Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mirë fatlumët që vizitohen nga liderët, po të tjerët?

Postuar: 12/09/2018 - 07:11

 Ka kohë që po bëhet praktikë publikimi i ndihmës që u jepet familjeve në emergjencë ekonomike e në varfëri të tejskajshme. Vullnetarë dhe rrjete të tëra individësh të organizuar në shoqata bamirëse të shkojnë në ato shtëpi ku mungon tigani, jorgani, dysheku, tavani, dyshemeja dhe nga njëra anë flenë bagëtitë nga tjetra fëmijët. Pamjet që ekspozohen në ekranet e televizioneve i kapërcejnë skicat e Migjenit për varfërinë ekstreme, tollumbat e Lulit të vocërr duken nur, malësorit me refrenin, misër-misër apo gravurat e pikturat që evidentojnë mjerimin në epoka të ndryshme të zakonshme. Po nuk duhet harruar se jetojmë në shekullin e XXI-të. Në ka rënë fati të jetojmë në një vend të bekuar nga natyra. Po le të ndalemi tek tema jonë. Këto familje janë pjesë e shoqërisë tonë që gdhihen e erren me mungesën e bukës e krepës, pa folur për veshjet e orenditë shtëpiake. Shkollim e punë. Pamje të tilla si kur i shikon me sy të lirë, edhe përmes ekranit e rrëfimeve, janë tronditëse. E vërteta, ndaj rasteve të tilla, ka reflektim. Në këtë kuadër shoqëria jonë shumë herë ka shfaqur solidaritet dhe biznese të veçanta kanë ndërmarrë nisma për ndërtime shtëpish, pajisje me orendi shtëpiake, ushqime dhe në shumë raste edhe punësime në vende ku mund të punojnë pjestarë të familjeve në varfëri ekstreme. Shtresa më e varfër e vendit nuk ka kufij gjeografikë. Nuk është e përqendruar në geto. Nuk jeton në sipërfaqe të kufizuara. Skena të tilla has kudo nga jugu në veri. Disa për pamundësi fizike të tjerët nga sëmundjet profesionale dhe shumë prej tyre edhe sëmundje të pashërueshme deri tek ato mendore. Kemi parë fëmijë në moshë minore që për një mijë arsye prindërit në kundërshtim me çdo ligj e traditë në abuzim me të drejtën e jetës, i mbajnë fëmijët të izoluar, të mbyllur dhe jo pak raste të lidhur me zinxhir për tu kufizuar lëvizjen apo ikjen nga shtëpia. Ndjeshmëria e qytetarëve për jetën e familjeve të tilla, shumë herë është shoqëruar me dhurime direkte, llogari, veshje e ushqime. Ashtu sikundër janë bërë të mundura grumbullime të mijëra eurove për fëmijë që kanë patur nevojë për ndërhyrje të vështira kirurgjikale. Dhe në këtë fushë janë dalluar humanistë të shumtë, sportistë, qytetarë të zakonshëm, familjarë e biznesmenë. Jashtë vëmendjes nuk e ka lënë këtë plagë shoqërore shtypi e televizioni. Emisione të shumta dhe thirrje për të ndihmuar këtë kategori shoqërore e cila nuk është në numër të kufizuar, kanë patur impakt pozitiv.

