Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mirësevjen në “klub” zonja Topalli, por ADN jote është diçka tjetër!

Postuar: 11/10/2017 - 07:29

Sigurisht që duhet të ketë qenë e rëndë për Jozefina Topallin të thotë se “nuk votoj më PD-në” dhe pse shton “sa të jetë Lulzim Basha”! Mbase dhe ka qenë e lehtë, por mendoj se duhet të ketë qenë e vështirë, së paku në principin e një gjatësie vitesh të saj në opozitë dhe pozitë në partinë, e cila në fund të fundit e ka çuar atë (Inën, sepse kështu thirret në Shkodër dhe jo Jozi) në lartësinë më të madhe të një gruaje në post pushteti, por dhe post real partiak! Unë them “mirësevjen në klubin e atyre që nuk e votojnë PD-në”, por ka një dallim real dhe pse e përbashkëta është pikërisht “klubi jo votues i PD-së”!

Zonja Topalli, apo Ina Çoba, ka disa cilësi të Shkodrës dhe pse sigurisht shoqërohen me individin në ADN perdonale të tij. Patjetër më vinte mirë kur i thoshte “trumcak” një prokurori, sepse ashtu ishte realisht dhe PD-ja e saj, nuk mendonte si ajo. Ina Çoba Topalli nuk paska votuar as Bashën dhe as Olldashin për kryetar partie dhe sigurisht që ka pasur të drejtë në arsyet e saj, por dhe unë sigurisht nuk do t’i votoja – Bashën, se hoqi mijëra anëtarë partie me një perversitet tipik tashmë të vërtetuar, probleme të mëdha me Rrugën e Kombit, detin, 21 Janarin dhe papunësinë e dembelizmin e tij historik në Bashki të Tiranës, kurse Olldashin si një ish ministër Transporti, të Brendshëm dhe për rrugën e hapur kudo për fibrat optike! Topalli ka arsyet e saj, akoma më partiake dhe më të ditura për të mos i votuar – por e përbashkëta është “mos votimi”! Çfarë rëndësie ka në fund të fundit këndvështrimi dhe arsyetimi?! Është e drejtpërdrejtë zonja Topalli ose Ina, dhe kjo sigurisht që i bën nder, por e drejtpërdrejta e saj shkon deri te “apostujt dhe jo më lart”! Jo jo, nuk kam punë me religjionin – por si ajo, si më vonë Olldashi dhe akoma më vonë Basha, janë katapultime të “zotit Doktor”! Kush ndryshon? Sigurisht ADN-ja e Topallit - Çoba!

