kujtesë historike që nga krijimi i këtij qyteti më 20 Nëntor 1952 dhe vënien në punë të Uzinës së Naftës më 20 nëntor 1956, vendin e nderit e zënë mësuesit, ata burra dhe gra, ish Normalistë nga më të mirët, veçanërisht nga Elbasani që, kur u bënë pjesëmarrës në inagurimin e memorialit dhe u takuan me njëri tjetrin, nuk i mbajtën dot lotët, edhe pse të plakur dhe në mosha të mëdha dhe ne ish nxënësit e tyre që ndjeheshim krenar për ta. Cila mëndje ka ushqyer një kryebashkiak, që në mënyrë anonime erdhi në këtë qytet dhe në mënyrë shumë të pavlerë prishi një memorial për arsimin. Ideja për ngritjen e këtij memoriali ishte 20 vjet më parë, kur ministër i kulturës ishte Prof. Dr. Agron Tato, nxënës dhe qytetar i Cërrikut. Ai e mirëpriti idenë, por rrjedhat e punëve ishin të tilla që nuk u realizua në atë kohë. Pas 20 vjetësh kjo ide u realizua. Ishte po ky profesor i nderuar i një niveli shumë të mirë që falënderoi kryebashkiakun Servet Duzha dhe gjithë stafin organizator për arritjen e një nderimi për ata që janë të parët në listën e nderimeve shoqërore, mësuesit. Drejtorja e lartë e arsimit dhe deputetë që u vunë në dijeni, mbetën të habitur për këtë “vepër” e llojit bastard që bëhet në një qytet ku kanë dalë personalitete. Ai që nuk deshi t’ia dijë për ta ishte vetëm kryebashkiaku Altin Toska. Në emër të kujt? Të Rilindjes urbane apo të të kujt? Ndoshta! Ministrja e Arsimit mbolli një pemë, ndërsa një kryebashkiak i një qyteti si Cërriku prishi një memorial arsimi. Një vizitor i huaj i kësaj botës së qytetëruar, nëse do të kishte fatin të vizitonte Cërrikun në qendër të Shqipërisë dhe do të shikonte memorialin e punëtorëve dhe atë të arsimtarëve, ai do të ngazëllehej dhe do të shprehte respekt, ndoshta duke thënë më vete se “Aty ku nderohen punëtorët dhe arsimtarët, aty nderohet jeta e njeriut”. Kryebashkiaku aktual i Cërrikut i prishi ato, duke e ndëshkuar historinë dhe kujtesën e qytetit pa patur asnjë ndëshkim për këtë vepër të keqe që bëri duke shkatërruar “pranverën e arsimit në Cërrik”./  Nga Hyqmet ZANE

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/04/2018 - 08:38

Zgjedhja e zonjës Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ndodhi fill pas raportit të hapjes së negociatave Shqipëri-BE. Është një lajm që duhet të gëzojë gjithë shqiptarët. Nuk është arritje që i përket një individi. Është një shqiptare në një organizëm rajonal.

Postuar: 26/04/2018 - 08:33

Nënshkrimi i BE për dhënien e rekomandimit për çështjen e negociatave me Shqipërinë në muajin Qershor ishte në sukses, një vlerësim, një elitë e shënuar historike, gëzimi, harej

Postuar: 26/04/2018 - 08:31

Meqenëse prej vitesh preferoj që të gjithë rrugën ta bëj me këmbë, kjo më ka dhënë mundësi t’i shoh shumë gjëra realisht dhe t’i prek vërtet vlerat që po e bën Tiran

Postuar: 26/04/2018 - 08:29

Jemi sëmurë rëndë si shoqëri - historikisht.

Postuar: 25/04/2018 - 08:41

Përgatitjet që po bëhen dhe që kanë marrë një sensibilitet të madh në bisedimet bilaterale Shqipëri – Greqi, për takimin që pritet të ndodhi mes dy kryeministrave, më rikt

Postuar: 25/04/2018 - 08:38

Një protestë, 24 të arrestuar, shkatërrim i një prone private me disa miliona euro humbje, që bien mbi kurrizin e taksapaguesit të varfër shqiptar.

Postuar: 24/04/2018 - 08:08

Tashmë, që Europa i ndezi Shqipërisë dritën jeshile për hapjen e negociatave, ata që kanë marrë përgjegjësinë publike (qeveri+opozitë) për ta udhëhequr këtë popull drejt një sho