Numri i familjeve në varfëri ekstreme vitet e fundit është zgjeruar nga humbja e vendeve të punës, mbyllja e industrisë nxjerrëse, privatizimi i minierave dhe pamundësia e punimit të tokave dhe sigurimit të të ardhurave nga bujqësia. Familje në varfëri ekstreme gjen në qendër të Tiranës, po edhe në fshatrat e skajshëm. Në qytete e periferi. Matja e varfërisë nuk mjafton me statistika e shifra. Për të gjitha këto raste nuk mjafton evidentimi e plotësimin evidencave e pasqyrave apo numri i pikëve për të përcaktuar cili e fiton dhe kush e humbet ndihmën ekonomike edhe pse ajo është një lëmoshë e cila nuk garanton as bukën e ditës. Për familjet me varfëri ekstreme, përcaktimin e shkallës së varfërisë së tyre në vendin tonë, veç shoqatave dhe individëve egzistojnë zyra, institute, drejtori deri, Ministria e Shëndetësisë dhe Përkrahjes Sociale e cila e ka detyrë imediate dhe ekskluzive të njohë në detaje numrin e personave në vështirësi dhe familjeve të cilat nuk sigurojnë mbijetesën. Institucionet e kanë për detyrë pasi të njohin shkallën e shtrirjes dhe numrin real të familjeve në mbijetesë të hartojnë politika reale dhe specifike për t’u ardhur në ndihmë, jo në mënyrë burokratike po me efiçencë, me përkujdesje dhe masa urgjente për të ndryshuar gjendjen. Nuk mund të mohohen masat e marra dhe vëmendja për këtë shtresë të pafat e në varfëri e cila kontrakson në mënyrë ulëritëse me shtresat që bëjnë jetë luksi me pjesën e pasur apo shtresat më të gjera të shoqërisë që nuk përjetojnë mungesa të tilla. Dhe për këtë në pushtetin lokal e atë qendror ka organizma të shumta që duhet të ndjekin në vijimësi këto shtresa të cilat janë dhimbja e shoqërisë dhe kanë nevojë për kujdes shtetëror. Mund të themi se janë pjesa që shteti duhet ta ketë në qendër të vëmendjes se nuk flitet për nivele të ulta jetese, po për skamje që është vërtetë e turpshme për çdo shoqëri njerëzore. Që do ketë qytetarë që do jetojnë me mungesa, kjo nuk është për t’u habitur as për të thënë se të tillë ka vetëm në Shqipëri. Po që para tyre nuk mund të mbyllësh sytë dhe të justifikohemi me shembuj edhe më të vështirë e shtresa më në nevojë në vende të tjera edhe ky nuk është justifikim. Vendi ynë është në qendër të Europës. Është me pasuri pafund. Ka resurse të shumta. Ka pasuri të jashtëzakonshme mbi e nëntokësore. Ka tradita shekullore të ndërtimit të familjes dhe të jetesës. Në këto mundësi pafund në një vend që ka 300 ditë me diell, klimë të butë, që rrethohet nga dete e përshkohet nga lumenj, që ka fusha të begata e bujqësi të zhvilluar, askujt nuk ka pse t’i mungojë ushqimi. Mund të mos ketë nivelin që duhet, po jo ti mungojë buka në tavolinë dhe një shtrat për të fjetur. Jo të ndajë shtëpinë me bagëtinë apo në raste ekstreme të strehohet në bunkerët e komunizmit. Të jetojë në mjerim, në errësirë e varfëri të paimagjinueshme. Shteti për këto familje nuk mund të mjaftohet me një ndihmë simbolike mujore, përkundrazi, ky kontigjent duhet të mbetet në syrin e vëmendjen e tij. Se këto familje kanë të vetmen shpresë, shtetin. Po kjo nuk mund t’i lihet rastësisë. As të ndahet në racione ditore e mujore. T`i lihet spontanitetit. Dhe të mbetet në dorë të bamirësve. Ndaj kërkohen politika sociale të studiuara të mirëmenduara dhe së pari një kujdes kapilar nga të gjitha organizmat e shtetit. Këto familje nuk vuajnë për luks. Nuk kërkojnë vila. Nuk ëndërrojnë plazhe e nuk kanë pretendime për jetë ekstra. Ata kërkojnë vetëm të jetojnë njerëzisht. Të mos u mungojnë buka e të plotësojnë nevojat më jetike familjare. Kryesorja të ndjejnë dorën e shtetit dhe shoqërisë për të mos e gjykuar veten të përjashtuar e të humbur përgjithmonë.