Kur u “vetëlargua” doktori, sigurisht që për postin e Kryetarit të PD-së mund të ishte dhe vetë zonja Topalli – Çoba dhe pse jo dikush tjetër – por jo, sidomos Topalli jo! Pse pra?! Problemi është te modeli i partisë, e cila nuk votohet më nga Topalli (sa të jetë Basha) dhe mospërputhjes së ADN-së së saj me atë të Topallit! Zonja Topalli – Çoba u rrit në hierarkinë e PD-së për disa pjesë të ADN-së së saj! Kush janë këto? Po ja – qytetare katolike që sigurisht është e rëndësishme, po ta bashkosh dhe qenien grua! PD-ja merrte në sy të popullit, shoqërisë dhe ndërkombëtarëve, një tjetër lartësi përfaqësimi me këto tre veti të Topallit! Pastaj nga Shkodra dhe nga lagja Gjuhadoll! Sigurisht që duhej një lartësi nga Shkodra dhe akoma më qartë nga një lagje, e cila ka nxjerrë korifenj të letrave, politikës, antikomunizmit, klerit katolik, persekucionit politik, artit, si përpara dhe në komunizëm, qytetërimit shkodran dhe properëndimor... etj., etj! Në këtë rast, po përfitonte Dr. Berisha me një katapultim të tillë, që sigurisht do të ketë qenë i propozuar (them unë) por nuk është se e di të vërtetën! Kjo ADN dhe kjo origjinë – sigurisht nuk “do të bënin” (2013-2017) për kryetare partie dhe padyshim që nuk ishin kompatibël me origjinat e Berishës, Olldashit dhe Bashës, që ndër të tre, më pak i lidhur me komunizmin është ky i fundit! Ina Topalli Çoba ka qenë pjesë lidershipi dhe një person shumë i lartë i partisë dhe shtetit – në një parti jashtë ADN-së së saj reale dhe moralo-politike! Më vjen keq që i them këto fjalë dhe më duhet të pranoj se Ina Topalli, është sjellë më mirë, pikërisht ajo me njerëzit e tradicioneve të majta dhe ish komuniste se sa “antikomunistët” e partisë së saj, që kishin dalë nga ADN-ja më idiote komuniste! Dakord! Në familjet e saj si e vetja dhe e bashkëshortit, ka qenë e qartë (sa kanë pasur mundësi shprehje kjo është punë tjetër) urrejtja ndaj regjimit dikur, ndaj krahut politik lindor, ndaj letërsisë së tillë, ndaj sjelljes në shoqëri, ndaj mësimeve në shkollë si model politik etj., etj. Absolutisht kundra dhe pse dikush mund të jetë rebeluar dhe e ka ngrënë, dhe të tjerët pastaj janë përshtatur për të mbijetuar – por kurrë nuk janë bashkuar, as kanë pranuar një regjim të tillë! Çfarë lidhje ka ADN-ja politike dhe në besimin e saj, me një dorë të madhe njerëzish në PD dhe po themi me lidershipet, që ajo nuk ka votuar dikur?! Hahaha - Partia Demokratike është parti popullore! Në fakt, nuk dua të qesh me të madhe – po pra te grupimi i madh i tillë kryesisht demokristian si vokacion! Pikërisht – për këtë duhej dhe Ina Topalli Çoba, në sy të këtij grupimi, por të tjerët në parti ishin “vokacion postkomunist me Inën brenda” dhe thërrisnin shumë më tepër se ajo – poshtë komunizmi!

Nuk dua të flas për interesat e lidhjeve të tjera me partinë dhe lidershipin, sepse teoritë e konspiracionit, deri te të vërtetat tashmë është e kotë, mbetem brenda të drejtpërdrejtës, që shpeshherë Ina ka si parim! Ajo sot thotë: Basha është i rremë në paraqitje, i rremë kur thotë për bashkim, i rremë kur thotë që me Ramën nuk hyhet në zgjedhje dhe hyn në qeveri. U kujtua pas katër muajsh për vjedhjen e votës. Nëse ka njeri që duhet të mbylli gojën për votën e lirë është Basha. Ka manipuluar votën në PD. Po të më pyesësh se çfarë duhet bërë nuk di të them, por me kalimin e kohës do të ketë lëvizje. Në fakt është e vështirë realisht të thuash – por sigurisht Basha, ai ka qenë dhe më përpara, pikërisht ai që është sot! Kur i shkruaj unë “nuk janë mirë të thënat” por unë jam i sigurtë, që është shumë mirë që i thotë Ina, edhe pse ka një pjesë njerëzish që deklarojnë se ajo i thotë këto – sepse u largua nga postet dhe kandidimi si deputete! Padyshim – Basha është akoma më i “sinqertë” ai në bazament si urren Topalli regjimin dikur - ky djali që lyen flokët, urren ADN-në e Topallit! Por edhe vetë atë! I nxjerr punë të madhe ajo – se grindet dhe Ina provoi se çfarë do të thoshte parti e cila të largon në periferi apo të bën OFF?! Imagjinoni Bashën kur bën antikomunistin dhe zonja Topalli “e dëgjon” - nëqoftëse e dëgjon sigurisht, sepse nuk besoj! Është “apocalyptic politics status” dhe tashmë është e pamundur që ADN-ja të mos thërrasë në “intervistë” zonjën në fjalë! Ajo ka merita sigurisht në Shkodër, krahas dhe gabimeve të qarta në sjelljet folklorike dhe irracionale të partisë së saj! Unë as që e fajsoj, sepse modeli i PD-së dhe lidershipit të doktorit ky ka qenë dhe Topalli ishte pjesë e këtij model. Kur kishte mundësi sillte rrugë, investim dhe po ashtu, bënte diçka që mendonte. Gjërat shikohen dhe aty janë – nuk mund të mohohen. Ashtu sikundër nuk mund të mohohen kur bëhen ato të sotmet, si stadiumi bie fjala!

Acarimi i Ina Topallit Çobës me Bashën në fakt, është një keqësimin me Partinë Demokratike. Prandaj ajo e thotë seriozisht atë që – nuk e votoj! PD-ja, ka pikërisht sjelljen e Bashës, njerëzit e rinj të saj janë akoma më keq demokrativisht, parimisht e moralisht se sa koha e zonjës Topalli! Zonja Topalli nuk është e “zonja” t’i acarohet njeriut që ka përfundimisht peshën e fajeve më të mëdha! Zgjedhjet, forma e përmbajtja e partisë, janë prodhim i doktorit të madh. Njerëzit e katapultuar dhe njeriu më i llastuar i tij ose Basha, janë një model dhe produkt enkas i tij! ADN-ja e partisë dhe njerëzve të saj e afërt me komunizmin dhe regjimin e tij, janë prodhim i doktor Berishës dhe sigurisht Ina Topalli, ka bashkëjetuar edhe pse e kuptoj me një peng të madh të saj - kohët e fundit! Antikomunisti Basha e përplasi dhe në Shkodër, ja rimodeloi grupet dhe grupimet, të cilat tashmë janë një “keqqeverisje e qytetit dhe marrëzi politike akoma më shumë se dikur”! Pesha e madhe e saj, u reduktua me urdhër politik dhe mungesën e demokracisë “lapidare” që kjo forcë ka si trashëgimi të partisë së dikurshme të liderit maximus dhe ADN-ve të shumë liderëve të saj me prejardhje proletaro – aristokrate komuniste! Po pra – nga proletarë në aristokratë të komunizmit dhe tani demokratë të flaktë në demokraci! Ky është problemi dhe ADN-ja e Topallit, nuk lejon as atë vetë dhe as të tjerët përballë saj, të bashkëjetojnë në paqen e partisë që “bën pjesë” në Partitë Popullore Europiane në bazë të të cilave është doktrina kristian demokrate! E në fakt, më mbetej disi figura në stop moment kur Ina Topalli Çoba sillej si nga një ADN tjetër! Nuk dalloja dot nëse bën apo është origjinal, në se ja do puna apo kështu është në të vërtetë! Do doja (unë së paku) sigurisht të ishte në atë origjinalen e saj. Gjithsesi mirësevjen në “klub” zonja Topalli, por ADN-ja juaj është diçka tjetër!

Nga Besi BEKTESHI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/10/2017 - 07:44

“Hall i madh” për një parti të madhe politike, që një lidere e saj të mos dijë origjinën e Machiavell-it! “Shumë e rëndë”, akoma më e rëndë se sa t’i ndërtosh Durrësit dhe një aeroport kur je në fushatë elektorale!

Postuar: 15/10/2017 - 07:43

Gjithnjë kam menduar dhe pyetur veten se çfarë raporti ka mes të vërtetës dhe gënjeshtrës në Shqipëri në ditët e sotme që punët e këtij vendi nuk shkojnë mirë.

Postuar: 15/10/2017 - 07:42

Ka kohë që fotografitë janë bërë arma dhe kauza opozitare sa herë duan të godasin kundërshtarët politikë. E vërteta, kjo puna e fotove nuk është e re.

Postuar: 15/10/2017 - 07:40

Kreu i shtetit Edi Rama bëri të ditur se së shpejti në Shqipëri do të vijnë për të zbatuar ligjin e vetingut agjentë specialë nga SHBA.

Postuar: 14/10/2017 - 07:40

Partizani e fitoi ndeshjen me Teutën dhe kjo u pa nga të kuqtë si një moment kthese në kampionat, jo vetëm pse skuadra shënoi golat që i mungonin, por edhe mori tri pikë që shër

Postuar: 14/10/2017 - 07:36

Tirana luan në Kategorinë e Parë këtë edicion, por për trajnerin e saj brazilian skuadra duket sikur luan në Superiore dhe sfidat tekniku bardheblu i përjeton sikur të ishin due

Postuar: 14/10/2017 - 07:23

Projektligji “Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë” i paraqitur disa ditë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme për konsultim publik, me