Evidentim i fakteve të tilla nuk është se bëhet për herë të parë. As nuk flasim për tregues të panjohur e të paditur. Ajo që na nxiti për këtë analizë është lëvizja e kohëve të fundit e liderëve të mazhorancës, të cilët e ndajnë ditën e punës edhe me vizita tek familje në varfëri ekstreme. Kryeministri Edi Rama shkoi për vizitë në një familjeje në fshatin Vajzë të Vlorës. Për familjen, kjo vizitë është një ditë feste pasi do të shënoj edhe një kthesë të fortë në vitet që do të vijnë. Vetë Rama u shpreh se: -Nuk ka nevojë për komente. Gjendja flet vetë. Dhe veç dhurimit të librave për fëmijët në shkollë u premtoi edhe ndërtimin e shtëpisë dhe më pas edhe mundësinë për ndonjë punësim të kryefamiljarëve. Dhe një kryeministër në këtë mënyrë bën detyrën. I gjendet në vuajtje dhe varfëri shtetasit që ka marrë përsipër ti ndryshojë jetën, atij dhe tërë popullit që e ka votuar. Po në këto raste ai nuk është vetëm vizitori Rama, po së pari politikani Rama. Ai nuk duhet të harrojë se është prindi Rama. Është kryefamiljari i një vendi që duhet të ndjejë dhimbjen e secilit. Për këtë është votuar. Për të bërë punën është deleguar në krye të qeverisë. Qytetarët nuk janë indiferentë ndaj një vizite të tillë as nuk e kalojnë si një shou të radhës. Përkundrazi e vlerësojnë dhe kërkojnë që vizita simbolike në një familje të shndërrohet në strategji dhe të mos mbetet bingo e momentit. Që përfitues të mos jenë vetëm ata fatlumë që iu vjen fati në derë e të parit të qeverisë të vizitojë shtëpinë e tyre. Se është e pamundur që kryeministri, edhe sikur të ishte supermen të shkeli tërë familjet e të vizitojë tërë shtëpitë në varfëri ekstreme nga Vermoshi në Konispol. Po prej kësaj vizite dhe obligimit për të ndryshuar gjendjen e një familje, kërkohet të bjerë tërmet në tërë piramidën shtetërore. Të nxjerrin mësime tërë hallkat e shtetit. Të qëndrojë në këmbë pushteti lokal. Të evidentohen familjet. Të grupohen problemet. Të ngrihen rrjetet e asistencës sociale. Shtëpi të të varfërve, mensa, zyra të kujdesit social. T`i ketë prioritet ministria e linjës dhe tërë ministritë e tjera. Të vihen në veprim drejtoritë e agjensitë e shërbimit social. Se shteti duhet të ketë tipar të funksionimit të tij së pari dimensionin social. Pa këtë përmasë, shteti është pa shpirt. Thjeshtë një makinë e ftohtë. E ngurtë me administratorë që pyesin vetëm për vete dhe nuk duan t`ia dinë se janë qindra familje që provojnë përditë testin e mbijetesës. Se shoqëria kështu është ndërtuar. Se jo të gjithë kanë mundësi për të punuar. Vlerësimi dhe përkushtimi për shtresat më në nevojë, tregon fytyrën e vërtetë të një shteti. Një shtet pa këtë dimension është një mekanizëm zemërgur me pandjeshmëri absolute. Të tillë shtet nuk ka ç’e do askush. As të pasurit, as të varfërit. Në shembullin e Ramës edhe Taulant Balla në Librazhd zbatoi të njëjtën skemë. Kopjoi shefin. Edhe ai në vizitë, në një familje në kushte të rënda ekonomike me shtëpinë të rrënuar tani në prag të dimrit. Premtoi ndërhyrje urgjente për ndërtimin e shtëpisë dhe për ndihmë ekonomike të familjes. Po rreth asaj familjeje, sa janë të tilla? Dhe a është e mjaftueshme të nxirren nga varfëria një familje në Vazjë e një tjetër në Librazhd, vetëm se u ra fati të vizitohen nga kryeministri dhe kryetari i grupit parlamentar socialist? A do munden këta dhe kolegë të tyre të vizitojnë tërë shtëpitë e varfëra të Shqipërisë? Se zgjidhja me racion nuk sjell ndryshim. Kjo do ishte vetëm një pikë ujë në oqeanin e varfërisë. Nuk do ndryshonte asgjë, vetëm sa do gërvishte një plagë që dhemb dhe mahiset nga indiferenca e pushtetit lokal dhe atij qendror. Varfëria nuk luftohet me racionime. As me përzgjedhje rastësore. Nuk mund të ndryshojë nëse riparohen një apo dy shtëpi. Nuk pakësohet varfëria duke hequr nga lista e gjatë dhjetë e apo njëzet familje. Aq më pak nëse kjo mbetet e kufizohet në një pamje televizive a një deklaratë zyrtari.

Kërkohet strategji dhe masa ekstreme. Të përpunohen programe efikase, reale, të prekshme, të ndjeshme nga ata që kanë nevojë urgjente për tu asistuar. Dhe këtu hyjnë në veprim dimensioni social i shtetit, ndjeshmëria sociale e tij dhe shoqërisë. Nuk ka kuptim që supermarketet në prag të skadencave të ushqimeve të hedhin poshtë dhjetra ton produkte ushqimore kur mund të falin dhe t’u dërgohen familjeve në nevojë. Nuk është normale t’i groposin apo t’u ndryshojnë datën e skadimit vetëm për të fituar disa lek më shumë. Ashtu siç nuk do ishte normale të flaken nëpër kazanët e mbetjeve tonelata të tëra me veshje që mund të riciklohen duke u falur. Dhe në këtë drejtim ka shumë mundësi që një rrjet i gjerë individësh të organizuar në shoqata e organizata bamirëse të ndihmojë me gjithçka mundet këtë shtresë, e cila është pjesë e shoqërisë tonë, e cila është një plagë që duhet të na dhëmbë të gjithëve. Besoj se humanizmi dhe njerëzillëku në vendin tonë nuk e ka humbur ndjeshmërinë për t`iu gjendur në krah tërë atyre që janë në nevojë ekstreme. Secili ka mundësi të bëjë diçka në interes të kësaj shtrese në mbijetesë. Po në radhë të parë duhet të qëndrojë shteti! Për të gjithë këtë shtresë, jo si në bingo!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 4. Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës, ndonëse ai ka lindur në Filat të Çamerisë, një ndër qendrat kryesore patriotike e kulturore të trevave të Jugut.

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët ësht

Postuar: 23/09/2018 - 07:38

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 23/09/2018 - 07:37

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 22/09/2018 - 07:24

Pozita dhe lidershipi i saj, akuzon opozitën për pengesë në reformën e drejtësisë dhe sidomos dy

Postuar: 22/09/2018 - 07:22

Para çdo palë zgjedhjeje, në Shqipëri, klasa politike as nuk ia ka idenë te premtimet ndaj zgjedh

Postuar: 22/09/2018 - 07:19

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tj